web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dokumentari për Nikolla Zoraqin shfaqet në Korçë/ Rikthen në vëmendje figurën e kompozitorit

26 Mars 2026, 11:10, Kulturë CNA

Në Teatrin "Andon Zako Çajupi" u shfaq dokumentari “Nikolla i zemrës së Tiranës”, një film dokumentar që i kushtohet jetës dhe veprës së kompozitorit të shquar Nikolla Zoraqi.

Filmi, me regji të Mevlan Shanajt, erdhi për publikun korçar si një homazh i veçantë, duke rikthyer në vëmendje figurën e një artisti që ka lënë gjurmë të thella në muzikën shqiptare, por edhe lidhjen e tij të fortë me qytetin e Korçës.

Përmes materialeve arkivore, dëshmive dhe rrëfimeve personale, dokumentari sjell një portret të plotë të Zoraqit, jo vetëm si kompozitor elitar me një krijimtari të pasur në balet, opera dhe muzikë simfonike, por edhe si një figurë me dimension të gjerë njerëzor e intelektual.

Në fokus vendoset edhe kontributi i tij në jetën artistike shqiptare, si dhe ndikimi që ai pati në zhvillimin e muzikës profesioniste në vend.

Regjisori Shanaj theksoi se zgjedhja për ta sjellë këtë dokumentar në Korçë lidhet ngushtë me rrënjët familjare dhe historinë e vetë kompozitorit.

“Dokumentari ‘Nikolla i zemrës së Tiranës’ vjen në Korçë sepse në historinë e Nikolla Zoraqit, gjyshi i tij vinte nga Voskopoja në Tiranë. Këta kanë qenë aromunë dhe i dhanë një dimension tjetër kulturës, tregtisë dhe artit të Tiranës. Nikolla Zoraqi ka disa vite jetë në Korçë, pasi ka punuar aty. Rrezatimi dhe vepra e tij është aq e shumëzuar, një kompozitor elitar dhe i shquar, si aristokrat. Ka shkruar 100 vepra, ka 8 vepra skenike, kryesisht balet, opera, muzikë simfonike. Kam punuar për një vit me këtë figurë madhore, por nuk e dija që ishte kaq i madh. Duke punuar me të, zbulova madhështinë e tij njerëzore, intelektuale dhe krijuese. Është fat për Shqipërinë që kishte një Nikolla Zoraqi, i cili ndërroi jetë në vitin 1991.”

Emocione të veçanta përcolli edhe për familjarët e kompozitorit, të cilët e përjetuan këtë shfaqje si një rikthim në rrënjë dhe në kujtime.

“Është hera e tretë që e shoh filmin dhe më pëlqen më shumë se hera e dytë dhe e parë. Korça është pjesë e rrënjëve; familja ime ka zbritur në Tiranë nga Voskopoja në shekullin e 18-të ose 19-të. Korça është qyteti më i ftohtë në Shqipëri, por më i ngrohti nga dashuria që fal. Ndihem shumë mirë këtu”, tha Enkel Zoraqi.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe figura të njohura të artit dhe muzikës, të cilët vlerësuan kontributin e Zoraqit në kulturën shqiptare. Dirigjenti Zhani Ciko u ndal te dimensioni emocional dhe artistik që përcjell ky dokumentar.

“Një film për një muzikant, kompozitor mbresëlënës në krijimtarinë e tij, me një jetë dramatike, sjell emocione. Këto emocione në Korçë rriten për shkak të lidhjeve familjare të miat dhe të Nikollës me Korçën. Nikolla e donte shumë Korçën, ka kontribuar këtu duke punuar disa vite; kjo e bën edhe më emocionues. Disa vepra të Nikollës janë emblematike.”

Shfaqja e dokumentarit u prit me interes nga publiku korçar, i cili pati mundësinë të njohë më nga afër një figurë të rëndësishme të artit shqiptar, duke reflektuar mbi trashëgiminë që ai ka lënë pas. Përmes këtij filmi, jo vetëm risillet në kujtesë krijimtaria e pasur e Zoraqit, por edhe vlerësohet roli i tij në formësimin e identitetit muzikor shqiptar.

“Nikolla i zemrës së Tiranës” mbetet një dëshmi e gjallë e kontributit të një artisti të madh, duke e kthyer këtë shfaqje në Korçë në një ngjarje kulturore me vlerë, që lidh të kaluarën me të tashmen dhe risjell në vëmendje figurat që kanë ndërtuar historinë artistike të vendit./ CNA





09:19 Kulturë Agim Xhafka

ËMBËLSIRA MBI DOLLAP

Nuk di se ç’ëmbëlsirë shërbehet për drekën e Bajramit, por...

Lajmet e fundit nga