web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

ËMBËLSIRA MBI DOLLAP

15 Mars 2026, 09:19, Kulturë Agim Xhafka

ËMBËLSIRA MBI DOLLAP

Nuk di se ç’ëmbëlsirë shërbehet për drekën e Bajramit, por mamaja ime përherë na bënte pengjir. Kështu i thonë në Korçë, në zonat e tjera më duket se quhet revani. Bakllavanë e shijonim për viti të ri andaj na e ndërronte shijen. Festa në kalendar kishim plot, por dy herë në mot na kapte dhëmbi ëmbëlsirë. Se veç sheqerit me vështirësi gjendej mielli, gjalpi dhe fat i madh të të binte në dorë ndonjë kokërr arrë. Aq u rralluan sa dhe bakllavanë e fundvitit e bënim me biskota të thërmuara.

Në sy dukeshin si arra, në shije si copka nga një bukë e thekur deri në djegie. Kujtoj që racionet e pengjirit mamaja i priste të mesme, ama na i vinte në pjata të vockla që të na e mbushnin syrin. Ah, ai çast, ai çast, thotë poezia! Suleshim me pirunjtë e vegjël dhe si zogjtë ulnim kokat e nuk merrnim frymë deri sa shijonim edhe thërrimen e vogël që ngelej majë pirunit dhe që ne e rrëmbenim me gjuhën tonë. Që e zgjatnim sikur qemë bretkocat poshtë shelgut me degët varur mbi lumë. Sa mbaronte dreka, ndërsa nuk ia hidhnim më sytë tavës se qemë velur me të, nëna numëronte thelat që kishin ngelur.

Na shihte si me shaka, por dhe si me qortim, dmth të mos guxojë kush t’i prekë se ia kam bërë inventarin tavës. Pastaj e përfshinte dhe e vendoste mbi dollapin e rrobave te dhoma e saj. Garderobë i thonim. Atje e linte çdo vit, nuk ia ndërroi asnjëherë vendin. Sërish ne do t’i hanim ato të flamosurat, por me krëk, me racion dhe jo çdo ditë. Por të themi psh një ditë po e tre ditë jo.

Ditën e parë nuk ndërmerrnim inkursion mbi tavën. Hynim, dilnim nga dhoma e prindërve, shihnim vendin ku ishte pengjiri, por kaq. Tundnim kokën e betoheshim sipas shprehjes, nesër avazi, nesër. Dhe vërtet e nesërmja mua dhe vëllain, sapo vinim nga shkolla e prindërit qenë ende në punë, na gjente me karriken e kuzhinës në dorë e gati për të hypur mbi të. Por nuk e arrinim dot ëmbëlsirën, ishim akoma të vegjël. I thoja vëllait të sillte një sirtar të komodinës.

E vendosja te këmbët e mija. Ia nisja me pak sforcim në zgjatje, bëhesha si ajo hardhuca që shëmbëllen si llastik kur do që të kapë një mushkonjë në mur. Shpesh ndodhte që në dhomë atë çast solemn na hynte motra. Ishte pa mbushur 5 vjeç, por i bilbilonte goja për spiunlliqe. Që mos i shkonte mendja te akti ynë sabotues ndaj pengjirit nisja e kërceja majë karrikes. Vëllai fishkëllente e motra duartrokiste.

Kaq se më pas ia bëja me shenjë vëllait, na e hiq se do na çojë në gijotinë goja e kësaj. Kryesorja; nuk donim t’ja dinim që mamaja kishte numëruar copat që na krekoseshin aty brenda në tavë. As që na bënte syri tërr. Ato shiko e ne shiko. Pandehnin se do i sulmonim kur na shihnin me aq neps në sy dhe me aq guxim lufte në taktikën ushtarake. Por jo, kishim tjetër strategji. Betejën do e bënim pa armë, pa barut. Do e bënim me lugë. Ndaj me to në duar nisnim kasaphanën. Sa mbaroja unë me lugën time fap mbi karrike vëllai me lugën e tij. Vaterlo, or Vaterlo. E pasi fërkonim barkun nga kënaqësia prisnim si i bukuri majmun mamanë kur të vinte nga puna.

Qeshte që larg e mira jonë. Por dhe ne ashtu qeshnim se qe tamam dita që do të na jepte secilit nga një thelë pengjir. E merrte tepsinë nga dollapi, e vinte mbi tavolinë, hidhte një sy që përfshinte krejt tavën, numëronte copat e fap na vinte nga një për çdo pjatë. Kështu edhe pas disa ditësh. Ndërsa ne luftonim me lugë, mamaja qe e lumtur që nuk i mungonte asgjë nga numërimi i saj.

Preçiz i delte llogaria. Se ne s’qemë budallenj. Nuk hanim copa kur hypnim mbi karrike. Në të vërtetë përherë tundoheshim t’i përlanim. Ato qenë si sirenat e Uliksit, na ftonin në ngasje me ëmbëlsinë e aromën e tyre, por ne ndalnim. Nuk shkonim më tej. E tillë qe strategjia, sulmo, por mos u dekonspiro. Nuk i preknim fare thelat, përlanim shurupin. E thithnim bre. Çdo ditë me lugë. Vët e vët e vët. Deri sa tavën pas disa ditësh e merrte malli për shurupin e vet. Ashtu si toka në verë që rënkon kur s’bije shi.

E pikërisht ato ditë kur pengjiri nuk kishte pikë lagështie rreth e qark, qenë bërë thelat si biskota të tharra, mamaja mburrej para babait, para gjyshes apo tetos:

-E qaj këtë ëmbëlsirë unë. Askush nuk më afrohet, jam numri një. Shih si e ka përthithur sherbetin, shih! Se shërbeti nuk është gjë e thjeshtë, siç mendohet gabim. Duhet ta bësh me masat optimale mes ujit dhe sheqerit e ta hedhësh mbi tavë jo porsa e nxjerr nga furra, por kur të ftohet pak. Pas disa sekondave a minutave.

E më tej nuk jepte sqarime. E pyesnin të gjithë, por ajo gojën me kyç. Gjasme kishte plot sekrete ky sherbet. Thosh veç kaq:

-Eh, sa ka zanati. Sa ka.

Ne qeshnim. Na dukej se atë çast qeshnin edhe lugët brenda te sirtari i tavolinës. Që qenë dëshmitare të Vaterlosë, të betejës sonë me tavën majë dollapit. Kështu çdo ditë Bajrami. Kështu çdo vit…Trima me lugë në brez./ CNA





Lajmet e fundit nga