LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Si në kohën e skllavërisë"/ Shfrytëzimi i të burgosurve në Bjellorusi

28 Qershor 2022, 08:09, Kosova & Bota CNA
"Si në kohën e skllavërisë"/ Shfrytëzimi i
Foto ilustruese

"Këto janë kushte pune si gjatë kohës së skllavërisë”, tregon ish-e burgosura politike, Natalia Hersche. Ajo e ka vuajtur dënimin për pjesëmarrje në marshimet e protestave në Minsk, në burgun e Gomelit. "Vendet e punës nuk janë pajisur si duhet. Makina qepëse ka vetëm një këmbë druri të thjeshtë. Pak të burgosur pajisen me këpucët që parashikon për rrobaqepëset siguria në vendin e punës. Koha e punës është gjashtë orë në ditë, me dy pushime nga pesë deri dhjetë minuta.

Në orën 12 jepet ushqimi i drekës. Shpesh punohet në fundjavë nëse kërkohet që puna të mbarohet shpejt”, kujton opozitarja. Burgu ku ka qenë ajo përdoret për të prodhuar rrobat e autoriteteve bjelloruse të burgjeve. Por Natalia nuk pranoi të qepte uniformat e tyre. Për këtë arsye asaj iu ndalua të merrte paketa dhe të telefononte me familjen dhe u fut në një qeli, e izoluar vetëm. Më vonë asaj iu desh të qepte rroba pune për një firmë ndërtimi. 

"Si në kohën e skllavërisë"/ Shfrytëzimi i
Maria Kolesnikowa

Në burgun për të cilin po flasim është duke vuajtur dënimin edhe një e burgosur tjetër politike me emër: Maria Kolesnikowa. Që prej vitit 2020 ajo është kthyer në simbol të lëvizjes opozitare, e cila akuzon për falsifikim të zgjedhjeve pushtetmbajtësin Aleksander Lukashenko, në pushtet që prej vitit 1994.

Të gjithë të burgosurit në Bjellorusi janë të detyruar me ligj që të punojnë gjatë kohës së vuajtjes së dënimit. Refuzimi i punës nuk lejohet, përndryshe i burgosuri dënohet me ndëshkime disiplinore që shkojnë deri në zgjatjen e kohës së burgimit. Wasilij Sawadskij, themelues i organizatës "TimeAct", thekson se edhe për të burgosurit duhet të vlejnë ligjet bjelloruse të punës. Por gjendja tregon se mund të flitet për "skllavëri”.

"Si në kohën e skllavërisë"/ Shfrytëzimi i

"TimeAct" kërkonte të drejtat e të burgosurve, para se regjimi i Lukashenkos t'i merrte krejt frymën shoqërisë civile në kuadër të protestave kundër falsifikimit të zgjedhjeve. Sipas Sawadskij-it, i cili ka punuar gati 25 vjet në sistemin bjellorus të burgjeve, realiteti është kështu: 40 orë punë në javë, plus punë e papaguar në oborr dhe në kopsht pa marrëveshje pune, me kërkesa të mëdha për punë dhe me shpërblim të vogël. "Të burgosurit nuk mund ta zgjedhin punën që bëjnë. Ata nuk mund të informohen për të drejtat e tyre si punëmarrës dhe nuk mund t'i mbrojnë të drejtat e tyre", thotë aktivisti i të drejtave të njeriut, njëkohësisht dhe mjek.

Gjashtë rubla rrogë mujore

"Rroga e parë mujore më la përshtypje vërtet të madhe: 6,66 rubla (rreh 1,80 euro)", thotë me ironi Natalia Hersche. Sipas asaj që tregon ajo për shembull, menaxheri i bankave dhe politikani Viktor Babariko, që ka qenë kandidati më premtues në zgjedhjet presidenciale bjelloruse të vitit 2020 dhe që është duke vuajtur një dënim 14-vjeçar në Nowopolozk, ka punuar fillimisht gjashtë ditë të javës si furrxhi në një furrë buke. Për këtë punë ai është paguar më pak se dy rubla në muaj (rreth 0,56 euro). Më vonë Babarikon e hoqën nga kjo punë dhe ai punon tani në bërjen e bukës, megjithëse edhe atje ka probleme me kushtet e punës, si temperaturat e larta dhe ajrosja e keqe.

"Si në kohën e skllavërisë"/ Shfrytëzimi i
Arrestimi i aktivistes Natalia Hersche

Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se pagat janë shumë të ulëta, sepse nga paga hiqen shpenzimet për ushqime dhe rroba, për kostot e tjera dhe për gjobat. "Te të burgosurit politikë, puna është mjet ndëshkimi. Te pjesa tjetër e të burgosurve puna nuk mund të jetë aspak mjet edukimi. Nuk ka mundësi që dikush të përmirësohet kur puna e rëndë dhe e rrezikshme nuk i sjell të mira materiale,” mendon Pawel Sapelko, jurist në qendrën bjelloruse për të drejtat e njeriut, "Viasna".

Prodhim në kurriz të të burgosurve

Një arsye tjetër për përdorimin e të burgosurve si krah i lirë pune është përfitimi që nxjerrin burgjet. Autoritetet bjelloruse të burgjeve kanë nën juridiksionin e tyre 15 ndërmarrje dhe nëntë fabrika. Të burgosurit përdoren kryesisht në përpunimin e drurit dhe metalit, në prodhimin e rrobave dhe këpucëve, në bujqësi si dhe në industri. Ata prodhojnë pjesë këmbimi për prodhuesin e makinave MAZ, në Minsk, për uzinën e traktorëve MTZ dhe për fabrika të tjera.

Në faqen e internetit të autoriteteve të burgjeve, e cila i ngjan kartëvizitës së një firme komerciale, mund të krijosh një ide për prodhimet që bëjnë të burgosurit. Në një katalog 121 faqesh gjenden jo vetëm rrobat speciale që prodhojnë ata, por edhe grila, gurë trotuaresh, dritare, mobilje dhe divanë.

Para vendosjes së sanksioneve të perëndimit kundër Bjellorusisë, disa nga prodhimet e të burgosurve eksportoheshin madje. Sipas të dhënave të Shoqatës Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, (IGFM) me qendër në Frankfurt në Main, të dhëna që janë nxjerrë së bashku me aktivistët bjellorusë të të drejtave të njeriut, disa nga këto prodhime ndodhen ende në dispozicion për t'u blerë në vendet jashtë Bjellorusisë.

"Deri para pak kohësh burgu i Nowosady-s ka shitur mobilje jashtë vendit. Burgu i Iwazewitschi-t furnizonte me prodhimet e tij Francën, në mos gaboj”, thotë aktivisti i të drejtave të njeriut, Wasilij Sawadskij, dhe shton se burgjet mund të konkurrojnë madje midis njëri-tjetrit.

Informacionet për kushtet e punës mbahen sekret

Nga burimet zyrtare nuk mund të mësohet për kushtet në të cilat punojnë të burgosurit. "Çdo informacion që ka të bëjë me burgjet në Bjellorusi, ruhet me kyç,” thotë juristi Pawel Sapelko. Informacionet dalin jashtë ose nga vetë të burgosurit ose prej atyre që dalin nga burgu.

Sipas Sapelko-s ankesa të vazhdueshme ka për shkeljet e kushteve të sigurisë. "Jo të gjithë të burgosurit pajisen me rrobat dhe veglat mbrojtëse të punës. Shpesh të burgosurit punojnë me të njëjtat rroba me të cilat shkojnë për të ngrënë dhe qëndrojnë në hapësirën e banimit. Në shumë burgje prodhimi bëhet me makineri të vjetra, gjë që shkakton incidente, të cilat protokollohen rrallë,” thotë përfaqësuesi i "Viasna"-s.

"Si në kohën e skllavërisë"/ Shfrytëzimi i

Ish-e burgosura politike, Natalia Hersche, tregon se: "Kur shkonim në punë, aty punonin njëkohësisht pesë ose gjashtë grupe. Përveç kësaj filluan të bëheshin edhe lyerjet e sallave dhe boja binte shumë erë. Një gruaje i ra të fikët dhe ra midis makinave qepëse. Ajo u nxor jashtë dhe qëndroi e ulur gjysmë ore në një stol. Më pas iu desh të vinte të vazhdonte të qepte. Por pas dhjetë minutash asaj i ra sërish të fikët. Më në fund u thirr një ambulancë. Tri javë më vonë e pashë atë grua sërish. Ajo ishte duke ecur me shkop, sepse kishte kaluar hemoragji cerebrale”.

Presion mbi të burgosurit politikë 

Punët që u jepen të bëjnë të burgosurve politikë që ndodhen në burg përdoren shpesh si mjet për të bërë presion. Qendra "Viasna" njeh raste ku të burgosurit dërgohen të punojnë në industrinë e rëndë. Kështu për shembull atyre u është dashur të sharrojnë dru të lagët, të bëjnë me dorë izolime kabllosh ose të nxjerrin metal nga rrotat e vjetra të makinave.

"Punë të tilla mund të quhen punë të detyrueshme. Kjo gjë bëhet jo vetëm për të demoralizuar të burgosurit, por edhe për të nxjerrë para prej tyre”, thotë aktivisti i të drejtave të njeriut, Pawel Sapelko./DW

Lajmet e fundit nga