LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ulluqet e çatisë kullojnë në oborr të komshiut, IMT pa mjete/ Denoncuesi: Kam mbetur si peshku pa ujë për sharrë prerëse

9 Shkurt 2024, 21:27, Denoncim CNA

Ulluqet e çatisë kullojnë në oborr të komshiut, IMT

Emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan ka shkuar në lagjen nr.1 në Kavajë me qytetarin Ervis Kaloti. Ai tregon se në vitin 2018 ka blerë një pronë 264 m2 truall dhe 91 m2 ndërtesë, që e ka bërë servis makinash.

Por nisën konfliktet me komshiun Bajram Seferi, pasi ky i fundit i hyn 45 cm në pronë me një çati që i kullon nga ulluqet e i krijon lagështirë në mur. Ervisi thotë se pasi nuk u mor vesh me komshiun, interesohet në bashki dhe IMT kërkon që brenda 5 ditësh, Bajrami ta prishë vetë ndërhyrjen në pronën e tjetrit, por ai nuk e bën.

Atëherë IMT del me vendim prishjeje, por që nga viti 2021, ky vendim nuk është ekzekutuar pasi ky institucion pretendon se nuk ka mjete. Ervisi thotë se janë ndërruar 3 kryeinspektorë, por asnjëri nuk e ka zbatuar vendimin e prishjes.

Denoncuesi: Në 2018-ën, unë kam blerë një pronë në lagjen nr.1 me certifikatë pronësie të rregullt. Prona është 264 metër truall dhe 91 metra ndërtesë që unë e shfrytëzoj tani për servis makinash. Kjo pronë kufizohet me Bajram Seferin, i cili më ka cënuar pronën time me daljen e 2 rreshtave të tjegullave dhe ulluqet. Bëhet fjalë për këtë murin këtu. Ky është i imi, është mbajtë distancë dhe ulluqet e komshiut dalin mbi pronën time, mbi avllinë dhe për këtë arsye, shkaktohet kjo lagështirë që është këtu në murin që kam. Të gjithë kullesat e ulluqeve kur bien shiu, bien në pronën time dhe është kjo problematikë këtu.

Në fillim, unë shkova tek Bajram Seferi, të cilit ju drejtova për problematikën që kam dhe më tha që jam me leje ndërtimi. Më pas, unë shkova tek Bashkia e Kavajës, verifikuan dhe doli që leja është në shkelje që ka cënuar pronën time. Unë shkova tek IMT, i njoftova që në vitin 2020. Në atë kohë ka qenë kryeinspektor Sulejman Merkja. Erdhën me një procesverbal kur konstatuan se Bajram Seferi është në shkelje me ligjin dhe lejen që kishte marrë. Në fillim i lanë afat që ta prishte vetë për prishje vullnetare. Më pas, kanë ardhur, kanë mbajtur procesverbal, vendim prishje bashkë me një gjobë.

Problemi është që nuk bënë ekzekutimin e vendimit të prishjes. Nga 2020, janë ndërruar inspektorë Ylber Nurçja, tani për momentin është Met Reçi. Problemi është që thonë se nuk kemi mjete prishje. Kam bërë edhe ankesë të IKMT Tiranë. Më thanë që nuk kemi ne kompetencën për të ardhur dhe për të prishur këtë gjë që ata kanë vendosur.

Një sharrrë elektrike duhet. I kam thënë që ta gjej unë sharrën elektrike, bashkë me punëtorët, ju bëni vetëm letrat. Më pas, kanë thënë se nuk kemi specialistë. Tani kam mbetur si peshku pa ujë për një sharrë prerëse për të hequr këto 2 rreshtat e tjegullave. Këtu ka mbetur sharra në gozhdë, nuk ecën.

“Stop” komunikoi me inspektorin Fabiol Osmani, i cili premtoi zgjidhje dhe pak ditë më vonë, prishja u ekzekutua.

Fabiol Osmani: Kemi bërë verifikimin në terren dhe kemi bërë procedurat që kërkon ligji për ndërtimin e kundraligjshëm ose shkeljen e lejes të pajisur nga Bashkia Kavajë. Kemi konstatuar shkeljet e punimeve gjatë ndërtimit, për të cilën ka cënuar Kalotin dhe kemi marrë të gjitha masat e duhura, procesverbal, vendim gjobe dhe vendim prishje dhe njëkohësisht kemi dërguar një njoftim për prishje vullnetare të Bajram Seferit. Ai nuk e ka kryer. Kemi bërë shkëmbim shkresash. Është e mbartur si problematikë, por ne në mungesë të mjeteve, kemi kërkuar mbështetje tek Drejtoria e Shërbimeve për Mjetet, gjithashtu edhe tek IKMT-ja kemi kërkuar mbështetje disa herë. Duke qenë se jemi pajisur me mjete të reja, ekzekutimi do të kryhet ditën e premte.

Denoncuesi: Ky rast u zgjidh shumë shpejt falë jush. Ju falenderoj nga zemra, “Stopin” dhe të gjithë, falenderoj dhe bashkinë dhe në fund u zgjidh falë jush. Gozhda u ngul përfundimisht!/tvklan.al

Lajmet e fundit nga