LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Jeta e pazakontë e Napoleon Bonapartit dhe humbja e jetës në rrethana misterioze 

19 Nëntor 2022, 08:52, Blog CNA

Jeta e pazakontë e Napoleon Bonapartit dhe humbja e jetës në

Faktet rreth jetës së Napoleon Bonapartitm arritjet e tij të jashtëzakonshme ushtarake kundër fuqive të bashkuara të Evropës, reformat e tij gjithëpërfshirëse në sistemet ligjore dhe burokracinë në mbarë kontinentin, janë të jashtëzakonshme.

Por po aq të jashtëzakonshme ishin edhe vitet e fundit të Napoleon Bonapartit. Një mërgim poshtërues, një vdekje misterioze në moshën 51-vjeçare, dhe një zinxhir i çuditshëm ngjarjesh që pasuan vdekjen e tij. Pasi Napoleoni u mund në Betejën e Vaterlosë në vitin 1815, ai abdikoi nga froni dhe iu dorëzua britanikëve.

Në vend se ta ekzekutonin dhe ta shndërronin me gjasë në një martir, britanikët e internuan në një nga vendet më të izoluara në tokë, ishullin e Shën Helenës që zotërohej nga britanikët në Atlantikun e eJugut. Një ishull i vogël me përmasa 16 km me 8 km.

Shkëmbinjtë e tij të thepisur duhet t’i jenë dukur shumë të zymtë kur ish-perandori i pa për herë të parë. Pasi kaloi fillimisht 2 muaj të këndshëm në shtëpinë e një ish-mikut të tij Uilliam Balkomb, Napoleoni u zhvendos më pas në Longud Hauz aty pranë, një banesë që ishte thuajse e shkatërruar, dhe që kishte shumë lagështirë dhe myk.

Jeta e pazakontë e Napoleon Bonapartit dhe humbja e jetës në

Thuhet se shërbëtorët e tij ankoheshin vazhdimisht për “ftohje të shpeshta, për dyshemetë plotë lagështirë dhe për ushqimet e këqija”. Një nga 28 njerëzit që e shoqëruan Napoleonin në atë internim ishte Komt de Las Kases, që e përshkroi Longud Hauz si “një strehë mjerane, me një sipërfaqe vetëm pak metra katrorë”.

Po ashtu ishulli i Shën Helenës ishte i infektuar me minjtë, një fakt që satiristët politikë nga e gjithë Evropa e shfrytëzuan si një mundësi për t’u tallur me ish-perandorin e mposhtur. Një karikaturë politike gjermane e asaj periudhe tallej me gjendjen e tij, duke paraqitur një batalion minjsh që i shërbenin atij në vend të oborrtarëve.

Ndërkohë një karikaturë franceze e asaj kohë e tregon ish-perandorin duke fjetur në një tendë, ndërsa minjtë në breg komplotojnë një rebelim ndaj. Në diçiturën e saj shkruhej “Atë nuk e duan as minjtë!”. Dhe situata vetëm sa do të përkeqësohej.

Guvernatori i ri britanik i ishullit, Hadson Loui, ishte i vendosur që Napoleoni të mos dilte gjallë nga ai internim, sikurse kishte ndodhur nga ekzili i tij i parë në Elbë. Prandaj ia kufizoi ndjeshëm lëvizjet, dhe e mbikëqyri me rreptësi korrespondencën e tij.

Po ashtu urdhëroi që prania fizike e Napoleonit në ishull të verifikohej disa herë në ditë nga oficerët britanikë. Kjo sjellje e nxiti ish-perandori të niste në një formë të çuditshme rebelimi. Ai mbylli grilat e shtëpisë dhe hapi në to vrima të vogla, që të mund të shihte jashtë pa u pikasur nga britanikët.

Po ashtu ai projektoi disa shtigje të fshehta në kopsht, për t’ia bërë më të vështirë britanikëve që ta dallonin se ku gjendej. Dhe pavarësisht nga urdhrat e Loiut për ndalimin e dhuratave që  përmendnin statusin perandorak të Napoleonit, ish-perandori vazhdoi të ruante protokollin mbretëror.

Kështu njerëzit që e shoqëronin mbanin veshje ushtarake, ndërsa gratë fustane plot me stoli. Ndërkohë në atë kohë ai diktoi kujtimet e tij, shkroi një libër mbi Jul Çezarin, studioi gjuhën angleze dhe luante me letra. Në fakt, ai luajti aq shumë me to, saqë që një sërë versionesh të lojës së Diamantit kanë marrë emrin e tij.

Përfundimisht, kushtet e jetesës - sidomos mungesa e aktivitetit fizik - filluan të japin efektet e tyre, dhe shëndeti i Napoleonit nisi të përkeqësohej ndjeshëm. Ai vuante nga dhimbje barku, kapsllëku, të vjella të vazhdueshme dhe nga një dobësi trupore e përgjithshme.

Në shkurtin  vitit 1821, rreth 4 vjet pas mbërritjes së tij në Shën Helenë, Napoleoni e dinte se fundi i tij ishte i afërt. Ai u pajtua me Kishën Katolike pas një marrëdhënieje shumë të trazuar (që në një moment kishte përfshirë edhe rrëmbimin e Papës), bëri rrëfimin e tij tek prifti dhe mori bekimet e fundit.

Jeta e pazakontë e Napoleon Bonapartit dhe humbja e jetës në

Ndërroi jetë më 5 maj 1821 në moshën 51 vjeçare. Menjëherë pasi vdiq Napoleoni, autopsia e parë u krye nga mjeku i tij personal, italiani Françesko Antomarki. Gjatë kësaj procedure, nga trupi i pajetë iu hoqën zemra dhe zorrët, që u mbyllën në enë hermetike, një procedurë kjo standarde për trupat e monarkëve.

Por Antomarki i preu edhe organin gjenital, dhe askush nuk e di arsyen. Më pas kjo pjesë e trupit u kontrabandua nga ishulli nga prifti i tij, dhe do të blihej dhe shitej disa herë me kalimin e viteve, duke përfunduar në vitin 1927 në Muzeun e Artit Francez të Nju Jorkut.

Një fund i palavdishëm për njeriun që brenda pak vitesh kishte arritur të pushtonte gati të gjithë Evropën. Por çfarë i mori jetën “Old Bony” (Plakut Bonapart) siç pëlqenin ta thërrisnin anglezët? Kjo ka qenë një çështje shumë e debatueshme midis historianëve dhe shkencës mjekësore gjatë 200 viteve të fundit.

Antomarki tha se perandori vuante nga kancer në stomak. Por në vitin 1961, një toksikolog amator suedez pohoi se Napoleoni ishte helmuar me arsenik dhe e drejtoi gishtin e akuzës mbi njërin nga stafi i tij francez.

Edhe studiues të tjerë kanë theksuar se në atë epokë, arseniku gjendej në një sërë materialesh në përdorim të përditshëm, dhe njerëzit ishin vazhdimisht të ekspozuar ndaj tij. Megjithatë, të tjerë kanë pohuar se ai vdiq nga një ulçerë peptike ose kancer gastrik. Cilido qoftë shkaku i vërtetë, magjepsja me këtë figurë të jashtëzakonshme historike nuk tregon ende sot asnjë shenjë zbehjeje.

Shënim:Una McIlvenna, lektore në Universitetin Kombëtar Australian. Ajo është një historiane e kulturës dhe letërsisë së periudhës së hershme moderne.

Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga