LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sulmi i Hamas hodhi në erë planin e Uashingtonit

9 Tetor 2023, 18:27, Blog CNA

Sulmi i Hamas hodhi në erë planin e Uashingtonit

Këtë javë kisha menduar të shkruaja mbi negociatat midis presidentit amerikan Xho Bajden, kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu dhe Princit të Kurorës të Arabisë Saudite Muhammed bin Salman, për normalizimin e marrëdhënieve Izrael-Arabi në këmbim të një traktati mbrojtjeje SHBA-Arabi Saudite.

Analistët me të cilët bisedova kishin një optimizëm të moderuar se kjo marrëveshje e madhe mund të përmbyllej maksimumi në fillim të vitit të ardhshëm. Pavarësisht luftës civile të vazhdueshme në Siri, rajoni ishte në përgjithësi i qetë. Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Xhek Salivan, deklaroi javën e kaluar se “rajoni i Lindjes së Mesme është më i qetë sot se sa ka qenë para 2 dekadash”.

Por sulmi i befasishëm i së shtunës nga luftëtarët e Hamasit ndaj Izraelit, është një kujtesë e hidhur se në Lindjen e Mesme, lufta ka zakonisht përparësi mbi paqe-bërjen. Është e vështirë të imagjinohet që bisedimet e paqes saudito-izraelite të bëjnë më shumë përparim javët e ardhshme, në një kohë kur Izraeli po rimerr veten pas sulmit më të rëndë e të befasishëm që ka pësuar që nga Lufta e Jom Kipurit e vitit 1973.

Ndërkohë po mobilizohet për atë që ka të ngjarë të jetë sulmi i tij më i madh tokësor në Rripin e Gazës që nga Operacioni “Cast Lead” në vitet 2008-2009. Në fakt edhe pse nuk e dimë me siguri pse Hamasi zgjodhi të godasë pikërisht tani, kjo mund të jetë pjesë e një përpjekjeje më të madhe nga Irani dhe përfaqësuesit e tij - përfshirë Hamasin - për të parandaluar një pajtim historik midis Jerusalemit dhe Riadit.

Ky është “11 shtatori” i Izraelit, dhe ashtu si sulmet e 11 shtatorit 2001 në SHBA, që patën efekte në të gjithë botën, nga Afganistani në Irak, ato do të kenë pasoja negative në disa  mënyra që janë po aq të rrezikshme sa edhe të paparashikueshme. Izraeli ishte mësuar me kërcënimin që vinte nga raketat e Hamasit.

Por deri më sot nuk kishte pasur asnjë precedent për një sulm masiv tokësor që ndërmori ky grupim radikal. Luftëtarët e Hamasit arritën të depërtojnë në pikat kufitare izraelite dhe në gardhin kufitar që rrethon Gazën, duke shkuar në komunitetet izraelite aty pranë, duke masakruar civilë të pafajshëm dhe duke kapur pengje.

Madje ata arritën të depërtojnë deri tek bazat ushtarake izraelite dhe të marrin nën kontroll  tanke dhe mjete të tjera të blinduara izraelite. Luftëtarët e Hamasit po kryejnë krime të tmerrshme lufte, ndërsa po kryejnë një operacion të guximshëm terrorist që ka e tronditur ndjenjën e sigurisë së Izraelit.

Nuk ka dyshim se Izraeli do të kundërpërgjigjet me një reagim të fortë ushtarak. Ndërsa ai nuk mundi të bënte kurrë paqe me Hamasin, një lëvizje që është e përkushtuar për shkatërrimin e shtetit hebre, ai kishte mësuar të bashkëjetonte me një organizatë terroriste që kontrollonte Rripin e Gazës si të keqen më të vogël, krahasuar me një pushtim të ri izraelit, apo me grupin ekstremist Al-Kaeda apo me kaosin në stilin e Libian. Izraeli kishte kryer shumë operacione ushtarake kundër Hamasit që nga viti 2007, dy vjet pasi Izraeli u tërhoq nga Gaza.

Por ato ishin kryesisht sulme nga ajri. Dhe kur u vendosën trupat izraelite në terren, ato nuk qëndruan kurrë atje për shumë kohë. Siç vuri në dukje një studim i Rand Corporation i vitit 2017 : “Strategjia kryesore e Izraelit u bë ‘kositja e barit’, pranimi i paaftësisë për ta zgjidhur njëherë e mirë problemin, dhe duke shenjestruar vazhdimisht udhëheqjen e organizatave militante palestineze për ta mbajtur nën kontroll dhunën e tyre.

Përballja e re me Hamasin në Gaza, e vendos Izraelin në një problem jo të vogël strategjik: ai  duhet të ushtrojë forcë të mjaftueshme për ta penguar Hamasin të ndërmarrë sulme, por jo aq sa të rrëzojë regjimin. Siç u shpreh një analist izraelit mbi çështjet e mbrojtjes: “Ne duam t’ua thyejmë kockat por pa qenë nevoja që të bëhen për spital”.

Tani do të ketë një presion shumë të madh mbi Netanjahun, që të shtunën deklaroi se “jemi në luftë”, duke urdhëruar kështu shkatërrimin e plotë të Hamasit. Kjo mund t’i çojë trupat izraelite në luftime jashtëzakonisht të vështira në terrenin e dendur urban të qytetit të Gazës kundër një armiku të fshehtë, që mund të fshihet mes popullatës civile.

Në fakt, Hamasi mund të përpiqet ta tërheqë Izraelin në një situatë të ngjashme me pushtimin izraelit të Libanit në vitin 1982, duke e ditur se forcat izraelite janë shumë më të cenueshme kur luftojnë në këmbë sesa kur hedhin bomba nga qielli.

Forca e Mbrojtjes së Izraelit, IDF, mbetet ushtria më e fortë në Lindjen e Mesme dhe në fund do të dominojë. Por edhe një fitore taktike do ta linte Izraelin të përballej me pyetjen: “Po tani çfarë do të ndodhë?”. Shumica e izraelitëve nuk janë dakord me një pushtim afatgjatë të Rripit të Gazës, që pashmangshmërisht do të shkaktonte viktima të mëtejshme izraelite por edhe akuza se trupat e tyre po kryejnë krime lufte.

Por nga ana tjetër izraelitëve po u mbarojnë alternativat. Siguria e vetme është se sulmi i Hamasit do t’ua përkeqësojë jetën palestinezëve. Gaza është tashmë një nga vendet më të varfra në botë. Mjerimi i saj është shtuar nga bllokada izraelito-egjiptiane, që synon ta pengojë Hamasin të grumbullojë shumë fuqi ushtarake.

Një ditë para sulmeve, “Washington Post” publikoi një histori rrëqethëse sesi tregtarët në Gaza janë aq të varfër sa që nuk kanë mundësi të mbajnë kamionë dhe duhet të mbështeten tek gomerët për të transportuar produktet e tyre. Por edhe numri i gomerëve që blihen në Izrael po mbaron.

Ndërkohë Hamasi nuk sulmoi për shkak të kushteve të mjerueshme në Gaza. Udhëheqësit e tij janë të izoluar nga privimet ekonomike, dhe të motivuar nga fanatizmi fetar dhe nacionalist. Por kushtet e tmerrshme të jetesës ia bëjnë të lehtë Hamasit që të rekrutojë luftëtarë nga mesi i të rinjve aq të varfër dhe të dëshpëruar, saqë nuk kanë alternativë më të mirë sesa të bëhen “martirë”.

Tek e fundit, izraelitët dhe palestinezët duhet të pranojnë se s’kanë alternativë tjetër veçse të jetojnë krah për krah njëri-tjetrit dhe në paqe. Izraelitët e përgjegjshëm - që kryesisht mungojnë në kabinetin aktual të ekstremit të djathtë të Netanjahut - e dinë se jeta e palestinezëve duhet të përmirësohet për të parandaluar më shumë shpërthime dhune në të ardhmen.

Një marrëveshje për normalizimin e raporteve izraelito-saudite, duke supozuar se do të ruajë mundësinë e një zgjidhjeje me dy shtete, mund të japë një kontribut të rëndësishëm për sigurinë afatgjatë të Izraelit. Por perspektiva e përparimit të bisedimeve të paqes është sot shumë më e largët se sa ishte deri dje. Tani për tani, lufta dhe vuajtja janë rendi i ditës, dhe mjerisht pa një fund të qartë në horizont. Nga Max Boot “Washington Post”/ Pershtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga