web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Rishikim i Kodit Penal"/ Çela: Të krijohet një rrjet kombëtar operacional për mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve

1 Korrik 2026, 15:31, Aktualitet CNA

"Rishikim i Kodit Penal"/ Çela: Të krijohet një rrjet

Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, ishte i pranishëm në seancën dëgjimore të Komisionit të Reformës Zgjedhore lidhur me efikasitetin e masave penale në procesin zgjedhor, sfidat e evidentuara në praktikë dhe propozimet për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional në funksion të garantimit të integritetit të zgjedhjeve.

Çela është shprehur se disa nga dispozitat e kreut X të Kodit Penal duhet të rishikohen për të përcaktuar më saktë rastet me rrezikshmëri të lartë për procesin zgjedhor, që, sipas tij, do të mundësonte një përgjigje penale më proporcionale.

“Kuadri ligjor për veprat që cenojnë zgjedhjet e lira. Disa nga dispozitat e Kreut X të Kodit Penal mund të rishikohen për të përcaktuar më qartë kur sjellja paraqet rrezikshmëri më të lartë për procesin zgjedhor, duke parashikuar si rrethana rënduese apo forma të cilësuara rastet kur veprat kryhen ndaj më shumë se një zgjedhësi e të tjera. Parashikimi i formave të cilësuara dhe rishikimi përkatës i masave të dënimit do të mundësonte një përgjigje penale më proporcionale.

Shumë kallëzime apo referime nuk vijnë me të dhëna të mjaftueshme. Kjo nuk do të thotë se kallëzuesi duhet të marrë rolin e Prokurorisë, por informacioni fillestar duhet të jetë sa më i qartë për Prokurorinë. Hetimi i krimit kërkon forcimin e kapaciteteve të hetimit për analizën e pajisjeve elektronike, rrjeteve sociale, materialeve audio dhe pamjeve filmike. Hetimi kërkon mbështetje më të mirë teknike dhe kapacitete të dedikuara për provat digjitale”, u shpreh ai.

Ndër të tjera kryeprokurori u shpreh se një tjetër sfidë lidhet me ngarkesën e përgjithshme të prokurorive dhe mungesën e burimeve njerëzore.

Ai u shpreh se duhet të merret në konsideratë mundësia e krijimit të një rrjeti kombëtar operacional për integritetin zgjedhor.

Sipas tij, kjo do të shërbente si mekanizëm i përhershëm koordinimi, ku Prokuroria e Përgjithshme, SPAK, KQZ dhe Policia të shkëmbejnë informacione mbi rreziqet zgjedhore gjatë gjithë ciklit zgjedhor.

“Një sfidë tjetër lidhet me ngarkesën e përgjithshme të prokurorive dhe mungesën e burimeve njerëzore, pasi disa prokurori vijojnë të funksionojnë nën kapacitetin e tyre organik. Vlerësohet të merret në konsideratë mundësia e krijimit të një rrjeti kombëtar operacional për integritetin zgjedhor, si një mekanizëm i përhershëm koordinimi, ku Prokuroria e Përgjithshme, SPAK, KQZ dhe Policia të shkëmbejnë informacione mbi rreziqet zgjedhore gjatë gjithë ciklit zgjedhor. Mbetet e nevojshme forcimi i kapaciteteve zbuluese, parandaluese dhe hetimore të Policisë së Shtetit për veprat penale që cenojnë integritetin e procesit zgjedhor. Roli i Policisë është thelbësor në çdo aspekt”, tha Çela. /CNA





Lajmet e fundit nga