web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

POS-et në autobusë, bankat konfirmojnë tarifat/ Shoqata e Transportit kërkon mbulim kostosh

11 Qershor 2026, 14:16, Aktualitet CNA

POS-et në autobusë, bankat konfirmojnë tarifat/ Shoqata e

Shërbimi i transportit publik vijon të mbetet në konfuzion për vendosjen e shërbimit POS/POI në autobusë, një shërbim që iu jep mundësinë qytetarëve të paguajnë biletën e autobusit me kartë bankare.

Problematikat kryesore për mos nisjen e zbatimit të këtij shërbime mbeten kostoja e pagesës për komisionet bankare dhe për kushtet teknike të instalimit të pajisjeve, përfshirë vendosjen e shërbimit të internetit dhe kostoja për mirëmbajtjen e tyre.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas më herët nëpërmjet një letre drejtuar bankave të nivelit të dytë në vend kërkoi të informohet mbi tarifat e instalimit të pajisjeve, kostot e mirëmbajtjes, komisionet që do të aplikohen për çdo transaksion, si dhe mundësinë e ofrimit të tarifave preferenciale për sektorin e transportit publik.

Nga shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas mësohet se disa prej bankave të nivelit të dytë, kanë nisur  kthimin e përgjigjeve ndaj kërkesës së operatorëve ku konfirmojnë zbatim të tarifave të komisioneve të bëra publike edhe më parë.

Shoqata kishte bërë me dije më parë se tarifat e komunikuara nga bankat për përdorimin e terminaleve POS përfshijnë: Komision për transaksionet me karta VISA/MasterCard kombëtare: deri në 2.70% për çdo transaksion; Komision për karta ndërkombëtare: deri në 3.20% për çdo transaksion; Tarifë fikse për çdo transaksion: 30 lekë / 0.30 euro; Komision instalimi terminali POS: 5,000 lekë; Komision mirëmbajtje mujore terminali POS: 1,000 lekë/muaj; Komision mos-përdorimi terminali POS: 1,000 lekë/muaj; Kosto e terminalit POS në raste kontraktuale: deri në 50,000 lekë; Komision për procedura “chargeback”: 500 lekë për rast.

Po ashtu, bankat kanë konfirmuar edhe shqetësimin e ngritur më herët nga operatorët lidhur me kostot shtesë që kërkon funksionimi i këtij shërbimi, duke nisur nga instalimi i internetit, i cili aktualisht mungon në autobusët e transportit publik.

“Funksionimi i shërbimit mbështetet në lidhjen përmes rrjetit celular, nëpërmjet kartës SIM ose Wi-Fi, duke mundësuar transmetimin e sigurt të të dhënave dhe përpunimin në kohë reale të çdo transaksioni”, sqarohet nga bankat.

Kryetari i Shoqatës Kombëtare e Transportit Qytetas Kostandin Foni pohon për Monitor se në përfundim të kthimit të përgjigjes të 13 bankave që operojnë në vend, detajimet e tyre për shërbimin do të kërkohet një tryezë diskutimesh me institucionet shtetërore dhe Bashkinë e Tiranës për mbulimin e kostos së komisioneve, për transaksionet bankare të biletës. /Monitor





Lajmet e fundit nga