web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Duhen përgjysmuar urgjent taksat mbi naftën”/ Berisha: Integrimi në vendnumëro

4 Prill 2026, 12:23, Aktualitet CNA

“Duhen përgjysmuar urgjent taksat mbi naftën”/ Berisha:

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po zhvillon një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale. Berisha e ka nisur fjalën e tij me rritjen e çmimit të naftës në Shqipëri, sipas tij, ndër më të lartët në botë.

Ai u shpreh se masat e shpallura nga qeveria për përballimin e krizës aktuale të shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme janë “qesharake”, ndërsa theksoi se është urgjent përgjysmimi taksës mbi naftën.

“Java që lamë pas u karakterizua nga një goditje e re për buxhetet tuaja familjare, për xhepat tuaj. Çmimi i naftës arriti në 224 lekë, një çmim ndër më të lartit në botë. Nuk ka dyshim se lëvizja e çmimit të naftës diktohet nga kriza energjetike e krijuar për shkak të luftës në Lindjen e Mesme dhe goditjes së vendeve të Gjirit nga Irani.

Por një rritje të tillë çmimi nuk e ka asnjë vend tjetër në botë. Shqiptarët duhet ta dinë se qeveria shqiptare ka vendosur taksën më të lartë në botë mbi naftën. Asnjë vend tjetër nuk takson kaq rëndë naftën në shkallën 60 për qind të çmimit të saj. Shqipëria është rekord në Europë dhe në botë në taksimin e naftës, çka detyron kompanitë të mbajnë çmime stratosferike.

Por së dyti dua të theksoj se në qoftë se e bëjmë me proporcion rrogash apo të ardhurash ditore, Shqipëria rezulton, shqiptarët rezultojnë se duhet të paguajnë për naftën që blejnë 6-8 herë më shumë se qytetarët e vendeve të tjera në raport me të ardhurat e tyre. Pra, nafta është një ndëshkim i vërtetë dhe kjo është një taksë çnjerëzore, absurde, të cilën e paguajnë çdo qindarkë qytetarët shqiptarë. Edi Rama taton naftën 1.1 euro për litër sa asnjë vend tjetër në botë, 60 përqind të çmimit.

Masat që ka shpallur janë qesharake. Nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë ndikim. Masa të vërteta janë ato që i shpalli Australia dhe po i shpallin vende të tjera. Përgjysmim i taksave të naftës. Me fjalë të tjera, në qoftë se Shqipëria merr 1.1 euro për litër të naftës, qeveria këto taksa duhet t’i ulë në një shumë të përbashkët 0.55 euro për litër naftë. Dhe me këtë nuk bën gjë tjetër veçse barazon taksën me shumicën e vendeve anëtare të BE-së.

Në pamje të parë, taksa e naftës rëndon në xhepat e atyre që kanë vetura, dhe sigurisht rëndon në xhepat e tyre më shumë, por e vërteta është se ata që kanë më pak rëndohen më shumë. Dhe ata që kanë më pak janë ata që nuk kanë vetura sepse nafta ndikon direkt në transportin e të gjitha llojeve. Nafta ndikon direkt tek çmimi i bukës, tek çmimi i ushqimeve, tek prodhimet bujqësore, pra ka ndikime të shumëllojta dhe dhimbje më shumë krijon tek ata që nuk kanë makina. Kështu që është emergjent përgjysmimi i taksave”, shprehet Berisha. 

Ndër të tjera, kryedemokrati tha se 9 vende kanë bllokuar miratimin e raportit IBAR për Shqipërinë, dhe sipas tij integrimi është në vendnumëro.

“Së dyti, dita 1 prill është dita e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, e arritjes më të madhe historike në fushën e sigurisë pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Por këtë ditë ne morëm edhe një lajm të hidhur, që e ka fshehur qeveria. Këtë ditë në Bruksel, në debatin që do të zhvillohej për IBAR-in me Shqipërinë, nuk ishin më tri apo katër vende që kundërshtonin miratimin e vlerësimit të standardeve dhe shtetit ligjor në Shqipëri, por ato u bënë 9 vende që e kundërshtuan me shumë argumente dhe shumë çështje votimin e këtij raporti.

Edi Rama dhe propaganda e tij e fshehu këtu, përkundrazi nxjerr zëdhënësit e tij të mashtrojnë shqiptarët. Por unë përsëri u them se pa votimin unanim të këtij raporti, Shqipëria nuk mbyll asnjë kapitull, çka do të thotë procesi i integrimit për momentin është vendnumëro”, tha ai. /CNA





Lajmet e fundit nga