web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rusia duhet të detyrohet të paguajë për rindërtimin e Ukrainës

30 Mars 2022, 09:10, Blog CNA

Nga Anders Aslund ?Project Syndicate?

Ndërsa trupat e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë janë bllokuar në gati të gjitha fronet, forcat ukrainase kanë filluar që të rifitojnë territoret e humbura. Ministria ukrainase e Mbrojtjes, publikon raporte ditore se sa asete ushtarake ka humbur Rusia.

Tre javë pas fillimit të pushtimit rus, ministria tha se ishin vrarë 15.600 ushtarë rusë. Po aq sa humbi Bashkimi Sovjetik gjatë 9 viteve të luftës në Afganistan. Ukrainasit pretendojnë se kanë nxjerrë jashtë luftimit 40 për qind nga 120 grupet taktike të batalioneve ruse të dislokuara në Ukrainë.

Ushtria ruse duket se është afër pikës së saj të mposhtjes, dhe mund të vihet përpara nga trupat ukrainase. Ndonëse është shumë herët për të shpallur çdo lloj fitoreje, nuk është shumë herët për të filluar të mendohet se çfarë të bëjmë për Ukrainën pas largimit të forcave ruse.

Pas dy mobilizimeve të mëparshme kombëtare të Ukrainës – Revolucioni Portokalli në vitin 2004 dhe ai i Euromaidanit në vitin 2014 – u shua shpejt vrulli për të ndërmarrë reforma demokratike. Këtë herë, Perëndimi duhet të bëjë më shumë për ta ndihmuar Ukrainën ta kalojë vijën e finishit, siç bëri Polonia dhe të tjerët pas vitit 1989.

Bombardimet pa dallim të Rusisë dhe taktikat e ngjashme terroriste, kanë shkaktuar dëme të mëdha. Këshilltari ekonomik i presidentit ukrainas Zelenski, Oleg Ustenko, vlerëson se dëmi i kalon 100 miliardë dollarët, një shifër e arsyeshme, edhe pse nuk mund të verifikohet ende. Ndërkohë Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, përcakton se vetëm kostoja e rindërtimit të rajonit të pushtuar të Donbasit arrin në 22 miliardë dollarë, ndërsa pretendimet e korporatave ukrainase në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit në Hagë arrijnë në rreth 10 miliardë dollarë.

Të gjitha këto janë pretendime ndaj Federatës Ruse, e cila duhet të detyrohet t?i paguajë dëmshpërblimet Ukrainës. Fatmirësisht, dhënia e këtyre pagesave është plotësisht e mundur. Vendet e G7-ës kanë vendosur të ngrijnë rezervat valutore të Bankës Qendrore të Rusisë brenda juridiksioneve të tyre përkatëse.

Ato fonde janë të konsiderueshme, dhe arrijnë në rreth 400 miliardë dollarë. Tani ato mund të konfiskohen – përmes legjislacionit kombëtar të çdo vendi – me arsyetimin se Putini po kryen krime kundër njerëzimit dhe krimin e agresionit ndaj një vendi të pavarur.

Shkeljet e Rusisë nuk janë në diskutim. Më 16 mars, gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, vendosi me 13 vota pro dhe vetëm 2 kundër (të Rusisë dhe Kinës), që Rusia ?të pezullojë menjëherë operacionet ushtarake të nisura më 24 shkurt?.

Dhe në fillim të këtij muaji, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kërkoi me një shumicë dërrmuese të votave, që Rusia ?të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të gjitha forcat

e saj ushtarake nga territori i Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht?. Anëtarësimi i përhershëm i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nuk i jep Moskës imunitet nga e drejta ndërkombëtare. Siç e ka theksuar saktë presidenti amerikan Xho Bajden, Putini është ?një kriminel lufte?. Në kundërpërgjigje, Putin i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për mospërmbushje të ?detyrimeve të tyre ndaj Rusisë? nëpërmjet ngrirjes së rezervave të saj valutore ndërkombëtare.

Me sa duket, ai dëshiron që bota të besojë se ky ?akt? është i barabartë me luftën e tij në Ukrainë, me mijëra vrasjet e pajustifikuara, me krimet kundër njerëzimit dhe ato të luftës.

Duke iu përmbajtur ligjit ndërkombëtar, anëtarët e G7-ës duhet të shpallin synimin e tyre për të sekuestrua fondet ruse, dhe t?ia bëjnë të qartë Kremlinit se do të duhet të paguajë për gjithçka që është duke shkatërruar në Ukrainë.

Sa më shumë dëme të shkaktojë, aq më i madh do të jetë zvogëlimi i fondeve që mund të marrë mbrapsht. Më pas, këto para duhet të shpërndahen përmes kanaleve të përshtatshme në dobi të rindërtimit të Ukrainës. Për këtë qëllim, G7 mund të krijojë një Autoritet Zhvillimor të Ukrainës (UDA), dhe të zgjedhë një bord mbikëqyrës për të siguruar qeverisje të mirë.

UDA duhet të përfshijë të gjitha organet përkatëse miqësore ndërkombëtare – BE, SHBA, Britaninë e Madhe, Kanadanë, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Evropiane të Investimeve dhe Kombet e Bashkuara.

Rusia dhe aleatët e saj duhet të mbahen jashtë këtij programi. UDA duhet të ketë disa funksione, i pari nga të cilët është sigurimi. Agjencitë shtetërore të Ukrainës, kompanitë dhe individët do të kenë pretendime në vlerë prej miliarda dollarësh për pronat që u janë shkatërruar.

Në vend se t?iu dorëzohen kompanive private dhe ndërkombëtare të sigurimeve, këto pretendime duhet t?i drejtohen UDA. Në të kundërt askush në Ukrainë nuk do të jetë në gjendje të marrë ndonjë pagesë për vite me radhë. Rreziqet dhe rrjedhimisht tarifat do të ishin penguese.

Kur agjentët libianë vendosën një bombë në një avion pasagjerësh që shpërtheu mbi Lokerbi të Skocisë në vitin 1988, Libia ra dakord që të paguante 2.7 miliardë dollarë kompensim për familjet e viktimave. Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, futet në të njëjtën kategori: është një sulm terrorist, vetëm se në një shkallë shumë më të madhe.

Dhe me precedentin e Lokerbi, ne mund të gjykojmë tashmë se sa kompensim i detyrohet Rusia viktimave ukrainase (ose familjeve të tyre). Po ashtu Ukraina do të ketë nevojë për një lloj Plani Marshall për rindërtimin e saj. Para luftës, Zelenski fitoi popullaritet në mesin e ukrainasve me projektet e tij për ndërtimin e rrugëve, një program shumë i nevojshëm për investime në infrastrukturë, që tani ka nevojë të zgjerohet akoma më shumë.

UDA duhet të ndihmojë në përpjekje të tilla, dhe të sigurojë financime të mjaftueshme për autostradat, portet, aeroportet, hekurudhat dhe forma të tjera të infrastrukturës kritike.

Po ashtu ajo duhet të jetë përgjegjëse për prokurimet publike, pasi ato janë tradicionalisht burimi më i madh i korrupsionit në Ukrainë. Për fat të mirë, Ukraina ka zhvilluar tashmë një sistem elektronik të shkëlqyer, ProZorro, për të përmirësuar transparencën dhe për të siguruar që paratë të përdoren sipas udhëzimeve.

Për të përforcuar qeverisjen e ndershme, të gjitha mosmarrëveshjet ligjore duhet të dërgohen tek arbitrazhi ndërkombëtar (që zakonisht e ka selinë në Hagë ose në Stokholm). Por Ukraina nuk mund të ketë sukses nëse nuk përmirësohet mjedisi i biznesit.

Prandaj, mbështetja ndërkombëtare e pasluftës do të duhet të kushtëzohet me reforma të shëndosha institucionale. Hapi i parë duhet të jetë reformimi i vetë qeverisë, në mënyrë që ajo të fillojë të funksionojë normalisht.

Prioriteti kryesor është vendosja e shtetit ligjor dhe forcimi i të drejtave pronësore duke reformuar gjyqësorin, shërbimet e prokurorisë dhe Shërbimin e Sigurimit Shtetëror. Një tjetër prioritet është shitja e mijëra kompanive shtetërore, të cilat ushqejnë korrupsionin.

Së fundmi, do të jenë të nevojshme reformat dhe financime për të mbështetur sektorin social të Ukrainës, nga kujdesi shëndetësor te arsimi. Megjithëse kostot njerëzore të luftës së Putinit janë të pallogaritshme, kostot ekonomike nuk janë të tilla. Sido që të jetë totali, është Rusia ajo që duhet ta paguajë faturën.

Shënim:Anders Aslund, bashkëpunëtor në Forumin e Botës së Lirë në seli në Stokholm të Suedisë. Ai është autor i librit ?Kapitalizmi nepotik i Rusisë:Rruga nga ekonomia e tregut tek kleptokracia?.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga