LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Vaksina Johnson & Johnson nën shqyrtim të mëtejshëm në SHBA

20 Prill 2021, 17:13, Lifestyle CNA
Vaksina Johnson & Johnson nën shqyrtim të mëtejshëm

Autoritet shëndetësore të qeverisë amerikane po zhvillojnë analiza të mëtejshme të vaksinës Johnson & Johnson kundër koronavirusit.

Dr. Rochelle Walensky, e cila drejton Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), tha të hënën se agjencia po shqyrtonte njoftimet mbi disa raste të tjera me efekte të rënda anësore që ka mundësi të kenë lidhje me vaksinën J&J me një dozë.

Ajo tha për gazetarët gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë se agjencia është e inkurajuar sepse nuk ka parë raste të shumta, por se po shqyrtonte rastet e regjistruara.

Ndërkohë, Agjencia Evropiane e Barnave, (EMA), enti rregullator evropiane për ilaçet thotë se ka zbuluar një ?lidhje të mundshme? mes vaksinës Johnson & Johnson dhe mpiksjeve jashtëzakonisht të rralla të gjakut. Por nga ana tjetër, ekspertët e agjencisë përsëritën se përfitimet nga vaksina i tejkalojnë rreziqet.

Agjencia tha se duhet shtuar në etiketat e vaksinës një paralajmërim për mpiksje gjaku, ashtu si për vaksinën e AstraZeneca-s dhe se këto çrregullime të rralla të gjakut duhet të konsiderohen si ?efekte anësore shumë të rralla nga vaksina Johnon & Johnson?.

Këto gjetje janë një goditje për Bashkimin Evropian, i cili po ndeshet me pengesa të mëdha në fushatën e tij të imunizimit, pasi disa vende pezulluan ose kufizuan përdorimin e vaksinës së AstraZenecas për shkak të dyshimeve se ajo kishte lidhje me mpiksjet e rralla të gjakut.

EMA tha se të gjitha rastet e mpiksjeve kishin ndodhur tek të rriturit nën 60 vjeç, kryesisht gratë, brenda tre javëve nga vaksinimi.

Ajo tha se në vlerësimin e saj kishte mbajtur parasysh të gjitha provat që ishin në dispozicion, duke përfshirë tetë raportime me raste të tilla në SHBA.

EMA tha gjithashtu se shumica e mpiksjeve kishin ndodhur në tru dhe në bark, siç ishte rasti me vaksinën AstraZeneca, Vaxzevria, e cila po studiohet për probleme të ngjashme të mpiksjes së gjakut.

Në SHBA, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe agjencia amerikane për ushqimet dhe barnat, FDA, bënë thirrje javën e shkuar për pezullimin e përkohëshëm të përdorimit të vaksinës Johnson & Johnson. Kjo pasoi njoftimet se gjashtë gra, midis moshës 18 dhe 48 vjeçare, patën një çrregullim të rrallë por të rrezikshëm të mpiksjes së gjakut pas vaksinimit.

Një grua humbi jetën dhe një tjetër u shtrua në spital në gjendje të rëndë.Nga 7 milionë amerikanë që kanë bërë vaksinën Johnson & Johnson vetëm gjashtë gra kanë pasur efekte anësore problematike.

Vaksina nga kompania Johnson & Johnson zë një vend të vogël të furnizimeve me vaksinat amerikane, por ekspertët thonë se problemet mund të ndikojnë që shumë njerëz të mos vaksinohen.

Dr. Anthony Fauci, i cili drejton Institutin Kombëtarë për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive, ka thënë se parashikon që një ekip i pavarur këshillues pranë CDC të heqë pezullimin e vaksinës kur të mblidhet nga fundi i javës.

Në një zhvillim tjetër në lidhje me vaksinat, ?Emergent BioSolutions?një fabrikë që shkatërroi miliona doza të vaksinës J&J, tha të hënën se kishte pezulluar përkohësisht punën me kërkesë të entit rregullator amerikan, FDA pas një inspektimi nga agjencia javën e shkuar.

Punonjësit në fabrikën ?Emergent BioSolutions?përzien një përbërës të vaksinës J&J me përbërës nga vaksina e zhvilluar nga AstraZeneca, duke bërë të papërdorshme 15 milion ë doza të vaksinës Johnson & Johnson.

Hulumtuesit në Univesitetin Oxford të Britanisë kanë filluar një provë klinike të quajtur ?sfida njerëzore? për të analizuar reagimin imunitar të trupit ndaj një infeksioni të dytë me koronavirus.

Prova zhvillohet në dy faza. Faza e parë përfshin rreth 64 vullnetarë nga moshat 18 deri 30 vjeç të cilët e kanë marrë veten tërësisht nga virusi. Hulumtuesit do të ekspozojnë afro gjysmën e pjesëmarrësve ndaj një doze të ulët virusi në kushte të kontrolluara me kujdes.

Gjatë fazës tjetër, hulumtuesit do të ekspozojnë të gjithë pjesëmarrësit me një dozë standarrde të të njëjtit variant të koronavirusit që u përdor gjatë fazës së parë.Prova klinike mund të përshpejtojë zhvillimin e mjekimeve të reja dhe më të mira si dhe të vaksinave ndaj koronavirusit.

Deri të martën (20 prill 2021) më shumë se 142,1 milionë njerëz në mbarë botën rezultojnë të jenë infektuar me koronavirus, përfshirë këtu mbi 3 milionë vdekje, sipas të dhënave të mbledhura nga Universiteti Johns Hopkins.

Infektimet janë në rritje në mbarë botën pavarësisht përshpejtimit të fushatës së vaksinimit në shumë vende, kryesisht në Indi, vend i cili raportoi 259,170 raste të reja infektimesh të martën, dita e gjashtë radhazi me më shumë se 200 mijë infeksione të reja të konfirmuara. Qeveria indiane njoftoi për 1,761 vdekje nga koronavirusi të martën, shkalla më e lartë ditore në disa muaj.

Shtimi i rasteve kohët e fundit ka shkaktuar mungesë të pajisjeve mjekësore dhe ilaçeve, çfarë ka bërë që autoritet në kryeqytetin Nju Delhi të mbyllin qytetin për një periudhë një javore duke filluar nga e hëna.Me më shumë se 15 milionë infeksione në total, India është e dyta pas Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë regjistruar 31.6 milionë raste.

Ish-kryeministri 88-vjeçar Manmohan Singh u shtrua në spital në Nju Delhi pasi rezultoi pozitiv për koronavirus. Pakmë shumë se 1% e popullsisë së Indisë janë vaksinuar, sipas Universitetit Johns Hopkins.

Zyrtarët indianë njoftuan të hënën se duke filluar nga 1 maji, të gjithë individët nga mosha 18 vjeç e lart do të plotësojnë kushtet për të marrë vaksinën.

Rritja e rasteve të reja me COVID-19 në mbarë botën nxiti Departamentin amerikan të Shtetit që të njoftojë të hënën shtimin me 80% të numrit të vendeve që përfshihen në listën e tij të ndalimit të fluturimeve./ VOA

Lajmet e fundit nga