LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Çmimi Nobel e ka humbur peshën dhe vlerën që ka pasur dikur

13 Tetor 2020, 07:14, Blog CNA
Çmimi Nobel e ka humbur peshën dhe vlerën që ka pasur

Nga Tyler Cowen ?Bloomberg?

Një Çmim Nobel vlen më pak çdo vit që kalon. Për më tepër, këto çmime nuk gjenerojnëmë shumë interes apo ndonjë suspansë tek njerëzit. Unë kam më së shumti njohuri mbi ekonominë, kështu që po e nis kritikën nga ajo fushë.
Çmimi Nobel në ekonomi u dha për herë të parë vetëm në vitin 1969. Ndaj nga fundi i viteve 1970 në mesin e fituesve ishin Pol Samuelson, Milton Fridman, Kenet Arrou, Xhon Hiks dhe Friedrih Hajek, të konsideruar zakonisht si ekonomistët më të mëdhenj të shekullit XX-të, së bashku me Xhon Mejnard Kejnesin, që vdiq në vitin 1946.
Fituesit më të fundit kanë qenë të gjithë zgjedhje të shkëlqyera dhe plot me meritë. Unë i njoh personalisht shumë prej tyre dhe kam punuar me disa. Por ata nuk kanë rëndësinë historike të atyre figurave të lartpërmendura. Dhe ndërsa numri i fituesve rritet, çmimi po ndihet si më pak i veçantë.
Unë ndjek vazhdimisht në Twitter tre laureatë të Çmimit Nobelit. Secili më duket se ka më tepër temperamentin e një 20-vjeçari sesa të ngjashëm me timin. Dhe kjo nuk duhet të jetë një gjë e keqe, pasi ndoshta e rrit ndikimin apo arritjen e tyre në karrierë.

Por me kalimin e kohës zvogëlohet shkëlqimi i të pasurit një çmim Nobel, dhe të gjithë laureatët e vuajnë këtë efekt. Kjo është ajo çka ndodh me mediat sociale:u japin shumë vëmendje aspekteve negative. Kolegu im Martin Gurri, ka shpjeguar sesi mediat sociale i bëjnë politikanët të duken më pak magjepsës, dhe e njëjta gjë ndodh me shkencëtarët.
Për shembull, Majkëll Levit nga Universiteti i Stenford, që fitoi Çmimin Nobel në Kimi në 2013, ka qenë një postues aktiv në Twitter mbi pandeminë.
Ndërsa ka postuar kontradiktat reale që ekzistojnë në lidhje me rëniet në shkallën e vdekjeve të tepërta dhe çështje të tjera, ai mund të jetë i paqartë me të dhënat që paraqet, dhe ka bërë parashikime të nxituara dhe jo të sakta në lidhje me ?mbarimin? e pandemive të ndryshme kombëtare.

Interneti e zvogëlon ndikimin e çmimit Nobel edhe në një mënyrë tjetër. Merrni Pol Romerin, një fitues i merituar i Nobelit në ekonomi në vitin 2018. Shumë prej ideve të Romer, si qytete me statute, ishin debatuar në mënyrë aktive në internet, në blogje dhe në Twitter dhe media, për të paktën një dekadë.
Gati të gjithë ata që ndjekin gjëra të tilla, prisnin që Romer të fitonte një Çmim Nobel, dhe kur kjo gjë ndodhi u duk si e çuditshme. Ngjashëm, zgjedhja e ekonomistit laburist Dejvid Kard (ndoshta me bashkautorë) do të duket si e çuditshme kur të ndodhë.

Për fat të keq, jo të gjitha çmimet janë menduar dhe aq mirë se kujt t`i jepen. Çmimi Nobel për Paqe iu dha këtë vit Programit Botëror të Ushqimit, një institucion që është pjesë e Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, Qendra për Zhvillim Global, një think-tank shumë i respektuar, e renditi keq sipas 40 parametrave të matura për efektivitetin.
Një studim tjetër, nga ekonomistët Uillaim Esterli dhe Tobias Futze në vitin 2008, ishte gjithashtu më pak entuziast për Programin Botëror të Ushqimit. Tipari më mbresëlënës i çmimit, nuk është se komiteti i Nobelit mund ta ketë kuptuar gabim. Përkundrazi, është se askush nuk duket se interesohet për këtë.
Çështja është shfaqur në Twitter, por vështirë se do të shkaktojë ndonjë polemikë e madhe.

Dhe sa njerëzve u intereson sot se kush e fiton çmimin Nobel në letërsi? Fituesja e këtij viti, Luiz Glyk, është një poete e shkëlqyer. Por lajmi u botua vetëm më faqen 21 të ?New York Times?. Libri më i shitur i fituesit të vitit të kaluar, austriakut Peter Handke, regjistron deri diku rreth 100.000 kopje të shitura në Amazon. Përzgjedhja e Bob Dilanit në vitin 2016, ishte një përpjekje jetëshkurtër për ta bërë këtë çmim të duket si më i rëndësishëm.
Por Dilan nuk e mori mundimin as të paraqitej në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ndoshta duke kuptuar se ai ishte më i madh se vetë çmimi. Duke u kthyer edhe më tej në kohë, Xhojs, Prust dhe Borges nuk e kanë fituar këtë çmim madhor të letërsisë, për arsye se ata përputheshin me kërkesat e komitetit.

Më së fundmi, a është vallë çmenduri të mendosh se Tomas Pinçon apo Don De Lilo e meritojnë më shumë këtë çmim sesa laureatët si romancierja austriake Elfriede Jelinek apo poeti suedez Tomas Transtromer ? Megjithatë tani që ka fituar Glyk, ekziston ndjesia se një amerikan tjetër nuk mund t`a fitojë shumë shpejt këtë çmim, pasi duket se ai ka një përbërës shumë të fortë politik. Në vitin 1974, kur fitoi Hajek, vetë ekonomisti i famshëm tha se nuk duhet të kishte një Çmim Nobel në ekonomi, pasi askush nuk duhet të jetë aq i ngritur në staturë dhe ndikim. Por Hajek nuk ka pse të shqetësohet. Sot ka ende një çmim Nobel, por ai nuk është aq prestigjioz sa më parë./Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga