LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Dokumentet ekskluzive-Skandali me inceneratorin e Fierit/ Si u zhvatën dhjetëra milion euro nga taksat e shqiptarëve

9 Prill 2020, 10:04, Politikë CNA
Dokumentet ekskluzive-Skandali me inceneratorin e Fierit/ Si u zhvatën

Koncesionet janë pika më e madhe e akuzave politike në Shqipëri, por edhe palët politike duken të përfshira thellë. Herë flasin e herë heshtin. Asnjë dokument zyrtar i çuar në prokurori. Megjithëse opozita ka thënë shumë fjalë, por nuk e ka çuar deri në fund gjithçka ka akuzuar.

CNA.al prej disa ditësh ka filluar publikimin e një investigimi disa mujor në lidhje me koncesionet e inceneratorëve në Shqipëri, ku fillimisht zbuluam ortakërinë e drejtuesve të medias, blerje aksionesh në kompani që kanë të njëjtët aksionerë me Top Channel. (Lexo këtu)

Kompani që lindnin nga hiçi dhe merrnin 22 milion euro siç është rasti i inceneratorit të Elbasanit. Lidhjet e këtyre kompanive me njëra-tjetrën, futjen e një shtetasi italian, një pensionisti 73-74 vjeçar, me disa kompani të ndryshme shafqet në Shqipëri edhe ai. Më pas bën edhe ortakëri me Stela Gugallën, e cila është aksionerja e vetme e inceneratorit të Elbasanit, ku në një kompani në bashkëpronësi, italiani ka 40% të kapitaleve dhe ajo 60% të kapitaleve dhe administrator është bashkëjetuesi i saj Mirel Mërtiri. I njohur ndryshe si Klodian Mërtiri, me emër të ndryshuar dhe i njohur për probleme të mëdha me drejtësinë në të shkuarën.

Por, këtu shfaqet dhe një shtetas tjetër, Klodian Zoto, ashtu sikundër në ortakërinë e dokumenteve të publikuar nga CNA.al, shfaqet dhe Eva Blushi, bashkëshortja e Ben Blushit. Eva Blushi është bashkëaksionere me pronarët e kompanisë së inceneratorëve në Shqipëri, në një kompani të themeluar në Bullgari. (Lexo këtu)

Por, le të rrimë tek inceneratorët.

Pas skemës së publikuar, të cilën mund ta lexoni të plotë tek ky shkrimi këtu, një ditë më parë ne publikuam inceneratorin e Elbasanit, të cilën mund ta lexoni këtu, ndërsa sot po sjellim atë të Fierit.

Çfarë është inceneratori i Fierit dhe si ka filluar?

Pas skemës së Elbasanit, me 22 milion euro. Ku një kompani nga hiçi, pa asnjë lek, pa pasur asnjë qindarkë, mundi të sigurojë për një kohë të shkurtër 22 milion euro kontratë nga qeveria për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit.

Dhe më pas mesa duket skema i ka pëlqyer dikujt. Skenaristëve, aktorëve, faktorëve apo gjithkujt tjetër të përfshirë në këtë investigim që ne kemi zhvilluar, ku kemi zbuluar se janë të njëjtët persona, të përfshirë ne skenare që shkojnë në rreth të paktën 178 milion euro koncesione për ndërtime inceneratorësh dhe disa dhjetëra apo qindra million euro përfitime që kanë ardhur nëpërmjet skemash, blerje të kompanive të ttjera apo trajtime të mbetjeve urbane.

Ne po sjellim sot inceneratorin e Fierit, i cili është dhënë me koncesion nga qeveria shqiptare sipas një marrëveshje, të firmosur nga ministri Lefter Koka në tetor të vitit 2016, me kompaninë e quajtur Integreted Technology Waste Treatment Fier.

Kjo kompani ka pasur dy aksionerë, ku i pari është Integreted Technology Service, që ne e kemi sjellë me dokumente në shkrimin e parë, e cila ka 70% të aksioneve, ku ka qënë aksioner i vetëm Klodian Zoto, por nga ana tjetër në koncesionin e inceneratorit të Fierit shfaqet dhe shtetasi italian, Ernesto Graneli.

Ky është personi, i cili ka firmosur gjithashtu një kontratë garancie me çelësa në dorë, për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit dhe shfaqet aksioner me 30% në momentin e firmosjes së kontratëts në Ministrinë e Mjedisit me ministrin e asaj kohe, Lefter Koka, si bashkëpronar me Klodian Zoton.

Më pas, pas një periudhe kohe, këto 30% të aksioneve i shiten kompanisë ?Ndërtim Montim Patos?, e cila ble për një shumë të caktuar përqindjen e aksioneve të Ernesto Granelit, i cili në këtë koncesion, pra atë të inceneratorit të Fierit, përfaqëson një kompani italiane, jo atë që ne kemi zbuluar në shkrimin tonë të parë dhe atë të dytë.

Kompania, me të cilën shfaqet te inceneratori i Fierit, është një kompani tjetër, me një emër krejt tjetër . Pra, nuk është ajo që ne kemi trajtuar, që quhet Energy Recuperator, e themeluar si degë e një kompanie të huaj në Shqipëri në 19 prill të vitit 2016 dhe më pas italiani Ernesto Graneli bëhet bashkëaksioner në kompaninë ER One Albania, e cila menaxhohet nga administratori Mirel Mërtiri dhe ku Stela Gugallja ka 40% të aksioneve dhe kompania e italianit 60%. Pra, Energy Recuperator.

Me kompaninë koncesionare me Klodian Zoton, ai shfaqet me 30% të aksioneve në inceneratorin e Fierit.

Këtë herë nuk shfaqet më si filial i kompanisë Energy Recuperator, por këtë radhë vjen me një kompani tjetër, Energy 2 s.r.l, regjistruar sipas legjislacionit Italian në fuqi, në adresën  Carpenedo, (BS(, Via Colombo 27 CAP 25013, me përfaqësues ligjor z.Ernesto Granelli, si ortak i shoqërisë Integrated Technology Waste Treatment Fier.

Por, çfarë ndodh?

Më pas italiani i shet këto aksione. Pra, Ernesto Graneli edhe pse është përfaqësues i kompanisë italiane Energy 2, is het këto aksione dhe i kalojnë ashtu siç thamë më lartë kompanisë ?Ndërtim Montim Patos sha?, rruga nacionale Fier-Patos, KM, Lagjia “Zona Industriale Transport, Ndërtesë Private Nr.123, Fier, Patos.

Dhe ashtu si në skemën e Elbasanit kemi të njëjtën situatë. Pasi themelohet kompania, disa ditë më pas menjëherë firmoset kontrata dhe kjo kontratë më pas përdoret për të marrë një kredi të majme. Një kredi e cila merret në një bankë të nivelit të dytë disa muaj më vonë dhe justifikohet si investim.

Megjithëse nuk mund të themi se Integrated Technology Service është një kompani pa aktivitet, në fakt në letra ka filluar që nga viti 2010, por deri me ardhjen e Rilindjes në pushtet duket se është një hiç. Rrugës ka bërë disa punë të vogla dhe më pas fillon dhe merr koncesione si ky i Fierit, i cili është 28 milion euro, por është edhe tek skema e inceneratorit të Elbasanit, 22 milion euro, ku sërish del emri i Ernesto Granelit, Klodian Zotos dhe Mirel Mërtiri me Stela Gugallën.

Të njëjtën skemë si në Elbasan përdorin dhe me Fierin. Shoqëria tregtare ?Ndërtim Montim Patos?, së bashku me shoqërinë tregtare Integreted Technology Service, shkojnë tek një bankë e nivelit të dytë dhe ashtu si në rastin e Elbasanit, krijojnë një marrëveshje siguruese, ku si barrëdhënës këto dy kompani vendosin shoqërinë Integreted Technology Waste Treatment Fier dhe kontratën e bërë me ministrinë e Mjedisit me vlerë 28 milion euro pa TVSh, apo rreth 35 milion euro në total.

Pra, kemi të bëjmë me një kompani, e cila është themeluar në 3 tetor 2016, është regjistruar në 5 tetor 2016, në 24 tetor lidh kontratën dhe me 10 nëntor firmos me italianin për koncesionin. Më pas në 15 nëntor futet për barrën siguruese në bankë. Pra, gjithçka e bërë brenda një muaji.

Brenda 2 javësh ka përlare thuajse 14 milionë euro: Me 24.10.2016 nënshkruan me shtetin për të ndërtuar incenerator me celesa në dorë per 28.5 milionë euro.

Me 10.10.2016 nënshkruan me italian për t’ia ndërtuar italiani inceneratorin me çelësa në dorë për 15 milionë euro!!!

Asnjë fjalë se çfarë teknologjie, as karakteristika, as niveli i gazrave në atmosfere, as sasia dhe cilësia e hirit, as nëse do jetë i ri apo i vjetër dhe të jetë vetë si skorje. Kush e di nëse italiani nga ana tjetër nuk ka gjet ndonjë kinez që t’a ndërtojë me çcelësa ne dorë për veç 3 milionë euro se nuk ka asnjë kusht, asnjë garanci, asnjë karakteristikë shtrënguese.

Dhe sot pas më shumë se një viti e gjysëm në Fier nuk ka INCENERETATOR edhe pse qeveria ka paguar nga taksat e shqiptarëve miliona euro të cilat kanë filluar që pas firmosjes së kontratës.

Kontrata e tretë e vendosur nga barrëdhënësi është ajo e blerjes së impiantit të përpunimit të plehrave për prodhimin e energjisë, identik si në rastin e Elbasanit, me vlerë 15 milion euro pa TVSH, mes shoqërisë Integreted Technology Waste Treatment Fier dhe shoqërisë Energy Recuperator. Kjo kontratë është firmosur në 10 nëntor të vitit 2016.

Por kush është Energy Recuperator?

Në fakt, Energy Recuperator është kompania e Ernesto Granelit, e regjistruar në Shqipëri në datën 3 maj 2016, si filial i një shoqërie të huaj dhe më pas është po Ernesto Graneli që ka një kompani të re që është bashkëaksioner me ER One Albania dhe është që në fillim të kompanisë koncesionare të inceneratorit të Fierit, bashkëaksioner me 30% të kuotave. Aksione të cilat më pas ia ka shitur kompanisë ?Ndërtim Montim Patos?, për vetëm 30 mijë lekë.

Por, ajo që bie në sy është fakti se sipas kontratës së shitjes që ka siguruar CNA.al, 30% e aksioneve janë shitur për vetëm 30 mijë lek vlera e vërtetë ngelet e paditur.

Pra, një kompani me koncesion 28 milionë euro pa TVSH, apo me rreth 35 milion euro me TVSH shet 30% te aksioneve për vetëm 30 mijë lekë. Kur në fakt vlera reale e shitjes mund te jetë me qindra mijë euro, por këte e zbardhin institucionet e drejtësisë.

Këto janë disa dokumenta zyrtare që tregojnë se një koncesion, një PPP 28 milion euro merret nga hiçi, ashtu si në rastin e Elbasanit, nga të njëjtët personazhe. Janë ata persona që mundën të krijonin një kompani nga zero në emër të një zonje, e cila në fakt është bashkëjetuesja dhe nëna e fëmijëve të Mirel Mërtirit, personit për të cilin ne kemi shkruar në shkrimet e mëparshme. Ky i fundit është një person me një shkuar të dyshimtë dhe me gjeneralitete të ndryshuara.

Por, në bashkëpunim me një shtetas italian ndërtojnë koncesionin e Elbasanit dhe gjithçka justifikohet me faktin se kjo kompani ka siguruar disa letra, ka disa kontrata dhe mund të investojë, kur në fakt kompania ka pasur zero lek, apo një million lekë të vjetra. Ashtu sikundër në rastin tjetër, ku hyn një italian, hyn Klodian Zoto me Integreted Service, një kompani e cila ka qënë e lidhur me Elbasanin, e të tjera si këto. Pra, që ka një historik në fakt ndryshe nga ajo e Stelës që doli nga hiçi, por sërish janë të njëjtët personazhe.

Italiani Ernesto Graneli, Klodian Zoto, të cilët vërtiten tek koncesioni i Fierit, me letra shesin dhe një pjesë të aksioneve. Por, këtu nuk duken dhe shfaqet Mirel Mërtiri apo i njohur ndryshe si Klodian Mërtiri, por shfaqet kompania e italianit Energy Recuperator, e cila do të sjellë inceneratorin e Fierit.

Është gati thuajse e njëjta histori. Italiani nuk bën asgjë tjetër, por thjeshtë dhe vetëm mbledh ose mbulon apo ndërton inceneratorin nga subjekte të ndryshme. Në rastin e Elbasanit u akuzua se ishte një incinerator i vjetër italian i përdorur, që do të duhej të ishte hedhur për skrap, që ndot mjedisin, e të tjera si këto.

Kurse në rastin e Fierit janë marrë shuma të mëdha të parave, dhe nuk është bërë asgjë. Sepse të paktën në Elbasan inceneratori ka përfunduar, ka një ndryshim, megjithëse akuzohet për vjedhje dhe në rastin e një investigimi apo hetimi qoftë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit apo institucionet përgjegjëse dëmi do të ishte në miliona euro.

Por, në rastin e Fierit ky dëm është edhe më i madh, për një fakt të vetëm. Kontrata është firmosur në vitin 2016, në tetor të atij viti, më pas është shkuar në bankë, ku është marrë bërë edhe marrëveshja siguruese dhe është lënë si barrë siguruese kontratat.

Dhe çfarë ka ndodhur?

Inceneratori që atëherë dhe deri sot nuk është ndërtuar ende. Pra, një kompanie të ndërtuar në tetor të 2016-ës, e cila ka marrë koncesionin dhe më pas ka bërë disa ndryshime në pronësi, i janë paguar para nga qeveria, nga taksat e shqiptarëve, ndërkohë që nuk është kryer ende ndërtimi i inceneratorit. Megjithëse justifikimi ka qënë shpesh herë përplasje me banorët e zonës apo akuzat e opozitës.

Kjo është pjesa e tretë e investigimit tonë, sipas dokumentave të publikuar në shkrim, ku nga 22 milion eurot e Elbasanit, në Fier shkojmë tek 28 milion euro.

Këto janë dy skandale, që ne kemi publikuar. Ku nëpërmjet një investigimi të thjeshtë kemi zbuluar sesi të njëjtët persona kanë mundur të firmosin kontrata koncesionare për rreth 50 milion euro.

Pra, janë 50 milion euro nga taksat e shqiptarëve për dy inceneratorë, të cilat nuk kanë një garë të hapur ndërkombëtare dhe sin ë rastin e parë edhe në rastin e dytë vërtiten të njëjtët persona. Janë të njëjtët persona që kanë marrë. Italiani Ernesto Graneli, i cili del në të dyja kompanitë, një herë si ortak me një kompani, një herë me një kompani të re që e bashkon në ortakëri me një zonjë e cila për herë të parë shfaqet në tregun e biznesit duke marrë një koncesion 22 milion euro, pa pasur asnjë aktivitet biznesi.

Pa folur më tej për dokumentet dhe letrat e plota formale të dërguara në institucione, ku është bërë shpallja e fituesve.

CNA.al ka shkuar më tej, përtej skemës Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe Ernesto Graneli. Ne kemi mundur të nxjerrim të dhëna edhe për inceneratorin e Tiranës, ku për herë të parë nga nesër dhe në vijim ne do të sjellim me dokumente ekskluzive kush janë pronarët e vërtetë.

Por, kjo i përket disa shkrimeve të tjera, me të tjera detaje, me të tjera dokumenta, të cilat në të gjitha rastet, përtej ekstrakteve të QKR-së që janë publike, ashtu sin ë shkrimet e mëparshme ne sjellim dokumenta ekskluzive, të siguruara nga kontrata, nënkontraktime, marrëveshje dhe firmosje të këtyre kompanive dhe individëve të përfshirë, që janë në të njëjtat ambiente, në të njëjtat zyra dhe kanë thuajse të njëjtët xhepa. Por, vetëm iu ndryshon emri.

Janë të njëjtat ortakëri, tët njëjtët persona që vërtiten nga Elbasani, në Fier dhe në Tiranë. E më pas zhyten edhe më thellë në kryeqytet në kompaninë në bashkëpronësi me Bashkinë e Tiranës, ku mplekset pa asnjë diskutim edhe kryebashkiaku i Tiranës. Por, siç kemi thënë dhe më lart, ku mpleksen drejtues të rëndësishëm mediash.

Për herë të parë, do të tregojmë me dokumente sesi në Shqipëri, koncesionet e qeverisë financojnë televizionet dhe këto janë në bashkëpronësi me drejtuesit e tyre.

Më poshtë mund të lexoni shkrimet e dy ditëve të kaluara, të gjitha materialet e tjera dhe çdo dokument që ne kemi në dispozicion për të cilat presim që institucionet përgjegjëse të reagojnë, të fillojnë të hetojnë dhe të shikojnë se çfarë ka ndodhur vërtetë me një skandal që fillon me 22 milion euro në Elbasan, shkon tek 28 milion eurot e Fierit, zbarkon në Tiranë dhe shkuma shkon në disa qindra million euro nga taksat e shqiptarëve./ CNA.al

Dokumentet ekskluzive-Skandali me tenderin e inceneratorit/ Kompania fituese pa asnjë aktivitet biznesi, shkeljet proceduriale

Skandali-Nga pronarët e mediave tek kompanitë off shore/ Skema e plotë e koncesionit të inceneratorëve, emrat e përfshirë

Ekskluzive dokumentet/ Klodi i inceneratoreve dhe Ben Blushi, blejnë ?Lori Kafe?

Skandali/ Zbulohet skema e plotë, si pronarët e inceneratorëve paguan aksionerët e Top Channel

Lajmet e fundit nga