web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Lufta Antifashiste Nacional-çlirimtare

28 Nëntor 2014, 23:00, Opinione CNA

Nga Kastriot Myftaraj

Nëse ajo që quhet ?Lufta Antifashiste Nacional-çlirimtare? do të shqyrtohet sipas metodologjisë historiografike serioze, atëherë dalin disa pyetje. Pyetja e parë që ka të bëjë me emërtimin, duket si pa kuptim por nuk është aspak kështu.
Pse u quajt ?Luftë Antifashiste Nacional-çlirimtare??
Në të gjithë Europën e pushtuar nga gjermanët dhe italianët në Luftën e Dytë Botërore, nuk është përdorur termi ?luftë nacional-çlirimtare?, por ?rezistencë? (qëndresë). A keni dëgjuar për Luftë Nacional-çlirimtare në Francë, Danimarkë, Norvegji, Holandë, Belgjikë, Çekosllovaki? Jo! Në këto vende njihet termi ?Rezistenca ndaj pushtuesve?. Termi ?Rezistencë? nuk është shumë pretendues. Ky term niset nga logjika se raporti i forcave është i tillë që vendi përkatës i pushtuar nuk mund të çlirohej nga pushtuesit me fuqitë e veta, por me anë të rezistencës tregonte refuzimin ndaj pushtimit. Çlirimi i vendit përkatës do të vinte si pasojë e luftës në rrafsh global, qoftë drejtpërdrejt, qoftë tërthorazi.


Termi ?luftë nacional-çlirimtare? është shumë më pretendues, duke bërë si qëllim të luftës çlirimin e vendit nga pushtuesit. Termi ?luftë nacional-çlirimtare? u përdor vetëm në dy vende, në Jugosllavi dhe në Shqipëri, nga ana e komunistëve. Origjina e termit është në zyrat e Kominternit (Internacionale III Komuniste) në Moskë. Në fakt, termi ishte llogaritur që të përdorej në vendet të cilët nuk parashikohej që të çliroheshin nga Ushtria e Kuqe. Armatat sovjetike kaluan vetëm përskaj territorit të Jugosllavisë, nga Nishi në Beograd, prej nga ku dolën në Hungari. Në Shqipëri trupat sovjetike nuk shkelën fare. Termin ?luftë antifashiste nacional-çlirimtare? në Shqipëri e sollën të dërguarit komunistë jugosllavë, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. As Shqipëria dhe as Jugosllavia nuk u çliruan nga lufta e tyre nacional-çlirimtare. Pushtimi italian në të dy vendet mori fund me kapitullimin e Italisë në shtator 1943, që ishte pasojë e zbarkimit të aleatëve britaniko-amerikanë në Itali. Pushtimi gjerman në të dy vendet mori fund kur trupat gjermane nisën të tërhiqen nga Ballkani, për shkak të hyrjes së Ushtrisë së Kuqe në Ballkan, në gusht 1944.

Kur nisi të përdoret termi ?Luftë antifashiste Nacional-çlirimtare? në Shqipëri?

Ndonëse qe folur në mënyra të ndryshme për luftë kundër pushtuesit, termi i përpunuar ?luftë antifashiste nacional-çlirimtare? nisi të përdoret rreth një vit pas krijimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë (PKSH), me krijimin e të ashtuquajturit Front Antifashist Nacional-çlirimtar, në Konferencën e Pezës, në shtator 1942. Them të ashtuquajturit ?Front? se u krijua një ?Front? para se të krijohej një Ushtri Nacional-çlirimtare, dhe para se të krijohej Shtabi i kësaj Ushtrie. U krijua në fillim një ?Front Nacional-çlirimtar?, në letër, i cili tha se do të krijonte një Ushtri nacional-çlirimtare. Por në Konferencën e Pezës nuk u zgjodh as Kryetari i Frontit, as Komandanti i Ushtrisë që u tha se do të krijohej, dhe as një Shtab që do të organizonte luftën. Në Konferencën e Pezës u krijua vetëm një Këshill Nacional-çlirimtar që ishte një organ politik. Në fakt Këshilli Nacional-çlirimtar dhe pas tij Këshilli i Përgjithshëm Nacional-çlirimtar, nuk qenë gjë tjetër veçse maska e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, ashtu si Fronti Nacional-çlirimtar nuk ishte gjë tjetër veçse maskë e Partisë Komuniste.
Pushtimi i vendit, nga 7 prilli 1939 deri në 29 nëntor 1944, zgjati 67 muaj e gjysëm. Fronti u krijua në letër 41 muaj pas ditës së pushtimit. Shtabi u krijua në letër 51 muaj pas ditës së pushtimit, në Konferencën e Labinotit, në korrik 1943. Me këtë rast u emërua një drejtues i Shtabit, por jo një Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë. Dita e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm (10 korriku 1943) mbahej si dita e krijimit te Ushtrisë në kohën e regjimit komunist. Por a mund të kishte një Ushtri pa një komandant të përgjithshëm. Një i tillë u emërua 61 muaj e gjyssmë pas ditës së pushtimit, në Përmet, në 1944. Vetëm gjashtë muaj para çlirimit të vendit! Nuk ka fakte më domethënës që tregojnë se Lufta Nacional-çlirimtare ka ekzistuar vetëm në letër, si realitet i rremë propagandistik komunist.

A ishte Lufta Antifashiste Nacional-çlirimtare një luftë civile?

Për këtë çështje është i tepërt debati se vetë drejtuesit e Partisë Komuniste që drejtuan dhe Luftën Nacional-çlirimtare, e kanë pohuar se qëllimi i tyre ishte lufta civile. Në rezolucionin e Mbledhjes themeluese të PKSH, në nëntor 1941 u tha se tashmë paraqitej detyra e ?zhvillimit të partisë së tipit të ri, të partisë bolshevike? (?PPSH: Dokumente kryesore?, Vol. 1, Tiranë 1960, f. 19)
Partia Bolshevike kishte pasur si parim të sajin, të përcaktuar nga Lenini, shndërrimin e luftës botërore, të cilën e quante luftë imperialiste, në luftë civile, në sajë të së cilës do të merrte pushtetin. Ky parim u fiksua edhe në 21 kushtet që duhet të përmbushte një parti komuniste për t? u bërë anëtare e Internacionales III Komuniste (Kominterni). I treti nga 21 kushtet e përpiluar nga Lenini, thoshte se ?Lufta e klasave pothuajse në të gjitha vendet e Europës dhe Amerikës po hyn në fazën e luftës civile.?(V.I. Lenin, ?Lufta kundër oportunizmit dhe themelimi i Internacionales III?, Shtëpia botuese ?8 nëntori?, Tiranë 1978, f. 463)
Partia Komuniste e Shqipërisë me t? u krijuar, me anë të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, i bëri kërkesë Internacionales III për t? ua anëtarësuar, dhe kjo kërkesë u pranua në 1942. Këtëj e tutje qe detyrim për PKSH zbatimi i 21 kushteve leniniste, ndër ta edhe ai i luftës civile.
Krahu antikomunist shqiptar pretendon se lufta civile në vend ka filluar në mesin e vitit 1943, kur PKSH prishi Marrëveshjen e Mukjes dhe filloi luftën kundër Ballit Kombëtar. E vërteta është se lufta civile në Shqipëri u shpall në nëntor 1941, në rezolucionin themelues të PKSH, dhe së pari u bë brenda vetë lëvizjes komuniste, mes stalinistëve dhe antistalinistëve. Ky akt i parë i tragjedisë së luftës civile në Shqipëri, paralajmëroi aktin tjetër të luftës civile më të gjerë, e cila filloi në 1943, midis komunistëve dhe antikomunistëve.
Pse, komunistët, fitimtarët e Luftës Nacional-çlirimtare qëndruan ilegalë edhe për katër vite pas përfundimit të luftës?
Nëse ka dikush merita për organizimin dhe drejtimin e Luftës Nacional-çlirimtare, kjo është Partia Komuniste e Shqipërisë. Por çuditërisht, pas fitores PKSH qëndroi ilegale edhe për katë vite, duke fshehur ekzistencën e saj dhe duke mos marrë publikisht meritat për luftën të cilat i mori vetëm pas vitit 1948. Nuk mund të mos bëhet pyetja se përse PKSH, e cila ishte ilegale në raport me ligjet dhe rendin kushtetues fashist, vazhdoi të ruante të njëjtin pozicion edhe në raport me ligjet e bëra nga pushteti i saj, domethënë nga Fronti Nacional-çlirimtar dhe më pas Fronti Demokratik, të cilët udhëhiqeshin nga PKSH? Përse mbeti PKSH një parti ilegale edhe pasi ajo erdhi praktikisht në pushtet? Shefi i PKSH, Enver Hoxha e kishte të vështirë që t? ua shpjegonte këtë gjë të huajve perëndimorë, të cilët e pyesnin. Në 1945, Petro Marko, i cili atëherë ishte kryeredaktor i së vetmes gazetë të përditshme në Shqipëri (?Bashkimi?) u bë dëshmitar i bisedës së mëposhtme mes dy gazetarëve amerikanë dhe kryeministrit Enver Hoxha, në zyrën e këtij të fundit:
?Li Uait: Zoti gjeneral, a bëni pjesë në Partinë Komuniste?
Enveri: Është nder i madh të jesh anëtar i Partisë Komuniste.
Çakelli: Po ju, si president i qeverisë, a jeni komunist?
Enveri: Partia është ilegale dhe nuk tregohet nëse je apo jo komunist.
Li Uait: Ky është një paradoks. Një parti që udhëheq luftën dhe del fitimtare, nga cili ka frikë të jetë legale? Ajo triumfoi.?(Petro Marko: ?Intervistë me vetëveten: retë dhe gurët?, Shtëpia botuese ?Omsca?, Tiranë 2000, f. 459-460)

Arsyeja se përse ndodhte kështu ishte se PKSH ishte një konspiracion që kishte një agjendë konspirative për marrje pushteti dhe përmbysjen me dhunë të sistemit shoqëror ekonomik dhe zëvendësimin e tij me një sistem tjetër. PKSH vërtet po dilte me slogane antifashiste, dhe për luftë nacionalçlirimtare, por ky siç thuhej në gjuhën e komunistëve qe vetëm programi minimum, i shpallur publikisht, ndërsa programi maksimum i pashpallur qe agjenda konspirative për përdorimin e Luftës Botërore, në mënyrë që të merrej pushteti me dhunë. Në këtë sens mund të thuhet se me krijimin e PKSH në Shqipëri filloi një agresion i dytë, pas atij fashist, agresioni komunist. Komunistët qenë të vetëdijshëm se kishin bërë një krim, një akt terrorist, duke folur për luftë nacional-çlirimtare dhe duke e përdorur atë si kamuflim të luftës së tyre ideologjike për marrjen e pushtetit dhe ndryshimin e sistemit shoqëror-ekonomik. Fajtorë nuk qenë vetëm komunistët. Edhe partizanët e tradhtonin veten me yllin e kuq sovjetik që mbanin në ballë.

A e bëri Lufta Nacional-çlirimtare Shqipërinë anëtare të Koalicionit të Madh Antifashist?

Jo. Pjesmarrja e një vendi në koalicionin ndërkombëtar antifashist të krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk ka qenë një gjë deklarative informale, që ka pasur të bëjë me thjesht deklarata të këtij apo atij individi apo grupimi në vendet e ndryshme, por ka qenë një gjë formale, nga pikëpamja juridike ndërkombëtare. Koalicioni ndërkombëtar antifashist i krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, e ka zanafillën në Konferencën e Ëashington-it që u mbajt nga 22 dhjetori 1941 në 14 janar 1942, me pjesëmarrjen e Presidentit të SHBA, Franclin D. Roosevelt dhe të kryeministrit të Britanisë së Madhe Winston Churchill, si dhe të përfaqësuesve të 24 vendeve të tjera që luftonin kundër vendeve të Boshtit, duke përfshirë dhe përfaqësues të vendeve të pushtuara. Nga kjo konferencë doli Deklarata e Kombeve të Bashkuara e 1 janarit 1942 e nënshkruar nga 26 vende, e njohur si Deklarata e Kombeve të Bashkuara. Me emrin «Kombet e Bashkuara» njihej koalicioni ndërkombëtar antifashist. Koalicioni i Kombeve të Bashkuara vazhdoi të zgjerohet gjatë luftës, me nënshkrimin e Deklaratës së Washingtonit të 1 janarit 1942 nga përfaqësues të vendeve të tjera, të pushtuara, ose jo. 21 vende të tjera u bënë anëtarë të Koalicionit të kombeve të Bashkuara deri në 1 mars 1945, kur hynë tre vendet e fundit, Arabia Saudite, Siria dhe Libani. Kështu numri i përgjithshëm i vendeve anëtare të koalicionit antifashist të quajtur Kombet e Bashkuara arriti në 47 para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria nuk ishte ndër 26 vendet nënshkruese fillestare të Deklaratës së Washington-it të 1 janarit 1942. As Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar i krijuar në konferencën e Pezës në shtator 1942, nuk u pranua si autoriteti që mund të nënshkruante Deklaratën e Kombeve të Bashkuara, në emër të Shqipërisë.

A e shpëtoi Lufta Nacional-çlirimtare Shqipërinë nga coptimi i mundshëm pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore?

Jo. E kundërta është e vërtetë. Lufta Nacional-çlirimtare dhe regjimi komunist që ishte rezultat i saj, e rrezikuan ekzistencën e shtetit shqiptar. Pikërisht për shkak të ardhjes së komunistëve në pushtet, në 1944, Shqipëria, e cila kishte qenë anëtare e Lidhjes së Kombeve, që në vitin 1920, nuk u pranua anëtare e pasardhëses së Lidhjes së Kombeve, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që u krijua në 1945. Kundër pranimit të Shqipërisë qenë aleatët perëndimorë të koalicionit të madh antifashist, SHBA dhe Britania e Madhe. Shqipëria u bë anëtare e OKB vetëm në 1955, si pasojë e një kompromisi mes SHBA dhe Bashkimit Sovjetik, me ç? rast Bashkimi Sovjetik hoqi dorë nga vetoja kundër pranimit të Spanjës së Frankos, që mbështetej nga SHBA, ndërsa Bashkimi Sovjetik hoqi dorë nga vetoja kundër Spanjës së Frankos. Regjimi komunist i ardhur në Shqipëri si pasojë e luftës nacional-çlirimtare vuri në rrezik ekzistencën e shtetit shqiptar, për arsye se e bëri Shqipërinë bazë të furnizimit me armë, ushqime (që vinin nga Bashkimi Sovjetik) për terroristët komunistë greke të cilët strehoheshin dhe stërviteshin në Shqipëri gjatë Luftës Civile në Greqi. Kjo bëri që OKB ta fajësonte Shqipërinë si një vend terrorist dhe që luftanijet britanike të patrullonin bregdetin shqiptar të Jugut, për të ndaluar zbarkimet e terroristëve komunistë grekë nga Shqipëria në ishullin me rëndësi strategjike të Korfuzit. Kjo u bë shkak për atë që historiografia komuniste e quajti incidenti i Kanalit të Korfuzit dhe që në fakt ishte një atentat terrorist shtetëror i Shqipërisë komuniste ndaj Britanisë së Madhe. Rrjedhimisht Shqipëria u dënua nga Gjykata Ndërkombëtare.

A i bashkoi Lufta Nacional-çlirimtare shqiptarët pa dallim feje, krahine, ideje?

Jo. Kjo luftë vetëm sa solli një përçarje të re në shoqërinë shqiptare, atë klasore, ideologjike. Në Shqipëri luftrat fetare qenë shuar që në vitin 1914, kur qe bërë përpjekja e fundit nga Haxhi Qamili. Në Shqipëri nuk ka patur kurrë luftra midis krahinave, por përdorim të dasive gjeokulturore për qëllime politike, çka nuk është e njëjta gjë. Lufta Nacional-çlirimtate nuk i bashkoi shqiptarët pa dallim ideje, se PKSH staliniste, e cila kontrollonte Frontin Nacional-çlirimtar dhe Ushtrinë Nacional-çlirimtare, shpalli armiq të Frontit të gjithë komunistët antistalinistë së pari, dhe i përdori njësitë e Ushtrisë Nacional-çlirimtare për t? i ndjekur dhe vrarë ata, siç ndodhi me Anastas Lulon, Zai Fundon, Neki Ymerin (komandanti i së parës çetë partizane të Vlorës) etj.

A kishte Ushtria Nacional-çlirimtare e Shqipërisë 70 mijë partizanë në përfundim të luftës?

Jo! Kjo shifër është shumë e ekzagjeruar. Së pari dilte problemi se kush do t? i mbante me ushqime këta njerëz? Një vend si Shqipëria, me një milion banorë, nuk mund të mbante një ushtri të tillë me ushqime, aq më tepër kur vendi mbante edhe forcat antikomuniste, që ishin forcat shtetërore, të quajtura nga komunistët si kuislinge dhe që ishin Ushtria Kombëtare e Xhandarmëria, Policia, si dhe forcat e armatosura të Ballit Kombëtar, Legalitetit, Kapidanit të Mirditës, Muharrem Bajraktarit etj. Një vend i varfëruar nga lufta e zgjatur botërore, nuk mund të ushqente mbi 100 mijë njerëz të armatosur! Shqipëria nuk arriti që ta bënte këtë gjë as kur ishte tre milionë banorë në kohën e regjimit komunist. Në letrën që Hoxha i çon Titos në dhjetor 1946, i ankohet se Shqipëria nuk është më në gjendje që të përballojë shpenzimet për mbajtjen e ushtrisë në përmasa të tilla: ?Një problem tjetër i një rëndësie të dorës së parë na shtrohet para nesh, kurdoherë në lidhje me Ushtrinë tonë Kombëtare: dhe ky është mbajtja e Ushtrisë sonë Kombëtare me një efektiv prej 42,000 vetash. Sikundër e dini edhe ju, një ushtri të tillë prej 42,000 vetash shteti ynë nuk është në gjendje ta mbajë ekonomikisht.? «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 87)

A pati Shqipëria 28 mijë dëshmorë në Luftën Nacional-çlirimtare?

Jo. Kjo shifër është thënë vetëm në fjalime, si dhe në librat shkollore të fëmijëve por jo në historiografinë zyrtare të regjimit komunist. Unë sfidoj cilindo që ta gjejë këtë shifër në historiografinë zyrtare të kohës. Së bashku me 28 mijë dëshmorët do të dilte se rreth 100 mijë partizanë kishin luftuar kundër pushtuesve, çka është absurde. Se historiografia e kohës komuniste thotë se në nëntor 1944 Ushtria Nacional-çlirimtare kishte 70 mijë partizanë, pra dëshmorët nuk llogariten në këtë shifër. Ata supozohet të jenë vrarë më parë. Dhe shumica e dëshmorëve qenë partizanë. Kështu dilte se një në dhjetë shqiptarë kishte qenë partizan. Një të tillë mobilizim të popullsisë në luftë nuk e arriti as Bashkimi Sovjetik. Pikërisht shifrat tej mase të fryra e bëjnë Luftën Nacional-çlirimtare një komedi krejt të pabesueshme.
Çdo histori e Luftës Nacional-çlirimtare, e cila nuk konsideron faktet e mësipërme, është e pasaktë, joserioze, dhe nuk përmbush kushtin e metodologjisë shkencore historiografike, pavarësisht se ata që e shkruajnë mund të kenë grada dhe tituj shkencorë si historianë.
Cili ishte rezultati i luftës? Këtë më së miri e thotë ky paragraf i raportit të Enver Hoxhës në mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik, në tetor 1946:
?Një grua plakë kurveleshase, me tumane e me shami të zezë, që sigurisht një ose dy djemtë e saj kishin rënë në fushën e nderit për çlirimin e atdheut, gërmonte me kazëm hendekun e rrugës publike dhe e dëgjoja që këndonte: ?Ndërtoj Shqipërinë e re, ndërtoj Shqipërinë time.? Ja forca që e shtyn popullin tonë përpara.?( Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese ?Naim Frashëri?, Tiranë 1969, f. 475)
Këto fjalë të Enver Hoxhës ngjajnë veçanërisht cinike nën dritën e premtimit për lugën e florinjtë, që komunistët ua bënë shqiptarëve. A thua se dy djemtë dëshmorë u vranë që nëna e tyre të punonte me kazmë në kanal?! Enver Hoxha i detyroi edhe nënat e dëshmorëve të bënin punë të detyruar të ashtuquajtur vullnetare, duke gërmuar me kazmë kanalet, madje edhe duke kënduar! Enver Hoxha me këtë fabul iu thoshte shqiptarëve se kur nënat kurveleshase të dëshmorëve (Kurveleshi ishte krahina që kishte nxjerrë më së shumti partizanë e dëshmorë në raport me popullsinë) punonin me kazmë në kanal, ju të tjerët duhet ta kuptoni mirë se ky regjim nuk bën shaka prandaj ulni kokën dhe bëni punë të detyruar si skllevër.





23:00 Opinione

Mukje, nëntor 2014

Nga Pëllumb Kulla Ja këtu, pas shtatëdhjetë vjetësh!Unë nuk ...

23:00 Opinione

Motive banale

Edison YPIE sheh atë zeshkanen, atë me Sy të Zinj, atë që rr...

23:00 Opinione

Në krah të Luizës

Nga Astrit PatoziLuiza Xhuvani është një njeri në hall të ma...

Lajmet e fundit nga