LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Lulzim Basha, limoni i shtrydhur i amerikanëve në Tiranë

15 Shkurt 2024, 20:10, Politikë CNA
Lulzim Basha, limoni i shtrydhur i amerikanëve në Tiranë
Fotomontazh - Antoni Blinken dhe Lulzim Basha

Kur Lulzim Basha po afrohej në oborrin e parlamentit këtë të enjte, gazetarët nxituan t’i zënë pritë. Në këtë ditë të shënuar nga vizita e sekretarit të shtetit, Antoni Blinken kishte një interes të pazakontë, gati cinik, se përse Lulzim Basha nuk ishte askund në axhendën e takimeve.

“Ju vjen keq që sot asnjë përfaqësues i opozitës nuk do të takohet me Entoni Blinken për 8 orë që do të qëndrojë në Shqipëri?”, ishte pyetja që iu bë sapo Basha e ndali hapin.

I ndërgjegjshëm se retorika që e mban gjallë ekzistencën e tij në politikë nuk i përgjigjej fakteve, Basha bëri një përpjekje për t’i relativizuar faktet. Në fillim shpjegoi domethënien e konceptit “marrëdhënie strategjike” në raport me SHBA. Pastaj gjeti shpëtim tek një shprehje të parapërgatitur sipas së cilës këto marrëdhënie “nuk mund të futen në çorapet e pista të Tiranës”.

Por loja e fjalëve nuk mjaftoi për t’i ikur kontradiktës. “Mirë që nuk njeh “non gratat”, por me sa duket nuk ju njeh as ju”, ishte kunja që u hodh nga grupi i reporterëve, si për t’ia zgjatur sikletin. Teksa ngjiste shkallët e kuvendit, me buqetën e mikrofonave nga pas, Basha këputi edhe një frazë ashtu kot, “Takimet me kolegët e Amerikës nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë”, tha ai.

Përtej nënqeshjeve të gazetarëve dhe ngacmimeve rutinë në oborrin e kuvendit, kjo vizitë e sekretarit të shtetit, Antoni Blinken merr rëndësi edhe për një aspekt tjetër dytësor, atë të luftës për identitet brenda opozitës.

Ndërsa njëra anë e opozitës e udhëhequr nga Sali Berisha gjen kuptim tek disa qindra mijëra vota gjithsesi të pamjaftueshme për fitoren në zgjedhje, thelbi i ekzistencës politike të Lulzim Bashës ka qenë një lloj simpatie, me të cilën e përkëdhelte dikur Juri Kim, ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ishte ky trajtim konfidencial, vizitat e shpeshta në selinë e PD-së, referimi i tij si “Luli” nga diplomatët amerikanë që i dhanë mundësinë të qarkullonte nëpër Tiranë me një aureolë, si të ishte “njeriu i amerikanëve” brenda opozitës.

Sigurisht që për ta përforcuar këtë identitet të ri, pas humbjes së 25 Prillit të vitit 2021, shërbeu edhe akti që Basha mori me kërkesë të ambasadës amerikane duke goditur Sali Berishën në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dhe për hir të “marrëdhënieve strategjike me aleatin e madh përtej Atlantikut”, ai i vuri flakën partisë më të madhe të opozitës, përjashtoi mbi 50 mijë anëtarë të saj, madje kur kishte nevojë i ktheu sytë nga Edi Rama për bashkëpunim.

Për çdo hap që hedh në politikë, në çdo fjalim që mban me mbështetësit e tij, në çdo vendim që merr, Lulzim Basha thotë se bën në konsultim me aleatët tanë strategjikë përtej atlantikut.

Madje një muaj më parë, ambasada amerikane u detyrua ta përgënjeshtrojë publikisht, kur ai e përdori për të disatën herë “sekretin e tij” me aleatët strategjikë, për marrëveshjen që kishte ujdisur në prapaskenë me Edi Ramën për komisionin e reformës zgjedhore.

Për të kuptuar se mungesa e sotme në axhendën e Blinken nuk është rastësi, duhet përmendur se në 1 Nëntor të vitit 2012, kur Hillari Klinton erdhi në Tiranë administrata e asaj kohe rezervoi një takim me kreun e Partisë Socialiste, Edi Ramën. Detaji e bën akoma më të rëndë vizën që i kanë hequr amerikanët një pseudo-opozitari të dalë boje, që nuk i ka mbetur më asgjë, as “amerikanizmi” për të kapur ndonjë kockë nga pushteti i Ramës./ Lapsi.al

Lajmet e fundit nga