LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si tallet Rama me ne dhe gërrc-mërcet me Lali Erin

4 Tetor 2022, 15:29, Opinione Endri Xhafo
Si tallet Rama me ne dhe gërrc-mërcet me Lali Erin
Endri Xhafo

Të mërkurën e javës së kaluar, Ilir Bejtja, zv/ministri i energjitikës, ishte i ftuar në një program televiziv për të folur për faturimin e energjisë mbi 800kWh. Të nesërmen, nga Ministria e Energjitikës e drejtuar nga Belinda Balluku, na erdhi mesazhi se asnjë zyrtar i ministrisë nuk mund të dilte më në TV, sepse diçka do të ndodhte. I them një kolegu: “Mos anulojnë vendimin”? Ma kthen: “E pamundur, e ka vendosur ERE”.

Në mbrëmje, në TV-të e tjera u morën sërish me energjinë, duke përllogaritur me tabela sa do t’u kushtonte konsumatorëve çmimi i ri. Të premten në mëngjes, KM na nxori të gjithëve blof: fasha 800kWh anulohej. Pra as 48 orë më herët, zyrtarët e ministrisë jo vetëm nuk dinin gjë, por me argumente dhe kundërargumente harxhonin frymën nëpër studio televizive për të mbrojtur vendimin e miratuar jo vetëm nga qeveria, por edhe nga Enti Rregullator i Energjisë.

Të martën më 13 shtator, Taulant Balla, kryetari i grupit parlamentar të PS, doli tërë pompozitet nga selia e Kuvendit dhe njoftoi vendimin e grupit: Harta territoriale nuk ndryshonte! Dy ditë më vonë, në LOG., Anila Denaj, bashkëkryetare socialiste e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën territoriale, ish-ministre e ekonomisë dhe financave, mbrojti me pasion për më shumë se një orë vendimin politik të grupit pse nuk duhej ndryshuar harta, shpjegoi me detaje çfarë thonë raportet e ekspertëve, sa mirë kanë performuar bashkitë, si i kanë menaxhuar paratë, si e kanë reduktuar borxhin, se si më shumë bashki nuk janë garanci që qytetarët do të marrin shërbime më cilësore, etj.etj. Vetëm një javë pas kësaj, KM i tha Ballës të shkonte në Parlament e të merrej vesh me demokratët e Enkelejd Alibeajt për një hartë të re!

Kjo në fakt nuk ishte hera e parë që ai e nxirrte blof kryetarin e vet të grupit; rasti më flagrant është ai i dosjeve të ish-Sigurimit.

Që prej fillimit të sesionit të ri parlamentar, Taulant Balla, përmes postimeve në faqen e tij në FB dhe rrjedhjeve “ekskluzive” të projektligjeve te ndonjë koleg i ndonjë kanali kombëtar, e kishte mbushur opinionin publik me idenë se socialistët do të synonin të largonin nga politika jo vetëm ish-bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit, por edhe funksionarët e ish-Partisë së Punës, nënkupto Berishën. E vërteta është se i vetmi ligj “lustracioni” që u depozitua në Parlament është ai i demokratëve të Berishës. Demokratët e Alibeajt kërkojnë vetëm deklasifikimin e dosjeve, kurse socialistët mjaftohen me mbështetjen zyrtare për Autoritetin e Dosjeve, që kërkon mundësinë për të hetuar, – kur ka indicie, – të atyre zyrtarëve që kanë marrë më herët çertifikata “pastërtie”, si rasti i shtetasit I.M.

E fundit: Në 14 tetor të vitit të kaluar, kur KM njoftoi në mes të Parlamentit se “vitin e ardhshëm”, pra këtë vit, Shqipëria do të dërgonte dy satelitë në orbitë, “Albania 1” dhe “Albania 2”, ministri i mbrojtjes Niko Peleshi shqeu sytë. Se nuk dinte gjë. Edi Rama dhe Niko Peleshi kishin folur më herët në parim për nevojën e pajisjes me satelitë, por ministri i mbrojtjes as ia kishte idenë se KM do ta njoftonte pikërisht atë ditë, në atë moment, në mes të Parlamentit, sepse pikërisht në atë moment, në mes të Parlamentit, s’kishte asgjë konkrete.

Më flagrant, rasti me Lali Erin. Të premten e 23 shtatorit Erion Veliaj ishte në LOG. Dhe pavarësisht këmbënguljes sonë për të përmendur emrin e kompanisë që sipas kryeministrit kishte ndërtuar kate pa leje te një nga kullat e sheshit “Skënderbej”, ai refuzoi. Veliaj u justifikua me argumentin se kompania është një sh.p.k (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), pra një shoqëri me aksionerë, të cilët mund të dëmtoheshin pa të drejtë nëse bëhej publik emri i kompanisë për shkak të gabimit të administratorit të saj. Nuk e mendoi kështu Edi Rama, i cili një javë më vonë, të premten 30 shtator, publikoi jo vetëm emrin e kompanisë, IDEAL CONSTRUCTION sh.p.k., me administrator shtetasin Ferzilet Hajdëri, por edhe faktin se më 1 korrik 2022 kompania ishte paditur nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit i Ministrisë së Brendshme për ndërtim pa leje te kulla “Eye of Tirana” dhe gjobitur qysh në qershor me mbi 1.3 milionë euro gjobë. Sipas ekstraktit të kompanisë në QKB ajo zotërohet 100% nga kompania ARMAAR Group, që zotëron 100% të aksioneve të kompanisë ARLIS Ndërtim dhe po sipas QKB-së zotëron aksione në dhjetë kompani në total, përfshirë një bankë të rëndësishme të nivelit të dytë, ku është aksionere me 15.1% të aksioneve. ARMAAR Group, për rrjedhojë IDEAL Construction sh.p.k, ka një aksioner të vetëm, që është shtetasi Armand Lilo.

I ftuar në LOG., sekretari i përgjithshëm i PD-së Flamur Noka, solli në vëmendje një denoncim të publikuar qysh në 2019 në portalin Exit.al dhe gazetën “RD”, sipas të cilit shtetasi Armand Lilo është kushëriri i bashkëshortes së deputetit dhe ish-ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj, aleat i kryebashkiakut Veliaj, që në zgjedhjet e kaluara parlamentare angazhoi gjithë bashkinë që Fatmir Xhafaj të thyente herësin dhe të zgjidhej deputet, edhe pse Edi Rama e kishte lënë jashtë “zonës së sigurt” në listë. Publikimi i emrit të kompanisë nga kryeministri, atë të cilën kishte refuzuar ta bënte një javë më herët kryebashkiaku Veliaj, tregon qartë gërrc-mërcet mes tyre.

Këtë e përforcon fakti tjetër, që kate pa leje ka edhe kulla “DOWNTOWN ONE” e KASTRATI Group, por që janë “legalizuar” me procedurë nga vetë Kryeministri. Ka një dëshmi të plotë në Parlament nga deputeti tjetër demokrat Gazment Bardhi, se si është vepruar me këtë rast.

Kurse IDEAL CONTRUCTION jo vetëm u godit financiarisht përmes një gjobe për katet pa leje që, nëse do të kalonin me procedurë legalizimi, do t’i kishin kursyer kompanisë miliona euro krahasuar me parashikimin e kateve në projekt dhe në lejen fillestare të ndërtimit, – megjithëse duhet përmendur se lejen e kullës “Eye of Tirana” e ka nxjerrë kompania Edil-AL, që më pas ia ka shitur kompanisë IDEAL CONTRUCTION sh.p.k., dhe është kjo e fundit që ka ndërtuar pa leje, – por për ta çuar ndëshkimin deri në fund, gjobës, që për momentin gjykata e ka pezulluar, qeveria i shtoi edhe konfiskimin e ndërtimit pa leje (gjithashtu një precedurë e atakueshme ligjërisht në gjykatë).

E gjithë kjo nuk e dobëson politikisht Erion Veliajn. Jo vetëm pse ndërtuesi kushëri i gruas së aleatit në parti nuk është lidhje direkte, por sidomos sepse vetë Edi Rama e ka konfirmuar tashmë Veliajn për një mandat të tretë. Vetëm nëse ndodh e pamendueshmja dhe gjatë konsultimit formal të emrave në parti Edi Rama bën një “coup de théâtre” me të cilin të tejkalonte vetveten, satelitët, energjinë, ligjin e dosjeve, hartën territoriale dhe të gjitha talljet ndër vite të marra sëbashku.

Ka pasur më herët një tentativë për ta futur Veliaj në kurth, kurth në të cilin ai shkoi i vendosur për ta sfiduar. Nuk është më sekret sot për shumëkënd që Erion Veliaj u nxit nga Rama për t’iu futur betejës për kontrollin e FSHF-së. Vetë Rama mendonte se marrja e Federatës ishte një mision i pamundur. Mirëpo Veliaj përmes ekipit të tij ligjor gjeti hapësira për ta gozhduar Armand Dukën në atë pikë sa zgjedhjet u shtynë.

Aq delikate dhe me tension ka qenë kjo çështje, ku u mpleksën edhe avokatët e presidentit të UEFA-s Ceferin, sa asnjë prej gjykatësve që u binin në dorë paditë e shumta që depozitoheshin në Gjykatë nuk pati guxim të marrë para. Erion Veliaj u tërhoq vetëm kur i tha Rama “tërhiqu”. Ai u tregua politikisht i disiplinuar, ndonëse njerëzve të vet u tha: “Unë e kisha atë (Dukën) në kryq, por e liruam si Barabain”. Veliajt i mbeti turpi publik i tërheqjes nga ajo që ai e quajti “beteja e jetës sime”. Thënë kjo, FSHF vazhdon të mbetet një rezervuar i paçmueshëm elektoral votash për këdo që e kontrollon, përveç Armand Dukës, që, ose s’ka dashur, ose s’ka ditur ta shfrytëzojë.

Njerëzit pranë Veliajt thonë se, nëse Veliaj, një vit para zgjedhjeve lokale, do ta kishte humbur këtë betejë, Rama do t’i thoshte: “Kur s’more Federatën, si pretendon të marrësh Tiranën”?

Vetëm pak kohë pasi çështja e Federatës u mbyll, si për të mbyllur edhe zërat për një rivalitet mes tij dhe Belinda Ballukut për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj publikoi një foto të shkrepur gjatë Asamblesë së PS, ku ai dhe Belinda Balluku shfaqen buzagaz përqafuar me njëri-tjetrin, me diçiturën: “Me motrën e lalit t’vet dhe si thonë tironcit “kush na ka inot, kshu na paftë përnot”. Në fakt edhe kryeredaktori i ka marrëdhëniet shumë të mira me drejtorin e informacionit, por nëse pronari i thotë kryeredaktorit “kam vendosur të të bëj ty drejtor informacioni”, ç’do të bëjë ai, do të refuzojë? Kështu edhe marrëdhënia e Lalit me Belën.

Emri i ministres Balluku, por edhe i Ogerta Manastirliut, si kandidate të mundshme për bashkinë e Tiranës, u përmendën publikisht të paktën që në 2018, në perspektivën e zgjedhjeve 2019. Më herët akoma, për zgjedhjet në 2015, veç emrit të Erion Veliajt dhe ndonjë tjetri, PS, në sondazhet e brendshme, futi një herë të vetme edhe rivalin e tij më të madh në atë kohë, Saimir Tahirin. Zgjedhjet e 2015-ës janë histori, për shkrimin e së cilës ndihmoi edhe LSI, por rikandidimi në 2019 nuk ishte kaq evident.

Burime pranë kryebashkiakut Veliaj kanë konfirmuar se nëse Rama nuk do ta kandidonte në 2019, Veliaj do të pranonnte i heshtur vendimin, nuk do të kandidonte më vete dhe do të militonte në PS në pritje të një momenti më të mirë. Mirapo Veliaj i bëri presion Ramës përmes protestës së studentëve në dhjetor 2018. Asokohe shumëkush mendoi se ai po tentonte ta sabotonte protestën, përmes elementëve të tij të infiltruar, por e vërteta është se njësoj si me protestën e armëve kimike, një pjesë e mirë e elementëve aktivë të protestës kishin lidhje direkte me Veliajn. Rama i ktheu reston me Federatën. Dhe njerëzit rrijnë e shpresojnë se mes tyre më në fund do të plasë publikisht. Por njerëzit harrojnë se gjërat që lidhin Veliajn me Ramën janë më shumë se gjërat që i ndajnë.

Të dy sorosianë krenarë, nuk mund të mos vësh re se kur Rama shkon në Nju Jork, takon Xhorxhin dhe kur Veliaj shkon në Nju Jork, takon Aleksin. Aq sa natyrshëm lind pyetja: Veliaj do ta marrë kontrollin e PS kur Aleksi të marrë kontrollin e fondacionit?

Erion Veliaj bëri një vizitë për t’u pasur zili muajin e fundit në Uashington. Takoi Nensi Pelosin, Çak Shumerin, Mit Romnein, e plot e plot të tjerë nga ata që vlejnë e u ecën fjala në D.C., e madje njerëzit pranë tij thonë se do të takonte edhe Bajdenin, nëse Presidenti nuk do të kishte udhëtuar drejt Londrës për funeralin e mbretëreshës. Ndërkohë që ndonjë takim zgjodhi me vetëdije të mos e bënte publik. Sigurisht, Nensi Pelosi, që ka aftësinë që me veprimet e saj të acarojë marrëdhëniet diplomatike mes SHBA dhe Kinës në nivele të rrezikshme, mbase nuk ka aftësinë të të bëjë kryeministër të Shqipërisë. Aq më pak e ka këtë aftësi Mit Romnei, që nuk arriti dot të bëhej për veten tij President.

Mirëpo investimi amerikan te Veliaj acaron opozitën, e cila, jo pa të drejtë, si kushdo tjetër që beson te demokracia, mendon se udhëheqësit nuk mund të dizenjohen nga jashtë, as për mirë as për keq. Nëse i heq popullit iluzionin e “zgjedhjeve” dhe “vullnetit të lirë”, e ke kthyer atë në një personazh të Matrix, ku ekuacionet ndërtohen dhe zgjidhen nga Arkitekti. Opozita shpreson shumë ta thyejë këtë fat të parathënë dhe për këtë ka thirrur në ndihmë edhe SPAK-un. Nëse SPAK-u nuk vepron si magjistratët italianë të viteve ’90, që operacionin “Mani Pulite” e kthyen në një armë të betejës politike, askush nuk do t’ia presë në mes karrierën politike Veliajt, veç Veliajt. Dhe fatkeqësi nuk është nëse Veliaj bëhet një ditë kryeministër, fatkeqësi është nëse nga Rama kalojmë direkt te Veliaj, pa rotacion në mes!

Ndërkohë gërrc-mërcet Rama-Veliaj janë dhe do të jenë aty, si diçka irrilevante për “big picture”, që ngjallin vetëm një kurizitet të vockël për gossip: Po Fuga me kë është?/ CNA.al

Lajmet e fundit nga