LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Me 5 kryepolicë në një foto/ Si i njoh unë?

4 Tetor 2022, 12:55, Opinione Roland Qafoku


Me 5 kryepolicë në një foto/ Si i njoh unë?
Rastësisht, në pritjen e organizuar mbrëmë nga ambasadori Peter Zingraf në ambasadën gjermane në Tiranë, ishte kënaqësi që takova disa nga drejtuesit më të lartë të policisë së shtetit: Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, Drejtori i Sigurisë Publike, Rebani Jaupi, drejtori i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, drejtori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Pëllumb Seferi dhe Vullnet Topalli me një sërë detyrash në hierarikë e policisë së shtetit dhe atë bashkiake në Tiranë.

Aktualisht, policia shqiptare ka jo pak probleme dhe me të drejtë, jo vetëm media, por edhe qytetarët presin shumë. Janë disa ngjarje të rënda që e kanë tronditur thellë sigurinë në vend, por edhe më shumë se kaq besimin te policia.

Çdokush mund të bëjë një listë me emra përgjegjësish në polici për këtë situatë. Por, pavarësisht kësaj, ajo që dua të ndaj me publikun është se, rastësi apo jo, këta drejtues që takova mbrëmë kanë një emërues të përbashkët që unë si gazetar ua kam dalluar ndër vite dhe që është ndershmëria dhe profesionalizmi.

Ata që më njohin mua nga afër dhe në punë e dinë shumë mirë që këto fjalë që i shkruaj nuk kanë asnjë interes politik dhe personal, por është konkluzion i nxjerrë nga eksperienca në punë si gazetar. Në afër 25-30 vjet karrierë që ata militojnë në polici, pushtetet janë ndërruar disa herë, por ata falë këtyre dy cilësive, ata kanë qenë përherë pjesë e strukturave të policisë.

E them me bindje, sikur policia shqiptare të ketë ndershmërinë dhe përkushtimin e drejtuesit të saj Muhamet Rrumbullaku, sigurisht që ajo do ishte shumë më e mirë. E kam ndjekur si gazetar i kronikës së zezë këtë oficer që kur në vitin 1997 ishte komandant i policisë në Kombinat dhe që në atë mishmash që ishte vendi ai arrinte të vendoste rend dhe qetësi në atë zonë periferike të Tiranës.

Neritan Nallbatin nuk do ta harroj kurrë atë 14 shtator 1998 kur u bë ia pari polic që hapi portën e komisariatit 3 dhe po i pari doli në rrugë për të vendosur rendin e përmbysur nga ata që e kthyen Tiranën në tym dhe flakë.

Pavarësisht se mund të vritej, ai u shoqërua nga e gjithë trupa policore pa u dhënë urdhër, por duke u thënë ky është momenti që duhet ta tregonin për hir të asaj që përfaqësonin. E kam ndjekur Rebani Jaupin në vitet 1998-1999 si një oficer i ri në atë kohë që arrinte të zbulonte dhe zbardhte ngjarjet dhe ne gazetarët e rinj pak a shumë me moshën e tij habiteshim se si e arrinte këtë në kohë rekord.

Nuk e harroj Pëllumb Seferin që me gjuhët e huaja që fliste, jo vetëm vendosi kontakte që kurrë policia jonë nuk i kishte pasur në histori, por kurrë nuk u bë palë me të kërkuarit që i kërkonte interpoli. Dhe në fund, jo për nga rëndësia, Vullnet Topalli, i cili kurrë nuk fali asnjë vartës dhe mik për hir të ndershmërisë në çdo detyrë që ka qenë. Ishte vërtetë kënaqësi që të takoja pesë policë nga më të ndershmit në polici.

Tani kanë mbi supe një detyrë edhe më të vështirë se ato që kanë mbajtur më parë. Por unë besoj te ndërshmëria dhe përkushtimi i tyre. Sikur të gjithë policët të ishin si këta, policia shqiptare do të ishte më e mirë.

Lajmet e fundit nga