LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shqipëria dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik

20 Prill 2024, 22:46, Opinione Dr.Arben Ramkaj
Shqipëria dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik
Dr.Arben Ramkaj

Kriza dhe sfidat e mëdha të kohës që po jetojmë, në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur dhe të ndërvarur, vetëm sa e kanë theksuar rëndësinë jetike që kanë aleancat për një shtet, kudo që ai ndodhet.

Historia relativisht e shkurtër shtet-formuese e vendit tonë, ka qenë për fat të keq e dominuar në një pjesë të mirë nga izolimi diplomatik, që i është bashkëngjitur atij ekonomiko-social.

Gjysmë shekulli komunizëm ekstrem e shndërroi Shqipërinë në “Korenë e Veriut” të Evropës. Ndaj në gjenezë të pluralizmit politik në fillim të viteve 1990 ishte imperative çarja e asaj bllokade të vetë-imponuar dhe zgjerimi në maksimum i marrëdhënieve kulturore, politike dhe ekonomike, për të rifituar kohën e humbur.

Njëkohësisht restaurimi i demokracisë riktheu edhe njohjen dhe respektimin e të drejtave elementare të njeriut, ku përfshihet edhe ajo e lirisë së besimit fetar, e ndalur dhunshëm me dekretin famëkeq të vitit 1967.

Në këtë kuadër, krahas rihapjes me vendet e Perëndimit, Shqipëria kërkoi dhe mori në vitin 1991 statusin e vëzhguesit në Konferencën Islamike, që sot quhet Organizata e Bashkëpunimit Islamik.

Anëtarësimi me të drejta të plota ndodhi një vit më vonë gjatë qeverisjes së parë të Partisë Demokratike. Pavarësisht kundërshtimeve dhe akuzave nga një pjesë e politikës dhe segmenteve të caktuara, përfitimet nga ky anëtarësim ishin dhe mbeten shumë të mëdha.

Së pari në aspektin shpirtëror. Dhjetëra qeveri të vendeve të kësaj organizate por edhe shumë fondacione të pavarura ndihmuan në promovimin kulturor fetar.

Së dyti, sa i përket aspektit ekonomik është e vështirë të bëhet një përllogaritje e saj. Por ndihma humanitare dhënë vendit tonë në tërësi, dhe në veçanti në disa zona që ishin në pragun e urisë në muajt e parë të pluralizmit ishte mjaft domethënëse. Gjithashtu nuk munguan as investimet në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturën rrugore, të cilat mund të kenë kapur shifrat e qindra miliona eurove.

Banka Islamike për Zhvillim, një nga organet më të rëndësishme të organizatës mblodhi 415 milionë euro ndihma për Shqipërinë në shkurt të vitit 2020 në kuadër të fushatës së madhe të rindërtimit të zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Por fondet e kësaj banke janë të dukshme edhe në një sërë projektesh të mëdha infrastrukturore si Rruga e Kombit, rruga Tiranë-Elbasan apo rruga e re Librazhd-Korçë.

Së treti në aspektin gjeopolitik. Duke qenë pjesë e një organizate me 57 anëtarë, me 1.8 miliardë banorë në total, dhe e dyta më e madhe në botë pas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ka pasur mundësinë të forcojë së pari sigurinë dhe pozitën e saj në rajon.

Le të mos harrojmë se në vitet 1990 tejet të trazuara nga lufta në Bosnje, Kosovë me protagoniste një kundërshtare shekullore si Serbia, por edhe marrëdhëniet e tensionuara me fqinjin tonë jugor. Vendet e kësaj organizate me në krye Turqinë, kanë shfaqur gjithmonë një qëndrim dashamirës ndaj nesh.          

Por ne shqiptarët, ashtu si në tërësi njerëzit në Ballkan, harrojmë shpejt. Mjaftoi sulmi i tmerrshëm terrorist i disa njerëzve të radikalizuar, pjesë e një organizate po aq ekstremiste, më 11 shtator 2001 ndaj SHBA-së, që të rigjallëroheshin, këtë herë më me forcë sulmet kundër anëtarësisë së vendit tonë në këtë organizatë.

Kritikat e ashpra me karakter islamofobik nuk u kufizuan vetëm tek grupime apo qytetarë të caktuar në rrjetet apo forumet e ndryshme në internet, por edhe tek disa forca politike. Midis tyre ka spikatur Partia Demokristiane e Shqipërisë, që i ka kërkuar disa herë Partisë Demokratike, në një koalicion të përbashkët në krye të qeverisë, të nxirrte zyrtarisht vendin nga kjo organizatë.

E them zyrtarisht sepse për fat të keq, qeveritë shqiptare, klasa politike në tërësi është treguar e kompleksuar në raport me këtë çështje, kur në fakt janë të shumta arsyet për të qenë krenarë. Në këto kushte, përfaqësimi në samitet e kësaj organizate (si rregull njëherë në vit, por edhe më shpesh nëse ka zhvillime të rëndësishme), ka qenë shpeshherë i nivelit më të ulët të mundshëm.

Madje ka pasur raste, si ai i vitit 2014, kur Shqipëria nuk është përfaqësuar fare. Një akt ekstrem që zyrtarisht u shpjegua me mungesën e fondeve të mjaftueshme,dhe jo zyrtarisht u justifikua me islamofobinë e disa partive ekstremiste në BE, si ajo e të djathtës ekstreme në Holandë.

Kundërshtarët e pjesëmarrjes në këtë organizatë, abuzojnë në mënyrë flagrante me faktin se Shqipëria me kushtetutë është një vend laik, ku feja është e ndarë nga shteti.

Sepse asnjë pikë e statutit themeltar apo dokumenteve të miratuara që nga viti 1969 kur dhe u krijua Organizata e Bashkëpunimit Islamik, nuk imponon apo dikton që feja islame të ndërhyjë apo shndërrohet në një fe shtetërore.

Ndërsa ndodh që edhe në 57 shtetet anëtare të ketë jo pak raste të tilla, ka dhe shumë të tjera ku respektohet me rigorozitet laiciteti. Kjo në varësi të traditës shtet-formuese dhe kulturës politike të secilit prej vendeve.

Kur kjo çështje përzihet dinakërisht dhe abuzivisht me çështjet e terrorizimit dhe radikalizmit, që nuk kanë asnjë pikëprerje në parimet e shëndosha dhe të vërteta të fesë islame dhe besimtarëve të shumtë që i ndjekin vërtet ato, një pjesë e opinionit publik, përgjithësisht të pa interesuar apo të pa informuar si dihet mbi këtë çështje, preket herë pas here nga dallgët e islamofobisë që nxiten nga njerëz me axhenda të ngushta e të errëta.

Sepse e vërteta është e thjeshtë dhe e qartë si drita e diellit. Organizata e Bashkëpunimit Islamik është një organizatë ndërkombëtare, siç është ajo e Frankofonisë. Ne jemi prej më shumë se 2 dekadash pjesë e kësaj të fundit. Edhe pse një pakicë e vogël njerëzish e flet frëngjishten.

Frankofonia ka në bërthamë Francën dhe ish-kolonitë e saj. Megjithatë në të bëjnë pjesë edhe shumë vende të tjera, që ashtu si ne synojnë të forcojnë lidhjet kulturore, dhe bashkë më to, edhe ato politike dhe ekonomike. Ndërkaq në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, bëjnë pjesë vende që ndajnë veç të tjerash edhe vlerën e besimit islam, që është një pjesë faktike e kombit shqiptar.

Por ajo nuk është një organizatë fetare por politike dhe ndërlidh dhe ndërvepron në marrëdhëniet e shtetit shqiptar me shtetet e tjera që janë anëtare të kësaj organizate. Ndaj sulmet e herëpashershme nga politika apo disa ndikues në opinionin publik, burojnë nga një qasje dukshëm islamofobe por edhe paqartësia sa i përket metodologjisë së operimit të organizatave ndërkombëtare.

Vetë organizata e thekson në statutin e saj se ka si objektiv kryesor forcimin e solidaritetit islam të shteteve anëtare të kësaj organizate, duke mbështetur dhe duke bashkëpunuar mes tyre në fusha të ndryshme si, ekonomike, kulturore, shkencore, sociale etj.

Madje në vitin 2008, ajo rishikoi disa pika, duke e vënë theksin tek promovimi i të drejtave të njeriut, lirive themelore dhe qeverisjes së mirë në të gjitha shtetet anëtare. Po ashtu, organizata mbështet plotësisht Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe të drejtën ndërkombëtare.

Ndaj, Shqipëria nuk duhet të sillet me ndrojtje përkundrejt kësaj organizate. Sepse ajo gëzon aktualisht një pozicion shumë të rëndësishëm në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik. Së pari, Shqipëria dhe Turqia janë vende anëtare të NATO-s, dhe është një zë ndryshe brenda organizatës në lidhje me qasjet dhe konfliktet në Lindjen e Mesme. Së dyti duke qenë pjesë e kësaj organizate edhe shtete shumë të fuqishme, Shqipëria përveçse ka përfitime ekonomike, ka edhe avantazhe të llojeve të tjera, të cilat kanë të bëjnë me zgjidhjen e krizave ndërkombëtare, ku vendi ynë mund të luajë një rol të rëndësishëm.

Lufta e Gazës, përplasjet më të fundit midis Izraelit dhe Iranit, me potencialin e rrezikshëm për t’u përhapur në mbarë rajonin, kërkojnë kontributin e aktorëve më të distancuar nga pikëpamja gjeografike për të ulur tensionet dhe ndërmjetësuar gjetjen e një kompromisi.

Turqia përfaqëson një shembull të shkëlqyer në këtë aspekt, duke qenë shumë aktive në dhënien fund të konfliktit në Gaza dhe Ukrainë. Shtetet që janë në konflikt me vendet e kësaj organizate, sikurse është Izraeli, e kanë shumë të rëndësishëm edhe kontributin e Shqipërisë, sepse ajo është i vetmi vend, bashkë me Azerbajxhanin që ka një marrëdhënie normale me Izraelin.

Kjo është shumë e rëndësishme në kuadrin e konflikteve në Lindjen e Mesme.

Fakti që Shqipëria përfaqësohet në një nivel shumë të ulët në samitet e saj, është një qasje që tashmë Ministria jonë e Jashtme duhet ta ndryshojë. Pasi shumë shtete të fuqishme të botës si Rusia, SHBA-ja, apo edhe shtete të tjera perëndimore i ndjekin me vëmendje punimet e saj dhe kanë fituar statusin e vëzhguesit të përhershëm, duke dërguar ambasadorët e tyre përkatës.

Përveç Bankës Islamike për Zhvillim (IDB), organizata ka edhe disa organe të tjera që synojnë të adresojnë sfidat kryesore të kohës, si Organizata Islame e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (ISESCO),Unioni i Transmetimeve Islame (IBU), Unioni i Agjencive të Lajmeve të Shteteve Anëtare (UNA), Organizata e Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (STIO), Organizata Islamike për Sigurinë Ushqimore (IOFS) dhe Organizata për Zhvillimin e Grave në Shtetet Anëtare (WDO).

Pra siç mund të shihet, fushëveprimi i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik është shumë i gjerë, dhe mundësitë dhe përfitimet që mund të nxirren prej saj janë shumë të mëdha. Do të ishte e pakuptueshme nëse Shqipëria i shpërdoron me vetëdije ato./ CNA

11:04 Opinione Grigels Muçollari

Gojëkyçurit

Aferat korruptive në qeveri dhe në Bashkinë e Tiranës kanë...

Lajmet e fundit nga