web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Iris Beqiri/ Një reflektim paszgjedhor na duhet të gjithëve!

16 Maj 2025, 20:47, Opinione Iris Beqiri

Nga Iris Beqiri/ Një reflektim paszgjedhor na duhet të gjithëve!

Sfida më e rëndësishme e këtij viti në politikën e vendit ishte padyshim mbajtja e zgjedhjeve parlamentare. Tanimë që ky proces është pothuajse i përfunduar, vjen momenti për një reflektim të gjerë. E meqë entuziazmi i votimit dhe shpalljes së rezultateve ka kaluar, kjo kohë që i përket periudhës paszgjedhore është më e përshtatshmja për të rimenduar dhe përftuar disa mësime prej këtij procesi në veçanti dhe të asaj që na vlen më shumë si shoqëri.

Një reflektim paszgjedhor na duhet të gjithëve, votues ose jovotues, të majtë ose të djathtë, e çdo individi tjetër pa asnjë dallim sepse zgjedhjet përcaktojnë fatin e një vendi. Tani, më shumë së asnjëherë, është koha që politika të përqendrohet në synimet që çojnë shoqërinë dhe vendin përpara. Ky reflektim ka kuptim për të parë gjendjen në një këndvështrim të përgjithshëm, pa u ndalur në emra, logo politike e figura konkrete sepse bilanci i vetëm me peshë pas zgjedhjeve është fitorja e popullit.

Së pari, nevojitet reflektim mbi rëndësinë e zgjedhjeve dhe votës. Një rezultat zgjedhor vjen gjithnjë si një pasqyrim i qasjes së qytetarëve ndaj një procesi të tillë, që në vetvete është baza e këtij sistemi qeverisës. Sigurisht që rëndësia e zgjedhjeve dhe votës ka vlerë të kuptohet përpara kësaj kohë, por në këtë rast, nëpërmjet saj mund të gjenden disa prej përgjigjeve nga veprimi apo mosveprimi qytetar.

Së dyti, duhen parë e vlerësuar perspektivat e ndryshme që ofron rezultati i zgjedhjeve. Duhet kuptuar se identiteti social e politik, mjedisi kulturor dhe përvojat jetësore kanë ndikim të madh në përcaktimin e drejtimit të votës. Për grupet e margjinalizuara mund të ketë ndryshime të papritura të përkohshme që duhet të vazhdojnë edhe më tej. Për abstenuesit mund të jetë ende dilema nëse sistemin e bëjnë njerëzit ose e anasjellta.

Ndërsa për votuesit që shprehin hapur preferencën e tyre ekziston një mendësi paragjykuese, që në shumë raste shkon deri në diskriminim. Në shoqërinë shqiptare nuk duhet të ketë vend për ndarje të tilla. Ndasia e vetme që duhet të krijojë politika duhet të jetë kur vihen në diskutim çështje të mëdha ekonomike, sociale e te tjera, prej të cilave varet e ardhmja e të gjithëve.

Dhe së treti, çfarë mund të pritet nga i ashtuquajturi efekt i ciklit paszgjedhor. Me përfundimin e procesit zgjedhor dhe nisjen e periudhës pas-zgjedhore, nis përgatitja për të vënë në zbatim idetë e reja politike, për të projektuar më në detaje ndryshime të caktuara në politikën e brendshme dhe për të propozuar nisma të reja ligjore. Për këtë arsye, janë të një rëndësie të madhe të gjitha hapat që ndërmerren në qeverisje. Kjo është edhe një periudhë trazirash e ndryshimesh për partitë politike, veçanërisht për ato që kanë siguruar vende në legjislaturë, pasi rezultati i zgjedhjeve shoqërohet me të papritura. Por përtej mënyrës sesi e përballojnë ndikimin e zgjedhjeve vetë partitë, për qytetarët duhet të ketë më shumë vlerë se çfarë ndodh realisht në 100 ditët e para dhe në vijim, duke shpresuar se nuk do të mungojë dialogu politik si pjesë thelbësore e një demokracie.

Na duhet një reflektim edhe më i thellë pas-zgjedhor sepse është e vetmja mënyrë për t'u përmirësuar si shoqëri.





16:54 Opinione Kastriot FRASHËRI

Top Lëpirja...

MASHTRIMI PUBLIK SI MJET ELEKTORAL NDAJ PADRONIT TË TYRE ...

Lajmet e fundit nga