web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Një letër dhimbjeje mikut tim, Avdyl Matoshi

7 Janar 2024, 08:45, Opinione Bislim Ahmetaj

Një letër dhimbjeje mikut tim, Avdyl Matoshi

Letër që e shkruaj çdo 6 janar këtu e 26 vite

I dashur Avdyl !

Ditët e para të Janarit janë ditët më të zbrazëta, më të boshta, më të kota të vitit për gjithë njerëzimin kudo në planet.

Bile edhe janari krejt është një muaj që s'lë shumë gjurmë në jetën e shumicës së njerëzve .

Ndërsa për mua, për të afërmit tu, nënën, vajzën, motrat vëllezërit, për shoqërinë tënde fillimi i muajit janar këtu e 26 vite është bosh, i zbrazët, i hidhur, i trishtuar, i mallkuar, i zi, sterr i zi .

Sepse ti mungon, ti s'je mes nesh, dhe jo se doje ti.

Ti e doje jetën më shumë se kushdo tjetër prej nesh, dhe dije ta doje jetën si askush tjetër ndër ne.

Ashtu ndershëm, me punë, me djersë, me përkushtim, me dashuri pa kufi për familjen, për miqtë, për gjithçka të mirë.

Por jetën tënde se deshën qindra plumba kallashnikovi, dhjetra granata e bomba.

Makina në të cilën ti mbete i vrarë ditën e 6 janarit 1998 bashkë më Gjin Kolbucajn dhe Naim Dizdarin i ngjante kullës së Adem Jasharit në Prekaz që u mitralua siç dinë vetëm barbarët .

Kjo është një arsye e mjaftueshme që fillimi i Janarit për mua këtu e 26 vite është një përjetim i tmerrshëm, një klithmë urrejtje për atë kohë sterrë të zezë, por edhe për ata njerëz që e prodhuan atë kohë, që nga vrasësit ordiner deri te urdhëruesit dhe inspiruesit e tyre politik.

Ata që morën jetën tënde fizike korba ishin dhe kërmë janë bërë shumica prej tyre, por krrokama e atyre që gjallojnë po na i shurdhon veshët.

Ata që e inspiruan dhe e duartrokitën vdekjen tënde janë shndërruar në korba që lehin si qen dhe i gjen kudo nëpër Atdheun tonë që po kalbet.

Atdheu është tkurrur prej njerëzve, çdo ditë ikin prej tij si prej natës së varrit.

Me këtë qasje pas disa përvjetorësh s'ka për ti mbetur kambë shqiptari këtij trolli përvec Trupit Diplomatik , disa organizatave jo(pro)qeveritare, shtetarëve hajna dhe lëpirësve të tyre.

Në përvjetorët e tjerë duke bashkëbiseduar me ty të kam treguar që asnjë gjygj nuk është bërë për të zbardhur rrethanat e vrasjes tënde, të Gjinit dhe Naimit , dhe për pasoj askush nuk është dënuar për masakrën që aso kohe u quajt masakra e Cernicës.

Tash as që e mendoj se do të ndodh ndonjëherë një gjë e tillë edhe pse të gjithë janë çue në këmbë për ta ba me çdo kusht dhe me çdo cmim një garë të quajtur reformë në drejtësi e cila ditën për diell po duket që s'është veçse një hakmarrje për drejtësi.

Kjo fushata për reformën në drejtësi mua po më sjellë ndermend fushatën e diktaturës për çrrënjosjen e Zotit dhe fesë nga mendja e shqiptarëve bash në vitin e largët kur kemi lind ne të ty.

Edhe pse ka kaluar më shumë se një gjysëm shekulli prej asaj kohe mentaliteti i drejtuesve të politikës shqiptare ka ec aq sa mund të ketë ecur breshka në udhetimin e saj rreth botës.

Kur të mbërrijë breshka në pikënisjen e parë kam shpresë se edhe ne do jemi kthye në rrugë të zotit dhe do ketë drejtësi jo vetëm për vrasjen tënde.

Por edhe kësaj ja kam frikën, druhem se këta korbat që lehin si qenë do i zënë pritë diku në ndonjë stepë a shkretëtirë breshkës në të cilën kemi varë shpresën dhe do ta vrasin, njëlloj siç të vranë ty, siç  dinë të vrasin vetëm barbarët.

Nejse t’i lëmë këto biseda të komplikuara , janë punë të mëdha, unë ti e disa shokë tanët patëm menduar se mund ti bëjmë këto punë të mëdha.

Por jo, herë pas here deshpërohem e them se na paska rrejt mendja edhe pse s'kemi reshtur se punuara ditë e natë që të mund të bajmë diçka më mirë seç është.

Dhe të jap fjalën e nderit se s'do të reshtim asnjë ditë së punuari e vepruari në këtë kahje pasi kështu me duket sikur bejmë dicka për ty, Azemin , Arbenin, Bujarin, Gjinin, Naimin e dhjetra të tjerë që s'janë më në këtë botë vetëm se deshën një Atdhe më të mirë, një Atdhe që nuk i përze bijtë e vet, një Atdhe që nuk i ha bijtë e vet.

Pak ma parë fola në telefon me nanën tëndë Zylfien ishte ne Gjermani atje ku janë motrat tuaja, vellezërit tuaj dhe gati shumica e shqiptarëve.

Me zor i ndalëm lotët, bile nuk e di i ndalem apo jo?

Ishte mirë me shendet, edhe pse do të ketë folur gjatë me ty dje, sot e gjithë kohën…

Duke rrëmuar në syrtarët e mi e gjeta këtë fotografi të bame te Guva e Qetë vetëm pak ditë para se ti të mos kishe mundësi me ba ma foto me mua, me ne, po ta përcjelle përmes facebook-ut? . Oh me falë, harrova, ti nuk e din se çka është kjo gjamë komunikimi, nejse ndoshta e sheh, Nana jote, vajza, motrat, vellezërit dhe miqtë e tu të shumtë që të kujtojnë më shumë mallë dhe dashuri.

Ishe dhe mbete mik i rrallë, vetëm në Janar, po ta përsëris s'të dua hiç,po hiç fare, sidomos në 

datat 5,6,7 janar,  sepse ike për të më lanë pas një boshllëk që s'po e mbush askush pas ikjes tënde.

Ndërsa kanë kaluar 26 vite nga ajo ditë e errët kur të ndanë nga jeta, ti ke mbetur dritë, frymëzim dhe mik i paharruar  për të gjithë ata që të njohën edhe një ditë të vetme.

I bekuar, i ndritur dhe i lavdishëm do të jetë përjetësisht kujtimi yt.





19:33 Opinione Lutfi Dervishi

LEKU, fenomeni i vitit

Ndërkohë që gazeta, televizione, portale, organizata d...

Lajmet e fundit nga