LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Arroganca e pakuptimtë e opozitës

3 Janar 2024, 10:58, Opinione Ardi Stefa
Arroganca e pakuptimtë e opozitës
Foto ilustruese

Pa diskutim që pozita në Shqipëri është arrogante. Me një arrogance, e cila shfaqet e demonstrohet në të gjitha aspektet e jetës sonë politike, ekonomike, madje edhe publike. Arrogancë është të votosh ligjet për shtatë apo tetë minuta në një parlament jofunksional, pa debat, pa diskutim, pa vjelë ide nga kundërshtari.

Arrogancë është të hedhësh poshtë çdo propozim të kundërshtarit politik dhe të mos pranosh të vetmin mjet që ka për të ushtruar kontroll mbi mazhorancën: komisionet hetimore.

Arrogancë është, që në datën 31 dhjetor, kur njerëzit ulen për të trokitur gotat, në kanalet kombëtare televizive sheh gjysmën e qeverisë të “luajë” e të bëjë "show"-n e radhës…

Por sot nuk do të ndalem tek arroganca e qeverisë, por tek arroganca e opozitës.

Çuditërisht sot opozitën nuk e shqetëson shumica absolute parlamentare. Atë e frikëson plotfuqishmëria e një qeverie me shumicë të fortë parlamentare dhe që ka përballë një opozitë, e cila kërkon vetveten. Por opozita harron që në demokraci edhe plotfuqishmëria politike është relative.

Nëse qeveria sfidon pritshmëritë që ka krijuar, fuqia e saj mund të shpërbëhet shumë shpejt pa përpjekjen që u deshën për të fituar shumicën. Nëse reformat do të dështojnë pozita nuk do të ketë asnjë justifikim për të pezulluar reformat që premtoi, ose ato që duhet të premtonte, pasi nuk premtoi asgjë. Do më thoni, se opozita pretendon se demokracia jonë është e mangët. Dhe se opozita deri në çastin e fundit kërkonte votën e elektoratit për ta rikthyer demokracinë.

Dhe pas humbjeve opozita çliroi imagjinatën. Dikush nga opozita tha se Rama nuk fitoi. Dikush tjetër tha se PS nuk fitoi, por ishte opozita, e cila humbi.

Dikush tjetër tha se elektorati u shantazhua e zgjedhjet u blenë... (E vërtetë, por fyese për elektoratin, gjë që bën të humbasësh vazhdimisht atë elektorat, të cilit i kërkon votën.)

Dikush tjetër foli për Sindromën e Stokholmit... Dikush tjetër me poza triumfuese flet për rritjen e përqindjeve të partisë së tij nga votat e elektoratit dhe në kurriz të një tjetër partie...

Dhe të gjithë së bashku denoncojnë arrogancën e Ramës, së cilës përpiqen t'i kundërvihen me arrogancën e tyre. Çfarë është më arrogante në një demokraci të kritikosh njerëzit për zgjedhjen e tyre dhe t'i fyesh se po paguajnë për gabimin e tyre? Sidomos opozita, e cila harron se në zgjedhje nuk janë politikanët që gjykojnë votuesit. Janë votuesit që i gjykojnë politikanët.

Opozita aktuale nuk i trembet  edhe aq fuqisë absolute të Ramës se sa dobësisë së saj. Opozita shqiptare ka frikë nga vetja. Që nuk ka numrat; që është e përçarë; që nuk po ngrihet dot mbi vtetveten, retorikën fyese e agresive ndaj njërës pjesë të opozitës me të cilën ishte deri dje; që nuk po investon te bashkimi, por te përçarja. Nëse opozita shqiptare do të zotëronte inteligjencën rudimentare politike, ajo do të dinte të transformonte vetveten. Dhe, nëse diçka e frikëson opozitën shqiptare, është se ajo e ka formësuar psikikën e saj në atë mënyrë që çdo përpjekje për transformim të rezultojë traumatike.

A do të braktisë retorikën e armiqësisë? A do të pushojë së denoncuari pjesën tjetër të opozitës për shitjeblerje të “idealeve”? A do të jetë në gjendje të kuptojë se nuk mund të sjellin të renë për Shqipërinë kostumet e vjetra të politikës, përgjegjësit për këtë gjendje? A do të mundet të sjellë fytyra të reja, të freskëta e të pakompromentuara përballë elektoratit? Do të heqë dorë nga vetëm konstatimet e denoncimet dhe të propozojë zgjidhje e një kontratë të re me elektoratin? A do ta kuptojë ndonjëherë se shumë nga shqiptarë po luftojnë për të përballuar bukën e gojës, dhe nuk e kanë mendjen te hallet e tyre të pushtetit?

A do ta kuptojë ndonjëherë se investimi vetëm te ndjenja zemërimit dhe urrejtjes nuk çon kurrkund? Opozita e sotme ka qenë e zemëruar që kur u shfaq në jetën politike shqiptare. Dhe vazhdon të mbetet. Ajo edhe sot flet sikur jemi në gjendje lufte. Problemet sociale ekzistojnë në çdo qelizë të jetës sonë, por shoqëria e sotme nuk është më “shoqëria e të indinjuarve”, që për të harruar, shpërfill të ardhmen.

Ata politikanë që përpiqen ta kthejnë zemërimin dhe urrejtjen në një propozim politik, duhet të mendohen mirë. Është keqpërdorur aq shumë zemërimi e urrejtja e në aq shumë rrethana sa nuk impresionojnë më askënd.

A do ta kuptojë opozita se përtej luftës politike, sulmeve nga mazhoranca e zgjodhi vetë fatin e saj politik? A do ta kuptojë se “mosdorëzimi” jo përpara dikaturës, por para egos, e tkurr gjithnjë e më shumë?

Do t’i kuptojnë sa më sipër?

E vështirë. E gjithë kjo nis nga një sindromë psikologjike që programon të menduarit dhe veprimin e tyre. Është avantazhi moral, çfarëdo që do të thotë kjo. Dhe pikërisht kjo çon në arrogancë.

Opozita duhet të heqë dorë nga arroganca e saj nëse do të vazhdojë t'i shërbejë demokracisë si opozitë dhe elektoratit nesër si alternativë!/ CNA

19:33 Opinione Lutfi Dervishi

LEKU, fenomeni i vitit

Ndërkohë që gazeta, televizione, portale, organizata d...

Lajmet e fundit nga