LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rruga drejt një opozite vërtet të re, ende e gjatë

29 Dhjetor 2023, 09:56, Opinione Ardi Stefa

Rruga drejt një opozite vërtet të re, ende e gjatë

Këtu e dy vjet mediat vizive e të shkruara, konferencat për shtyp apo tryezat e debateve nëpër televizione buçasin nga thirrjet e disa përfaqësuesve të opozitës: “S’ka opozitë!”, “Rama vrau opozitën!”, “Rama bleu opozitën, na mori vulën; na mori logon!”, “Ne do t’i thyejmë pushtetit dhëmbë e dhëmballë!, “O sot o kurrë në aksion, në revolucion kundër Ramës, bravës e SKAP-it!”.

Përtej retorikës, e cila dëshmon edhe cilësinë dhe demokracinë e politikës në Shqipëri, situata tregon edhe për mungesën e theksuar të dëshirës së vetë opozitës që vendi të ketë opozitë!

Opozita nuk mund të jetë vetëm retorika agresive, se kështu u pëlqen disa militarëve partiakë; as nuk mund të jetë me flakadanë, tymuese e karrige të përmbysura në parlament.

Ajo duhet të prodhojë ide, zgjidhje e alternativa kundër arrogancës dhe arbitraritetit të pushtetit, i cili nuk po kontrollohet dot nga ajo që e ka për detyrë: opozita.

Në këto dy vite opozita është më e përçarë se asnjëherë tjetër. Përçarja e PD dhe dalja në skenë e Foltores ishte imperative për një pjesë të të gjithë atyre demokratëve, të cilët humbjet e njëpasnjëshme, qëndrimi i gjatë në opozitë, mllefi i shkaktuar nga varfëria e zgjatur, i çorientuan duke krijuar terrenin e mbjelljes së urrejtjes për njëri-tjetrin.

Fillimisht u krijuan, jo pa përgjegjësinë e tyre, dy grupime, të cilat e sollën gjendjen deri këtu.

Kalimi i kohës dëshmoi që Rithemelimi, me retorikën agresive, fyese, intimiduese e përçarëse kryesisht ndaj demokratëve, dështoi në të gjitha përballjet me pushtetin, duke filluar të humbasë edhe mbështetjen e demokratëve, e cila në fillim nuk u mungoi.

Aleancat e dyshimta me një parti, për të cilën demokratët nuk gëzonin simpati, bënë që humbja në 14 maj të ishte katastrofike dhe të thellonte edhe më tej zhgënjimin e demokratëve.

Rithemelimi dështoi totalisht në pritshmëritë e demokratëve, sepse premtoi revolucion dhe fitore, por revolucioni nuk u ndez ndonjëherë dhe e vetmja fitore ishte ndaj pjesës tjetër të PD, e cila nuk është pa faj në gjithë këtë situatë.

PD zyrtare zgjodhi rrugën e tërheqjes dhe të mossqarimit të elektoratit, duke i lënë terren Rithemelimit, i cili mbolli ato teza që dëshironte. Në zgjedhjet e 14 majit PD zyrtare zgjodhi të mos dilte me kandidatë për kryetarë bashkie, me pretendimin se nuk donte të dëmtonte kandidatët e opozitës.

Në popull një lëvizje e tillë u perceptua si dobësi, pamundësi dhe frikë përballjeje, duke legjitimuar si lider të opozitës drejtuesin e Rithemelimit.

Pas kësaj periudhe, grupimi i tretë brenda PD, ata që ishin as me njërin- as me tjetrin filluan të aktivizohen në mënyrë agresive, duke bërë kalkulimet e veta, të cilat u prishën nga lëvizjet e fundit të SPAK.

Por historia tregon se është tjetër gjë të veprosh vetëm me retorikë dhe tjetër gjë të kesh, ideosh e prodhosh alternativë, pavarësisht se sot partitë politike nuk karakterizohen më nga ideologjia, por nga interesat.

Por duhet të jemi të qartë: një pjesë e PD ka zgjedhur si emër Rithemelimin, por ata e dinë shumë mirë që nuk janë të Rithemelimit. Tashmë është e qartë për të gjithë se ka një mënyrë tjetër për të ndërtuar opozitën dhe PD e re, e cila do të jetë në gjendje të bindë për nevojën e ekzistencës së saj, për fuqinë e saj për të sjellë ndryshim dhe frymëzim.

Në fund të fundit, vetë krijimi i formacionit të ri nuk lindi si rezultat i disa proceseve më të thella dhe i një përpunimi të pjekur të një plani të ri jo vetëm për të djathtën, por edhe për shoqërinë. Dhe, e përsëris, pa procese dhe fermentime të tilla me shoqërinë, pa ndërgjegjësimin për sfidat dhe nevojat e reja politike, për të drejtat dhe kohezionin shoqëror, pa edukuar të rinjtë dhe elektoratin me bindjen se duhet vërtet ndryshim, të gjitha formacionet që mund të lindin janë shifra me dinamikë të kufizuar dhe me datë skadence.

Sepse formacioni, që u krijua si pasojë e krizës në PD në vitin 2021 dhe u emërtuar Rithemelim, thjesht vuri në dukje krizën e tejzgjatur strategjike, që po hiqej zvarrë që nga viti 2013, për faktin se as atëherë nuk u kuptua se cikli i PD, siç e njihnim, ishte mbyllur.

Si rrjedhojë, po bëhet një formacion që mund të zgjedhë mbiemrin “e Rithemeluar” në titull, por në realitet pretendon të jetë PD-ja origjinale, me mendësi, retorikë, sjellje e qëndrim të 1991, 1996, etj.

Nëse flasim për valën e parë të largimeve, të atyre që argumentuan se ajo që duhet është një ripalosje në identitetin historik të një të djathte të përtërirë, radikale dhe konservatore, apo për të dytën që qëndron me PD zyrtare dhe është proamerikane, apo edhe për të tretën që është “as me Berishën, as me Bashën”, emëruesi i përbashkët është se të gjithë pretendojnë se përfaqësojnë PD.

Në thelb, ajo që i bashkon për momentin është më pak një mendim strategjik origjinal për të ardhur në pushtet dhe më shumë ndjenja se secilës pjesë ua rrëmbeu partinë Berisha, Basha, apo së fundmi Bardhi!

Madje të tria pjesët e PD bënë atë që ishte e paimagjinueshme, por edhe po aq qesharake: secila përjashtoi tjetrën, të paktën nga një herë!

Veçse Partia Demokratike nuk mund të gjykohet me të drejtën trashëgimore familjare apo edhe vasale. Sidomos kur ky pretendim për trashëgimi nënkupton edhe shmangien e autokritikës substanciale dhe përballjes së sinqertë me sfidën e një orientimi të ri. Nuk duhet harruar se mosmiratimi masiv elektoral në zgjedhjet e fundit, kishte për qëllim PD-në e unifikuar dhe refuzimin e përçarjes.

Sepse PD ishte në një vakuum strategjik kohë më parë. Sepse në vitin 2013, nuk arriti që të mësonte nga kalimi në opozitë për rindërtimin e nevojshëm të partisë. Të gjithë menduan atëherë se kishin siguruar pozitën hegjemoniste në opozitë dhe se me ndihmën e pakënaqësisë me pushtetin mund të merrnin vrull për rizgjedhje.

Cilët? Pikërisht ata që ishin përgjegjës për humbjet dhe kalimin e PD në opozitë. Pikërisht ata që krijuan e thelluan bindjen në elektorat se në PD nuk kishte meritokraci, por vetëm rastësi dhe investim me para.

Ata nuk e kuptuan, se ajo që supozohej të ishte arritja e PD-së, pra një formacion që mund të ishte njëkohësisht i djathtë dhe i aftë për të qeverisur, në vitin 2021 dhe 2023 kishte pushuar së qeni përgjigje dhe ishte bërë tashmë një pyetje e hapur që kërkonte përgjigje të reja.

Dhe ata këmbëngulën të mos e kuptonin as edhe në majin e vitit 2023 kur e vetmja gjë që mendohej e diskutohej prapa kokës së liderëve ishte forcimi i lidershipit, pa analizë e pa diskutim programor pavarësisht humbjes, duke i shndërruar opozitën dhe demokratët në jetimë të zhgënjyer e “politikisht të pastrehë”. Me ndjenjën se projekti i një të Djathte të bashkuar që, me respekt absolut për mendime dhe qasjet e ndryshme, mund të çojë në konvergjenca për çështje vërtet kritike, për të pretenduar dhe fituar, ka qenë i mundur.

Por a mund të realizohet në kushtet që jemi bashkimi i opozitës, në mënyrë që të kthehet në alternativë qeverisëse nesër?

Mundet!

Në rast se hiqet dorë nga opozita destruktive, nga gjuha fyese, përçarëse e armiqësore për njëri- tjetrin, në rast se ulen të gjitha palët e PD e të diskutojnë hapur, pa rezerva e thika pas shpine në të mirë të demokratëve e Shqipërisë.

Në rast se zgjidhet një kolegj i përkohshëm drejtues, mbi të cilët, pavarësisht bindjeve, preferencave apo mbështetjes së deritanishme, të mos rëndojë mëkati ndaj demokratëve dhe i zhbërjes së PD-së.

Në rast se largohen përfundimisht të gjitha peshat e së shkuarës, të cilat e dëmtojnë PD; në rast se largohen të gjithë ata, që më shumë e kanë dëmtuar sesa ndihmuar PD; në rast se prevalon interesi i demokratëve mbi atë personal.

Në rast se të tria pjesët e PD, të cilat kanë përjashtuar të gjitha të paktën nga një herë njëra-tjetrën nga partia, ulin tonet dhe shohin e zgjedhin të ardhmen evropiane e euroatlantike.

Atëherë, PO, mundet që PD të afrojë të gjitha forcat e tjera opozitare të Shqipërisë rreth vetes dhe të vijë në pushtet.

Lajmet e fundit nga