LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Ju dhamë një republikë, nëse mundeni ta mbani”

11 Dhjetor 2023, 15:52, Opinione Oerd Bylykbashi
“Ju dhamë një republikë, nëse mundeni ta mbani”
Oerd Bylykbashi

Shprehja në titull është përgjigjja e Benjamin Franklin, një prej Etërve Themelues të SHBA, kur një zonjë e pyeti atë ndërsa dilte më 18 shtator 1787 nga ndërtesa ku sapo ishte mbyllur mbrëmja e fundit e punimeve të Konventës Kushtetuese në Filadelfia dhe u miratua Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pyetja e zonjës, që shprehte padurim dhe shpresë, ishte: “Doktor, çfarë kemi, republikë apo monarki?”

“Ju dhamë një republikë, nëse mundeni ta mbani.”

Kjo fjali, që në shtetformim ka fuqinë dhe energjinë që çliron një fision nuklear, më vjen sot ndërmend ndërsa përkujtoj 33-vjetorin e themelimit të PD-së si gjenezë e pluralizmit politik, demokracisë dhe lirisë individuale. Por po aq më ringjall emocionet që provova para Kuvendit madhështor të 11 dhjetorit 2021, ndërsa prezantoja “Statutin e 11 dhjetorit” të PD-së, parimet që ai Statut vendosi; fuqizimin e organeve kolegjiale, ndarjen dhe balancimin e pushteteve, votën e fshehtë e të lirë si vendimmarrje, por edhe si mekanizëm kohezioni, koherencën e parimeve dhe pluralizmin e mendimit që siguron gjithëpërfshirje. Mision që duhet përmbushur.

Më vjen ndërmend ajo sentencë e Benjamin Franklin sot, kur vota është e lirë si çmim në para, por jo si liri që nuk ka çmim. Nuk është e fshehtë dhe as e barabartë. Mund të votosh, por jo të zgjedhësh sepse pushteti dhe mbipushteti caktojnë kë mund të votosh, sepse nuk mund të garosh që të të zgjedhin me emrin dhe identitetin që vendosin ata mijëra anëtarë që formojnë një parti, ngaqë vendos pushteti dhe mbipushteti kush duhet votuar, me justifikimin se ata janë shumica.

Nuk është e vështirë të gjesh dallimin e “Demokracisë” nga “Republika Demokratike”. Nuk janë e njëjta gjë. Në demokraci vendos shumica dhe pakica duhet të pranojë vendimin. Kjo ndodhte në Athinën antike, por nuk vlen më sot, është krejt e pamjaftueshme.

Dallimin thelbësor të Republikës Demokratike nga Demokracia si “pushtet i shumicës”, përveç votës së lirë e të fshehtë, e bëjnë të drejtat individuale dhe të minorancës që janë më të forta se vota e shumicës si dhe rregullat e shkruara, të bashkëpranuara dhe të bashkëndara demokratikisht, por edhe të zbatuara.

Quaji Kushtetutë apo Statut, ato rregulla vendosin parime, rregulla, institucione që përfaqësojnë ata që votojnë e zgjedhin, ndajnë dhe balancojnë pushtet.

Janë rregulla që vlejnë për çdo organizim demokratik; shtet, degë pushteti, parti, apo organizatë fitimprurëse ose jo.

Antikiteti na ka dhënë dy lloje ndërtesash që simbolizojnë pushtetin: Piramidën e Keopsit dhe Ndërtesën e Senatit të Republikës romake, me kolona madhështore që mbajnë e shpërndajnë peshën e ndërtesës në harmoni.

Pushteti i shumicës mund të degradojë brenda një brezi në pushtetin e Njëshit që kontrollon shumicën. Ky është momenti kur pushteti kthehet në piramidë ku gurët më sipër shtypin ata më poshtë, ku forca shpërndahet nga lart poshtë dhe e gjithë ngrehina, edhe pse përbëhet nga dhjetëra mijë gurë me formë të njëjtë paralelopipedi, ka formën e gurit më të vogël, por që ndodhet në majë; Piramidë.

Energjia dhe forcat që prodhon ajo shprehje e famshme e Benjamin Franklin, mbajnë në këmbë këtë ngrehinë të jashtëzakonshme të Republikës ku pushtetet janë të ndara si kolonat e një ndërtese, por që bashkohen, balancojnë dhe ekuilibrojnë forcat me njëra-tjetrën nëpëmjet traversave që i lidhin. Fundja kjo ndarje dhe balancim forcash e rolesh ka bërë që njerëzit të ndërtojnë ndërtesa shumë herë më të mëdha, të larta e funksionale për shumë njerëz njëherazi, sesa modeli i piramidës ku Njëshi vlen më shumë se shumica.

Senati i Republikës romake zgjidhej nga qytetarët. Po ashtu edhe Asambeja revolucionare franceze. Të dy na kanë dhënë shembuj ndarjeje dhe balancimi pushteti.

Senati zgjidhte dy konsuj për një afat të caktuar, që ishte funksioni më i lartë në Republikë. Të dy komandonin ushtrinë së bashku dhe jo veç e veç. Kur mbaronin mandatin largoheshin nga posti e zgjidheshin konsuj të tjerë. Edhe në rastet kur Senati, në kushte urgjence e nevoje, zgjidhte një Diktator (po po, e zgjidhte për një afat jo më të gjatë se 6 muaj) ky i fundit, në fund të detyrës ia dorëzonte pushtetin Senatit. I tillë qe Cincinati i moshuar. Të dy konsujt ishin të rrethuar larg Romës dhe ajo rrezikohej. Senati e zgjodhi Cincinatin Diktator ndërsa po punonte në tokat e tij. Mori detyrën, theu armiqtë dhe liroi dy konsujt nga rrethimi, ia ridorëzoi pushtetin Senatit dhe konsujve dhe iu rikthye punimit të tokës.

Asambleja franceze e dalë nga revolucioni kishte zgjedhur Direktoratin me pesë direktorë që bashkëqeverisnin. Askush nuk ishte më i fuqishëm se tjetri. Këtë thoshte kushtetuta.

Por si Senati i Republikës romake, edhe Asambleja revolucionare franceze kanë dy momente të errëta finale.

Jul Çezari dërgoi gjeneralin e tij më të mirë Mark Antonin me legjionarët e tij që hynë në Senat dhe imponuan vullnetin e Çezarit mbi Senatin. Çezari u zgjodh Diktator i Përjetshëm. Edhe pse senatorët e vranë më pas Çezarin, atë ditë vdiq Republika dhe vendin e tij e zuri nipi i tij, Oktavian Augusti që u shpall Perandori i Parë romak.

Napoleoni dërgoi në Asamble gjenaralin e tij më të mirë, Myratin me ushtarë, u shpërnda Direktorati kolegjial dhe Napoleoni u zgjodh Konsull i Parë nën frikën e bajonetave. Atë ditë vdiq Republika e parë franceze. Më pas Napoleoni organizoi plebishit popullor dhe u zgjodh Perandor.

Dy leksione të hidhura këto, që t’i sjell ndër mend fotoja e tri mbledhjeve të fundit të parlamentit, ku Garda e Kryeministrit Rama është e rreshtuar brenda në sallën e Kuvendit në numër më të madh se deputetët e Opozitës.

Në fillim Njëshi i pushtetit, Rama, dobësoi parlamentin, më pas dërrmoi zgjedhjet, fragmentoi opozitën, i hoqi të drejtën ta kontrollojë me komisione hetimore dhe më 14 dhjetor 2023 miraton rregullin për përjashtim të deputetëve të opozitës për dy muaj nëse kërkojnë themelin e Republikës: zbatimin e Kushtetutës dhe respektimin e të drejtave të opozitës.

Që aty nuk e ka të vështirë të emërojë opozitën, t’i marrë edhe votën opozitës së emëruar që të ndryshojë kushtetutën me 93 vota, ta kthejë Republikën Parlamentare në Republikë Presidenciale dhe me sistemin e patronazhistëve të zgjidhet me plebishit “popullor” President i gjithëpushtetshëm, si Vuçiç. Nuk e ka të vështirë të gjejë një Brnabiç si kryeministër, qoftë edhe nga opozita e emëruar, si llustër demokratike bashkëqeverisjes sipas modelit të natës së 17 majit 2017.

Forca e Republikës qëndron te Kushtetuta që garanton votën e lirë e të fshehtë, të drejtat e individit dhe ndarjen dhe balancimin e pushtetit.

Forca e Kushtetutës qëndron te zbatimi dhe jo te ndryshimi. Është e lehtë për Njëshin të gjejë shumicën për ta ndryshuar statutin themelor të përbashkët, por është shumë më e vështirë ta zbatosh atë dhe respektosh në mirëbesim parimet e saj.

Sot më 11 dhjetor 2023, kemi përshkuar për fat të keq disa rrathë të mbyllur duke rimarrë rrugës ato të këqija që i kishim hedhur tutje. Por më e keqja është se në 33 vjet nga rrëzimi i Njëshit, e keqja, pushteti i Njëshit është rikthyer.

Më 11 dhjetor 1990, studentët u ngritën se kishin si ëndërr që fëmijët e tyre të mos jetonin nën pushtetin e Njëshit. Një brez më pas, fëmijët e atyre studentëve, më 11 dhjetor 2023, largohen nga vendi se nuk duan të jetojnë nën pushtetin e Njëshit. “Liria mund të shuhet brenda një brezi” paralajmëroi Presidenti Regan. Ky është mësimi tjetë i hidhur i historisë këtë 11 dhjetor.

18:47 Opinione Ilir Levonja

Shqipëria në aksion

Shtatë studio televizive ndoqa mbrëmë, të gjitha merre...

Lajmet e fundit nga