LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Arian Galdini/ Vija e startit!

1 Tetor 2023, 15:34, Opinione CNA
Nga Arian Galdini/ Vija e startit!
Arian Galdini

Nëse flasim për demokraci, liri, konkurrencë, meritokraci dhe garë e sidomos për ndershmëri e barazi në garë, është pikërisht kjo vija e startit që e përcakton gjithçka.

Shanse e mundësi të barabarta dhe meritokraci, ulërasin të gjithë…

Por pa vijën e startit të barabartë, si mund të flasim për shanse e mundësi të barabarta…

U zhvillua edhe debati i dytë  në SHBA i kandidatëve republikanë për President, por askush, askush, askush nuk u përjashtua nga debati…

Asnjë media amerikane, asnjë gazetar amerikan, nuk guxon të thotë: Kandidatë Rilevantë dhe Kandidatë Jorilevantë…

Asnjë media amerikane, asnjë gazetar amerikan, nuk guxon të thotë: Kandidatë Seriozë dhe Kandidatë Joseriozë…

Asnjë media amerikane, asnjë gazetar amerikan, nuk guxon të thotë: Kandidatë Kryesorë dhe Kandidatë Jokryesorë…

Edhe pse ka kandidatë që renditen me 0.1 % të mbështetjes në Sondazhe, askush nuk guxon ti poshtërojë, shpërfillë apo skualifikojë në mes të garës.

Sigurisht që ka debate e opinione të ndryshme për renditjen e kandidatëve në sondazhe apo për idetë, veprimtarinë, strategjitë dhe performancën e kandidatëve, por askush nuk e vret garën duke cënuar vijën e startit…

E njëjta gjë ndodh edhe në Europë.

Asnjë parti nuk konsiderohet e madhe, e vogël, rilevante apo jorilevante, gjatë garës…

Të gjitha mediat kujdesen për të thënë qartë se kush udhëheq në Sondazhe, por nuk e vrasin kurrë garën duke u mohuar Partive apo Kandidatëve vijën e startit….

Në Shqipëri vija e startit është e para që mohohet plotësisht nga mediat, gazetarët, analistët…

Kanë sajuar “Rilevancën” si mastar për të të konsideruar si “të ftueshëm” apo jo në media…

Madje paradoksi është se mediat, gazetarët dhe analistët në Shqipëri, e dinë shumë mirë sesi funksionon loja, e dinë shumë mirë se ç’urdhëra e porosi marrin nga Pronarët Mediatikë, Oligarkikë dhe sidomos nga MbiPronarët Politikë, e prapë se prapë sillen sikur “Rilevanca” është një gjë që dikush o e ka o se ka vetë…

Gazetarët, Analistët dhe Moderatorët e mediave në Shqipëri, e dinë shumë mirë se kanë 3 lista me porosi:

1. Lista e Porosive për Pompim Mediatik.

2. Lista e Porosive për Ndalim dhe Mohim Mediatik.

3. Lista e Vetëçensurimit. Kjo lista e fundit është më qesharakja në mediat shqiptare sepse këtë e krijojnë vetë gazetarët, analistët dhe moderatorët duke bërë zaping në emisionet e njëri tjetrit. Duke bërë zaping përpiqen të kuptojnë kush mund e kush nuk mund të lejohet edhe jashtë 2 listave të para të porosive nga Pronarët Mediatikë, Oligarkikë dhe sidomos nga MbiPronarët Politikë.

Kam dëgjuar njëherë në Top Channel një birbo gazetar si Enton Abilekaj i cili thoshte për mua se: mirë ia bëjnë Galdinit që nuk e ftojnë në media, se nuk është i mediatizuar…

A e kuptoni absurdin???

Enton Abilekaj thoshte në media se Galdini nuk ftohet në media se nuk është i mediatizuar…

A e kuptoni???

Kush të mediatizon?

Media.

Po nëse media nuk të fton, si u mediatizoka dikush????

Atëherë, po “Rilevanca” si fitohet?

Duke qenë në media.

Nëse mediat të ndalojnë dhe mohojnë, si do tia bëjmë që ta kalojmë “mastarin e Rilevancës”???

Një babel i vërtetë alla shqiptarçe krejt sui generis për ne dhe vetëm për ne, e vetëm në Shqipëri dhe “buono per Albania”…

Fillimisht si MJAFT dmth si OJF e më pas si G99, kur u krijua partia e re e pati vijën e startit.

Mediat buçitën dhe Erion Veliaj u ftua në çdo studio televizive për ta prezantuar platformën e tij politike. Koha televizive për Erion Veliajn ishte pothuajse e barabartë me PD - PS - LSI. Analistët mbushnin faqet e gazetave me opinione e shtjellime për partinë e re që do bënte namin. Zaloshnja sigurisht e futi në çdo sondazh… Kur ra Veliaj, askush nuk tha asgjë. Thjesht u tha, dështoi partia e re.

Pastaj erdhi AKZ - Aleanca KuqeZi, fillimisht si OJF e në vijim  edhe ajo kur u krijua si parti e pati vijën e startit.

Mediat buçitën dhe Kreshnik Spahiu u ftua në çdo studio televizive për ta prezantuar platformën e tij politike. Koha televizive për Kreshnik Spahiun ishte pothuajse e barabartë me PD - PS - LSI. Analistët mbushnin faqet e gazetave me opinione e shtjellime për partinë e re që do bëntë namin. Zaloshnja sigurisht e futi në çdo sondazh… Kur ra Kreshniku, askush nuk tha asgjë. Thjesht u tha, dështoi partia e re.

Më tej erdhën Sfida për Shqipërinë e Gjergj Bojaxhiut dhe  LIBRA e  Ben Blushit të cilat edhe ato kur u krijuan e patën vijën e startit.

Mediat buçitën dhe Gjergj Bojaxhiu dhe Ben Blushi u ftuan në çdo studio televizive për ti prezantuar platformat e tyre politike. Koha televizive për Gjergj Bojaxhiun dhe Ben Blushin ishte pothuajse e barabartë me PD - PS - LSI. Analistët mbushnin faqet e gazetave me opinione e shtjellime për partitë e reja që do të bënin namin. Zaloshnja sigurisht i futi në çdo sondazh… Kur ranë Gjergji dhe Beni, askush nuk tha asgjë. Thjesht u tha, dështuan partitë e reja.

Më pas erdhi Nisma Thurje fillimisht si OJF e si të tjerat më parë edhe ajo kur u krijua si parti, e pati vijën e startit.

Mediat buçitën dhe Endri Shabani e Pano Soko u ftuan në çdo studio televizive për ta prezantuar platformën e tyre politike. Koha televizive për Endri Shabanin dhe Pano Sokon e Nisma Thurje ishte pothuajse e barabartë me PD - PS - LSI. Analistët mbushnin faqet e gazetave me opinione e shtjellime për partinë e re që do bëntë namin. Zaloshnja sigurisht e futi në çdo sondazh… Kur ra Nisma Thurje, askush nuk tha asgjë. Thjesht u tha, dështoi partia e re.

Njëlloj, pothuajse njëlloj ka ndodhur edhe me Lëvizjen Bashkë dhe Arlind Qorrin, edhe kjo fillimisht e lindur si OJF e më pas si parti politike. Por për hir të së vërtetës, krejt më pak mediatizim ka patur ky se të tjerët. Por është në media dhe e ka vijën e startit…

Sot po përjetojmë deja vu politiko - mediatike…

Buçasin mediat ngado e kudo, e madje kësaj radhe buja mediatike ngjason me G99 dhe AKZ…

U krijua, erdhi, po vjen…

A do tia dalë ky? A do ta mposhtë dominimin e PS - PD - PL, ky apo jo? Etj etj…

Buçasin mediat….

Çdo ditë.

Shëtitet G99 e re, AKZ e re, Sfida e re, LIBRA e re, Nisma e re, shëtitet në çdo studio e në çdo banak televiziv…

Koha televizive është e brabartë me PS - PD - PL…

Çuditërisht ngase është nisje e re dhe ende e pa shndërruar në parti, ndonëse ende ka konfuzion nëse është OJF,  lëvizje e natyrës së shoqërisë civile apo parti politike, e kësisoj mediat nuk kanë sesi tia dinë “Rilevancën”, prapëseprapë mediat e quajnë “Rilevante”…

Media ta jep, media ta mohon “rilevancën”…

Me pak fjalë, vijën e startit, në Shqipëri kur ta jep Rregjimi tre palësh PS - PD - PL, do të thotë se edhe “Rilevancën” ta jep e përcakton po Rregjimi 3 Palësh, e natyrisht edhe përcjelljen ta bën po Rregjimi 3 Palësh….

Kujdes, kur të mbarojë edhe G99 e re, AKZ e re, Sfida e re, LIBRA e re dhe Nisma e re, mos mendoni se dështoi partia e re…

Nuk është aspak kështu.

Kjo është e pavërtetë.

Sepse kur vijën e startit ta jep Rregjimi, dihet e kuptohet se edhe fundin e garës ta ka përcaktuar Rregjimi…

Partitë e reja me vijën e startit të dhënë nga Rregjimi, janë të krijuara dhe dizenjuara për të dështuar…

Janë të lindura dhe dizenjuara për të dështuar…

Mbijetesa e PS - PD - PL, varet shumë nga dështimi e zhgënjimi që vjen nga Partitë e reja…

Ndaj edhe Rregjimi i krijon vetë dhe ua jep vetë vijën e startit dhe pompimin mediatik partive të reja, sepse i ka lindur vetë të dizenjuara për të dështuar…

Shërbimi më i madh që i bëhet Rregjimit është të pranosh të lindësh i dizenjuar për të dështuar…

Dizenjimi për dështim që në lindje, është receta e përsosur për zhgënjim rrënues në shpresën e njerëzve…

Ndaj këtu, detyra ime dhe e LRE është që tua themi shqiptarëve të vërtetën.

Kujdes. Bëni kujdes.

Nëse sot shkoni aty ku lindja është e dizenjuar për të dështuar, ne po ju paralajmërojmë se zhgënjimi është i pashmangshëm.

Ne si LRE dhe unë si Arian Galdini, jemi këtu.

Ne kurrë nuk e patëm vijën e startit.

Mua si Arian Galdini dhe LRE Lëvizjes së Re na e kanë mohuar vendosmërisht vijën e startit.

E megjithatë ne jemi këtu.

Ne jemi këtu e ndoshta fakti që Rregjimi na e ka ndaluar e mohuar vijën e startit, është edhe dëshmia se ne jemi e vetmja parti e re e lindur natyralisht dhe bio nga qytetarët e thjeshtë, të ndershëm e të papërlyer.

Ku i dihet, ndoshta ne do të jemi edhe të vetmit që do të vijojmë të jemi këtu edhe për shumë kohë, pa start por me finish.

Ne nuk jemi “me start”, por me siguri ne jemi me “Finish”./ CNA

Lajmet e fundit nga