LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mote pa dasma

14 Gusht 2022, 10:06, Opinione CNA

Mote pa dasma

Ngjitur me shezlongun tim në plazh u rehatua një çift në moshë të mesme dhe dy çuna të vegjël, ndoshta 5 vjeç njëri e 8 tjetri.U ulën pa zhurmë e gruaja, që qe gjyshja se ashtu e thirrnin fëmijët, nxori nga çanta ca byrekë të vegjël që sapo i kishte blerë se nxirrnin avull dhe nga një shishe me dhallë mbushi katër gota plastike. Përtypeshin të katërt e pas ca minutash gati përlanë edhe letrat e byrekëve.

-Të notojmë tani?

-Po, por këtu te bregu. -tha gjyshi.

-I shoh unë, -foli e shoqja.

U ngritën të tre dhe kur po hynin në det djali i madh i tha gjyshit:

-Më ke premtuar që sot do më tregosh një histori nga lufta.

Gjyshi tundi kokën. Po d.m.th.

U çudita pak se zotëria dukej 60 vjeç, pra kishte lindur 20 vjet pasi kishte mbaruar lufta. Vura buzën në gaz dhe e pyeta për kureshtje:

-Çfarë historie do të tregosh? Ti je i ri, nuk ke jetuar fare në ato vite.

-Vërtet kam lindur shumë vite më pas, por kam jetuar e kam vuajtur shumë nga ajo luftë.

E pa që u çudita, po nuk më la ta pyes. Afroi shezlongun e tij tek imi dhe ia nisi.

-Lufta e dytë botërore nuk më kapi, por lufta më e tmerrshme ishte ajo më pas. Vendi gjoja u çlirua, nuk kishim gjermanë nëpër këmbë. Kishim shqiptarë që s’patën as ndjenjë e as mëshirë për shqiptarët. Pra, na pushtoi vëllai. Kam lindur më 1964, fiks 20 vite pas ikjes së gjermanit të fundit. Jam nga një fshat i Korçës, punoja në bujqësi. Mbarova një të mesme për agronom, përfundova dhe shërbimin ushtarak e aty në punë u njoha me Sadijen.

Isha 20 vjeç unë e 18 ajo. Sa erdhi vjeshta që do të bënim dasmën na thërret kryetari i kooperativës e na thotë se rinia e fshatit, po veç djemtë, do shkonim tre muaj në Lezhë të ndihmonin bujqësinë e asaj zone. Po unë do martohem, i thashë. Kohë martese është kjo, më çakariti sytë. Jetojmë si në rrethim, jemi në gojë të ujkut, mos shohim interesin personal dhe plot fjali të tilla. Qepa gojën e qysh të nesërmen na ngarkuan mbi ca zisa të vjetër e na zbrazën në Tale të Lezhës. Do flinim në koçekët e misrit. I kishin boshatisur, u shtrimë si të vdekur, po asnjë orë gjumë. Na sulmuan mushkonjat derisa doli dielli. Në mëngjes na rreshtuan dhe te këmbët na hodhën shatat për prashitje. Të reja, dukej sa i kishin sjellë nga dyqani. Unë, si agronom i mesëm, isha brigadieri i të rinjve pe Korçe. Urdhërova ca çuna të çonin shatat te një kolibe aty pranë e pasi gjeta një sharrë iu futa sharrimit të bishtave. E bëja shpejt dhe me forcë sikur po nxirrja inatin e mushkonjave.Te bishti i katërt dëgjoj një “ndal” të fortë. Kthej kokën e te dera po rrinte një mesoburrë me kostum doku.

-Çfarë bën?

-Po sharroj, nuk e sheh?

Më tej s’më la të flisja. Më kapi te krahu, më shtyu jashtë dhe e pashë veten brenda te gazi i kryetarit të kooperativës. Ecëm gjysmë ore e më plasën në polici. Te një dhomë atje para një tavoline po më pyeste një djalosh:

-Jam Piro, hetuesi i degës. Pse sabotove pronën socialiste?

-Çfarë? -kaq thashë dhe më mbuluan djersë të ftohta. Kujtova që plot njerëz ishin pushkatuar së fundi për sabotazh. Dhe ishin inxhinierë e jo më një agronom i thjeshtë si puna ime.

-Dëgjo,se… -nisa të flas, po Piro sokëlliu:

-Ç’të flasësh ti, mor armik. I dimë rrenat e racës suaj. Edhe në Lezhë nuk doje të vije se kishe plan të martoheshe. Ne po luftojmë me bllokadën imperialisto-revizioniste ti doje të argaliseshe, të ishe në muaj mjalti tani.

Kaq tha dhe iku. Erdhën dy policë, më hodhën në një qeli e mbaj mend që pas dy a tri ditësh më çuan në gjykatë.

-Po me bishtin e shatave dhe lopatave ç’pate? -pyeti i çuditur dhe i egërsuar gjykatësi.

-Ja ta sqaroj, byrazer, -ia nisa.

-Ti je i pandehur, nuk je byrazeri im, -tha ai dhe shtriu dorën para, d.m.th. fol.

-Ato shata janë të reja dhe bëjnë punë. Por bishtin e kanë shumë të gjatë. Nëse prashit me to do këpusësh kokën e bimës se nuk e sheh nga lart. Ndaj unë doja t’i shkurtoja që të punonim ngjitur me tokën. Të shkriftonim dheun dhe të prisnim barërat e këqija. Ashtu bishtshkurtër i mbajmë ne andej nga Korça.

Gjyqtari heshti. Pa nga Piro një çast dhe vendosi.

-Këtë që na the tani duhet ta kishe sqaruar që atë çast. Por në të vërtetë ti ke dashur të shfrysh dufin e dasmës tënde dhe inatin ia nxorre bishtave të lopatave dhe shatave. Ndaj tri vjet internohesh në Shtyllas dhe dënimi fillon tani.

Piro qeshi, gjyqtari u largua, mua më çuan në birucë. Të nesërmen në Shtyllas e për dhjetë vjet, se u shty disa herë dënimi, nuk pashë me sy babain, nënën, motrën, vëllain. Sa për Sadijen, ajo u martua në një fshat të Elbasanit. Unë në Shtyllas njoha Shpresën dhe bëri me kokë nga gjyshja e fëmijëve. Ishte e internuar si unë. Atje lindëm një çun, babain e këtyre djemve. Vjen nesër në plazh, merr lejen bashkë me të shoqen.

Heshta, por dhe u trondita. Histori të tilla ndodhnin plot, mbushur dingaz jeta me to. Fate njerëzish që i vuloste shqiptari kundër shqiptarit. Saktë, lufta më e egër dhe me më shumë dëme qe pasi iku pushtuesi. Qe betejë brenda llojit. Nuk u emërtua luftë, u quajt më gjate, luftë klasash. Në fakt ishte kolerë. Vrau, internoi, burgosi këdo që mendonte ndryshe, këdo që donte të jetonte si njeri.

Djemtë dolën nga deti. Gjyshi nisi t’u tregojë atyre histori nga lufta e vërtetë që ishte edhe më gjakatarja, edhe më e egra zhvilluar ndër këto troje...

16:45 Opinione Denis Dyrnjaja

Qeveria e karantinave!

Ngjarja e fundit tronditëse e vrasjes së 7 vjeçares Jo...

Lajmet e fundit nga