LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kemi hyrë në shekullin  e dytë të pavarësisë dhe dilema jonë kombëtare është…

14 Nëntor 2023, 19:45, Opinione Arian Galdini
Kemi hyrë në shekullin  e dytë të pavarësisë
Foto ilustruese

Po bëhet 1 dekadë e gjysëm që kemi hyrë tashmë në shekullin  e dytë të pavarësisë dhe dilema jonë kombëtare është pothuajse e njëjta: 

A kemi ne një Çështje Kombëtare që është e përputhshme me Aspiratën tonë kombëtare që njihet edhe nga Preambula e Kushtetutës me të cilën do festojmë edhe 111 vjetorin e Pavarësisë këtë 28 nëntor?

Ja sesi shkruhet në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për Aspiratën tonë Kombëtare:  

"Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut,  me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, m e zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit,  për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror,  me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar,  me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit…"

Po shkëpus pjesën e fundit të Preambulës dhe po ripërsëris: me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar,  me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit…

E pra ne kemi një detyrim Kushtetues për përmbushjen e Aspiratës sonë kombëtare, sikurse kemi edhe detyrimin qytetar dhe intelektual që të shpjegojmë e kuptojmë se asnjë aspiratë nuk realizohet pa zgjidhjen e çështjeve të kombit tonë të cilat në tërësi përmbushin Çështjen tonë kombëtare.

Para 111 viteve por mund të themi edhe se në 111 vitet e shkuara, antiPavarësia kanë qenë : ndarja, harresa dhe cënimi i identitetit.

Po i marim me rradhë.

Ndarja, ka qenë AntiPavarësia që është ushtruar nëpërmjet copëzimit faktik territorial të tokave të jetuara nga shqiptarët duke penguar kësisoj proçesin e plotë dhe natyral të shtet dhe kombformimit nga shqiptarët.

Ndarja, Pavarësinë e ka ndarë në dy Pavarësi për shqiptarët, në Pavarësinë e 1912 si edhe në Pavarësinë e 2008.

Dyzimi, detyrimi dhe nevoja e shqiptarëve për të festuar 2 Pavarësi, përbën edhe një nga çështjet më të mëdha që duhet zgjidhur në një kohë të duhur. 

Aspirata jonë kombëtare e kërkon që ne të festojmë vetëm 1 Pavarësi, por sot për sot nuk mundemi. 

Kësisoj e kemi nisur Shekullin e dytë me një pamundësi që duhet korrektuar faktikisht, juridikisht, ndërkombëtarisht dhe historikisht.

Ndërkohë që këtë dilemë e përjetojnë dyfish më të madhe edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi si edhe të Preshevës.

Ndarja u jep atyre ushqimin e përvitshëm për tu rikonfirmuar si shqiptarë nën dy Pavarësi e nën 3 flamuj. 

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut festojnë 1 herë Pavarësinë e Shqipërisë me Flamurin Kombëtar Shqiptar, por edhe nën hijen e flamurit shtetëror të Maqedonisë së Veriut. 

E po ashtu festojnë Pavarësinë e Kosovës me Flamurin Kombëtar Shqiptar, me flamurin shtetëror të Republikës së Kosovës, e sërish nën hijen e flamurit shtetëror të Maqedonisë së Veriut.

Kështu ndodh pak a shumë me shqiptarët e Malit të Zi të cilët festojnë nën hijen e flamurit shtetëror malazez, e shqiptarët e Preshevës që festojnë nën hijen e flamurit shtetëror serb.

Kjo ndarje kaq e madhe e bën Shekullin e dytë të Pavarësisë së Shqipërisë si një sfidë mbarëshqiptare për tu dhënë zgjidhje këtyre çështjeve.

Por në këtë rast kemi edhe një çështje tjetër që mbetet ndarje gjithësesi. Çështja çame ka specifikën e saj në ndarjen që u është bërë shqiptarëve.  Çamët janë dhunuar, masakruar dhe dëbuar nga vatrat dhe tokat e tyre në Çamëri. Çamët nuk kanë dy flamuj për ta festuar Pavarësinë. Çamët e festojnë Pavarësinë vetëm me 1 flamur, me flamurin kombëtar shqiptar, me flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit. Por ndarja në këtë rast ka qenë kafshim dhe përtypje.

Tokat dhe vatrat e çamëve janë kafshuar nga Greqia, ndërsa çamët janë përtypur në tokën e Pavarësuar të Shqipërisë. Kjo çështje kërkon që të zhbëhet kafshimi dhe përtypja, e çamët të kenë mundësinë që të festojnë Pavarësinë e Shqipërisë në pronat dhe vatrat e tyre, me flamurin kombëtar shqiptar.

Kjo çështje nuk kërkon zhbërje kufijsh, por përkundërazi kjo çështje kërkon vetëm konfirmim të faktit ligjor dhe historik që shqiptarët çame janë në tokat dhe vatrat e tyre në Greqi. Sikundër shqiptarët e Malit të Zi dhe Preshevës janë në tokat dhe vatrat e tyre autoktone në shtetin Malazez dhe në shtetin Serb, ashtu kërkojnë edhe çamët që të jenë në tokat dhe vatrat e tyre në shtetin Grek.

Shqiptarët e Maqedonisë janë shtetformues ndër të tjera përveçse janë edhe në tokat dhe vatrat e tyre. Dinamika e çështjeve që përbëjnë tërësinë e çështjeve kombëtare, kërkon një kalim nëpër ndarje dhe zhbërjen e ndarjes. Ndarja ka disa mënyra sesi mund të zhbëhet. E rëndësishme është të kuptojmë, se po nuk zhbëmë Ndarjen, nuk zhbëjmë dot AntiPavarësinë, as edhe në shekullin e dytë të Pavarësimit.

Harresa:

Ne shqiptarët jemi dënuar shpesh nga vetvetja sepse kemi zgjedhur të harrojmë.  Kemi harruar historinë tonë, ose e kemi dekonstruktuar. Madje edhe sot në emër të kozmopolitizmit dhe ideve moderniste, përpiqemi të harrojmë dhe dekonstruktojmë historinë tonë dhe figurat e mëdha që i kanë dhënë kuptim dhe formë historisë sonë.  Sidomos, ka përpjekje pafund, për të çuar drejt harresës apo drejt dekonstruktivizmit edhe dhimbje të mëdha kombëtare, që mund të na hapin telashe në raport me "fqinjët" apo "ndërkombëtarët".

Gabim fatal i një kombi që është ende në proçes ndërtimi, e në projekt kushtetues për plotësim Aspirate Kombëtare. Çështja çame ka një ngarkesë të lartë me harresë dhe dekonstruktivizëm, për shkak se kjo çështje kalon nëpër fqinjin tonë të lashtë dhe Anëtar të BE, Greqinë. Greqia është bërë pothuajse fetishi i eurointegristëve, duke mohuar historinë e shqiptarëve, duke harruar dhimbjen e madhe dhe genocidin e shqiptarëve të çamërisë, në emër të gjoja fqinjësisë së mirë dhe integrimit europian.

Por a është e vërtetë që harresa dhe mohimi i shërbejnë fqinjësisë së mirë dhe integrimit europian?

Maqedonia e Veriut është një shembull par exellence, që harresa dhe shmangia, nuk integrojnë por përkundërazi pas problemeve që pati me Greqinë, tashmë Maqedonia e Veriut ka hyrë në "kalendat bullgare". Republika e Maqedonisë së Veriut deri vonë, kishte ndërtuar një rregjim me shqiptarët shtetformues, por me thelb, përmbajtje, pamje, kulturë dhe zbatim anti-shqiptar.

Për gjatëkohë Shqiptarët zgjodhën heshtjen për hir të ndërtimit të një shteti multietnik, paqësor dhe paqeshërbyes në Rajon. Por a e zgjidhi çështjen e shqiptarëve, harresa dhe mohimi? 

Jo. Ne të gjithë e dimë se viti 2001 e shndërroi shtetin e Maqedonisë së asokohshme, nga një shtet multietnik, paqësor dhe paqeshërbyes në Rajon, në një shtet me konflikt ndëretnik, në gjendje lufte dhe paqerrezikues në Rajon. Ndërsa dekadat shkojnë dhe ne kemi hyrë në Shekullin e dytë të Pavarësisë së Shqipërisë, nuk duhet të lejojmë që  historia të ripërsëritet.

Harresa dhe mohimi nuk garantojnë as Integrimin, as Fqinjësinë e mirë dhe as Paqen. Fqinjësia e Mirë, Integrimi dhe Paqja vijnë nga reciprociteti, respektimi i dinjitetit njerëzor dhe drejtësia bazuar në parimet dhe vlerat më të larta europiane. Çështja çame nuk mund të përputhet me harresën dhe mohimin, sepse është një çështje që pulson tek popullata çame që është shpërngulur me dhunë nga vatrat, që kujton viktimat e genocidit dhe meriton ti rikthehen pronat që ka në shtetin Grek.

Cënimi i identitetit:

Ndarja dhe harresa kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në identitetin tonë. Por mbi të gjitha identitetin tonë na e kanë copëzuar varfëria dhe padrejtësia historike. Që ne të kemi mundësi të ndërtojmë një identitet përtej katundit apo qytetit tonë, ne duhet të kuptojmë se identiteti ynë ka edhe një hartë të tijën. Dhe harta identitare nuk quhet e plotë në rast se ne e shohim hartën vetëm me hapësirën e katundit apo qytetit tonë. Harta jonë identitare është e plotë vetëm nëse të tëra dinamikat kulturore, politike, sociale, administrative, historike dhe antropologjike të të gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë autoktonisht, janë pjesë e domosdoshme e dinamikave tona personale.

Harta jonë identitare është e plotë vetëm nëse të tëra çështjet e kombit shqiptar që përbëjnë tërësinë e Çështjes sonë Kombëtare, janë çështja jonë që ndërton edhe Aspiratën tonë Kombëtare. Dhe harta jonë identitare nuk na vendos në konflikt me askënd, me asnjë fuqi ndërkombëtare, me asnjë ligj ndërkombëtar. Harta jonë identitare është detyrimi ynë si shqiptarë, është përgjegjësia jonë, është e drejta jonë e pamohueshme.

Na takon neve vetë që ta plotësojmë dhe përmbushim të gjithë hartën tonë identitare. Kur harta jonë identitare është e plotë, atëherë çështja e shqiptarëve të Malit të Zi, pulson tek çdo Çam, Beratas, Tetovar, Shkupian, Prishtinali, Gjakovar, Tropojan, Shkodran, apo Vlonjat.

E njëjta mund të thuhet edhe për çështjen e shqiptarëve të Preshevës. E njëjta kërkohet edhe për çështjen çame. Çështja çame është pjesë e domosdoshme e hartës sonë identitare. Çdo shqiptar duhet ta ndjejë si pjesë të formimit, kulturës dhe identitetit të tij çështjen çame.  

17:17 Opinione Monika Stafa

DASHURIA E ALEHANDRËS

Në Izrael ka nisur lufta. Në një mbrëmje kërcimi atje ...

Lajmet e fundit nga