LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Tregimi i së dielës/ Gjumi i mbasdites…

12 Nëntor 2023, 09:41, Opinione Agim Xhafka

Tregimi i së dielës/ Gjumi i mbasdites…

Asnjëherë më parë nuk kam fjetur në drekë. Kam plot shokë që palosen për dy-tri orë. Madje ndonjëri, që s’po ia përmend emrin, futet brenda në krevat, mbulohet me jorgan e zgjohet kur t’ia hapë sytë truri i tij. Por u bënë ca muaj që dhe unë po dremit në drekë. U plake, o byrazer, i them vetes. Mbyll sytë ashtu ulur në kolltuk me këmbët mbi pupe. Gruaja thotë që gërhas lehtë, por nuk e besoj, ia marr si shaka. Ama fle ca kohë. Aq, nja 15-20 minuta. Jo më shumë se pastaj natën zor të më marrë gjumi. Do bësh agrepni, thosh nëna ime. Kuptimi, do tjerrësh muhabet me errësirën.

Dje mes minutave të kësaj dremitje më ra zilja e celularit. I hodha një gjysmë sy sa për të ditur kush qe se mezallah do e hapja. Por më doli “Jeta ime”. Kështu ia kam vënë emrin në telefon mbesës. E hapa vrik.

-O gjysh, a të të bëj ca pyetje?

Ngaqë unë përherë them po, ia nisi.

-Keni pasur ju të drejta themelore para viteve ’90? Në kohën e diktaturës d.m.th.?

-Po, mi gocë kemi pasur. Kemi pasur plot, -i thashë.

Dhe po mendoja me këtë rast të bëja një bisedë me kuptim për ato mote. Që mbesa të ndërtonte peizazhin social ku jetuam. Ajo është e vogël dhe do shpjegime konkrete, me shembuj, si p.sh. kur i sqarova një ditë inflacionin. I tregova një garuzhde me vrima dhe i thashë, këtë ta mbushim me supë. Supa do rrjedhë, tha ajo. Sigurisht dhe ajo që rrjedh është inflacioni, ajo që ngelet është rroga reale e shqiptarëve, ia ngulita në tru.

-Ia nisim me të drejtën e lëvizjes. E keni pasur ju këtë të drejtë?

-Po, e kemi pasur. Nuk na ndalonte kush të lëviznim p.sh. nga kuzhina në banjë. Ose anasjelltas. Lëviznim pa i marrë kujt leje. Fare pa vizë.

-O gjysh, mos u tall tani. A shkonit ju jashtë atdheut e kisha fjalën?

-Si nuk shkonim, moj. Kudo bridhnim nëpër glob,  - i thashë. -Kishte televizori një emision “Vende dhe Popuj”. Na tregonte gjithë shtetet e botës. Më shumë “lëviznim” në Afrikë. Ende e di në pëllëmbë të dorës p.sh. Angolën, Nigerinë, Kongon.

-O gjysh, po mos u tall të thashë. Pasaporta shqiptare ato vite çfarë ngjyre kishte?

-Kishte ngjyrë patjetër. Me ngjyrë ishte. Po ja të pyes xha Kasëmin e të them.

-Pse ti nuk e mban mend?

-Nuk e mbaj mend se gjithë populli nuk kishte pasaporta. Xha Kasëmi kishte se punonte shofer në ambasadë në Romë.

-Po të drejta banimi a kishit ju?

Ajo lexonte në libër një për një të drejtat e njeriut dhe më pyeste mua.

-Kishim, si jo. Se ne nuk flinim jashtë ose nëpër pemë si majmunët.

-Në sa metër katror jetoje o gjysh deri sa bleve këtë shtëpi ku je tani?

-Në pak metër, bijë. Konkretisht banesa qe sa kemi sot dy garazhet te kati -1 në pallat.

-O gjysh, mos u tall! Po fundjavave si argëtoheshit,  nga shkonit?

-Në fshatra, zemër. Në fshatra. Çdo të diel. Nuk mungonim kurrë. Bridhnim çdo javë, fup këtu e fup atje.

-Te cilat restorante, a kujton ndonjë?

-Më shumë frekuentonim restorantin “Misri”, pub “Patatja” dhe bar “Kanali”.

Por nuk e lashë të pyeste ku qenë konkretisht këto lokale. I shpjegova që e shtuna atëherë s’qe pushim. Dhe shkollat bënin mësim atë ditë. E diela quhej pushim,  por në fakt na çonin në aksion për korrje dhe çveshje misri, për hapje kanalesh ose për shkulje patatesh.

Heshti ca sekonda. Po e ndërtonte në përfytyrimin e saj atë kohë ndaj më bëri pyetjen e fundit:

-Po mirë, ju nuk kishit asnjë të drejtë? Asnjë?

Heshta ca çaste. Po mendoja që t’i jepja një përgjigje me brumë. Dhe e gjeta.

-Kishim, kishim një të drejtë të madhe që e shfrytëzuam shumë si popull, për asnjë çast nuk e harruam.

-E cila qe?

-Qe e drejta për të heshtur. E zbatuam me përpikmëri, si sahat zviceran.

Nuk vazhdova ligjëratën, ajo e kishte mbyllur celularin. Ndaj atë çast mbylla sytë dhe kujtova gjysmën e jetës. Atë gjysmë që mora frymë me gojën mbyllur…

17:17 Opinione Monika Stafa

DASHURIA E ALEHANDRËS

Në Izrael ka nisur lufta. Në një mbrëmje kërcimi atje ...

Lajmet e fundit nga