LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Ende dua të shkruaj"/ Isabel Allende, 80 vjeçe

5 Gusht 2022, 08:29, Kulturë CNA
"Ende dua të shkruaj"/ Isabel Allende, 80 vjeçe
Isabel Allenden

Ajo ka shkruar 25 libra, që janë shitur 70 milionë herë dhe janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Për punën e saj, Allende ka marrë 60 çmime në 15 vende të ndryshme, dhe te romanet e saj janë bazuar dy filma me prodhim ndërkombëtar.

Këto janë disa nga faktet e forta për Isabel Allenden, shkrimtaren nga Kili me suksesin më të madh në botë. Por, në faqen e internetit ajo shkruan, se ato nuk tregojnë të gjithë historinë e saj. "Është shumë e çuditshme të shkruash biografinë e dikujt, sepse ke të bësh me një listë të dhënash, ngjarjesh dhe arritjesh,” shkruan ajo. "Në realitet, gjërat më të rëndësishme të jetës sime kanë ndodhur në hapësirat sekrete të zemrës dhe ato nuk kanë vend në asnjë biografi”. 

Në fakt, Allende nuk mendon se librat që ka shkruar janë suksese aq të mëdha për të, sa janë dashuria për familjen dhe mundësitë që ka pasur për të ndihmuar të tjerët. Gjë që e ka bërë për shembull gjatë diktaturës ushtarake të August Pinoçetit në Kili, kur doli në mbështetje të të përndjekurve politikë, dhe vazhdon ta bëjë duke ndihmuar të tjerët me fondacionin e saj, Fondacionin Isabel Allende, fondacion që kërkon të fuqizojë gratë. Më 2 gusht Allende mbushi 80 vjeç.

Romani i parë, një roman i paharrueshëm

Megjithatë janë librat ato që e bënë të famshme shkrimtaren kiliane, sidomos romani i parë botuar më 1982, "Shtëpia e shpirtrave”.

Drama, pjesërisht autobiografike flet për familjen Trueba, familje e shtresës së mesme dhe të lartë, që vuan nga presioni i patriarkut të dhunshëm, Esteban Trueba. Kur një puç ushtarak rrëzon nga pushteti presidentin socialist, Trueba i var shpresat e tij te qeveria e re, por shumë shpejt e kap zhgënjimi. Vendi pushtohet nga terrori dhe përndjekja, nga të cilat nuk kursehet as familjen Trueba.

"Ende dua të shkruaj"/ Isabel Allende, 80 vjeçe

Kur shkroi dramën e saj familjare në vitin 1982, Isabel Allende ishte larguar ndërkohë nga Kili dhe ishte duke jetuar në ekzil në Venezuelë. Kushëriri i të atit, Salvador Allende, kishte qenë president i Kilit, por u rrëzua nga diktatura ushtarake e Augusto Pinoçetit në vitin 1973, dhe më pas kreu vetëvrasje. Në ato momente, Isabell Allende nuk ndihej më e sigurt në Kili.

Fuqizim i grave

Allende ka lindur në 2 gusht 1942, në Lima si vajza më e madhe e një diplomati kilian. Prindërit e saj u divorcuan dhe ajo e kaloi një pjesë të mirë të fëmijërisë duke jetuar me gjyshin. Më pas ajo ka jetuar në Bolivi dhe Liban, para se të kthehej në Kili, ku punoi si gazetare, u martua dhe lindi dy fëmijë, të bijën Paula dhe të birin, Nicolas.

E bija Paula, humbi jetën në vitin 1992, prej një çrregullimi metabolik, kur ishte në moshën 29-vjeçare. Në vitin 1994, Allende e trajtoi humbjen e së bijës në një libër shumë personal, të quajtur "Paula”. Në nderim të së bijës ajo krijoi në vitin 1996 Fondacionin Isabell Allende, i cili i dedikohet fuqizimit të grave dhe vajzave.

Allende ka mbështetur në mënyrë aktive të drejtat e grave për shumë vite. Në vitin 1968, ajo ka qenë një nga redaktoret që krijuan revistën feministe "Paula”, revistë që u mbështet nga presidenti kilian Salvador Allende, me të cilin ajo ka qenë farefis.

Ajo po ashtu ka shkruar skenare teatri dhe pati bërë emër si prezantuese televizioni, para se të emigronte në Venezuelë.

Jeta në ekzil

Gjatë kohës që ndodhej në ekzil, ajo filloi t'i shkruante letra imagjinare gjyshit të vdekur. Më vonë ajo krijoi me tekstin e tyre romanin "Shtëpia e shpirtrave”, i cili u kthye në film në vitin 1993, me artistet Meryl Streep dhe Winona Ryder. 

Që në fillim, ra në sy mënyra unike e Allendes për të bërë bashkë realitetin dhe fantazinë, një stil të shkruari që quhet realizëm magjik. Ajo përzien tmerret e realitetit me botën plot fantazi të magjisë, një botë që ka qenë gjithnjë e mbushur me shpresë. Kritikët e kanë akuzuar për kopjimin e shkrimtarit kolumbian, Gabriel Garcia Marquez, fitues i Çmimit Nobel në letërsi, i cili e ka krijuar realizmin magjik. Megjithatë, tregimet e saj epike për gratë e forta fituan Çmimin Kilian Kombëtar për letërsi në vitin 2010.

'Unë ende ndihem kiliane'

Allende jeton prej dy dekadash në Shtetet e Bashkuara, ku është martuar për herë të dytë.

Por, "Deutsche Welle"-s ajo i tha se Kili vazhdon të jetë atdheu i saj. "Unë ndihem ende kiliane. Prindërit e mi janë kilianë, familja ime është kiliane dhe vitet e para të jetës, vitet e rëndësishme që e formojnë njeriun, unë kam jetuar në Kili.”

Pavarësisht nga kjo, puna e Allendes mbetet e rëndësishme për të gjithë botën. Romani i fundit i saj, "Violeta”, është një deklaratë për të gjithë ata që kërkojnë ta vënë veten në vend në një botë maçoiste. Romani është një biografi e së ëmës, Pançita, me të cilën shkrimtarja ka qenë shumë e lidhur derisa ajo u ndaj nga jeta më 2018.

Më shumë se biografi, libri është shprehje e dëshirës së Allendes. Ndërkohë që protagonistja e romanit arrin pavarësinë dhe lirinë për shkak të aftësisë që ka për të bërë biznes, e ëma e Allendes ka qenë e varur nga të dy bashkëshortët e njëpasnjëshëm. Po ashtu, Violeta e romanit është e fortë dhe luftarake, por jo shumë e emancipuar kur vjen puna te dashuria. 

Romani, i cili shtrihet në një periudhë kohore prej një shekulli, është për çudi shumë aktual. Ai fillon me lindjen e Violetës në vitin 1920 dhe përfundon me pandeminë e COVID-it, njëqind vjet më vonë.

Tetëdhjetëvjeçarja nuk ka ndër mend të ndalojë të shkruarit. "Mua më pëlqen shumë të shkruaj. Njerëzit më thonë: 'Nuk ke nevojë të shkruash akoma, ti je shumë e moshuar'", i tha shkrimtarja agjencisë së lajmeve "AFP", duke shtuar, "Por unë e dua shkrimin. Pse ta ndaloj?”/DW

Lajmet e fundit nga