LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Qytetarët vuajnë pasojat/ Kompanitë e naftës përfitojne shifra marramendëse nga lufta Rusi-Ukrainë

14 Shkurt 2023, 08:34, Ekonomi CNA

Qytetarët vuajnë pasojat/ Kompanitë e naftës përfitojne

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm, dhe kompanitë energjetike kanë fituar shumë para, në një kohë që familjet dhe bizneset kanë hasur vështirësi të mëdha. Çmimet e naftës janë aktualisht larg rekordit që u shënua në fillim të luftës dhe gjatë verës së vitit të kaluar, por embargoja europiane ndaj naftës së rafinuar ruse që hyri në fuqi më 5 shkurt të këtij viti mund të rrisë sërish çmimet.

Kontrasti midis suksesit të jashtëzakonshëm të kompanive të naftës dhe vështirësive të konsumatorëve ka ngjallur prej muajsh jo pak zemërim. Nga njëra anë ka kompani private që shesin në mënyrë legjitime një lëndë të parë, çmimi i së cilës rritet për arsye të dukshme përtej kontrollit të tyre, duke arkëtuar fitime të mëdha.

Në ana tjetër janë konsumatorë që po i vuajnë këto rritje çmimesh në fronte të ndryshme, kur shkojnë për të furnizuar makinat me karburant, por edhe kur blejnë në supermarket produkte me çmime më të larta, pasi janë rritur kostot e transportit, të cilat reflektohen në çmimin e mallrave.

Prandaj, shumë qeveri në vendet perëndimore kanë vendosur taksa të jashtëzakonshme mbi fitimet shtesë të kompanive energjetike, në mënyrë që një pjesë e të ardhurave të tyre shtesë të mund të rishpërndahen në formën e ndihmës dhe subvencioneve për ata që paguanin më shumë për energjinë.

Çmimi i naftës është rritur shumë krahasuar me 3 vite më parë. Për shkak të pandemisë, vendet prodhuese e kishin reduktuar furnizimin me naftë për t’iu përshtatur konsumit shumë të ulët, duke qenë se udhëtimi dhe lëvizja ishin të ndaluara. Kur u hoqën kufizimet, oferta e vendeve prodhuese nuk u rrit aq shumë sa kërkesa, duke e bërë naftën një produkt më të rrallë dhe për pasojë më të shtrenjtë.

Për më tepër, vendet prodhuese synojnë të vazhdojnë që t’i mbajnë çmimet të larta për të fituar sa më shumë dhe nuk kanë ndërmend të rritin ofertën. Përveç kësaj arsyeje strukturore, lufta në Ukrainë e ka rënduan më tej situatën.

Qytetarët vuajnë pasojat/ Kompanitë e naftës përfitojne

Rusia ishte një nga prodhuesit më të rëndësishëm të naftës në botë, dhe Perëndimi ka vendosur sanksione pikërisht ndaj eksporteve të saj për ta goditur ekonomikisht Moskën. Vitin e kaluar çmimet u rritën mbi 100 dollarë për fuçi, një nivel i paparë prej vitesh. Megjithatë, që nga fundi i verës së vitit të kaluar, çmimet janë stabilizuar rreth shifrës 80 dollarë. Sa për krahasim, në pranverën e vitit 2020 çmimi i naftës ishte rreth 20 dollarë për fuçi.

Në këtë mënyrë, kompanitë e naftës kanë fituar shumë më tepër se në të kaluarën, sepse kostot e tyre (për nxjerrjen, rafinimin, shitjen) kanë mbetur gati të njëjta. Sipas llogaritjeve që bën agjencia e lajmeve "Reuters", fitimet e kompanive më të mëdha energjetike perëndimore (Shell, BP, TotalEnergies, Chevron, ExxonMobil) arritën në 200 miliardë dollarë gjatë vitit të kaluar.

Vetëm fitimet e kompanisë Shell arritën në 39.9 miliardë dollarë, ose 2-fishi i vitit 2021 dhe më i larti në historinë 115-vjeçare të kësaj kompanie. Konglomerati amerikan ExxonMobil raportoi fitime prej 55.7 miliardë dollarësh gjatë viti 2022, ose më shumë se 2-fishi i vitit 2021. Edhe British Petroleum duket se i ka dyfishuar fitimet e saj në krahasim me vitin 2021, duke arritur në gati 28 miliardë dollarë.

Në vitin 2023 fitimet pritet të bien në 158 miliardë, një shifër që është gjithsesi shumë më e lartë se ato të vitit 2021. Vlerësimi bazohet në çmimet aktuale, rreth 80 dollarë për fuçi, por fillimi i embargos ndaj naftës së rafinuar ruse mund të rrisë sërish çmimet dhe rrjedhimisht edhe fitimet e kompanive.

Nga lufta fituan shumë edhe kompanitë italiane. ENI e mbylli 3-mujorin e tretë të vitit 2022 me një fitim neto prej 3.73 miliardë eurosh, një rritje prej 161 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Në 9 muajt e parë të 2022-shit regjistroi fitime prej 10.8 miliardë euro, ose 311 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Prandaj, shumë qeveri perëndimore kanë vendosur të ashtuquajturën taksë e papritur, një taksë e jashtëzakonshme që zbatohet sipas gjykimit të qeverive ndaj kompanive të caktuara që po përfitojnë nga rrethana të paparashikuara dhe të jashtëzakonshme.

Pra gati kudo janë vendosur taksa mbi fitimet shtesë të kompanive të naftës. Por në përgjithësi ndaj të gjitha kompanive energjitike, që janë pasuruar shumë për shkak të efekteve të luftës në Ukrainë. Objektivi i kësaj takse është mbledhja e fondeve për financimin e masave në favor të atyre që janë në disavantazh nga situata, si qytetarët dhe bizneset që e shohin veten duke paguar shumë karburant dhe energji në përgjithësi.

Italia ishte një nga vendet e para që e zbatoi atë. Taksa u vendos në mars 2022 nga qeveria e Mario Dragit dhe parashikonte një taksë mbi fitimet shtesë të kompanive në sektorin e energjisë, gazit dhe naftës që është e barabartë me 25 për qind.

Ministria e Ekonomisë llogariste në buxhet një shtesë prej 10.5 miliardë eurosh vetëm nga kjo taksë. Por më pas, për një sërë arsyesh të lidhura edhe me vështirësinë e llogaritjes së shumës së detyrimit, kompanitë preferuan të mos paguanin, duke u bazuar tek antikushtetutshmëria e ligjit.

Ndaj gjatë vitit të kaluar shteti italian arkëtoi pak më shumë se 1 miliard euro nga këto kompani. Qeveria aktuale e Melonit ka vendosur ta rrisë këtë vit taksën nga 25 në 50 për qind. Në shtator 2022, Bashkimi Europian njoftoi futjen e një takse të ngjashme, të cilën e quajti “kontribut solidariteti”.

Ajo paguhet nga prodhuesit e lëndëve djegëse fosile, përveç taksave kombëtare. Masa kërkon një taksë prej të paktën 33 për qind për çdo fitim të tatueshëm për vitet 2022 dhe 2023 që i tejkalon me të paktën 20 për qind fitimet mesatare midis viteve 2018-2021.

Edhe Britania e Madhe ka vendosur taksën e saj mbi fitimet shtesë. Kryeministri aktual Rishi Sunak e ka përcaktuar taksën në nivelin 25 për qind që kur ishte ende Ministër i Financave gjatë qeverisë së Boris Xhonson. Por kjo taksë është rritur në 35 për qind nga Ministri aktual i Financaven Xheremi Hant.

Megjithatë, qeveria e Sunak është kritikuar pse nuk ishte edhe më e ashpër ndaj kompanive energjetike. Për muaj të tërë kompania Britani Shell, tha se nuk kishte ndërmend të paguante taksa, sepse aktivitetet e saj ishin thuajse që të gjitha jashtë vendit.

Megjithatë, ajo njoftoi të enjten se kishte paguar 134 milionë paund për qeverinë britanike dhe mbi 500 milionë për Bashkimin Europian. Nga pikëpamja e drejtësisë, të gjithë ekonomistët bien dakord se një taksë e jashtëzakonshme mbi fitimet e mëdha të këtyre kompanive falë luftës është shumë e arsyeshme, pikërisht për shkak të synimit për të mbledhur fonde për financimin e masave për të mbështetur familjet dhe bizneset, fatura e energjisë së të cilëve është rritur ndjeshëm.

Por ndërkohë ka edhe rreziqe. Sepse kompanitë e tatuara mund të adoptojnë sjellje jotransparente për të mos e paguar detyrimin. Ato mund të zhvendosin zyrat e tyre tatimore dhe mund të kërcënojnë të mos investojnë më, apo edhe të tërheqin investimet në vendet ku nuk kërkohen këto taksa.

Kjo do të kishte pasoja sociale serioze, për shkak të humbjes së të ardhurave dhe vendeve të punës. Kompania amerikane ExxonMobil, furnizuesi më i madh i naftës në Europë, ka paditur Bashkimin Europian për taksën e solidaritetit. Sipas drejtuesve të kompanisë, një taksë mbi fitimet shtesë do të dekurajonte investimet. Megjithatë, shumë analistë kanë theksuar se këto fitime shtesë, kanë shërbyer shpesh për t’u paguar dividentë më të mëdhenj aksionerëve dhe jo për të financuar zgjerimin e biznesit.

Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga