LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A e shmang depresionin konsumimi i shpeshtë i frutave?

24 Korrik 2022, 12:50, Blog CNA

A e shmang depresionin konsumimi i shpeshtë i frutave?

Njerëzit që hanë shpesh fruta, kanë më shumë gjasa të raportojnë një mirëqenie më të madhe mendore pozitive, dhe kanë më pak të ngjarë të raportojnë simptoma të depresionit, sesa ata që nuk hanë shumë fruta. Në këtë përfundim, ka arritur një studim i ri nga Kolegji i Shkencave të Shëndetit dhe Jetës i Universitetit Aston.

Gjetjet e studiuesve, sugjerojnë se shpeshtësia e ngrënies së frutave, është më e rëndësishme për shëndetin tonë psikologjik sesa sasia totale e tyre që konsumojmë gjatë një jave të zakonshme.

Po ashtu, ekipi zbuloi se njerëzit që hanë ushqime të shijshme si patatinat, të cilat kanë nivele të ulëta në lëndë ushqyese, kanë më shumë gjasa të raportojnë nivele më të larta të ankthit.

I botuar në “British Journal of Nutrition”, studimi anketoi 428 të rritur nga e gjithë Mbretëria e Bashkuar, dhe analizoi marrëdhënien midis konsumit të frutave, perimeve, ushqimeve të ëmbla dhe të shijshme dhe të shëndetit të tyre psikologjik.

Pas marrjes parasysh të faktorëve demografikë dhe të stilit të jetesës si mosha, shëndeti i përgjithshëm dhe stërvitja, hulumtimi zbuloi se frutat e pasura me lëndë ushqyese dhe ushqimet e shijshme, por të varfra me lëndë ushqyese, dukeshin të lidhura me shëndetin psikologjik.

Po ashtu, ata zbuluan se nuk kishte asnjë lidhje të drejtpërdrejtë midis ngrënies së perimeve dhe shëndetit psikologjik.

Bazuar te sondazhi, u pa se sa më shpesh që njerëzit hanin fruta, aq më pak ata ishin të rrezikuar nga depresioni, dhe aq më të larta ishin rezultatet e testit për mirëqenien mendore, pavarësisht nga sasia e përgjithshme e ngrënies së frutave.

Njerëzit që konsumonin shpesh ushqime të shijshme me lëndë ushqyese të varfër (si patate të skuqura) kishin më shumë gjasa të përjetonin “gafa të përditshme mendore” (të njohura si dështime subjektive njohëse), si dhe të raportonin një mirëqenie mendore më të dobët.

Një numër më i madh gabimesh shoqërohej me simptoma më të larta të raportuara të ankthit, stresit dhe depresionit, dhe me rezultate më të dobëta të mirëqenies mendore.

Ndërkohë, nuk kishte asnjë lidhje midis këtyre gabimeve të përditshme të kujtesës, dhe konsumimit të frutave dhe perimeve apo ushqimeve të ëmbla, duke sugjeruar një marrëdhënie unike midis këtyre ushqimeve të shijshme e të varfra me lëndë ushqyese, gabimeve të përditshme mendore dhe shëndetit psikologjik.

Shembuj të këtyre gabimeve të vogla mendore të përditshme, përfshinin harresën se ku ishin vendosur sendet, harrimin e synimit të hyrjes në ambiente të caktuara, dhe pamundësinë për të rikujtuar emrat e të njohurve, emri i të cilëve ishte në fakt në “majë të gjuhës”.

Autorja kryesore e studimit Nikola-Xhejn Tak tha: “Ndërsa dihet shumë pak se si dieta ushqimore mund të ndikojë mbi shëndetin mendor dhe mirëqenien psikologjike, dhe gjatë studimit tonë ne nuk e shqyrtuam drejtpërdrejt shkakësinë, gjetjet tona mund të sugjerojnë se konsumimi i shpeshtë me ushqime të shijshme, por me lëndë ushqyese të varfra, mund të rritë çdo ditë mangësitë mendore, gjë që e redukton shëndetin psikologjik”.

Studime të tjera kanë zbuluar një lidhje midis frutave dhe perimeve dhe shëndetit mendor, por pak i kanë analizuar veçmas frutat dhe perimet, dhe akoma më pak vlerësojnë frekuencën dhe sasinë e konsumit të tyre.

“Si frutat dhe perimet janë të pasura me anti-oksidantë, fibra dhe mikro-ushqyes thelbësorë, të cilët nxisin funksionin optimal të trurit. Por këto lëndë ushqyese mund të humbasin gjatë gatimit. Meqenëse kemi më shumë gjasa të hamë fruta të papërpunuara, kjo mund të shpjegojë ndikimin e tyre më të fortë mbi shëndetin tonë psikologjik.

Ka të ngjarë që ndryshimi i asaj që hamë, të jetë një mënyrë vërtet e thjeshtë dhe e lehtë për të përmirësuar mirëqenien tonë mendore. Në të kundërt, është e mundur që kufizimi i ardhshëm i ushqimeve të përpunuara, të përmirësojë jo vetëm shëndetin fizik por edhe atë mendor“-thotë ekspertja.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga