web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

SPAK dërgoi për gjykim kryebashkiakun/ Reagojnë avokatët e Veliajt

10 Shtator 2025, 19:25, Aktualitet CNA

SPAK dërgoi për gjykim kryebashkiakun/ Reagojnë avokatët e

Avokatët e kryebashkiakut Erion Veliajt kanë reaguar pasi SPAK ka dërguar për gjykim kryetarin e Bashkisë, bashkëshorten e tij si dhe personat e tjerë të marrë të pandehur duke nisur nga biznesmenët, Elman Abulen dhe Klotilda Bushkën.

Avokatët thonë se kryebashkiaku i mohon kategorikisht akuzat siç ka bërë që prej fillimit.

Më tej shprehen se nuk ka asnjë provë, fakte apo dokument për abuzimin me detyrën të kryebashkiakut.

Në fakt kjo gënjeshtër e avokatëve të Veliajt rrëzohet pikërisht nga ato që SPAK ka renditur në hetimet ndaj kryebashkiakut.

Sipas SPAK janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se i pandehuri Erion Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e përmendura më sipër, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar nga bashkëshortja e tij, e pandehura Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me të.

Gjithashtu,të pandehurit, për shkak të funksionit që kryen shtetasi Erion Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë. Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

Përveç sa më lart, Kryetari i Bashkisë Tiranë, i pandehuri Erion Veliaj, në ushtrim të funksioneve të tij, ka kryer veprime konkrete në kundërshtim me ligjin, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, në funksion të përfitimit të të mirave materiale në mënyrë të padrejtë, por edhe me pasoja konkrete në dëm të interesave të shtetasve dhe shtetit, përsa i përket miratimit të një PDV dhe më pas lejes së ndërtimit për një objekt shumëkatësh banimi, mbi një sipërfaqe trualli ku bashkëshortja e tij ka interesa pasurorë.

Veprimet e të zgjedhurit vendor provohet se janë kryer në kushtet e konfliktit të interesit, në mungesë të plotë të kompetencës funksionale si edhe në shkelje të procedurave që ligji përcakton për miratimin e një akti administrativ, siç është në rastin konkret Plani i Detajuar Vendor. Në këtë mënyrë, ky shtetas provohet të ketë konsumuar elementët përbërës të nenit 248 të Kodit Penal.

Pra nga hetimet e kryera nga SPAK, Erion Veliaj kryekëput dhe i kapur në shpërdorim detyre.

Në fakt, shpërdorimin e detyrës nga ana e kryebashkiakut e denoncuar dhe CNA përmes një sërë shkrimesh që po ua sjellim më poshtë, mbase e kuptojnë edhe avokatët se klienti i tyre ka abuzuar me detyrën.

 

Deklarata për shtyp e avokatëve të Erion Veliajt

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vazhdon t’i mohojë kategorikisht të gjitha akuzat për shkelje, ashtu siç ka bërë që prej fillimit të hetimit, dy vite më parë.

Në asnjë faqe të kërkesës për gjykim nuk provohet:

•asnjë lidhje midis veprimtarisë së tij si Kryetar i Bashkisë dhe ndonjë privilegj të paligjshëm për ndonjë subjekt privat;

•asnjë abuzim me detyrën publike që i është besuar për tre mandate nga qytetarët e Tiranës;

• dhe mbi të gjitha:

Asnjë provë

Asnjë fakt

Asnjë dokument

Përkundër përshtypjeve që synon të krijojë deklarata e SPAK-ut, asnjë gjyqtar paraprak apo gjykatë nuk ka shqyrtuar ende ndonjë nga akuzat apo ndonjë provë në mbështetje të tyre.

Ne jemi të shqetësuar nga shpërfillja e normave bazë që udhëheqin zhvillimin e hetimeve dhe ndjekjeve të ngjashme penale në një sistem drejtësie demokratik. Asnjë hetues apo prokuror i pjekur dhe i përgjegjshëm, që është i ndërgjegjshëm për rolin e tij në procesin e drejtësisë, nuk duhet të bëjë deklarata të kësaj natyre. Kjo nuk është vetëm në kundërshtim të plotë me prezumimin e pafajësisë, por në rastin më të mirë tregon një keqkuptim themelor, ose në rastin më të keq, një shpërfillje totale të parimeve themelore të drejtësisë penale.

Thënë thjesht, nëse një prokuror e ka “provuar” një çështje kundër një të pandehuri sipas standardit të kërkuar, është një çështje që i takon vetëm gjykatës së shqyrtimit. Deklarata publike e SPAK-ut duket se është hartuar për të shkaktuar paragjykimin maksimal ndaj z. Veliaj, si në opinionin publik, ashtu edhe në çdo gjykatë. Kjo sjellje është në përputhje me veprimet e SPAK-ut gjatë gjithë hetimit, ku kanë ndodhur shkelje të përsëritura, sistematike dhe të rënda të procesit të rregullt ligjor.

Ky është një proces që:

•          ka nisur mbi një kallëzim anonim dhe të falsifikuar;

•          është zhvilluar për një periudhë prej të paktën 7 muaj, pa asnjë autorizim të vlefshëm ligjor;

•          është mbështetur në hapje të korespondecave private pa autorizim të gjykatës dhe parashikim të ligjit;

•          ka përfshirë deklarime vetëinkriminuese të marra nën presion;

•          është drejtuar nga një individ që nuk ka qenë asnjëherë prokuror ligjërisht i Republikës;

•          ka shkelur në mënyrë flagrante afatet hetimore të përcaktuara nga ligji;

•          ka mohuar brutalisht të drejtën e mbrojtjes dhe kundërshtimeve ndaj hetimit.

Z. Veliaj i është caktuar një masë sigurimi e jashtëzakonshme dhe krejtësisht disproporcionale, në një kohë kur është në ushtrim të një mandati kushtetues si Kryetar i zgjedhur i Bashkisë Tiranë, me mbështetjen e 160 mijë qytetarëve që i besuan drejtimin e qytetit më të madh shqipfolës.

Ne si përfaqësues ligjorë të z. Veliaj mbetemi të vendosur të çmontojmë, rresht pas rreshti, çdo pretendim të ngritur mbi këtë proces të montuar me shkelje. Jo vetëm për të mbrojtur qytetarin e parë të Tiranës, që ka ushtruar funksionin e tij me përgjegjësi kushtetuese dhe devocion, por për të mbrojtur vetë besimin e qytetarëve te drejtësia dhe rendi kushtetues.

Çdo rresht i asaj kërkese të nisur në gjykatë, do të çmontohet po aty dhe bazuar në ligj./ CNA





Lajmet e fundit nga