web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Skandali/ Bashkia e Tiranës, palë në sulmin e Veliajt ndaj prokurorit

16 Mars 2026, 09:30, Aktualitet CNA

Prej me shumë se një viti në burg, kryebashkiaku i arrestuar për 13 akuza dhe 5 vepra të rënda penale, Erion Veliaj, ka sulmuar me skema, skenarë, dirigjime, me raporte lobuese 220 mijë dollarëshe deri në Departamentin e Drejtësisë në ShBA, prokurorët, gjyqtarët dhe drejtësinë.

Veliaj ka kryer një fushatë të gjerë sulmesh ndaj prokurorit të çështjes, Ols Dado, me akuza të cilat nuk ka mundur t’i vërtetojë dot, me manipulime, me mashtrime që edhe sot pas një viti nuk nxjerr dokumentin me firmën e tij për gënjeshtrën ku thotë se Ols Dado i ka kërkuar shtesë mbi lejen e ndërtimit, apo për mashtrimet që dërgon në Departamentin e Drejtësisë, ku gënjen duke thënë se Ols Dado është aktivist i PD-së. (LEXO KETU)

Veliaj e vijon sulmin e tij ndaj drejtësisë nga frika e përballjes me 13 akuzat e rënda, 9 prej të cilave janë për korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim i produkteve të veprës penale, fshehje e pasurisë dhe futja e sendeve të ndaluara në qeli. 

Më 20 janar të vitit 2026, Veliaj paditi në Gjykatën Administrative prokurorin Ols Dado, duke kërkuar shkarkimin e tij dhe shpalljen e emërimit të tij të paligjshëm.

Skandali/ Bashkia e Tiranës, palë në sulmin e Veliajt ndaj
Padia e Veliajt ndaj prokurorit Ols Dado në Gjykatën Administrative

Në padi thuhej se prokurori Ols Dado nuk kishte plotësuar kriteret ligjore për t’u bërë prokuror në vitin 2008, megjithëse duhet theksuar se Dado ka kaluar me sukses të gjitha shkallët e vetingut dhe emërimi i tij është vlerësuar i ligjshëm nga institucionet përkatëse.

Por nuk mjafton kaq. Erion Veliaj ka tërhequr zvarrë në skandal edhe Bashkinë e Tiranës.

Burime zyrtare i thanë CNA-së se padia e bërë në Gjykatën Administrative kundër prokurorit Ols Dado, përfshin aty brenda Bashkinë e Tiranës.

Sipas të dhënave që siguroi CNA, por që u raportua edhe në mediat e tjera, Gjykata Administrative i ktheu padinë kryebashkiakut Veliaj dhe Bashkisë së Tiranës për plotësim dokumentacioni.

Sipas të dhënave u konfirmua se në padi u përfshi edhe Bashkia e Tiranës.

E vërteta është se askush nuk mund të firmosë në emër të Bashkisë së Tiranës.

Ajo që ndodh është një skandal, Erion Veliaj nga burgu i Durrësit porosit padi dhe i vendos emrin e institucionit, ndërkohë që e çon pa vulë, duke përfshirë dhe institucionin në sulmet e tij ndaj drejtësisë.

Për këtë çështje CNA i është drejtuar me një shkresë Bashkisë së Tiranës më datë 13 shkurt të vitit 2026.

Skandali/ Bashkia e Tiranës, palë në sulmin e Veliajt ndaj
Shkresa e CNA-së ndaj Bashkisë së Tiranës për rastin e padisë

Në shkresë, CNA ka kërkuar sqarime se cili është interesi ligjor i institucionit të Bashkisë së Tiranës në këtë padi dhe se pse një institucion publik përfshihet zyrtarisht në një padi administrative që lidhet me një individ, në këtë rast kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj.

Skandali/ Bashkia e Tiranës, palë në sulmin e Veliajt ndaj
Shkresa e CNA-së ndaj Bashkisë së Tiranës për rastin e padisë

Ndër të tjera CNA ka kërkuar praktikën e plotë të zyrtarëve që kanë firmosur për të përfshirë zyrtarisht institucionin e Bashkisë së Tiranës në këtë padi, listën e emrave të atyre që kanë miratuar këtë procedurë dhe kopjen e dokumentit që mban vulën e Bashkisë së Tiranës.

Tashmë ka kaluar më shumë se një muaj dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Ky është një skandal që administrata e Bashkisë së Tiranës nuk i përgjigjet interesit të mediave për një çështje të rëndësishme.

Por CNA nuk do të ndalet dhe për këtë çështje do t'i drejtohemi Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Institucioni nuk mund të bëhet palë me persona të akuzuar 9 herë për korrupsion, të cilët duan t’i shmangen drejtësisë dhe me procedura e teknikalitete, në vend që të shkojnë dhe të provojnë pafajësinë e tyre, gjejnë instrumente për të ngritur tymnaja./ CNA





Lajmet e fundit nga