web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Miratohet nisja e negociatave për heqjen e roaming me BE, së shpejti tarifa të njëjta kur udhëtoni

4 Qershor 2026, 18:05, Aktualitet CNA

Miratohet nisja e negociatave për heqjen e roaming me BE, së shpejti

Këshilli Europian njoftoi sot miratimin e hapjes së negociatave për heqjen e tarifave roaming mes Bashkimit Europian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Vendimi në fjalë i hap rrugën Komisonit Europian për të nisur negociatat individuale me secilin prej shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Heqja e tarifave roaming nënkupton se abonentët e shërbimeve celulare në Shqipëri dhe vendet e tjera të Rajonit do të përdorin numrat e tyre në vendet e Bashkimit Europian me të njëjtat tarifa si në vendin e tyre.

Bashkimi Europian u bë hapësira e parë e përbashkët që vendosi heqjen e tarifave roaming, sipas parimit roam like at home, duke filluar nga muaji qershor 2017. Modeli i Bashkimit Europian u zbatua edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që, me koordinimin dhe ndërmjetësimin e Komisionit Europian, në vitin 2019 ndërmorën një proces të ngjashëm.

Heqja e tarifave roaming mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk ka një afat të përcaktuar kohor dhe ecuria e tij do të varet nga negociatat që do të zhvillohen me secilin vend të rajonit.

Ky proces do të kërkojë edhe ndryshime ligjore në secilin prej këtyre vendeve.

Qeveria shqiptare ka përgatitur disa ndryshime në ligjin “Për komunikimet elektronike”, që, mes të tjerash, do të krijojnë bazën ligjore për rregullimin e roaming mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Pritet që ndryshimet ligjore të miratohen këtë vit.

Tarifat roaming mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian nuk janë ligjërisht të rregulluara, por që prej vitit 2023, me ndërmjetësimin e Komisionit Europian, 38 operatorë të shërbimeve celulare të BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor arritën një marrëveshje për uljen e tarifave roaming të internetit.

Nga dy operatorët celularë shqiptarë, vetëm One Albania u bë pjesë e marrëveshjes, por sidoqoftë edhe Vodafone Albania ofron tarifa të ngjashme preferenciale për përdorimin e shërbimeve të kompanive të tjera të grupit Vodafone në BE.

Operatorët që u bënë pjesë e marrëveshjes ranë dakord për vendosjen e një niveli maksimal të çmimit të shitjes me pakicë 18 euro/GB (gigabajt) duke filluar nga 1 tetori 2023, ndërsa që nga fillimi i këtij viti çmimi tavan është ulur në 14 euro/GB.

Marrëveshja parashikon edhe një etapë të tretë, që do t’i ulë çmimet në 9 euro/GB, duke filluar nga viti 2028.

Marrëveshja u ka mundësuar përdoruesve të telefonisë celulare nga Shqipëria çmime më të ulëta të përdorimit të internetit gjatë kohës kur ndodhen në vendet e Bashkimit Europian, si edhe, anasjellas, edhe turistëve të huaj të përdorin internetin me çmime më të lira në Shqipëri.

Përdoruesit e telefonisë celulare të të dyja kompanive celulare shqiptare kanë sidoqoftë në dispozicion paketa komunikimi në roaming me kosto edhe më të ulët, kundrejt një çmimi fiks.

Marrëveshja për uljen e tarifave të internetit në roaming me vendet e BE-së ndoqi marrëveshjen e arritur në vitin 2019, për uljen deri në  heqjen e plotë të tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Prej fundit të qershorit 2021, përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë komunikojnë gjatë udhëtimeve në vendet e tjera të rajonit pa kosto shtesë dhe me të njëjtat tarifa të planit kombëtar përkatës./ Revista Monitor





Lajmet e fundit nga