web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

KPP, si grup i strukturuar kriminal që grabit bizneset

11 Janar 2026, 13:00, Aktualitet CNA

Komisioni i Prokurimit Publik është një institucion, që në fakt quhet i pavarur me rolin e një “gjykate”, për ankimimet që bëjnë bizneset në lidhje me procedurat që kanë në fushën e prokurimeve publike. Komisioneri i Prokurimit Publik, pra KPP-ja, quhet si organ i lartë administrativ që shqyrton ankesat që vijnë nga koncesionet, partneriteti publik-privat, ankande, procedura konkuruese, lejet, etj.

KPP, si grup i strukturuar kriminal që grabit bizneset

KPP-ja ka 5 anëtarë, një kryetar, një nënkryetar dhe anëtarët e tij, të cilët emërohen nga Kuvendi me propozim të Këshillit të Ministrave dhe kanë një mandat 5 vjeçar dhe rizgjidhen vetëm një herë.

KPP, si grup i strukturuar kriminal që grabit bizneset
Joanid Myzyri

Kryetari i KPP-së, Joanid Myzyri është marrë i pandehur nga SPAK-u dhe në detyrë tashmë ka vetëm katër anëtarë.

KPP, si grup i strukturuar kriminal që grabit bizneset
Nënkryetari Fiorent Zguro

KPP drejtohet nga nënkryetari Fiorent Zguro dhe antarët Anila Malaj, Kreshnik Tërnova dhe Gjergj Mersini.

Megjithëse quhet një institucion i pavarur dhe financohet nga buxheti i shtetit, anëtarët e këtij komisioni kuptohet zgjidhen nga partia dhe kalojnë formalisht nga kuvendi, “varen” direkt nga ministrat miq, kryeministri apo lobimet e ndryshme politike. “Shiten” si personalitete apo personazhe të pavarur, por janë krejtësisht të varur, përtej politikës.

Pse e quajtëm një grup të strukturuar kriminal?

Jonaid Myzyri, ish-kreu i KPP-së, nën akuzë nga SPAK-u pas sigurimit të disa përgjimeve nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme, të cilët gjatë hetimeve kishin vënë në përgjim një zyrtare dhe më pas kanë mundur të ngrenë akuzën, atë të shkeljes së barazisë në tendera, ku i pandehur është marrë dhe kryetari i institucionit, Jonaid Myzyri pas pesë vitesh hetime. Agjentët zbardhën bisedën e zyrtares me nënën ku flitet për vjedhjen e 200 mijë eurove në banesën e saj dhe shfaqet e shqetësuar për marrjen peng të vëllait të saj nga grabitësit e maskuar.

Në një nga bisedat, zyrtarja shprehet se, ndër të tjera, “po firmosim si delet për atë xhuxhin”. Një frazë që për prokurorët shihet si një referencë e qartë ndaj titullarit të KPP-së, Jonaid Myzuri.

Hetimi ndaj këtij të fundit nisi në vitin 2020 kur ai mori detyrën, pas dyshimeve se kishte diktuar veprimet e anëtarëve të tjerë të KPP në rastet e shqyrtimit të ankesave ndaj procedurave të prokurimit. Akuza ka të bëjë me tenderin për mirëmbajtjen e aksit rrugor 58.7 kilometra Shpal-Ura e Repsit me vlerë 2.29 milionë Euro.

Po me anëtarët e tjerë, çfarë ndodh?

Këta janë të ndikuarit në të paktën një rast. Tani që Jonaid Myzyri është pezulluar nga detyra dhe është nën akuzë KPP ka tjetër drejtues dhe antarët vazhdojnë detyrën. Nuk janë nën ndikimin e Jonaidit, po kush i ndikon për vendimet e tyre skandaloze, sërish marrin urdhra apo mbudhin xhepat me paratë e biznesit nga tenderat me taksat e shqiptarëve.

Për të vërtetuar këtë mjafton të shohin se cilat janë standardet që ndjek KPP-ja.

Në të paktën rreth 15 apo 20 praktika që CNA ka verifikuar, rezulton që e zeza bëhet e bardhë dhe e bardha bëhet e zezë. Kuptohet paraja hedh ujin në hava, thotë populli.

Vetëm gjatë vitit 2025, KPP ka shqyrtuar gati 1200 ankesa dhe ka dhënë 1900 vendime, nga rreth 250 autoritete kontraktuese dhe rreth 360 operatorë të ndryshëm ekonomikë. Pra, ne kemi parë në 1900 vendime vetëm 15 apo 20, ku ato përgjimet e firmosjet e Jonaidit janë ku thërret qameti me mjashtrat në detyrë.

Në variantin 'hiqja Lenës, vëja Prenës', ky “grup i strukturuar kriminal”, ka emra dhe është institucion shtetëror. Nuk ka të bëjë me një tender të vetëm apo me ndonjë kompani, por ka të bëjë me dhjetëra raste ku rrëzohen vendimet e KVO-së apo miratohen vendimet e KVO-së.

Pra e thënë më thjeshtë, bëhet një garë konkurruese, është Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ai që bën shpalljen në institucionin përkatës. Në rast se humbësi e ka çuar në KPP, subjekti fitues që do ta fitojë kërkon ta lërë në fuqi vendimin. Këtu fillojnë pazaret. Tarifa e lënies në fuqi shkon nga 5 deri 10%. Në rast se do përmbyset, shkon 20% e më tepër.

Në KPP bëhet kërdia

Më pas çështjet shkojnë edhe në gjykatë, me dhjetëra raste të fituara, ndoshta dhe të tjera të humbura, por grupi i KPP-së i drejtuar nga Jonaidi dikur, tani nga një tjetër skandaloz si Fiorent Zguro vazhdon detyrën.

KPP është një institucion i korruptuar, ku përqindjet përmbysin tenderat sa në një kompani në një tjetër. E thënë thjeshtë, në rast se ti fiton tenderin dhe të ankimon konkurrenti, ti duhet t'i japësh lekët në KPP që të mbash vendimin. Në rast se konkurrenti është më i fortë se ty në pagesë, KPP-ja e përmbys vendimin.

CNA ka verifikuar rreth 15 raste ku e zeza është e bardhë dhe e bardha është e zezë, ku KPP-ja funksionon tërësisht si një grup i strukturuar kriminal, si një bandë gjobaxhinjsh ndaj bizneseve.

Ato që i janë gjetur Jonaidit janë asgjë me atë që vazhdon të ndodhë në KPP. Myzyraj “ra dëshmor”, por të tjerët janë në krye të pazareve. 

Ndonjë anëtar i KPP-së kalon edhe si përfaqësues i pjesë e dosjeve të SPAK-ut. Ndonjëri edhe te “grupi i strukturuar kriminal” i AKSHI-t, nga ku është emëruar apo është mbështetur që të vejë në KPP. Të tjerë me tentakula politike të ministrave, dikush tjetër me Ramën direkt, apo me Agaçin dhe lidhjet që shkojnë edhe përtej politikës, nga përfaqësuesit e biznesit tek krimi.

KPP kupolë korrupsioni

KPP-ja nga një institucion i pavarur, që duhet të bëjë drejtësi kur garat që bëhen në institucione kanë problematika, kanë shkelje ligjore atëherë duhen standarte e drejtësi. Sot KPP shërben si një çati për të mbushur xhepat e këtij grupi kriminal, që SPAK nuk mund ta lërë me Jonaidin. Duhet t'i hyjë në themel pasi KPP-ja është kthyer në strukturë përtej kriminale. Mjafton të shkosh në KPP,  që të kuptosh se çfarë ndodh me prokurimet publike në Republikën e Shqipërisë. Nga hajdutët e poshtëm deri te kupola lart.

Mjafton të “kapet për fyti” KPP-ja për të kuptuar të vërtetën e korrupsionit në piramidën e prokurimeve publike, si përmbysen tenderat, si fitohen në vlera maksimale, si paravendosen apo përmbysen të tjerë. Tenderat në Unazën e Tiranës, që po heton SPAK, në krahasim me ato që bën KPP-ja, janë një pikë ujë në oqean. “Oqeani” i korrupsionit në majë të piramidës ka KPP-në. Aty hapen dhe mbyllen pazaret më të mëdha, aty hapen dhe mbyllen tenderat, duke u përmbysur me përqindje që nga lënia në fuqi e vendimit me 10% deri tek 20 apo 30% për përmbysje të vendimeve të ndryshme që bën ky institucion.

KPP-ja funksionon tërësisht si një grup i strukturuar kriminal dhe është aty, në letra si një institucion i pavarur, por komplet nën kontroll politik korruptiv, në të gjithë strukturën e tij dhe siç theksuam, ne pamë shumë pak prokurime, rreth 15, të cilat janë kthyer përmbys, por ka me dhjetëra e me qindra të tjera ku e zeza bëhet e bardhë dhe e bardha bëhet e zezë, dhe përgjigja është e thjeshtë: Mjafton të kontrollohet KPP, vendiumet dhe xhepat e këtyre zyrtarëve për të kuptuar se si funksionon ky grup i strukturuar kriminal i zhytur në korrupsion dhe afera./CNA





Lajmet e fundit nga