web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Dyshohen për shpërdorim detyre/ AMP arreston katër punonjës policie në Shkodër

2 Korrik 2026, 19:48, Aktualitet CNA

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar katër efektivë të Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare në Shkodër, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.

Sipas AMP-së, arrestimi u krye pas marrjes së informacionit se shtetasi Hasan Verracaku, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, nuk ndodhej në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje nga forcat e policisë.

Pas veprimeve hetimore dhe procedurale, u arrestuan katër punonjës policie që kishin detyrën e monitorimit të zbatimit të masës së sigurisë, konkretisht: inspektor Dorjan Hasandoçaj, inspektor Gentian Xhanari, inspektor Dioniz Hotaj dhe punonjësi Ridvan Zefi

Ndërkohë, shtetasi Hasan Verracaku dyshohet se ka shkelur kushtet e masës së sigurisë të vendosur nga gjykata dhe për këtë arsye po hetohet për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Njoftimi i plotë: 

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria Rajonale Shkodër - Lezhë) ka arrestuar në flagrancë katër punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Menjëherë pas marrjes së informacionit se shtetasi Hasan Verracaku, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, nuk është konstatuar në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje dhe në ruajtje, specialistët e AMP-së kryen veprimet hetimore dhe procedurale përkatëse, në përfundim të të cilave u bë arrestimi në flagrancë, i punonjësve të policisë:

- Inspektor Dorjan Hasandoçaj;
- Inspektor Gentian Xhanari;
- Inspektor Dioniz Hotaj;
- Punonjësit Ridvan Zefi,

me detyrë pranë Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër

Ndërkohë shtetasi Hasan Verracaku dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga neni 323 i Kodit Penal, duke thyer kushtet e masës së sigurisë të caktuar me vendim gjykate.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet plotësisht e angazhuar në mbrojtjen e ligjit, integritetit institucional dhe besimit të qytetarëve tek institucionet e sigurisë. /CNA





Lajmet e fundit nga