A ekzistojnë numrat me fat apo ters?

27 Maj 2022, 12:28, Opinione Miron Çako
A ekzistojnë numrat me fat apo ters?
Foto ilustruese

Numrat janë të krijuar nga njeriu që nga lashtësia për t'u përdorur si për interes ekonomik, për matjen e sasisë së prodhimit, të taksave, në ndërtim, por edhe në kalendarë për matjen e kohës.

Në fillim numrat shpreheshin ose mateshin me gishtat e dorës dhe të këmbës, prandaj në shumicën e kulturave në formimin e numrave zë një simbol të veçantë 10-ta ose dhjetëshet.

Më vonë njerëzimi në zhvillimin e kulturave dhe qytetërimeve të ndryshme si në atë babiloneze, egjiptase, greke, romake etj, filluan që numrat primarë nga 1-shi deri te 9-ta korrespondonin me shkronjat e para të alfabetëve ose shpreheshin me ikona dhe simbolika që jepnin idenë e një numri të madh ose të vogël.

Njerëzit që i krijuan numrat ashtu si edhe më parë shkronjat, filluan të besojnë që brenda tyre fshihej një fuqi mistike dhe çelësi për të kuptuar gjithçka. Sipas popujve kaldeas të mesopotamisë, çdo element i universit ku përfshihet edhe njeriu vjen sipas një frekuence të caktuar që nga momenti i lindjes, dhe çdo gjë, qenie apo grimcë është fruti i një frekuence matematikore.

Kështu besonte dhe Pitagora (shekulli i VI pr. K) dhe pasuesit e Pitagorës, pitagoristët. Ata besonin se numrat përmbajnë thelbin ose çelsin mistik të gjërave, aq sa të gjitha ligjet ekzistuese të botës mund të deshifrohen me anë të numrave, prandaj duke njohur numrat ti kupton misterin e botës, strukturën e saj dhe ligjësitë e saj dhe të çdo qenieje që ekziston.

Aristoteli (shekulli i IV pr. K) që ishte një pitagorist na thotë se: "Numri është thelbi i të gjitha sendeve dhe se organizimi i universit në përgjithësi paraqet për nga përcaktimet e tij një sistem harmonik të numrave dhe të raporteve të tyre".

Teoria e pitagorës e fiksuar mbas matematikës, kombinimit të numrave si diçka më e ftohtë emocionale erdhi në botën pagane si një antitezë e çthurjes morale,  për një jetë të përmbajtur morale ndryshe nga ata që u besonin fjalëve dhe fuqisë së tyre magjike. Edhe këtë ai e besonte si një zbulim perëndish, sepse edhe veten e quante një gjysmë perëndi duke thënë: "Ekzistojnë njerëz dhe perëndi e qenie si Pitagora". Dhe Platoni shekulli i (V-IV pr. K) një pitagorian thoshte se “numrat janë perëndi”.

Edhe pse këto teori utopike u bënë mbisunduese për shekuj, përsëri këto nuk janë absolute, madje me zhvillimin e mëvonshëm të shkencës ekzakte të matematikës u panë si spekulative për sa i përket shprehjes së trashedentes ashtu si thotë edhe filozofi Hegeli (Shekulli 18-19): “Do të ishte paragjykim që numrat dhe figuracionet hapësinore të jenë të aftë të shprehin qenien absolute”.

Patjetër që kjo është një filozofi spekulative dhe vinte nga padituria njerëzore për fenomenet e natyrës dhe nga një egocentrizëm i njeriut që kërkonte ta gjente vetë misterin e ekzistencës së botës dhe vetë fatin e jetës së tij dhe ashtu si astrologjia, ku njerëzit  besonin  në ndikimin që kanë planetët, trupat qiellorë që njerëzit primitivë dhe të paditur i personalizonin me “perëndi” që ndikojnë në jetën dhe fatin e njeriut, po ashtu u krijua edhe numerologjia që beson në ndikimin e numrave që të gjenin kohën e përshtatshme kur të martohesh, të udhëtosh, të bësh bisnes, etj si këto besëtytni.

Jo vetëm atëherë kur njerëzit ishin të paditur ranë në astrologji dhe numerologji, por edhe sot pavarësisht diturisë në shkencën e astronomisë ose matematikës njerëzit vazhdojnë të besojnë në ndikimin fatalist të planeteve edhe numrave në jetën e tyre, duke rënë në astrologji dhe numerologji.

Sipas numerologjisë pagane emri përmban karakterin dhe ditëlindja fatin e çdo njeriu.

Sipas numerologëve, shkronjave e alfabetit që u përshtaten numrave dhe kur mblidhen numri i shkronjave të emrit të dikujt dhe del p.sh. shuma 234 mblidhen numrat 2+3+4 =9, pastaj sipas numerologjisë shikohet cila është fuqia e numrit 9 dhe kjo sipas tyre tregon personin ose karakterin e tij, ndërsa kur mblidhet ditëlindja tregohet fati i rezervuar për atë person.

Kjo është një idhujtari e rëndomtë dhe besëtytni qesharake dhe nuk do të na dilte koha që të jepnin të gjitha këto shpikje të mendjes së prishur njerëzore për të na treguar kombinimet e numrave se çfarë do të jenë dhe çfarë do t'u ndodhë njerëzve, pavarësisht përpjekjes dhe dëshirës së tyre.

Ata që u besojnë këtyre besëtytnive në qoftë se do të jenë të sinqertë me veten dhe do të shikojnë zhvillimin historik të numrave, nga vetë logjika e tyre do ta kuptojnë se kanë rënë në një mashtrim qesharak, por edhe djallëzor, si babai i gënjeshtës që ai është.(Joani 8-44)

Faktet historike dhe arkeologjike na tregojnë se kemi një shumëllojshmëri numrash të përdorur nga njerëzit në kohë dhe kultura të ndryshme, si ato Babilonas, Sumerian që janë datuar (4000 pr. K ), ata janë edhe pionierët e kalendarit numerik për numërimin e viteve, muajve, ditëve, orëve, minutave. Po ashtu kemi numrat egjiptas që datojnë (3500 pr. K).Të bazuar në hieroglife duke filluar nga (shekulli i VI-të pr. K) grekët si numrat primarë filluan të përdorin 9 shkronjat e para të alfabetit të saj.

Greqia e lashtë ishte shumë aktive në zhvillimin e historisë së numrave natyrorë, por edhe të matematikës në origjinën dhe kuptimin e saj modern. Kemi edhe numrat  romakë. Romakët numrat e plotë 1, 5, 10, 50, 100, 500, 1000, i treguan me inicialet I, V, X, L, C, D, M K. Këto numra përdoren deri më sot.

Po ashtu ekzistojnë numra kinezë, ose edhe indianë me shkronja: ?, ?, ?, ?, ?, ?, ?, ?, ?. Këta numra janë përdorur nga Arabët e Lindjes që nga (shekulli VIII pas Krishtit ose nga (viti 136-158) në kalendarin islam që fillon me hixhretin e Muhametit në Medinë (në 622 ps. K). Arabët u njohën me simbolet indiane të numrave të cilët  i përshtatën me alfabetin arab. Kurse numrat  që i njohim dhe i përdorim gjerësisht sot si 0, 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, janë përsëri arabë në (shekullin 9 ps.K).

Këto simbole numrash janë përdorur nga arabët e Afrikës së Veriut ose të përendimit, të Andaluzisë në Spanjën e pushtuar nga arabët (shekulli VII-VII ps K). Arabët këto numra i quanin numrat e pluhurit sepse i shkruanin në rërë për tregtinë e tyre. Ndoshta edhe këto numra si të parët mund të kenë ardhur nga india. Arabët futën edhe numrin 0 që e quajtën bosh, pa vlerë.

Këto numra gjetën përdorim në Europë dhe sot janë dominues dhe mendohet se u nxitën të përdoren nga Papa Silvester II (999-1003) i cili kishte studiuar në Andaluzi.

Pra, historiku i numrave deri më sot na thotë bindshëm se numrat, ashtu si shkronjat, nuk janë të krijuar nga hyjnorja që t'i adhurojmë, ose t'u besojmë fatin tonë, por krijesa të mendjes njerëzore nga nevoja për përdorim të përditshëm. Problemi qëndron siç e trajtuam më sipër, njerëzit u kanë dhënë atyre konotacion fetar për të shprehur hyjnoren, sakralen, në botën njerëzore.

Patjetër që njeriu do të shprehet me shkronja, numra dhe simbole që ai vetë i krijon me evolucion për të percjellë mesazhe, por gabimi është kur njerëzit shkronjat, numrat dhe simbolet, duke harruar faktin se janë të krijuara prej tij, i shikojnë si fuqi magjike të pavarura nga ndërgjegjja njerëzore dhe kështu i kthejnë ato mjete kumunikimi të pashpirt dhe logjikë në idhuj dhe kështu bie në fatalizëm. Kjo është arsyeja pse njerëzit në kultura të ndryshme besojnë në numra fatsjellës apo ters.

Le të përmendim disa besëtytni numerologjike.

P.sh. disa e shohin numrin 13 që sjell ters, fatkeqësi, vdekje, por të tjerë e kanë për mirë, si fatsjellës, rilindje.

Për disa kur numri 13 i një date kalendarike bie të premten ajo ditë quhet e premte e zezë. Kaq shumë janë të fiksuar ndaj tersllëkut të numrit 13 sa ka njerëz që ky fiksim u është bërë një problem psikologjik dhe është analizuar edhe në psikologji si një patologji. Ka hoteleri ose kompani ajrore që e kanë hequr numrin 13 nga dyert apo karriget e udhëtarëve.

Ose numri 11, kur përsëritet tri herë, kur bie data 11.11.11 ose ora 11:11. Edhe pse kjo është rastësi shumë njerëz bëhen supersticiozë  dhe e shohin si një numër ters, ose kur shikojnë se numrat e orës bien njësoj, duhet të thonë një dëshirë.

Numri 17 në Itali shikohet si numër ters, sepse me shkronja romake ky numër shkruhet (XVII) dhe mund të organizohet në fjalë (VIXI) që do të thotë kam jetuar. Ky mbishkrim gjendej në varret e romakëve. Madje, kur dita 17 e një muaji bie të premte ajo ditë është e pafat, madje edhe muaji po ashtu.

Numri 7 në shumë kultura quhet numër me fat, por në Kinë ky numër është ters, që do të thotë braktisje, zemërim ose vdekje.

Nuk do të na dilte koha dhe lista do të ishte shumë e gjatë nëse do të shkruanim për të gjitha fiksimet dhe besëtytnitë e njerëzve në lidhje me numrat.

Por si mund ta shpjegojmë që vërtet disa njerëzve që i besojnë këto data si ters ose fatsjellëse vërtet ju ndodhin gjëra të mira ose këqija ato ditë?

Shumë njerëz nuk besojnë se përveç këtij realiteti që ne shohim edhe prekim fizikisht ekziston edhe një realitet i padukshëm, ose botë shpirtërore. Por edhe kur e besojnë se ekziston bota shpirtërore ata kanë një vizion të gabuar, prandaj dalin në përfundime dhe veprime të gabura.

Në disa fe para edhe pas Krishtit njerëzit besojnë te fati, kismeti tek e mira ose e keqja që nuk varet prej tyre dhe kështu bëhen fatalistë duke thënë: “Kështu ishte e shkruar”. Sipas krishtërimit orthodhoks nuk ka të shkruar, as fat edhe kismet, por bekim nga Perëndia Triadik (Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë), që është trashendent dhe i parasheh të gjitha që nga përjetësia çdo vendim, veprim dhe destinacion tonin, por është edhe imanent, vepron në kohë me secilin prej nesh duke na nxitur në liri të plotë brenda kohës edhe hapësirës sonë që të bëjmë vullnetin e Tij, si më i miri i mundshëm në këtë botë kontradiktore, që të jetojmë sa më mirë jetën provizore në këtë jetë dhe të fitojmë përjetësinë, ashtu si shkruhet: “Ai që bën vullnetin e Zotit do të jetojë për jetë".(1Joanit 2-17)

Predispozicioni, ose fatalizmi është një herezi, mësim i gabuar i shumë feve para edhe pas Krishtit dhe po ashtu shumë i përhapur në okultizëm, madje edhe në njerëzit edhe ateistë, sepse fatalizmi kërkon të justifikojë ndërgjegjen që e akuzon njeriun si mëkatar dhe shkelës të Ligjit të ndërgjegjes dhe atë të shkruar. (Romakëve  2;11-16)

Kur njerëzit ndërtojnë doktrinën e fatalizmit me objekte, ngjarje, fjalë edhe numra ata kërkojnë të justifikohen përpara Gjykatësit të drejtë, Perëndisë. Madje, ata me fatalizmin akuzojnë providencën hyjnore sikur është ajo përgjegjëse që ata u bënë të ligj ose bënë vepra të këqija dhe kështu nuk duhet të gjykohen. Madje, kjo herezi ka gjetur vend edhe te të krishterët heterodoks, jo orthodhoks,  që e keqinterpretojnë dhe ngatërrojnë Shkrimin e Shenjtë kur flet për gjithë diturinë e Perëndisë dhe lirinë e veprimit të çdo njeriu.

Arsyeja pse ndodhin ngjarjet e këqija dhe duken sikur kanë lidhje me objektet, fjalët, ditët ose numrat që i cilësojmë si ters, është se nëse i besojmë sado pak asaj që dëgjojmë, atëherë veprojnë ligjet shpirtërore që shumë nuk i njohin dhe nuk i kuptojnë si veprojnë.

Kur ne nuk i lutemi Perëndisë dhe nuk besojmë se pa lejen e tij nuk na ndodh asgjë për të mirën dhe të keqen tonë, por besojmë diku tjetër çfarëdo qoftë, njeri, qenie, ditë, objekt, fjalë apo numra  duke bërë një idhull në mendjen tonë, atëhere largohet providenca hyjnore dhe mbi ne merr të drejta djalli, babai i gënjeshtrës (Joani 8-44) që së bashku me demonët, të cilët me lejen e Perëndisë marrin të drejta për jetën tonë dhe i sjellin gjërat në atë mënyrë që ne t'i besojmë më fortë fatalizmit, në njerëz, qenie, ditë, objekte, fjalë, numra, etj. Siç Shën Joan Damaskini na thotë në mënyrë të përmbledhur në mësimin patristik: “Demonët i lejon Zoti që ata të marrin fuqi dhe të shndërrohen në çfarëdo forme që imagjinata jonë dëshiron”.

Prandaj varet nga vullneti dhe besimi ynë në Perëndinë që të jemi të lirë dhe të bekuar, duke bërë atë që Perëndia na tregon dhe na fton ta kryejmë për të mirën tonë, ose të bëhemi fatalistë të tallemi nga demonët që kërkojnë të na e shkatërrojnë jetën, me frikëra dhe fiksime, por edhe të na e vënë ndërgjegjen në gjumë, që të mos ndryshojmë jetën me pendim dhe korrigjim, që kështu të dënohemi në gykimin e drejtë të Zoti, që na thotë “do t'i vë të gjitha mëkatet përpara teje”.

Pavarësisht se Platoni na thotë: “Numrat janë Perëndi” dhe numerologjistët besojnë në fuqi mistike që ato përmbajnë nga perënditë ose universi inpersonal, ato nuk janë asgjë në vetvete, sepse thamë që janë krijesa të njerëzve dhe kur njeriu i hyjnizon kthehen në idhuj dhe ungjillori Joan na mëson: "Ruani  veten nga idhujt" (1Joanit 5-21).

Përsëri sipas Teologjisë së Krishterë numrat, shkronjat edhe çdo gjë komunikuse e dobishme përdoren nga Perëndia për të na dhënë mesazhe që ne t'i kuptojmë, prandaj edhe në Bibël numrat kanë domethënien e tyre simbolike për të na dhënë këto mesazhe hyjnore në konceptin tonë njerëzor dhe ne duhet t'i lexojmë ashtu si duhet, jo se ato kanë fuqi mistike, por thjesht simbole komunikimi.

Sipas Biblës dhe teologjisë numri 1 është i pari mes numrave dhe tregon Zotin që është  Një i vetëm "Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm". (Ligji i Përtërirë 6:4)

Numri 2 tregon “disa" dhe mbështetjen dhe bollëkun: “Dy janë më të mirë se një, sepse ata kanë një shpërblim të mirë për mundin e tyre”. ( Eklisiastiu 4:9) “Dy dëshmitarë vërtetojnë të vërtetën” (Mateu 26:60). “Dishepujt u dërguan dy nga dy” (Luka 10:1).

Numri 3 nënkupton pompozitet, këmbëngulje, përfundim, “sipëroren e sipërores” ose përsosmërinë dhe unitetin ashtu si e gjejmë në Tre Personat Hyjnorë  të Trinisë së Shenjtë. Dhe shërbesa tokësore e Jisuit zgjati tri vjet (Luka 13:7).

Numri 4 lidhet me tokën, me katër elementët, katër stinët, katër anët e horizontit. “Katër herërat” (Ezekieli 37-9 ;Isaia 11-12). Katër lumenjtë e parajsës (Zanafila 2-10). Ai do të... mbledhë të shpërndarët e Judës nga të katër anët e tokës. (Isaia 11:12)

Shëmbëlltyra e Jezusit kishte katër lloje dheu (Mateu 13).

Numri 5 ka një vlerë mnemoteknike (gishtërinjtë e një dore) është parë si burim i disa urdhëresave rituale dhe është një numër i lidhur me hirin. (Numrat 7-17) Janë pesë oferta levitike (Levitiku 1-5). Jisui shumoi pesë bukë për të ushqyer 5000 veta pa llogaritur gratë dhe fëmijët. (Mateu 14:17).

Numri 6 është numri i njerëzve. Adami dhe Eva u krijuan në ditën e gjashtë (Zanafilla 1:31).

Numri 7 është simbol i numrit të përsosmërisë dhe i referohet numrit të Zotit, “Ai që ka shtatë frymërat e Perëndisë” (Zbulesa 3-1). Në ditën e shtatë Perëndia pushoi pasi përfundoi krijimin (Zanafilla 2:2). Fjala e Perëndisë është e pastër, si argjendi i pastruar shtatë herë në zjarr (Psalmi 12:6).

Numri 7 është simbol edhe i plotësisë së një veprimi, p.sh. “I drejti bie shtatë herë në ditë (Fjalët e urta 24-16). Petro dëshiron të falë shtatë herë (Mateu 18-21). Jezusi e mësoi Pjetrin të falte 70 herë shtatë (Mateu 18:22). Shtatë demonë dolën nga Maria Magdalena, duke simbolizuar çlirimin e plotë (Luka 8:2).

Numri 8 mund të nënkuptojë fillime të reja, dita e 8-të e ngjalljes, dita e krijimit të ri të Zotit, simbolizon ditën eskatologjike e ditës pa perëndim në mbretërinë e Perëndisë (Zbulesa 21 -25). Krishti i ngjallur u shfaq në ditën e 8-të ose të dielën “Tetë ditë më vonë, dishepujt e tij ishin përsëri brenda dhe Thomai ishte me ta. Edhe pse dyert ishin të mbyllura, Jezusi erdhi, u ndal mes tyre dhe tha: "Paqja me ju!" (Gjoni 20:26)

Numri 9 mund të nënkuptojë plotësinë e bekimit ashtu si janë “Ka nëntë fryte të Frymës së Shenjtë. (Galatasve 5:22-23).

Numri 10 ka një vlerë mnemoteknike (dhjetë gishtërinjtë) 10 plagët e Egjiptit (Dalja 7;12). Tregon një sasi të madhe dhe lidhet me ligjin me 10 porositë që u dhanë në malin Sina ( Eksodi 20 1-17). Po ashtu ka të bëjë me qeverisjen. Pastaj [Boazi] mori dhjetë burra nga pleqtë e qytetit [si gjyqtarë] dhe tha: "Ulu këtu". Kështu ata u ulën. (Rutha 4:2)

Numri 12 është numri i hënëzimeve, muajve hënor dhe tregon një cikël të plotë vjetor, lidhet me Izraelin që përbëhej nga 12 fise (Zbulesa 7). Jezusi zgjodhi 12 apostuj (Mateu 10:2-4). Po ashtu lidhet me qeverisjen hyjnore, autoritetin, përsosmërinë dhe plotësinë e qytetit të Perëndisë që do të zbresë nga qielli. “Ai (Jerusalemi i Ri) kishte një mur të madh e të lartë, me dymbëdhjetë porta, te portat dymbëdhjetë engjëj dhe mbi portat ishin të shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit... Dhe muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele dhe mbi to ishin dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit”. (Zbulesa 21:12-14 )

Numri 30 është një numër që na kujton një periudhë zie dhe pikëllimi “Vdekja e Moisiut u vajtua për 30 ditë” (Ligji i Përtërirë 34:8). Numri 30 lidhet edhe me tradhtinë e Judës që e shiti Krishtin për tridhjetë monedha argjendi (Mateu 27:3-5).

Numri 40 është një numër që në mënyrë konvecionale shënon vitet e një brezi, si ishin 40 vitet në shkretëtirë (Numrat 14-33) ose 40 vitet e mbretërimit për Davidin (2amueli 5-4). Numri 40 është i lidhur me testimin dhe provat. “Dhe Jisui, plot me Frymën e Shenjtë u kthye nga Jordani dh Fryma e çoi në shkretëtirë, ku për dyzet ditë u tundua nga djalli”(Luka 4 1-2).

Numri 50 ka rëndësi në festa, festime dhe ceremoni. Në ditën e 50-të pas shpërnguljes Izraeli mori ligjin në malin Sina (Eksodi 19 ). “Do të shenjtërosh vitin e pesëdhjetë dhe do të shpallësh lirinë në mbarë vendin për të gjithë banorët e tu. Do të jetë një jubile për ju...” (Levitiku 25:10). Festa e Rrëshajëve kremtohej në ditën e pesëdhjetë pas Pashkës (Levitiku 23:15-16). Pesëdhjetë ditë pas ringjalljes së Jezu Krishtit, Fryma e Shenjtë erdhi me fuqi mbi apostujt dhe dishepujt në Ditën e Rrëshajëve (Veprat e Apostujve 2).

Numri 70 është i lidhur me gjykimin dhe delegimet njerëzore. Dhe para tyre qëndruan shtatëdhjetë burra nga pleqtë e shtëpisë së Izraelit... (Ezekieli 8:11). 70 pleq u emëruan nga Moisiu (Numrat 11:16). Izraeli kaloi 70 vjet në robëri në Babiloni (Jeremia 29:10).

Numri 666 është numri i bishës. Numri ose shenja e bishës është shenja e Antikrishtit (Zbulesa 13:15-18). Ky numër është simbolik dhe me gërmat Hebraike 666 del (Cezari Neron) (50 +200 +6+50+100 +60+200=NRËN QSR (Neron Cezarin) si i pari perandor antikrisht. Shën Irineu mendonte për emrin (LATEINOS ) që tregonte perandorinë antikrishte romake. Por Shën Pais Agjoritit për 666 WWW na thotë se: “Në Apokalips është shkruar para 2000 vjetësh se njerëzit do të vulosen me numrin 666. “Ai që ka mend në kokë le të bëjë llogari numrin e bishës, sepse është numër njeriu dhe numri i saj është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë”. Për hebrenjtë, 666 është simbol i ekonomisë. Hebrenjtë, si shkruhet në Dhjatën e Vjetër, kishin vendosur një taksë për të gjithë popujt e pushtuar prej tyre. Haraçi i përvitshëm përbëhej nga gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talanta ari. Tani, që të nënshtrojnë të gjithë botën, e vendosin përsëri këtë numër taksimi, që lidhet me të kaluarën e tyre të lavdishme. Për këtë arsye nuk duan ta këmbejnë me një numër tjetër. Pra, 666 është simbol i mamonait. Ata e morën nga pesha e arit dhe nuk njohën atë çka thotë apostull Joani në librin e Apokalipsit − por nuk resht së qeni mamona. Por Ungjilli na tregon se duhet të zgjedhim “ose Krishtin, ose Mamonanë”. “Nuk mund t'i shërbeni Perëndisë dhe mamonait”.

Kurse Shën Andrea i Kretës na thotë që kuptimin e numrit tek një person, antikrishti “Do ta zbulojë koha tek ata që qëndrojnë vigjilentë”.

Numri 1000 vjet që përmendet disa herë në Bibël si “Zoti i jep hir një mijë brezave “ (Eksodi 20-6) (Jeremia 32-18) ose te Psalmet: “njëmijë vjet janë si një ditë” (Psalmi 90-4) dhe “Një ditë pranë tij vlen më shumë se njëmijë tjetërkun” (Psal 84-11) ose te (Zbulesa 20-1) na trego një sasi të madhe ditësh ose netësh të një kohe të gjatë. Po ashtu numri “mijëra mijëra (10.000)  tregon njësi, sasi të madhe hiperbolike. (Zanafill 24-6) (Levitiku 26-8) (1Samueli 18-7).

Numri 144.000 që përmendet te Zbulesa (14-1) nuk është një numër real që tregon numrin e të shpëtuarve si besojnë hertetikët “jehova”, por është numër simbolik i plotësisë i arritjes që vjen nga kombinimi  12x12 x1000 =144000.

Po ashtu sipas Gjeamatris numri shënon një njeri ose një send dhe është përdorur edhe në Bibël. P.sh. gjeamatri i emrit David është (DWD =4+6+4=14). Sipas (Mateut 1: 1-17) gjenalogjia e Jisuit na tregohet se ai vjen mas 14 breza x 3, kjo tregon se Jisui që do të vinte nga fisi mbretëror i Davidit si Mesia (Krishti )do të dallohej si “Davidi i trefishtë” (Mbret, Profet, Kryeprift).

Si përfundim, pavarësisht se njerëzit që nga lashtësia i kanë vlerësuar numrat si sakralë të shenjtë duke u dhënë zotave numra, edhe sipas spekulimeve pitagoriste 1 dhe 2 ishin mashkullore 3-4 femëror dhe 7 virgjëror dhe duke i parë ato si fatsjellëse ose si ters, asnjëherë në Bibël asnjë shifër në vetvete nuk është sakrale që përcakton jetën njerëzore edhe të krijimit qënieve dhe sendeve.

Numri në vetvete nuk ka asnjë fuqi për mirë apo për keq, fuqinë ia japim ne sipas mendjes dhe konotacionit tonë. Njeriu i krijuar sipas ikonës së Perëndisë (Zanafilla 1-26) është një qenie intelektuale edhe morale dhe ajo që e përcakton jetën njerëzore për mirë apo për keq është mënyra se si ai do ta përdorë shpirtin e arsyeshëm, mendjen dhe trupin së bashku me mjetet për ta shprehur vetveten si me fjalë, numra dhe objekte dhe për t'i përdorur në interesin e tij duke zbatuar porositë e Krijuesit për t'i bërë mirë vetes në planin e përkohshëm dhe atë të përjetshëm, ose në të kundërtën në rebelimin e tij imoral duke i sjellë, ters dhe fatkeqësi vetes në këtë jetë të përkoshme dhe atë të përjetshme.

Zoti Jisu Krisht Biri dhe Fjala e Perëndisë (Joani 1-1), Gjykatësi i botës (Joani5-22) nuk na thotë se fati i njerëzve është i shkruar në kode fjalësh apo numra dhe ata nuk kanë përgjegjësi për veprimet e tyre, por fatin njeriu e ndërton vetë sipas besimit dhe veprave, prandaj edhe do të përgjigjet përpara Gjykatësit,  kështu: “Kush është i padrejtë, le të vazhdojë të jetë i padrejtë, kush është i ndyrë le të vazhdojë të jetë i ndyrë, kush është i drejtë le të vazhdojë të praktikojë drejtësinë, dhe kush është i shenjtë le të vazhdojë të shenjtërohet. Dhe ja, unë vij shpejt, dhe shpërblimi im është me mua, për t’i dhënë gjithsecilit sipas veprave që ai ka bërë” (Zbulesa 22,11-12).

Lajmet e fundit nga