LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ruzhdi Frashëri – Zbatues i mirë i mësimeve të Naim Frashërit

2 Nëntor 2021, 18:51, Opinione CNA
Ruzhdi Frashëri – Zbatues i mirë i mësimeve të Naim

Nga Kastriot FRASHËRI        

Barack Obama ka shkruar një libër me 400 faqe me titull ?Ëndrra nga babai im?.  Babai i tij nuk kishte qenë një njeri i shquar, por një njeri i thjeshtë, punëtor, i ndershëm. Shembulli i ish-Presidentit amerikan Obama, më nxiti të shkruaj për babain tim.

Mora shkas nga një bisedë me të, këto ditë. Babai im, për asnjë çast në jetën e tij, nuk është marrë me politikë. Por ai është i vëmendshëm ndaj zhvillimeve të brendshme dhe debatit publik, duke ndjekur diskursin e përnatshëm që përdorin intelektualët në ekranet tona mbi problemet e aktualitetit. Kështu, duke parë një ditë në televizion një emision për panteonin në Paris, varrezën e njerëzve të shquar, ai më tha:

?Nëse do të bëhej një panteon për bijtë e shquar të Frashërit, ti, biri im, ndoshta do të hyje në të me të drejta të plota, pas Naimit, Samiut, Abdylit, etj., por unë jo. Unë do të kisha qenë i lumtur të kisha punuar për ndërtimin e tij, po të ishte bërë deri para pak vite më parë në kohën kur kisha fuqi të punoja. Kjo do të ringrinte edhe një herë Frashërin, pa llogaritur nëse ky vend i bekuar dhe mes malesh mund të përzgjidhej në projektin e rilindjes, të filluar në vitin 2018 ?100 fshatrat turistike? në Shqipëri, për t`i shndërruar ato në qendra të turizmit rural?.

Unë iu përgjigja se Naim Frashëri, me siguri që do të kishte dashur që në atë Panteon të Frashërllinjve të ishte dhe një Frashërlli, që është shquar për mbajtjen e porosisë së madhe naimiane, të dhënë në vargjet:

?Punë, punë natë e ditë,që të shohim pakëz dritë!?

Dhe nuk ka një Frashërlli që ta ketë kuptuar dhe zbatuar këtë porosi të madhe shoqërore të poetit tonë kombëtar më mirë se ti, i thashë unë. Atij i ndritën sytë. Në këtë çast, vendosa të shkruaj diçka për babain tim.

Ai, gjatë gjithë jetës së tij, që nga fëmijëria dhe deri sa kaloi moshën shtatëdhjetë e pesë vjeç, është shquar si njeri punëtor dhe tejet bujar në profesionin e tij të thjeshtë, por duarartë; ishte një zbatues ?fanatik? i porosisë naimiane.

Punoi gjithë jetën dhe pa dritën e kënaqësisë që të jep puna e ndershme, megjithëse asnjëherë, po të vlerësosh atë çfarë ka dhënë për shoqërinë, nuk u shpërblye as me minimimun e parave që meritonte të shpërblehej, si për shkak të regjimit të dikurshëm, ashtu edhe për shkak të zemërgjerësisë që ka, që bënte ndere te të gjithë ata që kishin nevojë për punën e tij si mjeshtër në fushën e ndërtimit e kudo. Me vullnetin dhe pasionin që ka,  të kujton  Peçorinin në romanin “Një hero i kohës sonë” të Mihail J. Lermontovit, vepër që trajton fatin e personalitetit të njeriut në Rusinë e viteve ?30′ të shekullit XIX, figura e të cilit përbën përfaqësuesin tipik të të riut intelektual, plot aftësi, dhunti e aspirata, por shoqëria e bluan në mokrat e kotësisë, egoizmit dhe cinizmit, ndonëse me një ndryshim që, babai im, falë fisnikërisë së tij, punës dhe mirësisë, arriti t`u shpëtojë ingranazheve të një regjimi gjakatar, duke i mundur të gjithë me mirësinë dhe punën e tij.

Nëse poeti ynë i madh Naim Frashëri do ta kishte takuar në kohën e vet këtë Frashërlli të sërës së tij, me siguri do të thurte disa vargje për të, si zbatues i mësimeve të tij ndriçuese, për punën që të bën të shohësh dritë. Babai im gjurmët e mbiemrit të tij të madh i ka lënë në punët që ka bërë jo vetëm si maestro ndërtimi, por kudo ku ka punuar. Në disa ndërtesa publike që janë bërë në Ersekë, ka lënë shenjë dora e tij. Në vitet ?70′, një arkitekt tha kur po paraqiste para kuadrove të rrethit maketin e ndërtesës, ku do të vendoseshin zyrat e Komitetit të rrethit dhe po e përgëzonin për punën e bërë: ?Që të dalë kështu si është, këtu duhet të vërë dorë edhe Lukua (kështu e përkëdhelin me dashuri tim atë), patjetër!?

Njeriut që lind me talent, mund ta hedhë fati në lloj-lloj profesionesh dhe ai do të tregojë atje aftësitë e tij. Thuhet edhe se një person që ka talent artistik mund ta shprehë këtë në çdo punë që bën dhe babai im e shprehu atë jo vetëm në punën e tij si mjeshtër ndërtimi, por edhe në fusha të tjera të prodhimit, ku duhej më shumë fuqi fizike, për të përballuar vështirësitë e saj. Motoja e familjes sonë “Alis Volat Propriis” (Fluturon me krahët e veta) jo vetëm si emblemë personifikon traditën, por dhe i shkon për shtat familjes.

Ka pasur inxhinierë, teknikë, doktorë, mësues dhe ekonomistë, që thoshin gjithmonë me entuziazëm, sa herë u jepej rasti, se: ?Nëse Frashërllinjve të mëdhenj (Naimit, Samiut, Abdylit) do t?u kishte rënë fati të punonin suva, rërë e gëlqere, do ta bënin suvanë e gëlqeren me mjeshtërinë e Luko Frashërit!?

Ruzhdi Frashëri ka bërë emër edhe si bamirës i madh. Ai nuk përtonte asnjëherë t?u gjendej krah bashkëpatriotëve të tij, sado i lodhur të ishte nga puna e tij sfilitëse me orë të zgjatura, kur e thërrisnin për të bërë ndonjë punë në shtëpinë e tyre, si për të ndërtuar, shtruar pllaka, për të suvatuar etj. Ua bënte punën pasqyrë, sikur ta paguanin me tarifat më të larta të profesionit dhe nuk u merrte para. Prandaj e donin të gjithë dhe e mbajnë në gojë për mirë. Dhe kishte një arsye që sillej kështu. Ai e quante si një lloj detyrimi që të bënte të mira pa kërkuar shpërblim. Kjo gjë kishte lidhje me një ngjarje të kohës së fëmijërisë, që kishte lënë gjurmë tek ai.

Thonë se një Frashërlli, edhe kur nuk është i famshëm, do të shquhet për diçka. Nuk e di nëse e tërheq dera e fisnikërisë apo trashëgimia kulturore jo materiale shpirtërore, e shprehur përmes spiritualitetit të paraardhësve të tyre, që të mban të mbushur me ndjesi të mira. Familja jonë Skënderi, që i kishte dhënë emrin lagjes ?Skënderas? të Frashërit kontribuoi në ngritjen dhe përhapjen e shkollave shqipe, mbajti Teqenë e Frashërit, si një nga kryeqendrat e bektashizmit dhe atdhetarizmit. Vëllezërit Frashëri: Abdyli, Naimi dhe Samiu, në fëmijërinë e tyre, mësuan në shkollën e ?Teqesë së Frashërit?, të cilën Mihal Grameno e ka quajtur ?Shkollë të Madhe Kombëtare e Shqipërisë?.

Ngaqë e kishte dashur shumë shkollën, im atë i ndihmonte shumë studentët e zonës sonë, që ktheheshin gjatë pushimeve verore në fshat jo vetëm duke i punësuar që të nxirnin ndonjë lek për ta pasur gjatë vitit shkollor të ardhshëm, por edhe duke i argëtuar, duke zhvilluar ndeshje futbolli pas punës. Shumë prej tyre janë bërë specialistë dhe emra të njohur në shkencë, ekonomi, mjekësi, mësuesi, agronomi, financë etj. dhe i janë mirënjohës akoma për këtë gjë dhe këtë e shprehin përmes komenteve të tyre në rrjetet sociale, me fjalët më të mira dhe me respekt pa fund për babain.

Thuhet se Frashërlinjtë janë njerëz me fat, dhe, babain tim, fati apo Perëndia e ndihmoi me të tepërt që kur ishte foshnjë. Kjo ndodhi kur ai i shpëtoi vdekjes për mrekulli në moshën rreth një vjeç e gjysëm, në verën e vitit 1943, ndërsa Lufta e Dytë Botërore ishte në kulmin e saj. Ishte koha kur nazistët gjermanët kryen masakrën e Borovës në Kolonjë.

Babai im lindi në Kagjinas të Kolonjës, ku ishte vendosur i ati i tij, gjyshi im, rreth pesë vjet përpara lindjes së babait. Dihet se Kagjinasi është pranë Borovës, në perëndim të saj. Kur gjermanët bënë masakrën e Borovës, shkuan edhe në fshatrat afër, për të ekzekutuar të tjerë njerëz. Te çezma e fshatit, gjetën gjyshen time që, teksa po mbushte ujë, mbante në gji edhe të birin e saj, babain tim, një vjeç e gjysmë.

Ushtarët gjermanë, në Borovë dhe fshatrat përreth, vranë edhe foshnja dhe, me siguri që, do të kishin vrarë edhe gjyshen time, bashkë me të birin. Por aty erdhi një oficer madhor gjerman, hipur në një kalë. Gjyshja thoshte se ai kishte shumë grada ushtarake mbi uniformën e tij, që shkëlqente dhe pas e ndiqte një ushtar.

Oficeri i lartë gjerman ia kërkoi gjyshes foshnjën e saj që mbante në dorë. E mori në krahë atë. Pasi e përkëdheli pak, e puthi babain në ballë, ia ktheu përsëri të ëmës e i la të iknin. Nuk di përse ky oficer i lartë gjerman u soll kështu, po të mbahej parasysh masakra që po bëhej si ndëshkim për goditjen që i kishin bërë partizanët autokolonës gjermane, që shkonte drejt Greqisë. Dhe gjermanët ishin rigorozë në çdo gjë. Fati e deshi që të shpëtonin, para se vdekja të rrëmbente gjyshen dhe babain e tij.

Ndoshta vdekja i kurseu këta, sepse ndërkohë kishte marrë tre pjesëtarë të familjes. Kur gjyshja shkoi në shtëpi, e gjeti atë të djegur nga gjermanët. Aty gjeti të vrarë bashkëshortin e saj, gjyshin tim, vëllanë e saj, si dhe një dhëndër të familjes së saj.

Babai është ndoshta njeriu i fundit i mbijetuar i masakrës së Borovës, që ka mbetur gjallë dhe mban një gjurmë të ndodhisë së saj. Atë, me sa duket, e ndihmoi fati i madh i Frashërllinjve.

Mitologjia na tregon se fati e ndihmon me shumicë njeriun që në fillim të jetës, pastaj tregohet cinik me të. Kështu ndodhi edhe me tim atë. Ai kishte ëndërruar që të shkollohej, të bëhej inxhinier ndërtimi, sepse e kishte pasion këtë profesion. Që në adoleshencë, kishte filluar të mësonte mjeshtërinë e ndërtimit. Por nuk mundi ta realizonte ëndërrën e tij, sepse mbeti jetim, pavarësisht se xhaxhai tij në Frashër, mësuesi i mirënjohur Muharem Skënderi, donta ta shkollonte. Më pas, familjen tonë e persekutuan politikisht, duke u bërë pjesë e vuajtjeve në kohën e regjimit komunist. Njerëzit dembelë që mbijetonin dhe kapardiseshin pa punuar, duke u marrë vetëm me shpifje dhe intriga gjirizeve të errëta të pushtetit, ngritën dyshime dhe fabrikuan histori të paqena, sikur ishte gjyshi i tij, ai që i solli gjermanët në Kagjinas, për të djegur fshatin…

Duke perifrazuar titullin e poemës së famshme të Hajnes ?Gjermania përrallë dimri?, do të thoja se shpikën ?një përrallë vere me gjermanë?, me gjyshin tim si spiun të gjermanëve. Por, po të kishte qenë kështu, gjermanët nuk do ta kishin ekzekutuar të parin gjyshin, vjehrrin dhe kunatin e tij, pa haruar faktin që nga 14 viktimat, në familjen tonë u vranë tre persona, ndërsa në familjet e tjera, nga një person. Dhe Kagjinasin gjermanët e shikonin lehtë me dylbi, sepse ata vëzhgonin gjithë zonën përreth Borovës ku ndaluan pas goditjes guerrilase të njësiteve partizane dhe të Ballit në grykën e Barmashit. Këto shpifje e dëmtuan rëndë jo vetëm familjen tonë, por gjithë të afërmit tanë në atë kohë, megjithëse në shtypin e kohës u evidentua në vitet shtatëdhjetë, se lufta e klasave nuk kishte kursyer edhe familjen tonë, e cila nuk mund të mohohej se ishte një familje e mirë dhe nga një derë e traditës, që kishte pasur tre viktima të masakrave naziste.

Sidoqoftë, për shkak të këtyre pengesave, babai im nuk arriti të ecte përpara në jetë, aq sa ai e meritonte me intelektin dhe me aftësitë e tij që i shprehte në çdo punë që dilte nga dora e tij. Megjithatë, ai dhe familja jonë nuk ka mllef për ata që u sollën keq me ne, duke fabrikuar gënjeshtra për qëllimet e tyre. Këtë gjë e dëshmoj unë, djali i tij, se më ka edukuar me të njëjtën frymë, mirësi dhe përgjegjësi.

Thuhet se Frashërllinjtë meritojnë një panteon më vete, ku, në qendër, duhet të jenë tre Frashërlinjtë rilindas, por edhe të tjerë pinjollë të këtij vendi, që i kanë dhënë kaq shumë historisë së Shqipërisë. Në këtë panteon të Frashërlinjve, meriton një vend edhe Ruzhdi Frashëri jo se është babai im, por si një njeri i punës, një Frashërlli i palodhur, i ëmbël dhe i dashur, që e nderon mbiemrin që mban. Si babai, dhe njerëz të tjerë, nuk kanë marë asnjë dekoratë nga shteti për shërbimet dhe punën e tyre të çmuar në jetë dhe nuk kanë pretenduar ndonjë të tillë. Në Itali dhe në vende të tjera të qytetëruara, ka një dekoratë ?Kalorës i Punës?, që u jepet njerëzve të punës dhe një të tillë, gjykoj se, duhet t`u jepet këtyre njerëzve, si mirënjohje nga shteti dhe shoqëria.

 

 

Lajmet e fundit nga