LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Lisandër Hoxha/ Legjitimiteti i një mbreti pa mbretëri

28 Tetor 2021, 16:42, Opinione CNA
Nga Lisandër Hoxha/ Legjitimiteti i një mbreti pa mbretëri

Prej kohësh, Partia Demokratike ndodhet në krizë shumëplanëshe, e cila, sado që i fshihet publikut, del në sipërfaqe. Zgjedhjet politike janë ato, të cilat e zbulojnë më shumë këtë krizë, pasi, pas çdo humbje, bien edhe alibitë e saj.

Që prej vitit 2013, kur PD humbi zgjedhjet dhe në krye të saj u vendos Lulzim Basha, PD nisi një rrugëtim drejt reformimit dhe ristrukturimit të partisë. U tentua përvetësimi i historisë së saj duke na u imponuar një lider, i cili erdhi pas vitit 2004 në PD dhe ishte vetëm 16 vjeç në 1990, si një student Dhjetori, një përkthyes si krahu i djathtë i Rugovës, një Ministër si autori i reformave të Qeverisë Berisha, etj.

Lulzim Basha filloi të ndërtonte unin në PD me imponim dhe propagandë, duke larguar sa herë që i jepej mundësia çdo njeri që kishte lidhje me historinë politike të PD. Kjo vihej re edhe në video mesazhet qesharake që prodhoheshin në çdo ditëlindje të Partisë Demokratike, ku për historinë e e saj ishte vetëm 20% e kohës dhe në gjithë pjesën tjetër flitej për lavdinë e një lideri pa asnjë fitore në bilanc.

Ky personalizim i pamerituar dhe lufta e tij me identitetin e PD solli disa gabime fatale që i kushtuan edhe fitoren kësaj force politike. Zhdukja e logos së PD në 2017 bashkë me heqjen nga lista të të gjithe atyre që kishin një lidhje me me këtë logo tregonte hapur urrejtjen e Bashës ndaj kësaj force.

Sigurisht që këto veprime nuk mund të mos përfundonin me largimin e Sali Berishës, i cili ishte pengesa e fundit për të transformuar PD në partinë Republika e Re.

Kjo është një parantezë e shkurtër e arsyeve pse erdhëm këtu pa bërë analiza të gjata dhe bilance zgjedhore humbjesh.

PD është sot në krizën e saj ekzistenciale, e cila ka bërë që të preket fundi. Kurrë më parë kjo forcë politike nuk ka rënë në të tilla nivele, as në rezultate zgjedhore dhe as në debate të brendshme.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha e sheh veten si mbret dhe bën sikur po e sundon mbretërinë e tij i qetë edhe pse konfliki i vendimeve të tij nuk e lë të dalë as nga zyra.

Ai sot, në fakt, është Kryetar vetëm brenda mureve të godinës nga ku jep deklaratat për shtyp. Në bazë ai nuk njihet më nga askush si Kryetari i Partisë Demokratike.

Kundër dëshirës se tij kanë firmosur mbi 65% e delegatëve të Kuvendit Kombëtar për mbledhjen urgjente të tij. Duke qenë se është abuzuar shumë me staturën dhe legjitimitetin e tij. Kuvendit Kombetar po i rendis më poshtë disa atribute të sanksionuara në Statut, rreth tij.

Kush jane delegatet e Kuvendit Kombetar te PD?

Sipas Statutit te PD, Neni 43, delegatet jane:

a) Kryetarët e seksioneve të Partisë Demokratike dhe sekretarët e grupseksioneve të Partisë Demokratike;

b) Anëtarët e Kryesive të degëve, përfshirë anëtarët e Bordit të Këshilltarëve të Degës;

c) Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike;

ç) Anëtarët e Kryesisë së Partisë;

d) Deputetët e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë;

dh) Kryetarët e Bashkive, Prefekti, Kryetari i Qarkut, dhe këshilltarët vendorë, anëtarë të PDSH-së;

e) koordinatorët tematikë apo koordinatorët e procesit zgjedhor në Degët e Partisë Demokratike, si dhe funksionarët e Selisë Qendrore të Partisë Demokratike;

ë) Një numër i kufizuar përfaqësuesish të organizatave partnere në numër të barabartë jo më shumë se 5 për qind e numrit të anëtarëve të tjerë të Kuvendit Kombëtar.

Pra, me pak fjalë, delegatet janë përfaqësuesit politik të bazës së anëtarësisë së PD. Rreth 90% e tyre janë aty të zgjedhur me parimin ?Një anëtar, një votë?.  Sipas statutit të PD, Kuvendi Kombëtar është organi më i lartë vendimmarrës dhe ka atributet e sovranit për këtë forcë politike.

Ai, në kohë normale, mblidhet një herë në 4 vite dhe, nëse e çmon vetë të arsyeshme, mund të vetëmblidhet sa herë të ketë nevojë duke ndjekur rrugën statutore. Kjo rrugë kërkon thirrjen e tij nga 1/4 e anëtarëve të PDSH-së, ose 1/4 e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar.

Këto janë të shkruara në Nenin 43 të Statutit të Partisë Demokratike.

Lulzim Basha ka përsëritur qëndrime antistatutore disa herë në publik duke deklaruar se nuk do të lejonte mbldhejen e një Kuvendi Kombëtar anti amerikan apo dhe se nuk do të ketë institucione paralele në PD.

Këto dy qëndrime janë absurde dhe nuk përbejnë asnjë interes për rrjedhën legjitime të ngjarjeve dhe vendimmarrjen e ardhshme të Kuvendit Kombëtar.

Ajo që meriton vëmendje është kurajo që ka ky njer për t?u shitur si mbret i një kështjelle  pa asnjë ushtar, oficer apo kalorës brenda. Ky absurditet i qëndrimeve të Bashës, i cili ka përballë të gjithë ?ushtrinë? e demokratëve dhe një kala bosh, është edhe thelbi analizës.

Një mbret pa mbretëri është vetëm një burrë me një kurorë qesharake mbi kokë.

Zoti Basha sot është i braktisur nga shumica e demokratëve, të cilët, pas pak javësh, mbledhin Kuvendin Kombëtar për ta shkarkuar atë nga ky post.

Pyetjeve se, çfarë veprimesh do të ndërmarrë Lulzim Basha pas shkarkimit, nuk përbëjnë interes publik. Ai ka të drejtë të padisë në rrugë ligjore vendimin e Kuvendit. Ai ka të drejtë të flejë mbi vendime. Ai ka të drejtë të tërhiqet nga politika. Të drejtat e Bashës nuk meritojnë analizë, pasi nuk përbëjnë interes publik. Ajo që meriton vëmendje është se, në asnjë rast Basha nuk ka mjete statutore të ndalojë Kuvendin të mblidhet dhe nuk ka autoritet mbi vendimet e tij.

Në demokraci sundon shumica dhe jo burokracitë.

Sali Berisha sot gëzon mbështetjen e shumicës së demokratëve në këtë nismë të tij për reformimin e Partisë Demokratike.

Lulzim Basha është një mbret pa ushtri, pa popull dhe pa mbretëri, por vetëm me oborrtarë, i cili do të shkurorëzohet shumë shpejt nga ky post./CNA.al

Lajmet e fundit nga