LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Investime me pikatore: Qeveria i lë parqet arkeologjike në harresë

27 Tetor 2021, 17:08, Aktualitet CNA
Investime me pikatore: Qeveria i lë parqet arkeologjike në

Pas një viti të vështirë për shkak të pandemisë së COVID-19, vizitorët po rikthehen sërish në parqet arkeologjike dhe kalatë historike të vendit. Por ndërsa shifrat tregojnë rritje të ardhurash nga shitja e biletave, investimet në gjashtë vitet e fundit kanë qenë vetëm 3.2 milionë euro ? një pjesë e së cilave nga donacione të huaja. 

Pas rënies drastike të vizitorëve vendas dhe të huaj për shkak të pandemisë së COVID-19, parqet arkeologjike dhe kalatë historike nisën të rigjallërohen sërish këtë vit. Ndërsa dy autobusë me turistë polakë ndaluan në hyrje të kalasë së Beratit në mesin e tetorit, guida që i shoqëronte nuk e fsheh entuziazmin për kërkesat në rritje për turizmin kulturor.

?Çdo ditë e më tepër kemi interes të vizitorëve të huaj për sitet arkeologjike shqiptare.  Kryesisht vizitorë nga Europa Perëndimore, por edhe shumë vende të tjera të botës, deri nga Azia e largët?, tha Klodian Pandelimoni, guidë turistike.

Shqipëria e vogël ofron burime të pasura të monumenteve kulturore, por sipas të dhënave që Media Amfora mblodhi nga qytetarët, ekspertët dhe institucionet publike ? është ende e papërgatitur që t?i mbrojë, zhvillojë dhe t?i promovojë ato.

Përmes një pyetësori të publikuar në muajin gusht, Amfora.al mblodhi përvojën e dy duzinave me qytetarë nga vizitat e tyre të fundit në nëntë parqet arkeologjike dhe gjashtë kalatë kryesore me pagesë të vendit.

Përshtypjet e vizitorëve për gjendjen e monumenteve të kulturës duket se i kanë rrënjët tek mungesa e dyfishtë e vëmendjes dhe e investimeve.

Të dhënat e siguruara nga Media Amfora përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se ndërsa numri i vizitorëve dhe i parave të mbledhura nga biletat ka ardhur në rritje, investimet në gjashtë vitet e fundit kanë qenë thuajse inekzistente ose janë mbuluar në pjesën më të madhe të tyre nga donacione të huaja.

Sipas arkeologut Neritan Ceka, mungesa e financimeve për parqet arkeologjike nuk prek vetëm monumentet ekzistuese.

?Prej vitesh nuk kemi monumente të reja në parqet arkeologjike, për shkak të mosfinancimit të gërmimeve. Vetëm në Bylis kemi zbulimin e një monumenti, që ka edhe vlera turistike?, tha Ceka.

Rriten të ardhurat, por pak investime

Shqipëria numëron nëntë parqe arkeologjike dhe gjashtë kala të vizitueshme me pagesë. Parqet arkeologjike janë: Butrinti, Apolonia, Kalaja e Shkodrës, Kalaja e Lezhës, Bylisi, Amantia, Orikumi, Finiqi dhe Antigonea, me bileta që variojnë nga 300 lekë në Antigone, në 1000 lekë në Butrint.

Gjithashtu kalatë e Beratit, Gjirokastrës, Porto-Palermos, Kaninës, Himarës dhe Manastiri i Mesopotamit janë të vizitueshme në këmbim të biletave nga 200-400 lekë.

Nga viti 2015 deri në gusht të këtij viti, pesëmbëdhjetë monumentet e mësipërme u vizituan nga 2.8 milionë turistë vendas apo të huaj dhe mblodhën së bashku nga biletat 685.7 milionë lekë ose gati 5.6 milionë euro, sipas të dhënave që Amfora.al siguroi nga Ministria e Kulturës.

Monumenti më i vizituar në Shqipëri është parku i Butrintit me rreth 985 mijë vizitorë ose 34% të totalit, i ndjekur nga kalaja e Beratit dhe ajo e Gjirokastrës. Butrinti është gjithashtu parku më fitimprurës në vend ? ai mblodhi rreth 412 milionë lekë në gjashtë vjet ose 60% të parave që të gjitha monumentet siguruan së bashku nga biletat.

Të ardhurat nga shitja e biletave kanë shkuar në pjesën më të madhe në buxhetin e shtetit dhe vetëm një përqindje e vogël është investuar për restaurim, infrastrukturë apo mirëmbajtje të siteve arkeologjike.

Sipas të dhënave që Media Amfora siguroi nga Ministria e Kulturës, të gjitha monumentet së bashku përfituan projekte, donacione apo fonde me vlerë investimi prej 396.6 milionë lekësh ose 3.2 milionë euro në gjashtë vitet e fundit ? shifër kjo pothuajse sa gjysma e parave të mbledhura nga biletat.

Nga këto, rreth 205.3 milionë lekë janë investuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, AADF, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit; 53.2 milionë lekë nga fondet IPA të Bashkimit Europian dhe vetëm 138 milionë lekë janë investimet e kryera nga institucione shtetërore, si Ministria e Kulturës, Bashkia e Beratit apo vetë parku i Butrintit.

Investimet kanë qenë kryesisht në ndërtime biletarish, ndriçim, infrastrukturë dhe pak ndërhyrje restauruese.

Sipas arkeologut Neritan Ceka, shumica e gërmimeve dhe e investimeve për monumentet e kulturës në Shqipëri mbështeten nga donacionet dhe fondet e huaja. Ceka mbështet idenë që të ardhurat që sitet arkeologjike gjenerojnë, duhet t’i kthehen pas në investime dhe jo të shpërndahen shumica në buxhetin e shtetit.

?Kjo ekziston në ligj, por nuk zbatohet në praktikë, sepse duhet të krijohet një koncern i parqeve, që të bashkërendojë promovimin e tyre, por edhe të shpërndajë në mënyrë inkurajuese investimet nga të ardhurat e parqeve të pasur (Butrinti, Apolonia) edhe për parqet ende të varfër, por që kanë perspektivë, si Bylisi, Antigonea, Amantia”, tha Ceka.

Xhoxhi Fani, restaurues në qytetin e Beratit tha gjithashtu se specialistët kanë ngritur disa herë zërin për mënyrën se si menaxhohen fondet që sigurohen nga vizitorët.

?Ne e kemi ngritur si shqetësim me ish-ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, se ku shkojnë gjithë këto të ardhura”, thotë Fani me një eksperiencë pune mbi 40 vjeçare.

“Në takimin e organizuar në Berat ku kanë qenë prezent edhe kryeministri, ministri i ekonomisë Ahmetaj është ngritur pikërisht kjo pyetje dhe u bë e ditur se ato shkojnë në buxhetin e shtetit?, shtoi ai.

Sistemi i menaxhimit

Nga një vëzhgim i Medias Amfora në disa prej kalave dhe parqeve arkeologjike të vendit rezulton se në pjesën më të madhe funksionon vetëm sistemi i biletarisë, ndërsa sinjalistika dhe ndriçimi janë amortizuar ndjeshëm.

Në disa prej tyre, si parqet arkeologjike në Shkodër dhe në Lezhë, Ministria e Kulturës nuk numëron asnjë ndërhyrje që prej vitit 2015, ndërsa në parkun e Apolonisë, i vetmi investim ishte siguruar përmes një projekti të Bashkimit Europian.

Në kalanë e Beratit, ndërhyrjet restauruese në një numër shtëpish janë emergjente sipas Xhoxhi Fanit.

?Edhe kalaja ka nevojë për investime, pasi ka banesa që po rrënohen. Problemi më i madh është që këto banesa nuk do të bëhen dot më, për faktin se edhe restauratorë nuk do të ketë më në të ardhmen??, shprehu shqetësimin Fani.

Në pyetësorin e publikuar nga Amfora.al, qytetarët raportuan për probleme nga më të ndryshmet, që përfshijnë që nga manipulimi me biletat, problemet me infrastrukturën e deri tek promovimi arkaik i monumenteve të kulturës.

?Në përgjithësi, parku [Butrinti] ka nevojë për një sinjalistikë të plotë dhe shpjegime më të detajuara. Ka nevojë të theksuar për banjo dhe kosha për të ruajtur ambientin?, shkruan një vizitore që kërkoi t’i ruhej anonimati.

Ndërsa një tjetër qytetar vizitën në parkun e Finiqit në pyetësor e përshkruan kështu, ?Nuk kishte asnjë punonjës në biletari. Hymë e dolëm pa prerë biletë. Parku ishte lënë pas dore, tabelat ishin zbardhur nga dielli dhe bimësia ishte e madhe. Nuk kishte mirëmbajtje dhe pak zbulime arkelogjike ishin bërë?.

Menaxhimi i parqeve arkeologjike dhe kalave në disa raste nga Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, sipas specialistëve krijon vështirësi në menaxhim. Ceka bën thirrje për shpërbërjen e këtij sistemi dhe aplikimin e një modeli të ngjashëm me Italinë apo Greqinë fqinje.

?Urgjentisht duhet shpërbërë sistemi i drejtorive rajonale, që është jo vetëm i dështuar, por edhe shkatërrimtar,? tha Ceka.

?Nuk duhet të insistojmë tek zgjidhjet alla shqiptarçe të inkompetentëve të preferuar të Ministrisë së Kulturës, por duhet të marrim një sistem të provuar??, përfundoi Ceka./amfora.al

Lajmet e fundit nga