LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Tre njerëzit e Perëndisë që kanë ndikuar më shumë për Krishtërimin në Shqipëri deri më sot!

24 Gusht 2021, 08:05, Aktualitet CNA
Tre njerëzit e Perëndisë që kanë ndikuar më

Nga Miron Çako

Krishtërimi, që do të thotë të: ?Besosh në një Zot Jisu Krishtin, të vetëmlindurin, që lindi prej Atit përpara gjithë shekujve. Dritë prej drite, Perëndi të vërtetë prej Perëndie të vërtetë, të lindur, jo të bërë, që ka të qenët një me Atin, me anën e të cilit u bënë të gjitha. Që për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiejve, edhe u trupëzua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri. Dhe u kryqëzua për ne në kohën e Pontit Pilat, dhe pësoi dhe u varros. Dhe u ngjall të tretën ditë sipas shkrimeve.

Dhe u ngjit në qiejt dhe rri në të djathtë të Atit. Dhe do të vijë përsëri me lavdi të gjykojë të gjallët edhe të vdekurit, mbretëria e të cilit nuk do të ketë mbarim.( Simboli i Besimit Orthodhoks), filloi të përhapej që në shekullin e parë (ps.K), nga nxënësit e Krishtit në të gjithë Perandorinë Romake, pjesë e së cilës ishte edhe Iliria, që më vonë u quajt Arbëri dhe pastaj më vonë deri më sot Shqipëri.

Ilirët para Krishtit, si të gjithë popujt e Perandorisë Romake, ishin paganë, politeistë, që besonin në shumë hyjni dhe fuqi mbinatyrore me karakter animalistë dhe natyralist. Krishtërimin tek ata e përhapën dishepujt e Krishtit dhe veçanërisht apostulli i kombeve Shën Pavli. Ai në fillim ishte një zelot judeas, lindur në Tars viti (5 ps K), nga fisi Benjaminit me nënshtetësi romake. Shumë i arsimuar për kohën, i cili e përndiqnte në fillim udhën e krishterë, por më vonë nga ndërhyrja Hyjnore e Krishtit ( Veprat e Apostujve 9-4-6) ndryshon rrugë dhe jo vetëm bëhet i krishterë, por sipas providencës hyjnore caktohet si apostulli i kombeve nga Zoti: “sepse ai është vegla që Unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve”.(Veprat e Apostujve 9 15)

Ai me një zell të jashtzakonshëm apostolik bëri katër udhëtime apostolike, duke përshkuar gjithë Mesdheun, gjithashtu këmba e tij shkeli dhe goja e tij foli edhe në zonën ku banonin paraardhësit tanë në viset e Ilirisë, që Ptolemeu (100 -168 pr K)i quante ?albanë?.
Këtë fakt apostull Pavli na e përmend në letrën drejtuar romakëve: ?Nga Jerusalemi deri në Iliri unë kam përhapur ungjillin e Krishtit? (Rromakëve 15 :19 )

Gjatë udhëtimit nëpër Iliri nga një degëzim i rrugës Egnatia në stacionin romak Claudiana, (Peqini i sotëm) apostull Pavli kaloi nga Apollonia e Iliris: ?Dhe pasi kishim kaluar në Amfipoli e në për Apoloni arritëm në Selanik?.(Veprat 17:1) Në Apolloni ai dorëzoi episkopin e qytetit, Marinin, një nga shtatëdhjetë dishepujt e Krishtit.

Apostull Pavli ka kaluar një dimër në Nikopojë, ashtu siç na e tregon në letrën dërguar bashkëpunwtorit të tij Titit: (Titi 3:12). Nikopoja ndodhej aty ku është Preveza e sotme, një nga qytetet kryesore të Epirit dhe lidhej me udhën Egnatia nëpërmjet një degëzimi që kalonte nëpër Butrint. Gjithashtu apostull Pavlin e gjejmë duke vepruar në Dalmaci sëbashku me bashkëpuntorët e tij.

Në traditën e krishterë besohet fort se apostull Pavli mbërriti deri në Dyrrah (Durrës) dhe prej andej ka kaluar në Romë në udhëtimin e tij të katërt.

Në shek.I, në vitin 58 ps.K, Durrësi ka pasur një komunitet të përbërë nga disa familje të krishtera, të cilat formonin Kishën Apostolike në këtë qytet të lashtë.

Sipas Farlatit në veprën e tij ?Illyrikum Sakrum?, Peshkopi i parë i Durrësit i vendosur nga Pavli, njihet Shën Qesari, apostull nga të 70, bashkëpunëtor i apostull Pavlit, ky fakt ndodhet edhe në një dorëshkrim të vjetër në bibliotekën e Kishës së Jeruzalemit.

Një tjetër e vërtetë me karakter gojëdhëne është se apostull Pavli u nis për në Romë nga vendi që sot quhet Bishti i Pallës në veri të qytetit të Durrësit. Sipas studiuesve të huaj dhe vendas, ky emër i transformuar nga koha, vjen nga emri i apostull Pavlit, ( Bishti i Pallës). Në hartat e venecianve të shek XVII ky kep është shënuar ?Capo di Paolo? ose ?Kepi i Pavlit?, madje aty janë gjetur edhe rrënojat e një kishe të vjetër. Por me emrin e apostull Pavlit lidhen dhe shumë vende të tjera në territorin e Shqipërisë. Në gurin e qytetit të Përmetit tradita thotë se në aty ka predikuar apostull Pavli, madje në majë të gurit kanë qënë edhe rrënojat e një kishe të vogël, ku vendasit kremtonin në ditën e shenjtorit ose toponimi i zonës së “Shën Palit” në malin e Dajtit etj

Apostull Pavli me plot gojën quhet arkitekti dhe themeluesi i Krishtërimit dhe kishës Apostolike në vendin tonë, ashtu siç ai e thotë vetë: ?Sipas hirit të Perëndisë që më është dhënë, si arkitekt i ditur, unë kam hedhur themelin dhe një tjetër ndërton mbi të, por secili të ketë kujdes sesi ndërton mbi të, sepse askush nuk mund të hedh themel tjetër përveç atij që është hedhur, i cili është Jisu Krishti.?(1Kor 3:10-11)
Apostull Pavli nga Kisha Orthodhokse në Shipëri nderohet si ndriçues i Durrësit, këtë e thotë shumë qartë përlëshorja e shenjtorit: ?Predikues të kombeve dhe ndriçues të madh, mësues të Durrësit, mburrje të botës, me gëzim të quajmë.

Nderojmë përpjekjet dhe mundimet për Krishtin, martirizimin tënd të çmuar. O Shën Pavël, apostull, ndërmjeto përpara Krishtit Perëndi të shpëtohen shpirtet tona.?

Apostull Pavli mbaroi detyrën apostolike me martirizim në vitin (67 ps.K) atij ia prenë kokën në një rrugë të Romës, Tri krojet në rrugën Ostiense.

Themeli Kishës apostolike në Iliri, që vendosi apostull Pavli sëbashku me bashkëpunëtorët mbetën të palëkundur, sepse u themelua mbi shkëmbin që është Krishti, ashtu si vetë Ai e tha: “dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë”.( Matheu 16 -18)
Vërtet përgjatë shekujve, shumë herë u hapën dyert e ferrit kundër krishtërimit dhe Kishës Apostolike në Shqipëri, por Kisha qëndroi. Jo vetëm Kisha, por edhe vendi shpëtoi nga asimilimi, si nga dyndjet barbare dhe Inkursionet e gotëve të lindjes (ostrogotëve) dhe atyre të perëndimit (vizigotëve) aty nga fundi i shek IV ps.K, që zunë edhe trevat Iliro-Shqiptare, po ashtu dyndjet sllave (shekulli VI-VII), që fatmirësisht u krishtërizuan dhe bashkjetuan me vendasit, deri tek dyndjet osmane (shekulli XV), ku krishtërimi në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri, pësoi goditje të frikshme sa dukej se do të zhdukeshin të krishterët dhe do asimiloheshin nga proselitizmi islam, që për hir të së vërtetës ishte shumë i dhunshëm si fizikisht dhe psikologjikisht dhe me një hapësirë të gjatë kohe gati 450 vjet.

Osmanët kishin një inat të veçantë me shqiptarët e krisherë, sepse për gati 25 vjet në udhëheqjen legjendare të Heroit tonë Komabëtar, Gjergj Kastriot Skëndërbeut ata i kishin thyer sulmet e osmanëve dhe thyer mitin e pamposhtur të tyre në rajon. Të gjithë këto fitore legjendare shqiptarët i arritën, sepse u bashkuan për fe edhe atdhe. Vetëm pas vdekjes të Gjergj Kastriotit, që jetoi dhe vdiq si i krishterë dhe pas përçarjes së princave shqiptarë, osmanët mundën të pushtoni Krujën dhe vendin e Arbërit.

Kronikanët osmanë tregojnë për masakrat dhe konvertimin me dhunë që u bë në popullin arbëror pas pushtimit turk. Vetë Muhamet Muhjiu shkruan rreth vitit 1478 në pushtimin e Krujës: ?Ata që mbetën nga armiku, gratë dhe fëmijët, i vunë në pranga poshtëruese të robërimit dhe i lidhën me zinxhirët e mjerimit. Pastaj do të fillojë shkatërrimi i kishave, ndërtimi i medreseve, ndalimi i këmbanave dhe prishja e ligjeve??
Kurse për pushtimin e Shkodrës, në vitin 1478, thuhet nga kronikat: ?Kështjella e Shkodrës rrethohet nga ushtritë osmane. Kështjellarët e Shkodrës nuk epeshin.

Më vonë qyteti dorëzohet sipas një traktati midis Venedikut dhe sulltanit. Banorët e qytetit largohen drejt Italisë, dhe në vend të tyre sulltani e popullon qytetin me turko-arabë të ardhur nga Anadolli, Afrika Veriore dhe Azia Qendrore?.
Populli i krishterë i Ballkanit dhe tërë rrotull torturohet i skllavëruar. Kristianizmi dhe Orthodhoksia po marrin goditje të tmerrshme dhe të njëpasnjëshme. Rrezikojnë të zhduken, aq e madhe është rënia e ndjenjës fetare, saqë të krishterët mbeteshin të papagëzuar, sepse nuk kishin priftërinj dhe bëheshin pre e prozelitizmit islam.

Aravantinos e përshkruan këtë gjendje me këto fjalë të hidhura: ?Në atë kohë të krishterët shqipëtarë ishin në gjendje gjysëm të egër nga puna e dobët dhe pakujdesia që tregonin krerët shpirtërorë për edukimin, të paktët fetarë të kësaj grigje shpirtërore. Në shumë komunitete, të cilët po mbanin akoma krishtërimin me gjithë shtytjet e shumta që bëheshin, mjaft familje nga mungesa e besimit fillonin të mohonin besën e tyre stërgjyshore dhe shembullin e tyre e ndiqnin në mënyrë të verbër dhe farefisi dhe miqtë e tyre?. Ai thotë se lumi i vrullshëm i ndërrimit të fesë kërcënonte të ?mbyste? gjithë Epirin.

Edhe pse çdo gjë dukej e pashpresë përballë proselitizmit islam, Perëndia kishte planet e tij, ashtu siç dërgoi Shën Pavlin në Ilirinë pagane, po ashtu dërgoi një tjetër isapostull në tokën arbërore dhe ky njeri i Perëndisë ishte Shën Kozmai i Etolisë (1714-1779).
Shën Kozmai u lind në 1714. Vendlindja e tij është fshati Megadhendron (pema e madhe) e Trihonidhës malore të Etolisë prej nga merr edhe mbiemrin Etolos, që në shqip themi Etoliti ose nga Etolia. Prindërit e tij ishin epiriotas.
Ai dhe familja e tij jetonin në kushtet e vështira të pushtimit turk dhe e kishte humbur indetitetin e krishterë: ?A nuk shikoni që kombi u egërsua dhe u bëmë si bisha?? thoshte Kosta i ri ( emri i parë).

Ai e dashuronte arsimin dinte disa gjuhë të huaja por veçanërisht Ungjillin dhe besimin orthodhoks. Vetë ai thotë në një nga mësimet e tij: ?Unë vëllezërit e mi, u stërvita në studime 40-50 vjet, lexova shumë libra të ndryshme dhe për hebrenjtë edhe për grekët edhe për të pabesët e tjerë dhe për heretikët, kërkova thellësitë e diturisë dhe gjeta se besimet e tjera janë të gënjeshtra, fallco, vetëm feja jonë Orthodhokse, është e vërtetë dhe e shenjtë?.

U bë murg dhe prift në Malin e Shenjtë dhe lufton aty që të pastrojë shpirtin e tij, që të fitojë virtytet, të bashkohet me Perëndinë dhe të arrijë shenjtërimin sipas Hirit, ashtu si e thotë në një nga predikimet e tij : ?Qëndrova në Malin e Shenjtë 17 vjet dhe qaja për mëkatet e mia dhe për tuajat?
Aty ai duke parë gjëndjen e mjeruar të popullit të krishterë, dëshiron të bëjë apostullim. Dyshimet e torturojnë, nuk mund të qetësohet dhe përgjigjen e gjeti tek lutja dhe leximi i Ungjillit të shenjtë, e thotë më vonë në predikimet e tij: ?Duke lexuar Ungjillin e Shenjtë dhe të nderuar, gjeta edhe këtë fjalë që thotë Krishti ynë, se kushdo që kujdeset vetëm për vete dhe nuk kujdeset edhe për vëllezërit e tij të krishterë që të shpëtohen edhe ata, sigurisht do të shkojë në Ferr. Duke parë edhe unë o vëllezër të mi të krishterë se çfarë duhet të bëj ? Krishtit i lutem të më bëjë të denjë të derdh edhe unë gjakun e tij për dashurinë e tij sikurse e derdhi Ai për dashurinë time.

Sikurse të ishte e mundur o vëllezërit e mi të ngjitesha në qiell e të flisja me zë të lartë e t?i thosha tërë botës se vetëm Krishti ynë është Biri dhe Fjala e Perëndisë dhe Perëndi i vërtetë dhe Jeta e të gjithëve, do ta bëja me gjithë zemër. Dhe meqënëse është e pamundur ta bëj këtë gjë të madhe, bëj këtë punë të vogël dhe shëtis vend më vend dhe mësoi vëllezërit e mi sipas fuqisë, jo si mësues, por si vëlla, sepse Mësues është vetëm Krishti ynë.?

Në atë çast shumë kritik për Kishën Orthodhokse edhe për popullin e krishterë, ngrihet në këmbë nga mali Athos në moshën 46 vjeçe ky hieromonak trup shkurtër, i veshur me raso dhe me mjekër të shkurtër, por besimi e bën gjigand, i vë gjoksin, i vetëm të keqes së madhe, proselitizmit islam nga dhuna e pushtuesit, po edhe të keqen e injorancës, të mëkatit dhe të barbarizmit. Dhe ia arriti ta ndalojë me katër udhëtime apostolike si një tjerët apostull Pavël.
Udhëtimin e tij të parë e filloi nga viti 1759-1763. Për këtë shkoi në Kostandinopojë, në qendrën e Orthodhoksisë, në Patriarkanë, që të marrë leje me shkrim nga patriku ekumenik që të shkojë kudo dhe të predikojë fjalën. Atëherë patriark ishte Serafimi i II nga Delvina ?shqiptari? ( 1757-1761).

Udhëtimin e dytë e fillon nga viti 1763- 1773. Shën Kozmai pati një ndikim të madh tek fshatarët çoban në zonat e Maqedonisë, Epirit dhe Shqipërisë së Jugut, sa në të gjitha këto zona, ku ai ka kaluar dhe sot e kësaj dite banorët e këtyre zonave flasin për të si “çoban baban?. Kudo që arrinte, kujdesi kryesor ishte ngritja e shkollave, ai thoshte: ?Shkolla ndriçon njerëzit, u hap sytë të krishterëve? dhe ngriti të paktën 250 shkolla.

Në vitin 1774 ai vajti përsëri në Stamboll që të njoftonte Patriarkanën për veprimtarinë e kryer dhe të fillonte një udhëtim të ri apostolik, patriku Sofroni i II, i cili e njihte gjendjen e Epirit dhe të Shqipërisë së jugut e porositi të nisej menjëherë duke kaluar së pari nga ishujt e Egjeut dhe pastaj të kalonte në Maqedoni në Epir e në Shqipëri. Vjen në Korçë dhe në Voskopojë, që në atë kohë ishte prishur nga bandat kaçake dhe kishte mbetur pak nga lulëzimi i saj. Ky është moment ku Shën Kozmai filloi misionin e tij të lartë në Shqipëri ashtu siç e kishte porositur patriku Sofroni i II nga Delvina. Gjendja në Shqipëri dhe në Epir ishte e rëndë për Kishën dhe orthodhoksinë.

Gjatë viteve 1735-1740, pjesa më e madhe e orthodhokse e rrethit të Beratit kishin kaluar në myslymanizëm. Në rrethin e Delvinës dhe në Çamëri, po kështu në Himarë, përveç myslimanizmit ndikonte shumë dhe ?Propaganda fide? me misionarë të dërguar nga Vatikani për të bërë prozelitizëm tek orthodhksët vendas sidoemos në jug të vendit.
Kleriku Konofan, në kronikën e tij të pabotuar pohon se: ?Në krahinat e Himarës dhe Delvinës s?kishte për të mbetuar asnjë i krishtërë po të mos vinte Kozmai?.

Udhëtimi i tij katërt dhe i fundit fillon në vitin 1777, duke kaluar nga Korfuzi në Sarandë. Niset për në Shqipërinë e mesme dhe nga Tepelena arrin deri në Tiranë, kaloi në fshatrat Nivica, Shën Vasil, Piqeras dhe erdhi në fshatrat e Himarës, vajti në Vuno, Dhërmi, Lates, Palas e Dukat duke ngritur kudo shkolla. Pastaj arrin në rrethin e Vlorës, shkoi dhe në Nartë dhe më 22 gusht arriti në Berat dhe këtu predikoi e rekomandoi hapjen e një shkolle në kala, foli kundër hebrenjve, sepse në Berat në atë kohë ka patur një lagje hebrenjsh dhe i urdhëroi të krishterët të bënin pazar të shtunën dhe jo të dielën dhe kjo binte ndesh me interest tregtare të hebrenjve, të cilët e kishin pushim të shtunën dhe i detyronin të krishterët të bënin pazar ditën e dielë, duke përdhosur ditën e shenjtë të Zotit.

Nga Berati Shën Kozmai shkoi më lart dhe në shtator të vitit 1777 arriti në Durrës, predikoi atje dhe në fshatin Çetë të Kavajës, në kishën e Shën e Premtes, prej andej erdhi në rrethin e Krujës në atdheun e Skënderbeut, u kthye pastaj në fshatrat e liqenit të Ohrit, predikoi në Selcë, në Strugë, në Rresnjë dhe pastaj në Pogradec. Erdhi përsëri në Korcë dhe që andej në Kostur. Dhe në pranverën e vitit 1778 e gjejmë në Maqedoninë e poshtme, të cilën e viziton për herë të tretë. Dhe kështu vazhdonte udhëtimin apostolik duke u gjetur kudo.

Në këtë kohë hebrenjtë blenë Kurt pashën e Beratit me 50 qeska aspra dhe e bindin që ta vrasë Kozmain. Ai i shkruante vëllait të vet për urretjen e hebrenjve dhe kurthet që kishin ngritur për ta vrarë: ?Dhjetëmijë të krishterë më duan dhe një më urren, njëmijë myslyman më duan dhe një jo dhe aq. Me mijëra hebrenj kërkojnë vdekjen time dhe vetëm një jo?(2 mars 1979 )
Ishte viti 1779 kur 24 gusht, kur Shën Kozmain e arrestuan ushtarët turq bashkë me dy murgjër në fshatin Kolidash (Kolkondas) dhe me urdhër të Kurt Pashës të Beratit, e vranë në breg të lumit Seman afër fshatit Mujalli.
Kështu Atë Kozmai përfundoi punën apostolike si hieromartir i Kishës Orthodhkse. Trupi i tij u gjet i mbytur mbas tre ditësh dhe u varros me nderim në kishën e Shën Marisë, ku më vonë me urdhër të Ali Pashë Tepelenës, që kishte një respekt të veçantë për: “Baba Kozmain”.
Menjëherë populli shqiptar e nderoi si shenjtor, ndërsa zyrtarisht u shpall shenjtor në vitin 196I, nga Patriarku Ekumenik Atinagora (1886-1972) edhe ky me origjinë shqiptare.
Shën Kozmait i shkojnë për shtat fjalët e shën Pavlit, apostullit të kombeve: ?Por me Hirin e Perëndisë jam ai që jam; dhe Hiri i tij ndaj meje nuk qe i kotë, madje jam munduar më shumë se gjithë të tjerët, jo unë, por Hiri i Perëndisë që është me mua.?( 1kor 15: 10)
Prandaj edhe Kisha Orthodhkse i këndon:?Le ta kremtojmë shën Kozmanë e përkujtuar, le ta lavdërojmë të gjithë, o besnikë, yllin e dëshmorëve, mburrjen e meshtarëve dhe të murgjve, se si shok i apostujve dhe ndërmjetar përpara Krishtit, u fal shërime të sëmurëve që i afrohen me besë? .
( Përlëshorja e Shenjtorit).

Pasi shqiptarët fituan pavarësinë në 1912 dhe krijuan shtetin e tyre, të krishterët orthodhoks kërkuan që Kisha Orthodhokse në vend që varej nga drejtimi shpirtëror e adminastriv i Patriakanës Ekumenike e Kostandinopolit (Stambollit) ashtu si në vendet e tjera fqinje Greqia e Bullgaria, të marrin autoqefalinë ngë Patriakana Ekumenike. Tomosin Patriakal u dha në vitin 1937.
Por nuk kaloi shumë, përsëri dyert e ferrit u hapën dhe egërsira apokaliptike e komunizmit (Zbulesa 12 -3), që filloi fatkeqësisht nga një vend me traditë orthodhkse, si Rusia ( 1917 ), u përhap pas Luftës së Dytë Botërore edhe në Shqipëri, kur morën sundimin nga viti 1945 deri në vitin 1990 ateistët komunist.

Kulmi i ligësisë së këtij sistemi ateist kundër Zotit u arrit në vitin famëkeq 1967, duke prishur në fillim manastirin orthodhoks të Shën Vlashit dhe pastaj ky ortek antizot dhe vlerash kulturore i pashembullt në historinë e njerëzimit, shkatërroi gjithçka të trashëguar në shekuj, në lidhje me besimin.

Veçanërisht nga Kisha orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, pothuajse nga tri episkopatat, 19 zëvendësitë hieratike, 330 enoritë dhe 25 manastiret që kishte Kisha në administrim para 1967 , deri në vitet 1990 kur u rrëzua ateizmi shtetëror, nuk kishte mbetur asgjë nga institucioni Kishtar, sepse pasuritë kishtare ishin të konfiskuara, kishat të shkatëruara , ose të transformuara në depo, stalla, reparte ushtarake dhe shtëpi kulture. Klerikët u detyruan të mos shërbenin, u zhveshën nga rrobat klerikale dhe rruajtën mjekrën, shumë prej tyre edhe u burgosën, u internuan ose u mbyllën brenda edhe nuk dolën nga shtëpia derisa vdiqën.
Në vitin 1990 nga të gjithë klerikët mbetën gjallë vetëm 12 priftërinj, tre dhjakonë, asnjë episkop dhe madje shumica ishin të sëmurë dhe në moshë të thyer. Kisha orthodhoske autoqefale e Shqipërisë si trupi i varrosur i Krishtit dukej inekzistente dhe pa shpresë ringjalljeje. Por Krishti u Ngjall përsëri në Shqipëri.

Providenca hyjnore, ashtu siç dërgoi apostull Pavlin në kohën e paganizmit, Shën Kozmain në kohën e osmanizmit, kishte pregatitur një tjetër njeri me hirin apostolik për ta bërë këtë ringjallje Kishtare në kohën e ateizmit.
Ky njeri ishte Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas Janullatos. Ai lindi në Pire, më 4 nëntor të 1929-ës nga prindër me origjinë greke. I ati ishte nga Qefalonia, ndërsa disa thonë se e ëma ka origjinë arvanitase nga fisi i njohur Malltezi.

Ai ashtu si Shën Pavli dhe Shën Kozmai, kryepiskop Anastasi, që në rini ishte njeri shumë i arsimuar, ashtu si e tregon sivia e tij shumë e pasur .Ka përfunduar shkëlqyeshëm studimet universitare teologjike duke marë titullin Doktor i Fakultetit të Universitetit të Athinës. Kishte studiuar Fetarologji, Teologji Ekumenike dhe Etnologji. Ka studiuar Islamin, Budizmin, Taoizmin, Konfucizmin dhe besime fetare afrikane në vendet ku ato ekzistojnë në Indi, Tajlandë, Srilanka, Kore, Japoni, Kinë, Kenia, Uganda, Tanzani, Nigeri, Meksikë, Karaibe duke dhënë një kontribut të madh në njohurit e feve të botës të përmbledhuara në librin: “Historia e feve” botuar edhe në shqip.
Profesor, Doktor Anastasi ka qenë Profesor i Historisë së Feve i Universitetit Kombëtar Kapadostrian të Athinës nga viti 1972-1997, Dekan i Fakultetit të Teologjisë 1982-1996 dhe Anëtar Korrespondent i Akademisë së Athinës 1993-2005. Që nga 1991 dhe deri më sot është Profesor Emeritus i Universitetit të Athinës dhe Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës nga 2006.

Gjithashtu ai është shpallur Doktor Nderi i Teologjisë apo Doktor Nderi i Filozofisë i 17 Universiteteve, Fakulteteve ose Degëve Universitare (Greqi, SHBA, Rumani, Qipro, Gjeorgji, Shqipëri, Itali). Flet anglisht, gjermanisht, fërngjisht, lexon latinisht, italisht, spanjisht dhe shqip.
Është autor i dhjetra monografive shkencore dhe mbi 240 studimeve dhe artikujve me përmbajtje teologjike ose fetarologjike, studime dhe artikuj që janë përkthyer në 12 gjuhë të huaja. Ka mbajtur ligjërata në forume ndërkombëtare, lidhur me dëshminë e sotme të krishterë, dialogun ndërfetar, solidaritetin dhe paqen botërore.

Ky njeri i shumëditur iu përkushtua Zotit dhe u hirotonis dhjak në vitin 1960 dhe prift në vitin 1964 dhe episkop i Andrusës në vitin 1972, për postin e Drejtorit të Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë 1971-1972. Ai çeli rrugën për ringjalljen e dëshmisë orthodhokse në botë në ditët e sotme, si një porosi e harruar e Zotit: “Shkoni në të gjithë botën dhe nxënësoini të gjithë kombet duke i pagëzuar në Emrin e Atit, Birit edhe Shpirtit të Shenjtë” (Mateu 28-19).

Punoi për një dhjetëvjeçar (1964,1981,1990) për ngritjen e kishave të reja lokale në Afrikë, si mbikqyrës i Mitropolisë së Irinupolit Kenia, Tanzani, Ugandë. Për periudhën 1981-1990 ka zhvilluar një veprimtari të gjerë hierapostolike dhe sociale. Për këtë u nderua me dekoratën Bamirësi i madh i Patriarkanës së Aleksandrisë 2009.
Ky njeri i Perëndisë, ky isapostull i kohëve moderne erdhi në Shqipëri në 1991, në moshën 62 vjeç, si eksark i Patriarkanës Ekumenike, që e mori nismën për ringritjen e Kishës inekzistete në Shqipëri. Duke udhëtuar në mbarë Shqipërinë konstatoi shkatërrimin e frikshëm dhe shpërbërjen e plotë të Kishës Orthodhokse, që para fillimit të persekutimit të fesë përbënin 21% të popullit .
Më 24 qershor 1992 me propozim të Patriarkut Ekumenik Vartholomeu , u zgjodh me vota unanime në fronin apostolik të Kishës Orthodhokse, si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Ky fron siç thotë edhe vetë Kryepiskopi: “Nuk kishte asnjë fron kryepiskopal për t?u ngjitur, por ishte vetëm një stol i thyer, plot gozhdë që e kishte lënë persekutimi ateist?.

Zgjedhja e Kryepiskopit më 24 qershor 1992 ishte sipas rregullave të orthodhoksisë një fakt i kryer kishtar. Ky akt u bë i ditur me letra zyrtare patriarkale të gjithë Kishave Orthodhokse në botë, për të përfshirë në Diptikët e tyre pas 40 vjetësh mungesë emrin e Kishës së Shqipërisë dhe emrin e primatit të saj, i cili po merrte përsipër ringritjen e saj nga gërmardhat.
Si Kryepiskop për shtatë vite e mbajti vetë barrën e vështirë për drejtimin e kishës dhe në vitin vitin 1998 u formua Sinodi i Kishës. Me iniciativën e Kryepiskop Anastasit u formulua statuti i ri Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që u diskutua dhe pranua njëzëri më 4 nëntor 2006 nga një Asamble e veçantë kleriko-laike, ku morën pjesë 257 klerikë, laikë të rinj. Statuti u miratua përfundimisht më 6 nëntor 2006 dhe u ratifikua nga Presidenti i Republikës më 4 shkurt 2009.
Duhet të theksohet se ky Statut i ri ishte shumë i nevojshëm, sepse përmirësoi i dha liri KOASH-it nga ndikimet shtetërore që i kishin statutet e mëparshme, ai vitit 1929 ku Shqipëria ishte monarki dhe mbreti vinte kontroll arbitrar mbi kishën dhe i dyti në vitin 1950, ku theksohej kontrolli i imponuar brutal i pushtetit ateist komunist.

Në këtë Statut të ri theksohet se Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është e bashkuar në mënyrë të pandashme me Patriarkanën Ekumenike, me të gjitha Kishat si motra autoqefale (Neni 1) dhe se ?Gjuha zyrtare e Kishës është shqipja, orthodhoksët e gjuhëve të tjera mund të përdorin gjatë adhurimit hyjnor gjuhën e tyre tradicionale adhuruese me kusht që tekstet në përdorim të kenë miratimin e Sinodit të Shenjtë, siç edhe për tekset e shërbesave fetare në shqip.

Duke ndjekur të njëjtin frymëzim të Shën Kozmait se: “Shkolla ndriçon njerëzit” vetë Kryepiskopi Anastas në shërbimin e tij baritor, i dha që në fillim prioritet shkollës, jo vetëm për formimin teologjik për klerin e ri, që do shërbente në enoritë e ringritura që do arsimohej me “Akademinë Ngjallja e Krishtit, në Manastirin e Shën Vlashit Durrës ” dhe sot” Fakulteti i telogjisë në Universitetin Logos sëbashku me shkollën e parë e Muzikës Bizantine, por edhe për arsimin e fëmijve dhe të rijnve shqiptarë në shkolla laike.
Me inciativën dhe kontributin personal u hapën shumë shkolla të të gjitha niveleve, duke filluar nga parashkollor,9 vjecare, gjimnaze, institute profesionale me konvikte, si në Tiranë, Durrës, Korçë, Gjirokastër, Tiranë dhe Universiteti i Logos në Tiranë.
Në rritjen e nivelit kulturor të njerëzve është stacioni radiofonik ?Ngjallja?, që transemton nga viti 1998, në 24 orë programe shpirtërore, kulturore, sociale, historike, muzikë kishtare, popullore e klasike si edhe shërbesa kishtare pothuajse në të gjithë vendin.
Kontributi i tij është veçantë me dhjetëra milionë euro për Trashëgiminë Kulturore si ikonat dhe artin kishtar. Janë ngritur studio për pikturimin dhe restaurimin e ikonave. Deri sot janë restauruar rreth 600 ikona. U përgatit dhe një brez i ri artistësh, që po rigjallërojnë traditën tonë të pasur ikonografike.

Nga ana kishtare u riorganizuan 460 enori orthodhokse dhe zhvillohet veprimtari liturgjike, predikuese e katekizuese në qytete e fshatra. U hirotonisën 158 klerikë të të gjitha gradave, me arsim të mesëm edhe të lartë me nënshtetësi shqiptare paraprakisht, që luten në shërbesa dhe Liturgji Hyjnore. ?Për Republikën e Shqipërisë, qeverinë, ushtrinë dhe gjithë popullin, po ashtu edhe në nder edhe kujtim për ata dëshmorë ?që ranë për fe dhe për atdhe?.
Me bekimin dhe fonde të mbledhuara nga Kryepiskopi, si “një lypës ndërkombëtar?, u ndërtuan 150 Kisha të reja, të mëdha e të vogla dhe pesë katedrale të mëdha në Tiaranë, Korçë, Berat, Gjirpokastër, Fier, janë restauruar 60 kisha, manastire, monumente kulture, janë riparuar 160 kisha, janë ngritur dhe blerë dhe rikonstruktuar më shumë se 70 godina për kopshte, shkolla, qendra rinore, qendra shëndetësore, selitë mitropolitane, shtëpi pritje, punishte, mensa për të varfërit, e tërë vepra ndërtuese arrin mbi 450 objekte.
Po ashtu për ndihmën ekonomike për institucionin kishtar dhe një aset për vendin në vitin 2016, u përuruan dy hidrocentrale, Rapun 3-4 në Librazhd.

Ashtu si Shën Kozmai që i ndihmonte jo vetëm të krishterët, por edhe myslimanët edhe Kryepiskopi Anastas e drejton Kishën drejt vizionit të dashurisë për çdo njeri të krijuar sipas ikonës së Perënidisë (Zanafilla 1-26), jo thjesht me filozofi humaniste, por me vepra konkrete filantropike, duke nxitur iniciativën për punë me programe për zhvillimin e bujqësisë dhe blektorisë, po ashtu në investime në ndërtim rrugësh e ujësjellësash, në ndihma ekonomike, duke shpërndarë mijëra ton ushqime, veshmbathje dhe ilaçe gjatë krizave të ndryshme, që ka kaluar vendi ynë 1992, 1994, 1997.

Në vitin 1999 kujtojmë ndihmën e Kishës Orthodhokse Shqipërisë në strehim, veshmbathje, ushqim por mbi të gjitha në përkrahje njerëzore të 33 mijë refugjatëve nga Kosova ose në 2008 Kisha orthodhokse ka kontribuar në ndihmën e të dëmtuarve pas tragjedisë në fshatin Gërdec, të prekura nga përmbytjet në zonat e veriut, jugut gjatë ose në tërmetin 2019.
Gjithashtu, nëpërmjet orientimit të tij, është bërë një dhe vazhdon të bëhet një kontribut i konsiderueshëm për kujdesin shëndetësor si me qendra kujdesi shëndetësor në vende pranë kishave dhe qendra mjekësore diagnostikuese ?Ungjillëzimi? Tiaranë dhe në ndihma të vazhdueshme ekonomike, materiale për institucionet si shtëpi fëmijësh, për personat me aftësi të kufizuara, azile, të burgjeve, po ashtu dreka periodike për të varfrit (Tiranë, Korçë, Berat) etj.
Kisha orthodhokse Autoqefale në Shqipëri nën drejtimin shpirtëror të Kryepiskopit dhe Sinodit nuk është një geto e izoluar, por merr pjesë në të gjitha veprimtaritë e Kishave Orthodhokse në mbarë botën dhe në të gjtha organizmat e krishterë.
Ajo është anëtare e Konferencës Europiane të Kishave, anëtare e Këshillit Botëror të Kishave. Pjesëmarrja e Kryepiskopit Anastas si primat i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në këto evente ndërkombëtare është një e mirë jo vetëm për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, por për të gjithë vendin dhe shqiptarët, si një ambasadore në lobim të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Një kontribut tjetër i madh i Kryepiskopit Anastas është ndikimi i tij si njeri i dashurisë, i së vërtetës dhe paqes, për uljen e tensioneve midis shteteve, grupeve etnike dhe komuniteteve fetare. Për këtë kontribut në vitin 2000 me propozimin e 33 akademikëve nga Akademia e Athinës dhe e shumë personaliteteve të Shqipërisë, ka qenë kandidat për çmimin Nobel për paqen dhe nga viti 2009 është President Nderi i Konferencës Botërore ?Fetë për Paqen?, ka marrë shumë çmime, dekorata për paqen, si ajo që mori në Moskë në 2006 ?Për kontributin e shquar për Paqen, Dialogun dhe Mirëkuptimin?, për këtë kontribut është nderuar edhe nga Republika e Shqipërisë me dekoratën ?Gjergj Kastrioti Skënderbeu?, në 2010-ën.

Fortlumturia e tij Kryepiskop Anastasi, që sot është me nënshtetësi shqiptare (2017) edhe pse në një moshë të madhe 93 vjeçare, vrapon me zellin e një të riu për të bërë sa më shumë të mira sipas Zotit, në të mirën e Kishës dhe vendit, dhe mund të themi pa dyshim se bashkë me apostull Shën Pavlin dhe isapostullin Shën Kozmain janë: TRE NJERËZIT E PERËNDISË QË KANË NDIKUAR MË SHUMË PËR KRISHTËRIMIN NË SHQIPËRI DERI MË SOT!/CNA.al

Lajmet e fundit nga