web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A i kanë sulmuar rusët me mikrovalë diplomatët amerikanë në Kubë dhe Kinë?

25 Tetor 2020, 10:16, Blog CNA

Nga Amy Mackinnon & Robbie Gramer ?Foreing Policy?

Duke filluar që nga viti 2016, diplomatët amerikanë dhe zyrtarët e CIA-s jashtë vendit, sidomos në Kubë dhe Kinë, nisën të sëmureshin në mënyrë misterioze, Ata kishin dhimbje koke, marramendje, humbje të kujtesës, dobësi fizike dhe simptoma të tjera shqetësuese. Qeveria amerikane u zotua t`a zbardhte këtë çështje, duke ngarkuar hetuesit dhe shkencëtarët më të mirë, për të zbuluar se çfarë po ndodhte. Tani, gati 4 vjet më vonë, ata nuk kanë ende një përgjigje. Por rastet e reja misterioze, e kanë nxjerrë edhe një herë në dritë këtë çështje – përfshirë raporte të reja në ?The New York Times? dhe revistën ?GQ?.

Zyrtarët amerikanë dyshojnë se ajo që po ndodh, mund të jetë pjesë e një sulmi të koordinuar nga një kundërshtar i SHBA-së. Nuk është ende e qartë se çfarë mund t?i ketë shkaktuar këto simptoma. Teoritë variojnë nga armët energjetike me mikrovalë, tek helmimi dhe histeria kolektive.

Por një gjë është e sigurt:Zyrtarët amerikanë nëpër botë, kanë pësuar simptoma të çuditshme, dhe disa prej tyre mendojnë se nuk po marrin ndihmën e nevojshme nga qeveria amerikane. Tani zyrtarët dhe shkencëtarët po e ngushtojnë hetimin e tyre në disa teori, përfshirë përdorimin e armëve më mikrovalë.

Në vitin 2018, një ekip mjekësh publikoi një raport në Gazetën e Shoqatës Amerikane të Mjekëve, që zbuloi se diplomatët e prekur në Kubë nga simptoma të tilla, kishin pësuar lëndime të trurit të ngjashme me ato të shkaktuara nga tronditja. Por ata nuk kishin histori të kohëve të fundit të traumave në kokë.

Autori kryesor i studimit, Dagllas Smith, drejtori i Qendrës Pen për Lëndime dhe Riparimet e Trurit në Shkollën e Mjekësisë Perelman, tha për ?New York Times? atë vit, se ndërsa ishte që në fillim skeptik, kishte një dyshim në rritje se truri i diplomatëve ishte prekur nga mikrovalët.

Ushtria amerikane, ka zhvilluar prototipet e veta të armëve të tilla, të cilat mund të shkaktojnë pasoja jo vdekjeprurëse. Por sistemi i ushtrisë amerikane është i madh sa një kamion, dhe duhen orë të tëra për ta furnizuar atë. Ndaj ai do të ishte i dukshëm jashtë apartamentit të një diplomati amerikan në Havana.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik e bombardoi ambasadën amerikane në Moskë me mikrovalë për dekada të tëra, me atë që u bë e njohur si sinjali i Moskës. Ato nuk ishin pajisje për të kontrolluar mendjen, por një mënyrë për të aktivizuar aparaturat e përgjimit të vendosura në muret e ambasadës.

?Në vitet 1970, sovjetikët po përdornin shumë pajisje me energji të lartë, për operacionet  e përgjimeve. Por doli që, nëse këto pajisje vendosen shumë lart, kjo shkakton ndikime negative në shëndetin e njerëzve. Unë supozoj se kjo është ajo që ka ndodhur vitet fundit në Kinë, Rusi dhe Kubë?- thotë Stiven Holl, ish-shef i stacionit të CIA-s në Moskë, i dalë në pension në vitin 2015.

Ka teori të tjera:helme, apo edhe histeri masive. Edhe diplomatët kanadezë në Kubë, pësuan dëmtime misterioze të trurit në të njëjtën kohë me homologët e tyre amerikanë. Një studim i porositur nga qeveria kanadeze, vuri në dukje efektet anësore të kimikateve të përdorura kundër mushkonjave.

Ai vinte në dukje se dëmtimi i trurit të diplomatëve, ndodhi në një zonë që është e ndjeshme ndaj neurotoksinave. Të tjerë dyshojnë për një sëmundje psikogjene masive, ku njerëzit e bindin veten se kanë zhvilluar simptoma të ngjashme, dhe kjo cilësohet nga ?Vanity Fair? si një lloj ?efekti placebo i anasjelltë?.

Por autorët e raportit të vitit 2018, vunë në dukje se disa nga simptomat e përjetuara nga diplomatët nuk mund të ishin trilluar, dhe se rastet e sëmundjes së historisë kolektive priren të kalojnë shpejt. Shpresa më e mirë për një përgjigje mbi këtë mister, është tek një studim i kryer nga Akademia Kombëtare e Shkencave.

I porositur nga Departamenti i Shtetit pranverën e kaluar, akademia mblodhi neurologë, ekspertë në inxhinierinë elektrike, toksikologë dhe epidemiologë. Komiteti paraqiti raportin e tij në Departamentin e Shtetit në fillim të gushtit të këtij viti, por ai nuk është bërë ende publik për ligjvënësit ose publikut.

Dejvid Relman, profesori i mjekësisë në Universitetin e Stenford, që drejtoi komitetin, tha se u shqyrtuan 4 shpjegime të mundshme për efektet shëndetësore. Sipas komitetit njëri prej tyre ishte më i besueshmi. ?Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se një mekanizëm shpjegon gjithçka. Sepse ky rast ishte vërtet i komplikuar në aspektin klinik?- thotë ai.

Pesëmbëdhjetë diplomatë kubanë u dëbuan nga Uashingtoni për atë ngjarje. Qeveria kubane ka mohuar vazhdimisht të ketë gisht në sulmet e supozuara. Në Kinë, reagimi ishte shumë më i heshtur, pasi Trump po përpiqej të siguronte në atë kohë një marrëveshje tregtare me Pekinin.

Dyshimi më i madh është mbi Kremlin, duke pasur parasysh historinë e Rusisë me përdorimin e armëve me mikrovalë kundër zyrtarëve amerikanë, dhe interesin e saj për të sabotuar përmirësimin e marrëdhënieve të SHBA-së me Kinën dhe Kubën. Por Ministria e jashtme e Rusisë, mohon çdo lidhje me incidentin në Kubë./Përshtati në shqip CNA.al





Lajmet e fundit nga