web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sot miqësorja, Shqipëria sfidon Luksemburgun

6 Qershor 2026, 07:18, Sport CNA

Sot miqësorja, Shqipëria sfidon Luksemburgun

Kombëtarja shqiptare do të zbresë mbrëmjen e kësaj të shtune në fushën e stadiumit “Air Albania” për të zhvilluar ndeshjen e dytë dhe të fundit miqësore të këtij grumbullimi. Përballë kuqezinjve do të jetë Luksemburgu, si testi i fundit përpara angazhimeve zyrtare.

Skuadra kuqezi e drejtuar nga Rolando Maran vjen në këtë takim pas humbjes 1-0 ndaj Izraelit, ndeshje që përkoi edhe me debutimin e teknikut italian në pankinën e Kombëtares. Pas atij rezultati, objektivi i kuqezinjve është të reagojnë dhe të mbyllin këtë cikël miqësoresh me një paraqitje pozitive përpara tifozëve.

Statistikat e ndeshjeve të mëparshme tregojnë një bilanc në favor të Shqipërisë. Kjo do të jetë sfida e tetë në histori mes dy përfaqësueseve. Në shtatë takimet e mëparshme, Shqipëria ka regjistruar katër fitore, një barazim dhe dy humbje. Përballja e fundit mes dy skuadrave daton në vitin 2017, kur Luksemburgu arriti të fitonte me rezultatin 2-1.

Për stafin teknik, kjo ndeshje ka rëndësi të veçantë jo vetëm për rezultatin, por edhe për vlerësimin e gjendjes së skuadrës. Rolando Maran do të ketë mundësinë të testojë alternativa të ndryshme dhe të analizojë performancën e lojtarëve në prag të ndeshjeve zyrtare të Ligës së Kombeve, që do të nisin në muajin shtator.

Në seancën zyrtare para ndeshjes, stafi teknik ka punuar me skuadrën në aspektin fizik dhe taktik. Fokus i veçantë i është kushtuar skemave të lojës dhe organizimit në të dy fazat e fushës.

Një lajm pozitiv për ekipin është rikthimi i Myrto Uzunit. Sulmuesi kishte zhvilluar stërvitje të diferencuar pas një viroze që e kishte penguar të stërvitej normalisht me grupin. Megjithatë, ai është rikuperuar plotësisht dhe është bashkuar me pjesën tjetër të skuadrës, duke qenë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen ndaj Luksemburgut.

Ndryshe paraqitet situata e Anis Mehmetit. Futbollisti nuk ka arritur të rikuperohet nga gjendja gripale që e ka shoqëruar gjatë ditëve të fundit dhe për këtë arsye nuk do të jetë i gatshëm për sfidën e së shtunës. Stafi mjekësor ka monitoruar gjendjen e tij, por është vendosur që ai të mos rrezikohet në këtë takim.

Përveç kësaj mungese, pjesa tjetër e grupit është në dispozicion të stafit teknik. Lojtarët kanë vijuar normalisht programin stërvitor dhe atmosfera në ekip konsiderohet pozitive në prag të ndeshjes.

Takimi ndaj Luksemburgut pritet të japë përgjigje të rëndësishme për trajnerin Maran në lidhje me formacionin dhe alternativat që mund të përdoren në ndeshjet e ardhshme zyrtare.

Ndeshja Shqipëri-Luksemburg, do të luhet duke nisur nga ora 20:00, në stadiumin “Air Albania” në kryeqytet.





Lajmet e fundit nga