LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sfida me Kukësin/ Gvozdenoviç: Kemi një borxh tek tifozët, duam të fitojmë

10 Shkurt 2024, 18:10, Sport CNA

Sfida me Kukësin/ Gvozdenoviç: Kemi një borxh tek tifozët,

Në konferencën për mediat para ndeshjes me Kukësin, trajneri i Skënderbeut Ivan Gvozdenoviç ka komentuar ecurinë e ekipit prej ndeshjes me Tiranën, Teutën e deri në përgatitjet për ndeshjen e të dielës.

Gvozdenoviç ka treguar se loja me Tiranën ka qenë shumë e mirë, ndërsa kanë marrë 3 pikë shumë të vlefshme, ndërsa kanë humbur me Teutën pas një loje të dobët.

“Ishim shumë mirë kundër Tiranës, dhe dobët kundër Teutës. Por kjo tani është pas nesh, jam përqëndruar për Kukësin, bashkë me lojtarët për nesër sepse për ne është ndeshje shumë e rëndësishme për pikët. Sot kemi stërvitjen e fundit, situata është mirë, kemi vetëm një problem të vogël me Nikajn. Ai nuk bëri stërvitje të plotë dje, e do të shohim sot si është situata me të”, u shpreh ai.

Skuadrat luftojnë për pikë, dhe duket se diferenca në ekipet e para të renditjes, dhe në ato të fundit, luhet me 4-5 pikë larg njëra tjetrës, çka e bën të nevojshme fitoren me Kukësin. Trajneri shprehet se janë gati me 25 lojtarë, ndërsa sot do të vendoset se kush do të luajë në formacion.

“Vështirë është psikologjikisht sepse dhe Kukësi ka nevojë për pikë, edhe ne. Të gjithë e dimë si është situata midis skuadrave sepse 4-5 pikë është diferenca poshtë, 4-5 pikë edhe nga ekipet kryesore. Kemi nevojë për pikë pas një ndeshje të dobët kundër Teutës, e kemi detyrim fitoren. Është presion për ne.

Të gjithë jemi gati, edhe kundër Tiranës ishim pa Pecanin, Ramosin, Rabiun por bëmë ndeshje të mirë. Kundër Teutës ishim gati veç Shaqes dhe portjerit Marko, por prapë lojtarët bënë lojë. Kemi 25 lojtarë gati, sot do të vendosim me stafin kush do të luajë nesër.

Me Kukësin kemi humbur vetëm një ndeshje, dhe një tjetër barazim. S'jemi mirë kundër Kukësit, por nga ana e statistikave është e vështirë. Jemi me mendim pozitiv se si do fitojmë nesër në ndeshje. Kemi një borxh tek tifozët, duam të fitojmë sepse kemi nevojë për pikët dhe të futim skuadrën në rrugën e duhur.

Nuk mund të them shumë për formacionin, kemi lojtarë si Lika, Muharrem, Moise, Uçe, do gjejmë një opsion të mirë për nesër. Do shikojmë si do bëjmë më të mirën për nesër”, deklaroi ai.

Ivan Gvozdenoviç qëndron pozitiv në mendime së bashku me ekipin, pasi shprehet se e kanë detyrim të fitojnë edhe për tifozët korçarë. Ai përmend ecurinë e të gjitha ekipeve duke veçuar Egnatian dhe Vllazninë si më të mirat momentalisht në kampionat.

“Në futbollin shqiptar ka vetëm dy skuadra në vazhdimësi, Egnatia dhe Shkodra. Skuadra si Tirana, Partizani, Laçi jemi një fitore dy humbje, një fitore një humbje, dy barazim një fitore, dmth edhe kjo është për Skënderbeun. Ndoshta problem është eksperienca, apo dhe problem psikologjikisht, por mund të them që deri tani është normale. Prapë kampionati është i vështirë, kemi nevojë për pikët, jemi midis fazës së tretë, kemi dhe fazën e fundit të katërt, gjithë skuadra mendon vetëm për pikët”, theksoi trajneri.

Skënderbeu pret ditën e nesërme, 11 Shkurt, në orën 17:00 ekipin e Kukësit. Një ndeshje e fortë ku të dyja ekipet synojnë 3-pikëshin. Kjo është ndeshja e trete mes tyre, ndërsa dy ndeshjet e tjera kanë përfunduar në një fitore për Kukësin dhe një barazim mes skuadrave./ CNA

Lajmet e fundit nga