LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ndryshimet klimatike dhe e ardhmja e Evropës

24 Maj 2023, 09:50, Sociale CNA

Ndryshimet klimatike dhe e ardhmja e Evropës

Kriza e klimës, është padyshim sfida më e madhe e epokës sonë. Thatësirat, zjarret e përhapura në pyje, përmbytjet, rrëshqitjet e dheut, degradimi i vijës bregdetare dhe rritja e temperaturës janë tashmë pjesë e së tashmes sonë, dhe do të vërehen gjithnjë e më shpesh në të ardhmen.

Larg skenarëve teorikë të fundit të botës, këto zhvillime bazohen në prova shkencore. Për më tepër, ndryshimi i klimës bart një forcë shpërthyese të paprecedentë sociale dhe politike, pasi i thellon ndarjet ekzistuese shoqërore brenda vendeve, duke prodhuar shoqëri gjithnjë e më të polarizuara, jo vetëm në gjithë Evropën, por në mbarë botën.

Sot pranohet gjerësisht, se njerëzimi duhet të ndërmarrë menjëherë veprime të shpejta për të zbutur efektet e ndryshimit klimatik dhe për të korrigjuar shkaqet e tij. Në nivelin ndërkombëtar, mbahen çdo vit Konferencat e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike për të vlerësuar progresin në trajtimin e ndryshimeve klimatike.

Dhe raportet ofrojnë pak arsye për të qenë qetësuese. Në samitin COP21 në Paris në vitin 2015, u ra dakord që rritja e temperaturës mesatare globale të mbahet nën 2°C mbi nivelet paraindustriale. Vitet e fundit, udhëheqësit botërorë kanë theksuar nevojën për ta kufizuar ngrohjen globale në 1.5°C deri në fund të këtij shekulli.

Fokusi është te zvogëlimi i sasisë së gazeve serrë, të cilat çlirohen natyrshëm në atmosferë për shkak të djegies së lëndëve djegëse fosile, shpyllëzimit dhe blegtorisë, të cilat po ndikojnë gjithnjë e më shumë në klimën dhe temperaturën në planet. Tetë vjet më pas, ne jemi ende larg arritjes së këtij objektivi. Mungesa e vullnetit politik dhe ciklet e zgjedhjeve lokale dhe kombëtare, duket se e mposhtin vazhdimisht arsyen themelore për të vepruar në kohë.

Strategjia e Evropës për klimën

Për të ndaluar ngrohjen globale, ne duhet të bëhemi neutralë ndaj CO2 në mbarë botën. Marrëveshja e gjelbër dhe tejet ambicioze e Bashkimit Evropian përcakton standardet mjedisore, të cilat do ta bëjnë Evropën kontinentin e parë neutral ndaj klimës deri në vitin 2050, dhe do ta shkëputin lidhjen e rritjes ekonomike nga përdorimi i burimeve.

Nëpërmjet kësaj strategjie për arritjen e neutralitetit ndaj klimës, Ligji Evropian i Klimës përcakton objektivat detyruese të klimës së BE-së për vitet 2030-2050. Dhe përmes miratimit të ligjeve të tjera për ta zbatuar atë, unioni do të jetë i mirë-pajisur me kuadrin e nevojshëm rregullator për të trajtuar problemin akut të ndryshimeve klimatike.

Por a do ta zbatojnë atë shtetet anëtare dhe autoritetet e tyre rajonale dhe lokale? Shumë grupe të shoqërisë civile, shprehin thuajse çdo ditë shqetësimet e tyre, dhe kërkojnë veprime konkrete në vend të fjalëve. Dhe a do të diktojë Marrëveshja e Gjelbër Evropiane vendosjen e standardeve ndërkombëtare?

Deri më tani, është e vështirë të dallohet një qasje e unifikuar evropiane. Përkundrazi, ne po shohim aktualisht një larmi përpjekjesh të ndryshme nga vendi në vend, të cilat krijojnë plane të pabarabarta kombëtare për klimën dhe energjinë si dhe nxitin politikat lypjesë ndaj fqinjit më të fuqishëm.

Duke pasur parasysh përzierjet e ndryshme në sektorët energjitikë, si dhe rrethanat unike dhe sfondet historike me të cilat përballet çdo shtet anëtar i BE-së, kjo nuk është aspak befasuese. Megjithatë, duke pasur parasysh përmasat e krizës është e pamjaftueshme.

Ne nuk mund të gjejmë më strehë tek shpjegimet, që tashmë kanë pasur një shpjeguese fuqi të pamjaftueshme edhe në të kaluarën, dhe që kanë shërbyer si një justifikim për mosveprim. Për të përmbushur potencialin e plotë të Evropës, dhe për të treguar udhëheqjen ndërkombëtare në luftën kundër ndryshimeve klimatike, nevojitet një politikë e vetme klimatike në vend të një fragmentimi të kompetencave klimatike.

Shtimi i prodhimit të energjisë të rinovueshme dhe që nuk emeton në atmosferë CO2, reduktimi i pavarësisë, dhe fillimi i praktikës së blerjes së përbashkët të energjisë në BE, janë vetëm hapat e parë në këtë drejtim. Sepse Evropa do të ketë sa më shpejt është e mundur nevojë për një qasje edhe më të koordinuar dhe më afatgjatë.

Një zgjidhje sociale e qëndrueshme

Tranzicioni drejt neutralitetit klimatik deri në vitin 2050, mund të funksionojë vetëm nëse ai ndodh në një mënyrë të drejtë dhe shoqërore të qëndrueshme. Të mos harrojmë se më shumë se 10 për qind e evropianëve vuajnë nga varfëria energjetike: ky numër ka të ngjarë të rritet, për shkak të luftën e Rusisë në Ukrainë dhe rritjes së çmimeve.

Çdo politikë transformuese evropiane, duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë këtij fakti.

Bashkimi Evropian krijoi Fondin e Klimës Sociale së bashku me politikat e saj klimatike dhe mbështet rajonet në tranzicion me Fondin e Tranzicionit të Drejtë për të lehtësuar barrën për grupet me të ardhura të ulëta.

Dimensionet sociale të axhendës së gjelbër, dhe ndihma financiare për segmentet më të cenueshme të shoqërisë, janë thelbësore për një mbështetje të qëndrueshme dhe të gjerë publike, si dhe për të garantuar një mjedis politik të qëndrueshëm.

Megjithatë, duhet bërë shumë më tepër për të nxjerrë miliona evropianë nga varfëria energjetike dhe ushqimore, si dhe për të siguruar një transformim të drejtë social. Përndryshe, strategjia e Evropës për klimën dhe axhenda e saj pozitive, do të përballen me një refuzim në shkallë të gjerë.

Edhe pse duket ambicioze arritja e tranzicionit të gjelbër të përshkruar më sipër në vetëm 2 dekada, qëllimet mund të arrihen ende nëse ka një forcë të mjaftueshme politike, dhe nëse fillojmë t’i zbatojmë në mënyrë energjike vendimet tona.

Megjithatë, edhe nëse i arrijmë qëllimet që i kemi caktuar vetes, bota e djeshme është zhdukur. Ndaj transformimi i gjelbër, duhet të përfshijë gjithashtu një ndryshim të zakoneve tona, nga udhëtimet në distanca të gjata tek përdorimin e energjisë, dhe nga efikasiteti i përdorimit të energjisë tek kursimi i saj.

Aktualisht ka një përparim në të gjitha fushat e Marrëveshjes së Gjelbër, duke reduktuar emetimet e gazeve serrë, rikthyer humbjen e biodiversitetit, dhe duke çuar më tej ekonominë ciklike.

Gjithsesi, Evropa duhet të tregojë lidership dhe t’i tregojë botës se pavarësisht pandemisë dhe luftës së Rusisë në Ukrainë, ajo vazhdon të ndjekë një rrugë sociale të drejtë drejt neutralitetit klimatik, nëpërmjet ri-shpikjes së modelit të saj për një ekonomi tregu sociale.

Shënim:Paul Schmidt, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Austriake për Politikat Evropiane. Johannes Pollak, rektor dhe profesor universitar i Shkencave Politike në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Privat të Vjenës Vebster. Michael Kaeding, profesor i Integrimit Evropian dhe Politikës së Bashkimit Evropian në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Duizburg-Esen, Gjermani./Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga