web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Reforma Administrativo-Territoriale 2.0/ Raporti, 5 çështje në "lupë" për hartën e re

25 Korrik 2026, 16:49, Politikë CNA

Reforma Administrativo-Territoriale 2.0/ Raporti, 5 çështje në

Raporti për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, i hartuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar dhe i paraqitur në Kuvend nga deputetët socialistë, ndalet edhe në disa indikatorë matës të hartës aktuale.

Bazuar në gjetjet e raportit nga ekspertët e reformës, 5 çështje listohen si më shqetësueset, ku përfshihet performanca ekonomike, pabarazia territoriale, indeksi urban, funksionet dhe financimi vendor, si edhe korniza ligjore.

Raporti final i hartuar nga mazhoranca thekson se viti 2026 përbën afatin kritik, pasi sipas standardeve ndërkombëtare këto ndryshime duhet të përfundojnë të paktën një vit përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, ndërsa vlerësohet se ndryshimet ligjore për hartën kërkojnë edhe konsultim publik, sikundër e përcakton neni 108/2.

Pjesë nga gjetjet e raportit:

Shkalla ka rëndësi, por jo njësoj për çdo funksion

Bashkitë e mëdha performojnë sistematikisht më mirë: mbajnë 13 punonjës për 1.000 banorë kundrejt 26 te të voglat, me kosto për frymë që ndjek kurbë U-je me minimum mbi ~20.000 banorë. Megjithatë, ekonomitë e shkallës janë selektive: për disa funksione zgjidhja është bashkëpunimi ndërbashkiak ose organizimi rajonal, jo ndryshimi i kufijve.

Pabarazia territoriale është problemi qendror

Tirana përqendron rreth një të katërtën e popullsisë, rreth 40% të të ardhurave vendore dhe gati gjysmën e ndërmarrjeve aktive; 47 bashki gjenerojnë secila nën 1% të të ardhurave të veta vendore të vendit. Më shumë se gjysma e bashkive qëndron nën pragun e mesëm të funksionalitetit, ndërsa rreth 36,6% e të ardhurave tatimore vendore vjen nga taksa ciklike e ndikimit në infrastrukturë.

Gjeografia e lejon konsolidimin, me përjashtime të qarta

Në të 12 qarqet, bashkia me indeksin më të lartë urban është qendra e qarkut, skeleti natyror i ankorimit. Gjysma e bashkive të matura e arrijnë ankoren brenda 30 minutash; vetëm tri (Tropoja, Fushë-Arrëza, Himara) e tejkalojnë një orë: raste që, si njësitë me veçori minoritare e identitare, kërkojnë trajtim të veçantë, jo bashkim mekanik. Ndërkohë, 50 njësi administrative malore mbeten mbi një orë nga çdo qendër bashkiake, problem që kërkon modele shërbimi në distancë, jo vija të reja kufijsh.

Funksionet dhe financimi kërkojnë rikalibrim të njëkohshëm

Nga 41 funksionet vendore, vetëm 4 ushtrohen mirë dhe 6 mbeten praktikisht të paushtruara; legjislacioni sektorial ndërhyn në kompetencat vendore dhe disa mandate janë transferuar pa financim. Formula e transfertës mbështetet në tregues të vjetruar, taksa e pronës mbetet nën potencial pa kadastër fiskale, ndërsa parimi “kompetencë e financuar” duhet të udhëheqë çdo rialokim, përfshirë arkitekturën fiskale të një niveli të mundshëm të dytë, pa boshllëqe dhe pa financim të dyfishtë.

Korniza ligjore e lejon reformën pa ndryshim kushtetues

Harta ndryshohet me ligj të cilësuar, me detyrimin e marrjes së mendimit të popullsisë (neni 108/2), ndërsa konceptimi i nivelit rajonal mbi 12 qarqet ekzistuese shmang shumicën e dy të tretave. Standardet ndërkombëtare kërkojnë përfundimin e ndryshimeve territoriale të paktën një vit para zgjedhjeve vendore 2027; viti 2026 është afati kritik./CNA





Lajmet e fundit nga