web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rama e “pushkatoi”/ Justifikohet Evis Sala

25 Korrik 2026, 13:37, Politikë CNA

Në mbledhjen e grupit të PS-së dhe qeverisë kryeministri Edi Rama "pushkatoi" ministrat duke deklaruar se në raport me qytetarët nuk kanë arritur dot që investimet t’i barazojnë me përvojën e qytetarit.

Një prej shënjestrimeve të tij ishte edhe ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala. Rama tha se në rastet që ka hasur, të treguara nga qytetarët, mungon empatia.

Përvoja e një qytetari nuk është e barabartë me investimet që Rama thotë se janë bërë në Shëndetësi.

Në një intervistë për median gjermane, Evis Sala duket se i është përgjigjur qëndrimit të kryeministrit Edi Rama.

Ajo është justifikuar duke thënë se nuk mund të ndryshosh gjithçka njëherësh.

“Kur mora këtë detyrë, pothuajse menjëherë e kuptova se çfarë doja të bëja. Doja të rishikoja gjithçka. Jo sepse gjërat ishin bërë gabim, por sepse po i shihja me një sy të ri, pasi isha rikthyer në vend pas 29 vitesh.

E dija se si duhet të funksionojë një sistem shëndetësor modern, bazuar në përvojën time në zbatimin e reformave, përfshirë edhe Inteligjencën Artificiale, në vende të ndryshme të Europës dhe në Shtetet e Bashkuara.

Në fillim mendova: 'Këtë mund ta bëj brenda një viti. Mund ta transformoj të gjithë sistemin.' Por, pastaj kuptova se mendimi që mund t’i bësh të gjitha njëherësh mund të çojë drejt dështimit. Nuk mund të ndryshosh gjithçka njëherësh.

Prandaj vendosa të ndalem, të analizoj me kujdes se çfarë kishte nevojë për ndërhyrje, të përcaktoj prioritetet dhe më pas të përqendrohem në dy ose tre objektiva kryesorë, duke u angazhuar për t’i çuar deri në fund.

Natyrisht, gjatë rrugës do të ketë edhe ndërhyrje të tjera, të lidhura ose jo me ato prioritete. Do të kishte zgjidhje të shpejta, gjëra që ndoshta nuk duken të rëndësishme apo kërkojnë pak energji, por që kanë ndikim të madh.

Pra, në fund, do të jetë një përzierje elementesh të ndryshme. Por nëse e humbet fokusin dhe mendon se do t’i bësh të gjitha.

Pastaj, tërhiqesh pak dhe thua: 'Mirë, tani e kam krijuar një tablo të qartë, e di se çfarë duhet rregulluar. Tani do të veproj hap pas hapi, ose do të merrem me tri gjëra njëherësh, nuk ka rëndësi se si vepron, për sa kohë që përqendrohesh vërtet dhe zgjedh betejat e duhura'”, ka deklaruar Sala./ CNA





Lajmet e fundit nga