web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Përplasja Tafili-Gjuzi/ AMP sekuestron armën e efektivit

25 Korrik 2026, 13:12, Kronika CNA

Përplasja Tafili-Gjuzi/ AMP sekuestron armën e efektivit

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka sekuestruar armën e shërbimit të efektivit Leonard Xhamollari, në kuadër të hetimeve për ngjarjen e ndodhur në Shkallnur, ku u përfshinë i shumëkërkuari nga SPAK, Denis Tafili, dhe Edison Gjuzi.

Veprimi është ndërmarrë pasi në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë, çka ka bërë që arma e punonjësit të policisë t'i nënshtrohet ekspertizës balistike për të verifikuar nëse është përdorur gjatë konfliktit.

Efektivi ka mohuar çdo përfshirje në përdorimin e armës, duke deklaruar para hetuesve se ndodhej pranë vendit të ngjarjes rastësisht dhe se nuk ka lidhje me Denis Tafilin. Sipas tij, ai ishte në një berberhane kur ndodhi përplasja.

Nga hetimet paraprake rezulton se konflikti ka ndodhur në një lokal në zonën e Shkallnurit, ku Denis Tafili dyshohet se ka goditur Edison Gjuzin me qytën e një pistolete. Pas incidentit, Tafili, i cili kërkohet nga SPAK në kuadër të operacionit "Ura", është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me Gentian Metën.

Ndërkohë, AMP po heton jo vetëm rrethanat e përfshirjes së efektivit Leonard Xhamollari, por edhe mënyrën se si kanë reaguar strukturat e Policisë së Shtetit pas sinjalizimit për ngjarjen.

Ekspertiza balistike dhe veprimet e mëtejshme hetimore pritet të sqarojnë rolin e secilit prej personave të përfshirë./ CNA

 





Lajmet e fundit nga