LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Bajram Begaj pranon ofertën e mazhorancës/ Zyrtarisht kandidat për President

3 Qershor 2022, 19:38, Politikë CNA
Bajram Begaj pranon ofertën e mazhorancës/ Zyrtarisht kandidat
Gjenerali Bajram Begaj

Gjenerali Bajram Begaj ka pranuar kandidaturën e mazhorancës për President Republike.

Mediat raportojnë se Begaj ka pranuar ofertën e Partisë Socialiste dhe kandidatura e tij do t’i kalojë ditën e nesërme për votim Parlamentit.

Pas dështimit të tre raundeve të para ku duheshin 84 vota, në raundin e katërt Kreu i ri i Shtetit zgjidhet me shumicë të thjeshtë, vota të cilat mazhoranca qeverisëse i ka e vetme.

Emri i Bajram Begajt është zgjedhur mes 26 emrave të propozuar në kryesinë e Partisë Socialiste.

Ai do të votohet nesër në seancën parlamentare, e cila do të mbahet paradite rreth orës 10:00 për të marrë firmat e nevojshme të deputetëve.

Kushtetuta përcakton se duhen të paktën firmat e 20 deputetëve për mbështetjen e një kandidati për President të Republikës.

Më pas firmat do depozitohen zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë. Afati maksimal, i cili është përcaktuar në konferencën e fundit të kryetarëve është vendosur ora 12:00 e ditës së nesërme e më pas, në orën 16:00 do të mblidhet Komisioni i Ligjeve, i cili do të shqyrtojë kushtetueshmërinë, kriteret ligjore kushtetuese të kandidatit të propozuar nga PS, për t’iu drejtuar në orën 18:00  seancës së posaçme parlamentare për raundin e katërt për zgjedhjen e Presidentit. Kushtetuta përcakton që në këtë raund, Presidenti zgjidhet me minimumi 71 vota./ B.A. - CNA.al

Lajmet e fundit nga