web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Politika persekuton mjekë/et dhe falimenton spitalet

25 Mars 2026, 22:54, Opinione Pajtim Lutaj

Politika persekuton mjekë/et dhe falimenton spitalet

Ministria

Vendosja e një ministre profesioniste në Ministrinë e Shëndetësisë ishte një ogur i mirë… por Ministrja jonë më rezulton një profesoreshë teknike, pak profesoreshë universitare dhe aspak administratore. Ministres, që vjen nga sisteme shumë të konsoliduara, nuk i bën përshtypje rrumpalla shëndetësore që është instaluar në vendin tonë, nuk i vrasin sytë reklamat TV që promovojnë sharlatanizmin “…vjen Pr. Dr. ByrekÇyreku, bën operacione x e y… vjen Antonio Cazanova, bën aborte falas… imazhe e foto të Pr. Dr., MSc, amerikan, italian, turk dhe indian duke operuar dhjamin, mendjen, syrin e shqiptarëve”. Nuk i vrasin veshin mashtrimet dhe gënjeshtrat për arritje fallco, “bëhet për herë të parë x operacion ose diagnozë”… të cilët lënë injorantë mjekët tanë të rinj, që shërbejnë natë e ditë nëpër spitale, grumbullojnë pacientë dhe vijnë matrapazët, operojnë pacientin shqiptar pa e parë fare, dhe të nesërmen ikin me çanta plot”. Zonja Ministre, a i keni parë ju këto fenomene në Angli dhe Itali, ku ju keni shërbyer? Unë nuk i kam parë në Francë.

Ministrja Sala, pas prezantimit pompoz, nga mungesa e dëshirës për të njohur realitetin, ra në kënetën e lënë gati nga Ogerta. QSUT po falimenton, ndërsa Shërbimi Universitar i Okulistikës ka falimentuar. Komunikimet mediatike për UFO projekte dhe planet imagjinare të Ministres, firmosja e ish-kontratave korruptive, lënia në fuqi e protokolleve anti-shkencore që dhanë prova se efektiviteti i tyre është nul… e helmuan, ose më mirë e verbuan publikun shqiptar.

Duke e njohur mirë QSUT-në, sistemin e funksionimit deri në detaje, kontratat e manipuluara me protokolle anti-shkencore, në tetor 2025 i sugjerova Ministres të mos i firmoste këto kontrata, por t’i rishikonte para se të hidhte firmat në miliardat e taksapaguesve shqiptarë, të cilat nuk shkojnë në trupin e pacientit si ilaçe, as si ekzaminime me aparaturat e duhura… as te personeli si rrogë e mirë, si formim i vazhdueshëm, si zhvillim… por përfundojnë në xhepat e administratës së paaftë, në xhepat e oligarkëve hajdutë apo kompanive farmaceutike të korruptuara deri vrasëse.

Klinika okulistike në QSUT Tiranë ka falimentuar.

Prej vitesh ka mbaruar roli kryesor i një klinike universitare, përgatitja e mjekëve okulistë. Aktiviteti klinik nuk funksionon për shkak të organizimit të keq, emërimeve nepotike dhe korruptive, si dhe vendimeve, planeve, objektivave, rregullave shkatërruese të administratës përgjegjëse, nga klinika, drejtoria deri te Ministria.

Ka 3 vjet që QSUT po lëngon, ka 6 muaj që klinika universitare e okulistikës ka falimentuar, ministria nuk reagon, drejtoria nuk kupton, Kryeministri fluturon.

Unë do prononcohem për fushën time, Okulistikën, sepse zonja Ministre, nga 4 projekte që anonçoi si arritje dhe perspektivë e madhe e mjekësisë tonë në parlament, dy ishin okulistike (lentet dhe transplanti i kornesë). Deputetët u “habitën” me arritjet, mjekët deputetë merrnin frymë ngadalë për të kuptuar se ku mund të bënin ndonjë k.ç.k., ndërsa ministrja si somnambul lexonte shifra… ju siguroj se as vetë nuk dinte çfarë lexonte.

Në planin kombëtar, objektivi i ministrisë për Okulistika 2030 është zbulimi i të metave të refraksionit (syze) me tabela të prishura dhe personel të paaftë te fëmijët. Kjo zgjedhje e turpshme dhe programi korruptiv e përkeqësoi situatën e këtyre defekteve te fëmijët.

Profesionistët e vërtetë dhe shoqatat e profesionistëve PAAO, bashkë me OBSH, propozuan si projekt objektiv Okulistika 2030 “Depistimin e Retinopatisë Diabetike me IA”. Për herë të parë në vendin tonë, në fushën e mjekësisë, në 2021 u realizua në praktikë diagnostikimi i Retinopatisë Diabetike me IA. Një foto e retinës së një pacienti me diabet u dërgua në iCloud një programi IA, i cili brenda 3 minutash na ktheu përgjigje: raport i detajuar për diagnozën dhe stadin e RD. Punimi im u paraqit në kongresin e www.paao.al dhe u vlerësua shumë nga OBSH, profesorët e Universitetit të Liverpulit, Angli, si dhe nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Zonja ministre, programi është në zyrën tuaj. Hiqeni, zonja ministre Sala, hiqeni këtë paçavure, se i bëni nder Okulistikës shqiptare, Ministrisë, pacientëve me diabet. Objektivi juaj Okulistika 2030 jo vetëm nuk na çon në BE, por ju turpëron programin Shqipëria 2030. Hiqeni dhe vendosni “Depistimin e Retinopatisë me IA”. E ardhmja është kjo, ju duhet ta kuptoni se IA dhe një mjek i mirë kanë përmirësuar diagnostikimin 95%.

Ja pse ka falimentuar klinika universitare e okulistikës.

1- Ministria, me paramendim korruptiv, ndalon prej vitesh bërjen e operacioneve të retinës, kjo sjell verbimin e 200-300 personave në vit në vendin tonë.

2- Ministria ndalon me ndërgjegje dhe zell të madh bërjen e transplantit të kornesë, kur të gjitha kushtet janë. Ogerta e sorollati 8 vite, kontraktoi spitale private që edhe ato raste që kanë bërë kanë paguar 2-6 mijë euro. Albana mund ta realizonte për një muaj, po nxori një vendim dhe e çoi në kalendat greke, ndërsa Profesoresha Sala e shiti fare. U mburr përpara deputetëve se Ministria do disbursojë këtë vit 250 000 € për transplantin e kornesë, pa shpjeguar fare si, ku, kur, kush!? I kam shkruar tre herë se transplanti i kornesë realizohet shumë mirë brenda një muaji, nëse Ministria ka dëshirën e mirë dhe shkarkohet nga ngarkesat korruptive të sistemit që gjeti në ministri në shtator 2025.

3- Ministria, me urdhër, ka deformuar protokollin e trajtimit të sëmundjeve kronike të retinës me Anti-VEGF. Me kërkesën tonë, shteti ka futur preparatet më të mira të kohës, për të cilën e falënderojmë përditë ne mjekët dhe pacientët. Po jo, Ogerta ka nxjerrë një urdhër që pacientët ta përfitojnë vetëm një vit, pastaj le të verbohen. Administrata e mëvonshme e përkeqësoi fare këtë protokoll. Pacienti që ka nevojë nuk e merr menjëherë këtë preparat, por duhet të futet në listëpritjet e administratës dhe pacienti i shkretë e përfiton pas dy deri tre muajsh vonesë, kur mjekimi i parë është urgjencë, urgjencë, zonja profesoreshë ministre. Përfundimisht, shteti harxhon miliona pa efekt real në syrin e pacientit.

4- LENTET. Lentet, se kështu ia vuri emrin këtij projekti vërtet të madh në okulistikë Ogerta, ia mësoi edhe Kryeministrit. Lentet janë implante intraokulare që implementohen në sy pas operacionit të kataraktës apo perdes. Paketa e kontratës, edhe me të metat, praktika korruptive, çmime katastrofike por materiale aspak të justifikueshme, ka ndihmuar shumë pacientët shqiptarë, por ka 6 muaj që është stopuar. Profesoresha Ministre, nga 4 projekte që firmosi dhe i mori votën deputetëve ishte dhe programi i lenteve. Nuk e dinte ministrja se, në momentet që ajo fliste në parlament, kishte dy muaj që lentet në QSUT mungonin prej 6 muajsh. Nga tetori 2025 dhe sot nuk ka lente në QSUT, kthehen dhe sorollaten 20-30 pacientë në ditë, kryesisht pensionistë të varfër. Populli e dëgjoi në TV, prandaj pacientët, por edhe mjekët, duhet të manifestohen për të drejtat e tyre, se lekët janë paguar për këto marrëzi. Drejtoresha të shkojë çdo ditë në orën 8 te recepsioni i okulistikës, ta prekë këtë të vërtetë.

Drejtoria

Vulën e kësaj gjendjeje amnezike te QSUT Tiranë ia vuri drejtoresha e re, e cila bëri thirrjen për të nxitur çdo qytetar dhe pacient të denoncojë mjekët që u marrin para pacientëve kundrejt shërbimit shëndetësor në publik. Kjo ishte nxitja të bëja këtë kujtesë. Drejtoresha hap fushatën e intimidimit të personelit mjekësor që shërben në QSUT, duke kërkuar individë apo grupe kriminale të strukturuara, kur këto individë dhe grupe i ka në administratën që drejton dhe në ministrinë që e komandon.

Drejtoresha e institucionit publik shëndetësor më të rëndësishëm në vend, përpara se të bëjë policen, duhet t’u japë përgjigje, zgjidhje pacientëve që vdesin, verbohen, sorollaten, gënjehen dhe zhgënjehen nga shërbimet në QSUT, nga keqorganizimi dhe keqmenaxhimi.

Drejtoresha duhet të bëjë publike çdo ankesë që i shkon përditë në zyrën e saj hermetike, po, po, çdo ankesë që shkon për mungesë të ilaçeve, mungesë të aparaturave të prishura me dëshirë e pa qëllim, për mungesë organizimi… vetëm nga okulistika, nga tetori e sot, i shkojnë dhjetra pacientë se mungojnë lentet, se sorollaten për marrjen e ilaçeve Anti-VEGF, se nuk bëhen operacionet e retinës, transplanti i kornesë, krejtësisht për mosdëshirë të administratës, ministres, drejtoreshës dhe pamundësisë së sistemit inefikas.

Kjo situatë më kujtoi vitin 2001, kur isha Drejtor i Përgjithshëm i QSUT-së, e sapo rimbëkëmbur nga katastrofa politiko-kriminale e 1997-ës. Të ç’ekuilibruar nga sherret politike të së majtës… tre qeveri… Meta, Majko, Nano… në media filloi një lançim i personelit shëndetësor. Në TV shiheshin intervista në trotuaret e Tiranës: “…a marrin mjekët lekë në spital…”, dhe logoreja e popullit, që ushqehej me politikë, thoshte po, por pa denoncuar asnjë. Politika fitoi mbi personelin e spitaleve. Që në atë kohë kam kuptuar se politika e mban gjallë këtë trysni, për të fshehur, justifikuar bëmat, korrupsionin kapilar, emërimet nepotike, vjedhjen e shëndetit të popullit. E tmerrshme! E paimagjinueshme, korrupsion me ilaçet e pacientëve, kur në gjithë botën spitaleve u bëhen donacione marramendëse për të pasur spitale sa më të pasura në medikamente, aparatura; donacione për studime… në vendin tim vjedhin edhe ato pak që akordon shteti…

Në atë kohë vjen në zyrën e drejtorit të përgjithshëm gazetari Rezart Xhaxhiu. Pyetja e parë: “A u marrin mjekët lekë pacientëve?” Jo, i thashë prerë. Mjekët tanë, personeli i mesëm dhe i ulët punojnë në kushte tepër të vështira. Nuk quhet korrupsion që një pacient i jep një infermiereje 200 lekë pas një shërbimi, as 1000 lekë një mjeku pas vizitës apo operacionit, kjo është respekt. Vura re se gazetarit nuk i pëlqeu përgjigjja ime dhe nuk e vonoi pyetjen e dytë: “Po flitet për korrupsion në shëndetësi.” Edhe pse isha i bindur se ekzistonin raste me mashtrime, sorollatje, moszbatim protokolli nga personel i pandershëm, sepse edhe sistemi nuk ekzistonte, e sfidova gazetarin: Po, iu përgjigja, korrupsion ka, por korrupsioni bëhet në drejtori, ministri… por jo te marrëdhënia mjek–pacient. Nëse ju më gjeni një mjek që i kërkon pacientit lekë para shërbimit duke i vënë kusht “nuk ju operoj nëse nuk më jepni x lekë”, unë do e bëj shembull që një fenomen i tillë të mos ndodhë kurrë më në spitalin publik. Me Rezart Xhaxhiun nga ajo kohë jemi miq dhe e përshëndes.

Koha më dha të drejtë. Tashmë, afër 25 vjet më pas, nuk janë mjekët të korruptuar, por janë institucionet, administrata dhe komisionet e paligjshme dhe të paafta që bëjnë tendera, emërojnë personelin në spitale, zgjedhin shefa dhe drejtorë që s’kanë lidhje fare me vendin e punës, e blerë me korrupsion apo nepotizëm.

Administrata & K/Ministri

Ndërsa K/Ministri Rama, i dehur nga suksesi i politikës së jashtme, që në të vërtetë e ka vendosur Shqipërinë në piedestalin e merituar, sa që këto vite do mbeten në histori si vitet e Shqipërisë, ka humbur fare kontaktin me realitetin e brendshëm, me jetën e përditshme të popullit tonë, me arsimimin e tij, me shëndetin e tij, me hallet e jetesës… ka humbur rolin kryesor të një K/Ministri, rolin e administratorit. Administron me SMS, që as i lexon fare, vetëm i transferon. Shembull konkret: i dërgohet Ramës një SMS, Rama pa e lexuar ia dërgon ministrit apo drejtorit të fushës; drejtori i paaftë apo ministri i përgjigjen, 90% e mashtrojnë. Rama përgjigjen e tyre as e sheh, por ia dërgon ankuesit… një rreth vicioz pa vlerë.

Jo, zoti K/Ministër, nuk ecet kështu. Bëhu një ditë administrator, se administrata jote është jashtë funksionit, hierarkia nuk ekziston, është e paaftë dhe e korruptuar, tashmë e frustruar nga SPAK është paralizuar fare, nuk kryen asnjë veprim: as vjedh dot, as gënjen dot, as spiunon dot, as avancon dot, as firmos dot; sistemi është paralizuar, punonjësit ndihen të terrorizuar… Nuk është më koha të bëni humor dhe histori me doktoraturat fallco, plagjiaturat duke na shpallur “atdheu i plagjiaturës”, me diplomat e juristëve dhe të infermierëve… Po të bëhesh administrator, administrimi tregon performancën e ekzekutivit. Administrim do të thotë të ndjekësh çështjen deri në zgjidhje, ta kontrollosh, të nxjerrësh mësim dhe të marrësh masa për ta rregulluar.

Nuk mjafton të thoni “stop diplomave fiktive”. Po të bëni studim: nga vijnë këto diploma fiktive? Nëse nuk doni të dëgjoni specialistët e fushave, pyesni ChatGPT, kërkojini Diellës një studim: sa diploma juristi prodhon ky vend në një vit? Sa diploma infermierie? Sa e sa të diplomuar pa formim fare, pa bërë mësim, se praktikë dihet që nuk bëjnë. Ka universitete që lëshojnë diploma infermierie, po edhe mjeku pa bërë asnjë orë praktikë. Universitete të drejtuara nga ministra apo ish-ministra tuaj, të cilët pasi ju shitën licencat, tani janë rektorë, tutorë, dekanë të universiteteve fiktive… po hyni në Guinness.

Faktet tregojnë se ju administroni shumë keq. Çfarë bëtë me autorët e plagjiaturave, shitjes së diplomave fallco, kur ne ua çuam mbi tavolinë në 2015? 50% e doktoraturave ishin fallco. Ju, në vend që t’i penalizonit, të rregullonit ligjin dhe të zhdukeshin këto praktika obskurantiste, i legalizuat doktoraturat (doktorantët fallco tani janë bërë profesorë të asociuar) dhe promovuat grupin e strukturuar kriminal të prishjes së arsimit të lartë, sidomos në UMT.

Ju nuk dini të administroni, ju dini vetëm të talleni. U tallët në mitingun e Shkodrës për doktoraturat në mjekësi që ishin kopjuar nga Ministria e Jashtme, talleni në konferenca shtypi për diploma fiktive të juristëve, në podcaste, në mbledhje partie dhe qeverie, kur duhet të bëni krejt të kundërtën: të merrni përgjegjësitë. Pas 13 vjetësh në pushtet, duhet të merrni përgjegjësitë, të ndaloni urgjentisht diplomimet fiktive, se po e ktheni vendin në atdheun e diplomave fiktive, që po shkatërrojnë së pari buxhetin e familjeve shqiptare që investojnë kot te fëmijët, shkatërruat rininë dhe të ardhmen e vendit…

Atëherë duhet ta pranoni se paaftësia juaj në administrim, menaxhim dhe organizim; mosveprimi juaj na bëri atdheun e plagjiaturës dhe të diplomave fallco. Kush na pranon ne në BE me këtë sistem arsimor dhe shëndetësor?

Çfarë keni bërë ju dhe çfarë bën administrata juaj për drejtorin e paaftë, për mësuesin, për mjekun, për prokurorin, juristin apo OPGJ që nuk bën mirë detyrën? Kush e komandon një drejtor të paaftë te MEKI që ka bërë lëmsh formimin profesional? Mentaliteti juaj menaxhues është destruktiv. Para disa vitesh denoncova një pedagog që shiste notën, diplomën… dhe faktet ia çova ministres tuaj amorfe. Përgjigjja e ministres: “Çojani prokurorisë!!!” Po administratën për çfarë e kemi?

Çfarë bëtë kur profesionistë të vërtetë ndër vite ju thoshin me shkrim dhe me gojë “changez le cap”? Asgjë! Atëherë nuk duhet të habitemi pse arsimi universitar ka degraduar dhe spitalet universitare po falimentojnë.

Çfarë u bë (flas nga ana administrative) me cubat që të erdhën në zyrë me armë apo krimbat e krimit ekonomik të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit që sulmojnë biznese pa urdhër prokurori? Çfarë bëtë? Asgjë. U mjaftuat të flisni për cubat në konferenca ose të pranoni SMS infantile të drejtorit të përgjithshëm të policisë për vartësit që shkelën ligjin: “Po jam marrë me këtë punë, o shef, u kërkova falje ankuesve, çfarë të bëj më shumë, o shef”, ndërsa krimbat vegjetojnë edhe sot në radhët e policisë, të gatshëm të sulmojnë ndonjë biznes tjetër.

Jo, zoti K/Ministër, këto dru të shtrembra dhe shumë e shumë të tjerë që kanë asfiksuar administratën duhet të pastrohen me masa administrative dhe jo t’i ngarkohen drejtësisë. Lëreni drejtësinë të bëjë punën e vet.

Nuk dua të citoj filozofë të mëdhenj… por lexoni të paktën çfarë shkruajnë njerëzit e mëdhenj të vendit tonë: Dritëro Agolli për intelektualin/profesionistin, Robert Ndrenika për drejtësinë apo Alfred Moisiu: “Kujt po ia lini këtë vend”.

Pr. Pajtim LUTAJ, MD, PhD
Oftalmolog, “Mjeshtër i Madh”
Profesor i UMT & Prakticien Spitalor QSUT
Diplomë Oftalmolog, Universiteti Paris 6, Francë
Ish-intern, Attaché dhe Asistent i Spitaleve të Parisit
Shërbimi i Okulistikës QSUT & Klinika VISION Tiranë
President i PAAO www.paao.al, Anëtar i CIO & AAO





Lajmet e fundit nga