web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Historia e drejtësisë nuk shkruhet vetëm nga ligjet që miratohen

16 Mars 2026, 16:11, Opinione Erjon Bani

Historia e drejtësisë nuk shkruhet vetëm nga ligjet që


Thuhet shpesh se forca e gjykatave nuk qëndron vetëm në autoritetin e ligjit, por në integritetin, pavarësinë dhe përgjegjësinë e atyre që e zbatojnë atë. Për këtë arsye, cilësia e drejtësisë së nesërme varet drejtpërdrejtë nga cilësia e formimit të magjistratëve sot.

Në këtë kuptim, roli i Shkollës së Magjistraturës është vendimtar, pasi ajo nuk është vetëm një institucion akademik, por themeli mbi të cilin ndërtohet profesionalizmi, integriteti dhe përgjegjësia e brezit të gjyqtarëve që do të mbajnë mbi supe përgjegjësinë e drejtësisë në vitet që vijnë. Pra, ajo është garancia që drejtësia e nesërme do të jetë më profesionale, më e pavarur dhe më e besueshme.

Kam vendosur të kandidoj për anëtar të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, sepse besoj se institucionet nuk përmirësohen vetëm nga kritika ndaj tyre, por nga angazhimi konkret për t’i përmirësuar ato. Siç shprehej Theodore Roosevelt: “Është shumë më mirë të guxosh të bësh gjëra të mëdha, sesa të qëndrosh mënjanë duke kritikuar ata që veprojnë.”.

Gjatë karrierës sime kam pasur mundësinë ta njoh nga afër Shkollën e Magjistraturës: si Magjistrat Udhëheqës, si lektor dhe trajner i magjistratëve, si ish anëtar i Bordit të saj i zgjedhur nga Asambleja e Magjistratëve, si ish drejtues i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, dhe sot si drejtues i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo përvojë më ka bindur se forcimi i Shkollës së Magjistraturës është një nga çelësat kryesorë për forcimin e gjithë sistemit të drejtësisë. Kjo për faktin pasi në këtë institucion nuk mësohet vetëm ligji. Aty mësohet si të ushtrohet pushteti i drejtësisë me maturi, me integritet dhe me përgjegjësi. Nëse më besoni këtë përgjegjësi, fokusi im do të përqendrohet në disa drejtime kryesore.

Së pari, përmirësimi i mekanizmave të përzgjedhjes dhe vlerësimit në formimin fillestar.

Procesi i përzgjedhjes së magjistratëve duhet të garantojë që sistemi i drejtësisë të tërheqë kandidatët më të mirë, jo vetëm nga pikëpamja akademike, por edhe nga pikëpamja etike dhe profesionale. Kjo për faktin pasi Drejtësia e nesërme do të jetë aq e fortë sa janë magjistratët që hyjnë sot në sistem. Prandaj është thelbësore që ata që do ta zbatojnë ligjin të jenë profesionistë me integritet dhe përgjegjësi të lartë morale.

Për këtë arsye duhet: të forcohen mekanizmat e vlerësimit të aftësive analitike dhe të arsyetimit juridik, të rritet transparenca dhe objektiviteti i procesit të përzgjedhjes si dhe të përfshihen më shumë elementë praktikë në vlerësim.

Së dyti, rritja e cilësisë së mësimdhënies.

Shkolla e Magjistraturës duhet të zhvillojë metoda mësimdhënieje që e lidhin më fort teorinë me praktikën. Shkolla e Magjistraturës nuk duhet të jetë vetëm një vend ku mësohen norma juridike. Ajo duhet të jetë një vend ku mësohet arsyetimi juridik, analiza e vendimeve dhe përgjegjësia e vendimmarrjes.
Kjo do të thotë: përdorim më të madh të studimeve të rasteve praktike, simulime gjyqësore dhe analiza vendimesh, bashkëpunim më i ngushtë me gjykatat dhe prokuroritë.

Kjo për faktin pasi modelet ndërkombëtare na tregojnë një të vërtetë të thjesht: një magjistrat nuk formohet vetëm në librat e së drejtës, por në dialogun profesional, në analizën kritike të praktikës dhe në përballjen me sfidat reale të drejtësisë.

Së treti, forcimi i aftësive analitike dhe të arsyetimit juridik të magjistratëve.

Standardet ndërkombëtare të formimit gjyqësor theksojnë se një gjyqësor efektiv nuk mbështetet vetëm në njohjen e normave juridike, por në aftësinë e magjistratëve për të menduar në mënyrë analitike, për të peshuar alternativat dhe për të arsyetuar vendimet e tyre në mënyrë transparente dhe të kontrollueshme. Për këtë arsye, zhvillimi sistematik i këtyre aftësive në formimin fillestar dhe në formimin vazhdues është thelbësor për forcimin e profesionalizmit, pavarësisë dhe integritetit të magjistratëve.

Së katërti, ndërtimi i një kulture profesionale të bazuar në integritet dhe përgjegjësi.
Besimi i publikut tek drejtësia nuk ndërtohet vetëm nga vendimet e gjykatave.
Ai ndërtohet nga integriteti i atyre që i marrin ato vendime. Shkolla e Magjistraturës duhet të jetë vendi ku formohet jo vetëm dijenia juridike, por edhe etika profesionale e magjistratit. Prandaj është thelbësore që në procesin e formimit të vendoset një theks i fortë tek: etika profesionale, përgjegjësia institucionale, si dhe kultura e shërbimit ndaj drejtësisë dhe shoqërisë.

Së pesti, përzgjedhja e pedagogëve dhe ekspertëve më të mirë

Cilësia e një shkolle juridike varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga cilësia e pedagogëve të saj. Për këtë arsye duhet: përfshirje më e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve me kualifikim të lartë, përdorimi i ekspertëve ndërkombëtarë në fusha specifike, profesionistë që sjellin përvojë reale nga praktika dhe vlerësim periodik i cilësisë së mësimdhënies.

Së gjashti, përditësimi i vazhdueshëm i temave të trajnimit

Programet e trajnimit duhet të reflektojnë zhvillimet më të fundit në: jurisprudencën kombëtare dhe ndërkombëtare, teknologjinë dhe provat digjitale, krimin e organizuar dhe korrupsionin si dhe standardet e të drejtave të njeriut. Sepse drejtësia është një sistem që evoluon vazhdimisht dhe formimi i magjistratëve duhet të ecë me të njëjtin ritëm.

Së shtati, një vëmendje e shtuar duhet t’i kushtohet moduleve të trajnimeve që lidhen me mirëqënien e gjyqtarëve.

Mirëqenia e gjyqtarëve nuk është një çështje komoditeti personal. Ajo është një çështje cilësie të drejtësisë. Një gjyqtar i mbingarkuar, i izoluar profesionalisht apo i ekspozuar vazhdimisht ndaj presioneve të ndryshme nuk është thjesht një profesionist në vështirësi. Ai është një institucion i vendosur në një situatë të vështirë. Sepse çdo vendim gjyqësor kërkon qetësi mendore, përqendrim dhe integritet profesional. Drejtësia kërkon mendje të kthjellët. Drejtësia kërkon balancë. Drejtësia kërkon gjyqtarë që janë të aftë të dëgjojnë, të reflektojnë dhe të vendosin me maturi. Prandaj në shumë vende evropiane është kuptuar një e vërtetë e rëndësishme: mirëqenia e gjyqtarëve është një element i domosdoshëm i pavarësisë së gjyqësorit.

Për këto arsye, është e domosdoshme që të hartohen Programe Trajnimi për Mirëqenien e Gjyqtarit, që synojnë të ndihmojë gjyqtarët që të:
1) Menaxhojnë stresin profesional;
2) Ruajnë balancën midis jetës profesionale dhe personale;
3) Përballojnë presionin publik dhe mediatik;
4) Ruajnë integritetin dhe qartësinë në vendimmarrje;
5) Menaxhojnë konfliktet në sallën e gjyqit;
Së fundi, forcimi i transparencës dhe meritokracisë në vendimmarrjen e Këshillit Drejtues, si dhe përdorimi sa më efikas i burimeve të Shkollës së Magjistraturës.

Ne jemi një komunitet relativisht i vogël, por me një përgjegjësi shumë të madhe ndaj drejtësisë dhe ndaj shoqërisë. Për këtë arsye, proceset tona zgjedhore nuk duhet të na ndajnë në kampe, por të na bashkojnë rreth vlerave që ndajmë: pavarësinë, integritetin dhe përgjegjësinë profesionale.

Siç ka thënë Abraham Lincoln: “Një shtëpi e ndarë kundër vetvetes nuk mund të qëndrojë.”
Edhe komuniteti ynë profesional është më i fortë kur është i bashkuar në respektin për njëri-tjetrin dhe për institucionet që përfaqësojmë.

Dita e votimit nuk duhet të jetë një ditë tensioni. Ajo duhet të jetë një moment maturie institucionale dhe dinjiteti profesional, ku secili prej nesh shpreh lirshëm vullnetin e tij dhe ku ky vullnet respektohet pa u vënë në diskutim.

Sepse, në fund të fundit, siç shprehej një nga gjyqtarët më të njohur amerikan Benjamin Cardozo: “Drejtësia nuk ndërtohet vetëm nga vendimet që marrim, por nga mënyra se si e ushtrojmë përgjegjësinë tonë ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj institucioneve.”.

Në fund të fundit, pavarësisht mendimeve apo zgjedhjeve që secili prej nesh mund të ketë, ne mbetemi pjesë e të njëjtit mision. Ne jemi pjesë e të njëjtit komunitet profesional. Dhe mbi të gjitha, ne mbajmë të njëjtën përgjegjësi për të mbrojtur besimin e qytetarëve tek drejtësia.

Historia e drejtësisë nuk shkruhet vetëm nga ligjet që miratohen. Ajo shkruhet nga karakteri i njerëzve që i zbatojnë ato. Ajo shkruhet nga guximi për të marrë përgjegjësi. Dhe mbi të gjitha, ajo shkruhet nga aftësia për të qëndruar të bashkuar në mbrojtje të vlerave që përfaqësojmë. Sepse drejtësia është më shumë se një profesion. Ajo është një përgjegjësi ndaj shoqërisë. Dhe kjo përgjegjësi na kërkon integritet, maturi dhe unitet.

*Pjesë nga fjala e mbajtur nga kryetari i Gjykatës së Posaçme, Erjon Bani





Lajmet e fundit nga